Kulturë
Fotaq Andrea: Rekord botëror në tatuazh në shekullin XIX - Shqiptari Gjergj Aleksandër Kostandini
E merkure, 30.03.2011, 07:59 PM
Rekord botëror në tatuazh në shekullin XIX -
Shqiptari Gjergj Aleksandër Kostandini
Nga Fotaq Andrea
Më 25-27 mars, në Cow Palace Arena – San Francisko, u organizua “Body Art Expo”, një shfaqje gjigandeske e artit trupor të tatuazhit, duke dëshmuar për një masivizim të plotë të këtij arti që prek tashmë jo vetëm të rinjtë, por kategori të ndryshme të moshave dhe shtresave shoqërore. Mbi të gjitha, në këtë Ekspozitë do vihej re një shkallë e lartë përsosurie në teknikat e realizimit të figurave, si dhe një kombinim i përsosur i tatuazhit me persingun, krahas larmisë së tematikës dhe larmisë së ngjyrave.
Pa dashur të bëjmë historikun e gjatë të tatuazhit, lypset të theksojmë se në tërë kohërat dhe në tërë shoqëritë njerëzore, mënyra e zbukurimit të lëkurës me vizatime ka qenë mjaft e njohur dhe mjaft e përhapur, duke kryer funksione nga më të ndryshmet, me karakter etnik, fetar, shoqëror, ushtarak, artistik e estetik. Njerëz të shquar mbanin mbi trup tatuazhe, si Zhan d’Arka, d’Artanjan, Napoloni I-rë, Mari Stuart, Garibaldi, etj. Gjurmët më të hershme të tatuazhit i kemi mbi një mumie 2000 vjeçare në Egjipt, ndërkohë që edhe qytetërimi i lashtë japonez dëshmon për teknika të përdorimit të tatuazhit që para 2500 vjetëve.
Sikurse dihet, vetë fjala “tatuazh” vjen nga një dialekt i Polinezisë dhe konkretisht nga fjala tahiciane “tatu” (shenjësoj – shënoj me anë shenje), dhe fakti është se me zbulimin e qytetërimeve primitive në ishujt e Oqeanisë, sidomos në Zelandë e në Guinenë e Re, apo në ishujt Moris e Papu, shpejt u vu re se tatuazhi, me krejt ngjyrat e veta, përbënte njëfarë tualetimi të themi, apo një lloj veshjeje të trupit zbukuruar përditë, që synonte, para së gjithash e mbi të gjitha, të shprehte ndjenja dhe qëndrime të caktuara: për shembull, për të trembur kundërshtarin, duke i kallur datën me vizatime të frikshme; por edhe për të joshur të dashurën me vizatime të hareshme shumëngjyrëshe. Madje në Zelandën e Re, do vërehej se tatuazhi kishte karakter të caktuar historik, gjer edhe heraldik. Ndërsa në Lindjen e Mesme, historikisht tatuazhi, përveçse plotësonte fantazitë individuale, përdorej edhe si shenjë fisi, apo si shenjë identifikuese, madje edhe si shenjë damke, duke mos kursyer, për shembull, vajzat “e shthurura”, që vuloseshin me shenjën e turpit, apo keqbërësit, të cilët për të hequr damkën dhe tatuazhin e turpit shoqëror nuk ngurronin të digjnin mishin me squfur të shkrirë apo edhe të këpusnin krahun si ta kishin humbur në betejë.
Në Shqipëri, sikurse thotë Prof. Mark Tirta në veprën e tij “Mitologjia ndër Shqiptarët” tatuazhi jo vetëm dëshmohet në krejt Shqipërinë, por ndër motivet më të parapëlqyera kanë qenë ato që përfaqësonin kultin e diellit dhe të hënës, si simbole të doherëshme pagane që prej kohëve para-ilire e ilire. E madhërishmja Edit Durham, së cilës i detyrohemi një përmendore të lartë në Bjeshkët e Shqipërisë, do vërente, në studimet e saj, se tatuazhi shqiptar gruponte në një të vetme simbolet kozmologjike (diell e hënë bashkë) dhe se ky lloj tatuazhi nuk kish të bënte aspak me Grekët, Romakët a me Sllavët që erdhën më vonë në gadishullin Ballkanik. Autorë të lashtë grekë, Herodoti, Straboni e Plutarku nuk kanë munguar të nënvizojnë se tatuazhi ishte një zakon jo vetëm i Japodëve por edhe i krejt fiseve ilire e trake.
