E premte, 02.05.2025, 11:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Janaq Pani: Pse qanë Otrantoja

E merkure, 30.03.2011, 07:43 PM


Janaq Pani, Toronto

 

PSE QAN OTRANTOJA - poemë -  Në nderim të viktimave të 97

 

 

Dhembja?

Një det i thellë!

Gëzimi?

Gur i çmuar!

Në botë për ta sjellë

çdo herë e kam coptuar.

PETEF

 

Kënga e parë

 

Për ku nget sot kjo anije

deti thellë hunguron,

dallgë, o dallgë ku i shpie

atje tej vdekja përgjon.

 

Po mbi shpinë çfarë mbart?

Dhimbje, lot e zemërim,

ikin të kërkojnë fat

përtej detesh, në harrim.

 

Ikin, ikin shpresëvrarë

dallga ngre një mal me ujë,

luten: - Zot, na e bëj mbarë

këtë nisje me rrëmujë.

 

Luten: - Zot, shpëtoje Vlorën,

pse na ra ky short për pjesë?!

Fat, o fat na e zgjat dorën

ëndrra jonë të mos vdesë.

 

Atje larg në dhe të huaj

zgjatna dorën e mëshirës,

eja ëngjëll e na ruaj

larg nga djajtë e errësirës.

 

Kënga e dytë

 

Lamtumirë Vlorë,

nënë, lamtumirë!

Zemra qan në dorë

loti në fytyrë.

 

Loti ndan përgjysëm

dhimbjen sa ky det,

nisëm e stolisëm

nënë, për kurbet.

 

Në udhën e nisur

Vlorë, larg nga ty

do jem i braktisur

nga çdo dashuri.

 

Në dheun e largët

më pafshin të verbër,

veç mallit për ty

s'do më djegë tjetër.

 

Si prush, i mbuluar

Nënë, mall' i largët

të djeg përvëluar

ndaj nuk mbyllen plagët.

 

Kënga e tretë

 

Vurë kujen Labëri,

mbyte dhimbjen sot në lot,

na përpiu det' i zi

dhe të vdekur s'vijmë dot.

 

Ç'qe kjo gjëmë e ç'qe ky fat

për të tetëdhjetë i shkruar?!

Kush na blatoi dhuratë

te ky deti i shkumëzuar?

 

Dorë, kriminele dorë

bëre sot kurban të madh;

të plagosën trimja Vlorë

siç plagoset një sorkadh.

 

Po të ishte si kristal

zemra, nënë nga mërzia

copë e çikë do qe çarë

në njëmijë e një thërrmija.

 

Lis me degë i madh të ishte

zemra, nënë me të qarë

dikur veç një fund do kishte

gjer në rrënjë djegë e tharë.

 

Kënga e katërt

 

Nënë, o nënë e mirëzo

zgjate dorën më mbulo

është i ftohtë i hidhurë.

 

Uji i akullt, cingërimë

nuk më le të mbushem frymë,

ma merr shpirtin grimë e grimë.

 

Si në djepe më përkund

kthetrat zgjat edhe më mund,

det o det si nuk ke fund?

 

Nënë, o nënë e mirëzo

zgjate dorën më mbulo,

flas në jerm e n'ëndëro?

 

Jam e gjallë a mbyturo...

Shoh si shkel lëndinato

ato luleshumato.

 

Lule erëmirato

si ylberi ngjyrato

një kurorë thurr me 'to.

 

Nënëzo end një kurorë

vallen heq dorë më dorë

përreth peshqit kam dasmorë.

 

Zemërgur det i paanë

larg kam nënën dhe babanë,

ndonjë ditë do t'u shkoj pranë

si sirenë do dal në anë.

 

Kënga e pestë

 

Kam et të pi te dorë e gjyshes,

të dal me gjyshin dora-dorë,

t'ia ndreq folezën dallandyshes,

t'i ngjitem manit në oborr.

 

Të loz në rrugë me moshatarët

të matem gjyshe, burrërisht,

të ndjej fitoren apo të qarët

kur më rrëzojnë pabesisht.

 

Të shoh dhe ëndrra me sy hapur

e të më pyesin: - Ç'ke dëshirë

o trim të bëhesh kur të jesh plakur!

E t'iu përgjigjem: - Njeri i mirë!

 

T'iu them se vitet tring e tring

këndojnë te unë me zë kitare

e shpresat mbushin shpirtin tim

me zëthat e një ujëvare.

 

Kam et, o gjyshe...

             Lamtumirë!...

Ma ndjen në çast të keqen zemra

ndaj nis drejt teje me plot dëshirë

me dallgën bashkë një tufë ëndrra.

 

Në se mbërrijnë, nuk di o gjyshe

më dhëmb n'u mbytshin dhe ato.

Sa herë kthehen dallandyshet

ti dil në breg e më kujto.

 

Kënga e gjashtë

 

Eh, o deti i Otrantos

u thafsh e të daltë fundi!

Nëm me zemër sot Sazani

të nëm dhe Karaboruni.

 

Nuk e flet jo, goja e nënës,

nuk të nëm zemër e shkretë

se përnatë sheh në ëndërr

sikur ja, u kthyen djemtë.

 

Sikur ja, u kthyen bijat

me vogëlushët përqafuar,

malli i nënës zbret dhe yjet

dhe një herë t'i mbajë në duar.

 

Që t'i puthë e t'i ngalasë

siç di vetë dhe një herë,

pastaj zemra le të plasë

në prag si qelqe me verë.

 

Kënga e shtatë

 

Marsi vjen e borën shkrin

qeshen shpate e lugina,

si buzqeshje ja, po mbin

manushaqja, trëndelina.

 

Kthehen zogjtë nisin këngën

ngjallin shpirtin e një stine,

pabesisht mars solle gjëmën

na plagose prapa shpine.

 

Det, o det pa shtroji dallgët

vrullin tënd një grimëz ule,

për të dashurit e largët

endëm një qilim me lule.

 

Mere dallgë mëkatare

shpjere tej këtë qilim

te ata që s'lanë varre,

qeto pak dhe shpirtin tim.

 

Lehtëso dhimbjen e nënës

pije helmin gjer në fund,

dhimbja ka forcën e hënës

si batica, det të shkund.

 

Kënga e fundit

 

O  moj Nënë - Vlora trime

ç'na sëmbove këtë herë!

Ja, mbaroi kënga ime,

le t'ia thonë dhe të tjerë.

 

Zemra di veç të këndojë

për ata që do me shpirt,

trimi me këngë në gojë

për vatanin bëhet flirt.

 

E jep si nektarin bletët

trimërinë që në sisë,

ndaj as trimat, as poetët

nuk iu shterrën Labërisë...

 

Prill - maj 1997.  Botuar për herë të parë te gazeta DRITA - gusht 1997



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx