Kulturë
Dy poezi nga Hasan Qyqalla
E enjte, 31.03.2011, 07:44 PM
Hasan Qyqalla
GËRSHETAT
(Shukrie Obërtincës)
Shkule gërshetat, fije për fije
E qumshtin e njomë s’e fale dot
Drenush shtatëhedhur, dhe sot bën hije
Qëndisen gjoksin, dyzet e ca barot!
Balli shëndriti, në rreze të marsit
Trupin stolis, me pupla Shqiponje
Kujtoj kur pështyve, n’surrat vrasit
Hymnin e Kosovës, zëshëm këndoje.
PËRSIATJE
Le të derdhen lotët, deri në shterrim
Le të digjen sytë, të bëhen fare hi
Nuk pranoj fatin, se ishte dështim
Që ditën e shenjtë, që t’njoha ty!
Në blozën e hirit, fshihet një emër
Shpalosë kujdesshëm, le ta merr era
Gacat e mbetura, të ndjesh për zemër
Kurorë saldimi, ristinë,... pranvere!
Lulet kur çelin, mos u qofsha falë
Aroma t’pushtojë, dhe ret qiellore
Betimin s’shkel dot, si qengji manar
Përpij etshëm motet, vitet shekullore!
Në kreun “X”-iks, t’Kanunit vjetër,
pend shqiponje, e ngjyrë pik-gjaku
fashit dhëmbjen, grimos në letër
në kullën e re, leskë, caran oxhaku!
le të shterren krojet, le të shuhet bota
qoftë dhe për një çast, heu, t’marrtë mortja!