Duke përvijuar një rrugë të gjatë, që prej kuptimeve të para primitive simbolike gjer në përfaqësimin e shenjave të veçanta të fisnikërisë, tatuazhi do fillonte të merrte, në fund të shekullit XIX, në Angli e Amerikë, të drejtën e vlerësimit dhe të përdorimit, qoftë edhe në sallonet mondane, ndërkohë që në Francë do vazhdonte të qëndronte ende në nivele të ulëta, përdorur kryesisht nëpër burgje, ku të burgosurit, krahas figurave e portreteve, parapëlqenin të shkruanin mbi mish fjalët “Të dua”. Në fund të fundit, siç shprehej me të drejtë Tokëvili, filozofi dhe historiani francez i shekullit XIX, dukej që tatuazhi kërkonte në këtë mënyrë t’i plotësonte njeriut njëfarë nevoje “për t’i dhënë vetes ngrohtësi përpara ftohtësisë, sëmundjes së shpirtit”. Pra, përtej një lloj zbavitjeje për të thyer monotoninë e jetës qelizore mbi trup të njeriut, kërkohej, nëpërmjet simbolikës tatuazh, të shpalosej një botë e tërë me mesazhet e veta.
Më 1842, për herë të parë, irlandezi James F. O’Connell, ekspozoi trupin e tij mbuluar me tatuazhe në Lion Circus e më pas në Barnum’s American Museum, duke lënë mbresa të thella te turma të tëra njerëzish që shihnin më në fund një trup lëkurëbardhë krejt të tatuuar, pas indianëve të Oqeanisë, për të cilët kishte folur James Cook që në vitet 1760, kur e zbuloi tatuazhin gjatë udhëtimit të tij për në ishujt Markize. O’Connell kishte kaluar njëmbëdhjetë vjet në Mikronezi pas mbytjes së anijes së tij, dhe mburrej se ishte kapur prej vendasve, të cilët e kishin detyruar, gjithnjë sipas tij, të pranonte tatuazhet mbi trup, duke e shndërruar kështu lëkurën e tij si në atë të një rinoqeronti.
Pasues i tij i drejtpërdrejtë, po në Amerikë, që ekspozoi turpin gjithë tatuazhe do të ishte këtë radhë Shqiptari Gjergj Aleksandër Kostandini, i njohur ndryshe me titullin “Captain Costentenus, the Greek Albanian”, apo më thjesht, “Kapedan Kostandini shqiptar ortodoks”, duke ditur më së miri se historikisht, prapa termave “Shqiptarë grekë” ishin Shqiptarët e Toskërisë dhe të Epirit, ashtu sikurse prapa termave “Shqiptarë turq” qëndronin Shqiptarët e fesë myslimane. Nga ana tjetër, vetë termi “Captain – kapedan” fsheh një ofiq më se të njohur tek Shqiptarët.
Por, le ta shohim më nga afër historinë e Kapedan Kostandinit, i cili, siç do vëmë re, jo vetëm që do shpallej kampion i tatuazhit gjatë shekullit XIX, por do cilësohej me këtë rast edhe “Princ Kostandini i Shqipërisë”, dhe kjo për faktin se trupi i tij përmbante numerikisht sasinë më të madhe të tatuazheve, si dhe një estetikë e realizim artistik të shkallës së lartë, që për vite me radhë do mahniste turma të tëra admiruesish në Amerikë dhe Europë.
