E premte, 02.05.2025, 07:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Tregime me prosede bashkëkohësie

E enjte, 31.03.2011, 07:57 PM


Tregime me prosede bashkëkohësie

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Për veprën artistike në përgjithësi dhe për atë letrare në veçanti, janë thënë shumë mendime që nga antikiteti e deri sot. Teorikët antikë, por edhe ata të letërsive dhe drejtimeve të ndryshme letrare, kanë dhënë mendime brilante dhe tejet përmbajtjesore. Madje, secili prej tyre është një perlë që ndriçon nëpër kohën hapësirë, por edhe nëpër hapësirën kohë. Për veprën artistike në përgjithësi Hegeli në mes të tjerash thotë: “Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin”. Ky mendim, mbase i përshtatet veprës me tregime “Dritë e zezë” të autorit Muharrem Kurti, emri i të cilit deri tash për lexuesit, është i njohur si poet sepse ka botuar tri vëllime poetike: “Gjelbërimi natën”, “Lutja e kthimit” dhe “Lotët e luleve” që shënojnë rangun e poetikës së tij, e cila me sukses është paraqitur dhe inkuadruar në rrjedhat e poezisë bashkëkohore shqiptare.

Vepra me tregime “Dritë e zezë” e Muharrem Kurtit që në titull, me këtë sintagmë, sinjalizon për trajtimin e krajatave jetësore që nëpër kohën hapësirë nuk ishte gjithmonë shndritëse, sepse shpesh hapësira kohë ndriçohej zi ngase rrezet e dritës, sidomos ato të lirisë kombëtare, por edhe personale, e pse jo edhe individuale, ndriçonin zi dhe lëshonin rreze të zeza drite. Mbi këtë sintagmë pena e krijuesit gjurmon për ta ngritur në art letrar, pra në prozë, trinomin: ideologjitë, virtytet dhe veset e njeriut si qenie shoqërore dhe pse jo edhe biologjike. Gërshetimi i elementeve të këtij trinomi koordinohet, shtrihet dhe jeton në simbiozë të përbashkët. Për ta shprehur më mirë këtë, Muharrem Kurti, veprën e tij e sistemon në tri njësi qerthullore, në “Llahtari”, “Dritë e zezë” dhe “Perlë zemre” të përberë nga tregimet që u ngjajnë rruazave të një gjerdani. Dhe kështu secili tregim rruazë në gjerdanin vepër letrare, ka vlerën dhe çmimin e vet, por bukurinë, vlerën artistike e çmimin e poetikës e kanë të tëra së bashku. Njësitë qerthullore, por edhe tregimet rruaza, janë përshkrime të jetës së përditshme, dhe ato të dhëna me kursin e elegancës, diku edhe në mënyrë fragmentare, e lënë lexuesin të mendojë e gjykojë më gjatë porsa t’i lexojë dhe ta fantazojë vijimin e domethënies artistike dhe shtresore. Kjo është letërsia e së vërtetës, letërsia e gërshetuar me përjetime dhe ndodhi bashkëkohësie. Prandaj për dukuri të tilla të trajtuara në artin letrar, shkrimtari i madh gjerman dhe botëror Gëte shkruan ndër të tjera se letërsia është fragmenti i fragmenteve. Në të është shkruar më e pakta nga gjithë sa ndodh e flitet kur është shkruar apo për cilën kohë shkruhet në vepër letrare. Ky mendim i gjeniut Gëte përkon me lëndën dhe temat e trajtuara në tregimet e kësaj vepre letrare.

