Kulturë
Halit Bogaj: Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur
E marte, 29.03.2011, 07:56 PM
Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur
Nga Halit Bogaj
‘’ Gjenerali i ushtrise se vdekur ‘’ është njëra prej veprave më të mira të letersisë shqipe e cila është përkthyer në shumë gjuhë botërore. Me këtë vepër të famshme, shkrimtari Ismail Kadare u bë emri më i shquar në Shqipëri i cili i shkroi edhe disa romane të tjera të njohura si : ‘’ Kështjella ‘’, ‘’ Kronikë në gur ’, ‘’ Ura me tri harqe ‘’, ‘’ Prilli i thyer ‘’, ‘’Pallati i ëndërrave ‘’ dhe vepra të tjera të rëndësishme. Veprat e tij u botuan së pari në frengjisht pastaj anglisht, gjermanisht, italisht, në gjuhët sllave dhe në disa gjuhë të tjera botërore.‘’ Gjenerali i ushtrisë së vdekur ‘’ përshkruan ngjarje interesante të cilat kishin ndodhur në Shqipëri 20 vjet pas përfundimit të Luftës së dytë botërore.
Një gjeneral italian së bashku me një prift, ‘’ i cili kishte qenë atëherë në luftë ‘’ ishin nisur për në Shqipëri për ti mbledhur eshtrat e ushtarëve italianë të cilët ishin vrarë në atë luftë.
Para se të nisej mendonte se bënte një punë të ndershme dhe të rëndësishme për shtetin e tij, por kur arrin atje ai e sheh realitetin dhe fillon të brengoset dhe të pendohet për detyrën të cilën e kishte marrë përsipër. Para se të nisej kishte lexuar për klimën e Shqipërisë dhe e dinte se në atë vjeshtë ditët do të merrnin me shi, prandaj misioni i tij do të bëhej edhe më i vështirë. Sa ishte në aeroplan e shikonte edhe pamjen kërcënuese të maleve shqiptare, të cilat me lartësinë e tyre dukeshin se do ta preknin aeroplanin. Ai për një çast e mendonte se pikërisht atje poshtë, nën atë shi dergjej ushtria e tij të cilën duhej ta zhvarroste. E kishte marrë këtë detyrë, siç shprehet Kadare ‘’ që ta nxirrte nga balta ‘’ atë ushtri. Gjenerali e dinte se edhe pasojat mund të ishin të papritura. I dukej se përveç vendit në të cilin shkonte, edhe malet e tregonin armiqësinë ndaj tij. Prandaj për disa çaste mendonte se ishte e pamundur edhe kryerja e misionit të cilin i’a kishte ngarkuar vullnetarisht vetes. Por edhe pse dyshonte, prapë ishte krenar me misionin e tij, të cilin e konsideronte të lartë dhe fisnik.
Ai e dinte fare mirë se në vendin e tij mijëra nëna i prisnin eshtrat e bijëve të tyre, ndaj edhe ishte krenar për punën që do ta bënte, e cila i dukej që ishte e shenjtë. Sipas tij, asnjë i vrarë nuk duhej të harrohej.
Në udhëtim e sipër dhe tek mendonte, më në fund avioni po ulej në tokë. Gjenerali zbriti i pari , pastaj prifti i cili e shoqëronte. Ata i priste një makinë në të cilën ishin specialisti shqiptar dhe dy të tjerë nga komunalja dhe ministria. Kur arritën në vendin e caktuar, ai shikohet me nënçmim nga njerëzit të cilët shumë shpejtë e kishin hetuar qëllimin e shkuarjes së tij atje.
Pas gërmimeve të shumta të cilat bëheshin në mot të keq dhe terren të vështirë, ai i gjen shumicën e eshtrave por jo të gjithat, e në veçanti ato të Kolonelit Z. Nga dëshira e madhe për t’i gjetur eshtrat e Kolonelit Z dhe shpërblimet e urimet që do ti merrte nga e veja e tij, ai vazhdon kërkimin por pa sukses.
Atij i kujtoheshin netët para nisjes në Shqipëri, kur shtëpija e tij nga mëngjesi deri në mbrëmje ishte e mbushur plot me njerëz që shkonin për ta lutur t’ua kthene të afërmit e tyre të vrarë në Shqipëri.
Mëtej duhet theksuar se pikërisht në ditët kur i kishte humbur shpresat që t’i gjente eshtrat e Kolonelit Z, në fshat bëhet një dasmë ku ishte i ftuar edhe gjenerali. Papritmas, gëzimin e dasmës e prishë plaka Nicë e cila i’a sjell gjeneralit eshtrat e Kolonelit Z, të cilin gjatë luftës e kishte vrarë vetë me sopatë, pasi ai i’a kishte dhunuar vajzën 14 vjeçare, e cila nga turpi që i kishte ndodhur e kishte mbytur veten duke u hedhur në një pus. Që nga ajo ditë plaka Nicë ishte bërë si e çmendur dhe për aq shumë vite,nën pragun e derës së shtëpisë, i kishte mbajtur të fshehur eshtrat e Kolonelit Z. Të gjithë të ftuarit në dasmë mbesin në heshtje dhe pa asnjë fjalë. Nga dëshpërimi që përjeton gjenerali në atë dasmë, fillon ta urrejë Kolonelin Z, eshtrat e të cilit i hedh në një humnerë. Por para se të nisej në vendin e tij, ai pendohet dhe i maskon disa eshtra të tjerë për t’ia dërguar të vejës së Kolonelit Z, .
Nga kjo del se porosia e veprës qëndron në faktin se të gjithë ata që përpiqen t’i pushtojnë vendet e huaja, gjithsesi do të kthehen atje për t’i mbledhur eshtrat e ushtarëve të tyre.Vepra është edhe apel kundër luftës dhe për këtë arsye është edhe madhështore e cila na lë mbresa të fuqishme dhe na tërheq për ta lexuar,siç thuhet, me një frymë. Gjithashtu vlen për t’u theksuar se kjo vepër është luajtur disa herë në teatër, televizion dhe film. Filmin e ka realizuar një produksion francez me aktorët: Michel Pikoli/Gjenerali/ dhe Marçelo Mastrojani /prifti/
Kjo vepër është madhështore edhe për shkak të kompozicionit të saj të përsosur dhe nga shkaku se çdo faqe e saj është interesante dhe e realizuar me mjeshtëri të madhe nga shkrimtari Ismail Kadare i cili me vite të tëra është kandidat për çmimin Nobel për letërsi.