Thuhet se lindi në Shqipëri aty nga viti 1836 dhe se e veshi trupin me tatuazhe, nga koka në këmbë, me të vetmin qëllim për ta ekspozuar. Shkoi në Birmani, ku jetoi shtatë vjet dhe ku u tatuua nga mjeshtër vendas, të mbetur anonimë. Ai vetë, ashtu si paraardhësi i tij O’Connell, duke ekspozuar trupin në publik, tirrte një histori të tërë për t’i lënë njerëzit gojëhapur, duke pretenduar se u kap nga tartarët kinezë dhe se u akuzua për puç kundër mbretit të tyre. Andaj për dënim, ata ia veshën trupin gjithë tatuazhe dhe me shkrime e kode misterioze për të mos iu zhdukur kurrë nga trupi. Nga ana tjetër, shpallte me bujë se vinte nga Shqipëria
dhe se në vendin e tij kishte qenë “kapedan” që vetë këtë term e përkthente në anglisht “kapiten”, por që në vendin e tij kishte një kuptim më të lartë, atë të Princit. Dhe mund t’i japim të drejtë, po të kujtojmë këtu se edhe kapedani Prenk Dod Biba njihej në Perëndim me ofiqin Princi i Mirditës.
Otto Spamer, gravure ne dru
Nga ana tjetër, mjekë e specialistë dermatologë, sidomos ata të Universitetit të Vjenës, bënë vëzhgime e studime mbi trupin e tij dhe ishin çuditur nga elasticiteti i lëkurës dhe shëndetshmëria e saj, ku pigmenti i tatuazhi qëndronte krejt i pastër, pa deformuar aspak format e përkryera të imazheve. Në librin “Compendio di Medicina legale” të Giuseppe Zinos, botuar në Milano më 1906, vihet konkretisht në dukje: “Shembulli më domethënës i tatuimit të shumëfishtë na shfaqet në teknikën tatuazh të Birmanisë, e cila ka përbërë objekt të një studimi të gjatë nga ana e Hebra-s, Heitzmann, Kapo-s, Moriggia-s e të tjerëve. Duke iu referuar të dhënave të A.A. kjo teknikë na shfaqet në mënyrë mahnitëse si vepër arti e gjallë tek i quajturi Giorgio Costantino, beqar, lindur në Shqipëri dhe që fliste shumë gjuhë. Kishte shtat mesatar të fuqishëm, formë të bukur trupore, të shëndetshme, mbante mjekër të plotë të zezë, me qime të gjatë në ngjyrë origjinale. Kur e shihni ulur mbi karrige, duket krejt i veshur me mantel turk, stampuar me figura nga më fantastiket. Nga çaçka e kokës gjer te majat e gishtërinjve të këmbëve, lëkura e tij është e veshur me figura ngjyrë blu të errët, të ndara nga përvijime vizatimore në ngjyrë të kuqe koqinadhi. Tërë këto figura kapin shifrën rekord prej 387 vizatime. Është i mbyllur si karakter dhe me moral të rënë; tregohet modest, dhe gëzon shëndet të mirë; qimet e lëkurës, me përjashtim të flokëve dhe mjekrës, i kanë rënë; vuan nga dëgjimi dhe shikimi; ka herë-herë diarre dhe dhimbje barku; i janë shtuar së tepërmi leukocitet në gjak dhe urinon mjaft albuminë” (f. 116).
Ja pra personazhi ynë i parë nga një specialist, por ka shumë të ngjarë që këtu të bëhet fjalë për vitet e fundit të jetës së tij, sepse kronika të tjera të kohës na e nxjerrin kapedan Kostandinin tepër të gjallë, aktiv e ekspresiv. E shohim konkretisht në vitet 1870-1880, duke dhënë shfaqje cirku si artist showman gjatë udhëtimesh të shumta, duke qenë shpirti i trupës PT Barnum. Kjo trupë e pajtoi atë me rrogë javore bazë prej 1000 dollarësh, një shumë kjo e konsiderueshme për kohën. Por ai nuk mjaftohej me aq, sepse nxirrte fitime edhe në forma të tjera të tërthorta, si për shembull nga e drejta e ekspozimit të trupit, duke qenë objekt i botimit të kartolinave, vizatimeve, artikujve, studimeve e librave. Studimet e mëvonshme i nxorën në fakt 388 figura në trup, pa llogaritur pikësimet e ravijëzimet misterioze si një shkrim i koduar që ndanin imazhet nga njëri-tjetri dhe që përbëjnë në tërësinë e tyre rreth dy milionë gjilpërizime apo shpime në lëkurë. As edhe një majë thoi, thonë kronikat, madje as organet e tij gjinore nuk kishin mbetur pa u tatuuar në trup të tij. Pasuria e madhe e figurave dhe pastërtia artistike e realizimit të tyre bënë që ai të zinte vendin e parë në kohën e tij në gjininë e tatuazhit artistik. Për më tepër që suksesi i tij lidhej edhe me anën misterioze të historisë së jetës së tij, që e thurte me shumë dramacitet, duke e mbajtur publikun të lidhur pas vetes. Madje, po të shohim nga afër emrin e tij, Gjergj Aleksandër Kostandini do thoshim se thjesht këtu, në mos qoftë ky emër pseudonim, na shfaqet një lëndë e pasur historike që i bënte atij të mundur të tirrte histori interesante për Skënderbeun, Aleksandrin e Madh dhe perandorin Kostandin Paleologu, gjithçka që te këto figura të shquara përfaqëson drejtpërdrejt Shqipërinë dhe Orientin ballkanik, aq i afërt e misterioz për Europën dhe Perëndimin.