Njësia e parë qerthullore e trinomit e cilësuar “Llahtari” nga shkrimtari përbëhet nga tri tregime rruaza të gjerdanit jetësor dhe kanë për tematikë tmerrin, llahtarinë, jetën, vuajtjen, robërinë, por mbi të gjitha vdekjen, e cila është katrahurë dhe fund i kësaj jete. Gërshetimi i tillë psikologjik, filozofik dhe artistik përkon me trinomin si bazament i prosedesë tregimtare të kësaj vepre. Rrëfimet e personazheve kryesorë të tregimit “Tmerr lufte” janë shfaqje të një realiteti, janë fragmente të një kohe gjenocidi që bëri këtu ushtria serbe me paramilitarët dhe forcat e tjera okupuese. Në tematikën e këtij tregimi, por edhe te “Varret” dhe “Kthimi i Kryearmikut” pasqyrohet mjeshtërisht ana më e keqe e njerëzve, veset e tyre që përkojnë me ato shtazore, por edhe më keq. Në këtë gërshetim nuk kursehen as pjesëtarët e parisë që është zgjedhur për të udhëhequr në liri, e cila shpejt i harrojë të gjitha dhe bashkëpunon me kryearmikun. Për këtë autori në fund të tregimit “Varret” shkruan: ” -Mos shko biri im, në të tillë përvjetorë dhe në të tilla ndeja. Mos rri, biri im, me të tilla pari. Askush nuk të mbron nga gjykata hyjnore po u bëre i tillë. Ruaju biri im mëkateve të gjallëve që nuk kanë Zot e atdhe! Larg tyre rri!”. Ndëshkimi i këtillë shënon piedestalin akuzues në tregimin rruazë me prosede bashkëkohësie.

Një pjesë tjetër e trinomit qerthullor është edhe njësia “Dritë e zezë” e zinxhirit që përbëhet prej pesë tregimesh rruaza. Kjo njësi është pasqyrim dhe kristalizim ironik i jetës së re, e cila shpreh të gjitha ëndjet e veta. Rruga e shtresimit motivues nuk rri pezull, por ajo është e trasuar bukur me shpërfaqjen e të gjitha bëmave jetësore të kohës dhe hapësirës së emërtuar. Dhe kështu, madje rrjedhshëm, pa shtrëngime as kamuflime del në sipërfaqe ironia, madje edhe sarkazma e saj. Dhe kjo bëhet duke u veshur me petkun e artë të shprehjes letrare të tregimit, e cila del triumfuese në secilën qelizë të mirë e të virtytshme të jetës. Zhveshja dhe ironizomi i të keqes e këqijave, mashtrimeve, kurdisjeve, kriminalitetit, tradhtive, pangopësive, por edhe ideologjisë të së kaluarës moniste, ndërtohen mbi këtë figuracion, sa ngjizës aq edhe funksional. Andaj, metafora dritë e zezë është pasqyrë, madje edhe reale, e kësaj kohe hapësirë, në këtë hapësirë kohe. Dhe kjo pjesë e trinomit ka shtrirjen më të dendur dhe më kreative në vepër. Ndeshja e veseve njëra me tjetrën nuk zgjedhin asgjë. Madje veset vetëm vijnë duke u trashur derisa arrijnë hallkën më tmerruese kriminalitetin. Ky kriminalitet në tregimin me titull “Viktima e kriminelit” është rrjedhë e të gjitha unazave të motiveve të tregimeve të tjera si: “Mosbesimi”, “Kotësi”, “Tregimi i Nobelistit”, por edhe atij “Letër nga Gjakova”. Madje, secili tregim edhe pse i pavarur lidhet njëri me tjetrin mirë artistikisht dhe vepron për bukuri edhe në përbashkësi. E përbashkëta e tyre shihet në tematikë, prosede, bashkëkohësi, por edhe në gjykim dhe dënim të gjitha të këqijave të kësaj kohe të përmbushur përplot injorancë dhe injorantë, e cila mund të pagëzohet kohë injorante dhe injorantësh.

