Kulturë
Tahir Bezhani: Në Shukëz protestë e këngës sime
E merkure, 30.03.2011, 07:53 PM
Tahir Bezhani:
NË SHKUKËZ* PROTESTË E KËNGËS SIME
Eja zemra ime
Të ikim së bashku larg
Te mali ku kënga nuk pushon
Hareja ku zhurmon,
Në qiellin e kaltër
Mes pishave të gjata
Të ngrijmë dolli
Unë e ti.
Zemra ime e plagosur!...
Eja,
Me damarët e ngushtuar
Rrugëtojmë rrugicave pyjore
Dalldisemi në kulmin e haresë
Ushqejmë ajrin e pastër
Nga pishë e harlisur
Ku këngët e zogjve nuk pushojnë
E qukapikët çokasin trupin
Krimba kërkojnë
Shpirti im i lodhur dridhet
Rrugicave malore
Mbushur lot e mall
Nga vetmi e djegur.....
Eja,
Eja, zemra ime!
Të ecim pishnajës freskuese
Vetëm unë e ti
Tri herë në ditë drekojmë
Oksigjen të pastër
Pastaj thellë frymojmë
Pa frikë kalërojmë
Mes këngës së zogjve
Melodi e pa artikuluar
Mos nxito zemër
Por venat e rrudhura
Shkrij në flakën e durimit
Mos më tradhto mes pylli,
Mos u dridh lazdrueshëm
Mos ngri këngën në buzë
Mos shito bukurinë në shikim
Mos këput këngën e zogjve
Se vaji gjëmon ...
Bimët e shpirtit janë larg
Trarëve të shtëpisë
Lëmashku u djersitet
Vaje lëshojnë,
E,kënga e rebeluar proteston
Ofshamë shpirti e këputur
Dielli po ikën ngadalë
Nata po ngryset në mal
Të vetmuar kaluam ditën
Në kupë të zbrazët!....
Pishat lotojnë mbi sytë e mi
Në Shkukëz jeta le gjurmë malli
Sanatorium në rrugëtim
Ngushëllim i kohës në kalim
Vaji i çmendur shpirti
Eja të shëtisim!
Vetëm Ti dhe unë
Se më ushqen me lëng shprese
Unë ty me këngë zogjsh
Në vetmin e përditshme...
Në Shkukëz rrëshqet
Në Shkukëz ecën jeta ime....
Gjakovë,
25.03.2011
Shkukëz,vend pikniku në periferi të Gjakovës, me pisha freskuese ku në ditën e vikendit qytetarët kalojnë çaste të bukura pushimi. Është vend i shëndetshëm dhe atraktiv,i preferuar edhe për ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.