E parë nga afër, tërësia e tatuazhit të tij përbëhet nga kafshë, shpesë e bimë, si dhe nga figura fantazmagorike e mitike. Dy gjarpërinj të mëdhenj i shfaqen në bark dhe përmbi ta, tre elefantë, kur dihet që Birmania ka qenë dhe është e njohur për elefantët e saj. Vërehen majmunë, pallonj, leopardë, lloj tatush e breshkash, të gjitha të shformuara, zogj në fluturim a në pozicione të ngrira, kërmij, zhapinj, figura misterioze me forma të çuditshme gjeometrike, gjer edhe me pamje djallushësh apo zvarranikësh, mjaft ekspresivë, si për të magnetizuar e mbajtur vështrimin të mbërthyer. Ndonjë lloj kafshe mitike, pozicionuar në këmbë, paraqitet madje edhe me kurorë mbretërore mbi kokë.
Kryet, po ashtu, shfaqin harmoni të mjekrës dhe flokëve gërshetë me tatuazhet e fytyrës dhe të ballit. Poshtë syve, mbi mollëza, në të dy anët, renditen në formë trekëndëshi tre simbole kryqi, me sa duket me karakter fetar; po ashtu, në rrënjën e hundës, përsëri një yllëzim që ndan vetullat, dhe mbi ballë, dy shtazë mitike, si dhe mori shenjash të kuqe e të kaltërreme; mbi kurriz, përsëri kafshë të shformuara në gjininë e leopardëve, tigrave, kuajve, majmunëve luftarakë me mjekër, armatosur madje me mburojë e çomange, e kështu me radhë. Dhe sërish, mori figurash gjeometrike mbushur me shenja të veçanta.
Një tablo e kohës, që paraqet “Prince Constantine, Albania, 1870” ndodhet në Muzeumin e Tatuazhit të Amsterdamit, nga më të bukurat, kurse një tjetër gravurë e vitit 1873 është realizuar nga austriaku Otto Spamer në dru, dhe e paraqet princin Kostandini me pamje nga kurrizi, duke i treguar krejt qafën me flokët gërshetë të kapur, si dhe pëllëmbët e duarve dhe gishtërinjtë veshur në tatuazhe. Sot, mjaft ilustratorë tatuazhesh, bazohen mbi këto vepra artistike të kohës për të dhënë një princ Kostandini disi karikatural, prototip të afisheve reklamuese të artit të tatuazhit.
Nuk dimë me saktësi datën e vdekjes së tij, por ka shumë të ngjarë të ketë ndërruar jetë aty nga mesi i viteve 1880, kur dihet që kulmi i aktivitetit të tij artistik ishte pra në vitet 1870-1880. Vdiq i pasur, thonë kronikat, dhe gjysmën e pasurisë së tij ia la Kishës ortodokse të Londrës, kurse pjesën e mbetur ia la anëtarëve të trupës së tij të cirkut, me të cilët kishte kaluar vitet më të bukura të jetës.
Ja pra, historia e Shqiptarit Gjergj Aleksandër Kostandini, njeriut që theu krejt rekordet e artit trupor të tatuazhit në shekullin XIX, duke dëshmuar për një shpirt të fuqishëm aventurier e të çlirët, por mbi të gjitha për një shpirt artistik të dorës së parë.