Njësinë qerthullore “Dritë e zezë” autori Muharrem Kurti, prapëseprapë nuk e lë të shkëputur nga tërësia simbiozë e veprës. Bile, këtë e vë në qendër të ironisë dhe sarkazmës, duke e ngjizur dhe ngjeshur dhe duke e kritikuar ideologjinë moniste e komuniste, e cila ishte fatkeqësi për shqiptarët edhe andej, por edhe këtej kufirit të vdekjes, sakrificës apo “Murit të Berlinit” shqiptar. Ky mur ishte vijë e ujitur me gjak, ishte perde e errët, ishte dritë e zezë, ishte e çka nuk ishte, andaj mallkohej dhe mallkohet nga të gjithë shqiptarët. Edhe atmosfera e përdorur, shtrirja dhe kompozimi i saj nuk është njëdimenzionale, sepse autori, duke qenë njohës e përjetues i jetës andej dhe këtej kufirit nuk çalon në këtë aspekt. Kjo njohje për këtë vepër dhe tregimet e saj do t’i kalojë të gjithë barrierat duke u shtrirë tek të gjithë lexuesit në tërë gjeografinë e letërsisë sonë kombëtare.

E veçanta e veprës “Dritë e zezë”, e cila vetëm për intimen, erotikën dhe ndjenjën që trajton, duket më lirike, më ndijesore dhe më besteliere, është njësia qerthullore “Perlë zemre”, e cila edhe pse radhitet në fund të veprës nuk i zvetënohet vlera, por përkundrazi ia ngrit atë tërë veprës. E sajuar prej pesë tregimesh rruaza trajton aspektet më interesante, më simpatike, më intime dhe më të dashura të jetës njerëzore. Në tregimin “Ftesa e Misit” shprehet ana brilante e bukurisë, por edhe ana tjetër e shëmtuar e amoralitetit dhe jo ndershmërisë njerëzore. Këtu trajtohet lakmia që e ven në peshojë dinjitetin e njeriut duke e vendosur mbi tehun e mprehtë të lakmisë amorale të individit. Misi si personazh në tregim vepron pa ngurrim e as mëdyshje sepse: “-Si kujtuat ju!, shtoi Misi, -se do të lëshoja trupin me aq lehtësi në duart e juaja? Sa të pafytyrë jeni ju burrat? Dëshironi që të shfryni vetëm epshet tuaja, ndërsa nuk ju pengon njollosja e tjetrit. Çfarë burrash jeni ju? Vetëm të shikoni një femër të zhveshur dhe hop sipër saj? Ku e keni besnikërinë? Tradhtarë të ndyrë!”. Ndërkaq Kujtimi i “Dashuri e ndëshkuar” bie fli pse nuk e harron, madje edhe bisedon në gjumë me të dashurën andej kufirit derisa ishte në qelinë e burgut. Andaj nuk i mungon ndëshkimi me shumë ditë vetmi në qeli. Në këtë nuancë shpaloset ana e egër e pushteteve komuniste të dy shteteve fli e të cilëve ishin shqiptarët. Analiza e kësaj situate depërton në mënyrë figurative mbi fragmentin real të kohës hapësirë që ishte e pamëshirshme atëherë. Kujtimi është flijim i burgut monist andej dhe këndej kufirit vdekjeprurës.

Ndërkaq lirizmi, madje erotika, intimiteti dhe dashuria me Pedagogen dhe studenten e re të Universitetit janë specifike dhe pse jo edhe veçanti të prozës së Muharrem Kurtit. Ndërtimi, shtjellimi dhe paraqitja e kësaj mënyre të dashurisë zhvillohet mbi disa elemente deri diku reale, por edhe të guximshme. Prandaj lexuesi di të depërtojë në thellësinë e këtyre tregimeve duke gjetur, madje edhe përjetuar ndonjë fragment nga jeta e vet. Kështu arrihet qëllimi i artit dhe funksionalizimi semantik i tij.

Në tregimet e vëllimit “Dritë e zezë” të Muharrem Kurtit inkuadrohen me sukses në mesin e prozës bashkëkohore shqiptare. Rëndësia e këtyre tregimeve qëndron në disa aspekte, por që veçohen për ndonjë nuacë specifike të prosedesë, semantikës dhe të tjerave. Këto cilësi dhe të tjera do të shpalosen me sukses nga lexuesit bashkëkohorë, por edhe ata të së ardhmes.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx