Mendime
Blerim Halili: As ofensivë, as mashtruese
E shtune, 26.03.2011, 06:58 PM
As ofensivë, as mashtruese
(Qasje reaguese ndaj shkrimit “Ofensiva mashtruese e BI të Kosovës”, shkruar nga Krist Gjinaj)
Nga Blerim Halili
Perceptimi i nismave demokratike dhe qytetare si “ofensiva mashtruese” gjeneron frikë dhe urrejtje ndër shqiptarë, dhe perceptimi i identitetit islam të shqiptarëve si patologji e kohës buron pikërisht nga mendje që vuajnë nga shqetësimi dhe urrejtja identitare.
Çështja e lëndës fetare tashmë është bërë temë e diskutimeve në nivele të ndryshme në Kosovë. Ditë më parë në Prishtinë u mbajt konferenca me temën “Mësimet mbi fenë në institucionet publike të arsimit”, nën patronatin e Myftiut të Republikës së Kosovës, Mr. Naim Tërnava, dhe organizuar nga Kryesia e Bashkësia Islame të Republikës së Kosovës. Një vlerësim interesant ndaj kësaj konference mund t’iu ketë rënë në sy lexuesve të disa portaleve elektronike, nga autori Krist Gjinaj. Me fjalë tjera data e shkruar: 3 mars 2011 e atij shkrimi nuk më bind se ai nuk është shkruar në kohën e Pjetër Bogdanit ose në një periudhë kur ende nuk ishte e konsoliduar gjuha shqipe, e lëre më të më bind se është shkruar nga një “patriot” që i qan zemra për këtë popull. Është viti 2011 kur po ende po flitet nga disa “atdhetarë” për dilemën e nivelit të inkorporimit të vlerave të qytetërimit islam në mesin e shqiptarëve. Prania shekullore e vlerave të tilla në kombin shqiptar, është reflektuar në çdo cep të jetës shoqërore dhe familjare në Kosovë. Ndërsa mjerimi i perceptimit ndodhë atëherë kur dritarja e vetme e tij mbetet paragjykimi, urrejtja dhe dogma e asnjë referencë e saktë shkencore. Perceptimi i nismave demokratike dhe qytetare si “ofensiva mashtruese” gjeneron frikë dhe urrejtje ndër shqiptarë, dhe perceptimi i identitetit islam të shqiptarëve si patologji e kohës buron pikërisht nga mendje që vuajnë nga shqetësimi dhe urrejtja identitare.
Niveli i ndikimit të lëndës fetare në parandalimin e dukurive negative mund të shqyrtohet në disa rrafshe, nga ai i ofrimit të një alternative vullnetare shtesë për shpjegime ekzistenciale e deri te rrumbullakësimi i aspekteve qytetërimore të fesë (raportet ndërnjerëzore, tolerance, kultura, arti, dija, etj.). Madje është nënçmim për temën në fjalë të përkufizohen efektet e saj në një shkrim të kësaj natyre, ngase ajo përfshin aspekte shumë të gjera të cilat ky nivel i diskutimit s’i bart dot. Interpretimi i urdhëresave islame në prizmin e prirjes për dhunë s’pi ujë në këtë univers, aq më pak në këtë nënqiell me kulturë të moçme të praktikës fetare islame. E kur interpretimi i diçkaje, aq më tepër i teksteve të shenjta, bëhet nga fundi e jo nga fillimi, secili mund të paramendojë efektet dhe kaosin kuptimor që mund të dalë nga kjo. E kur bëhet bashkë niveli fatal i formimit gramatikor të koncepteve, me përpjekjen për shpalosjen e “falsitetit” islam të shqiptarëve (!) dhe me përpjekjen për interpretime të mbrapshta të urdhëresave kuranore, mund të paramendojmë edhe nivelin final të vlefshmërisë së kësaj reference. Rinia që na është shkolluar në vende të lindjes na qenka e ftohur ndaj kësaj bote, madje edhe ndaj bashkimit kombëtar – sipas autorit Gjinaj. Shpjegimi im për këtë qëndrim të tij është ky: Niveli ekstrem i lidhjes (tënde, z.Gjinaj) me “këtë botë” bëri që edhe një finesë më e vogël e interesimit moral, shpirtëror dhe normativ për “botën tjetër” dhe për plotësim identitar nga “ata të rinj” të reflektojë tek ju përshtypjen se “si u shkëputën nga bota”. Po ashtu, prirja e “tyre” për të menduar më universalisht, dhe ta konceptojnë ndryshe (me thellë) vëllazërinë s’do të thotë se “ata” dhanë atdheun e tyre, përkundrazi, ata e konceptuan vëllazërinë ndërshqiptare në dy kategori: fetare dhe kombëtare, në mënyrë që t’i përfshijë të gjithë. Edhe po të ishte i vërtetë pohimi se të rinjtë shqiptarë të shkolluar në vendet arabe s’e duan këtë botë dhe s’e duan bashkimin kombëtar, kjo do të duhet të shërbente si arsye që shkollimin fetar t’ua mundësojmë këtu, në atdheun e tyre, në shkollat e tyre, që ata të kenë model Hafiz Ali Korçën, Myderriz Ymer Prizrenin, Haxhi Zekën, Mulla Idriz Gjilanin, e shumë veprimtarë të tjerë të çështjes shqiptare që dolën nga “universi” normativ islam. Feja do të dilte e pakuptimtë, nëse secila prej tyre nuk do të pretendonte të jetë e vërtetë. Në këtë logjikë, thirrja që bëhet nga fetë, prandaj edhe nga Islami, për të qenë me të vërtetën, është e arsyeshme. Kjo më tutje do të vlerësohej nga njeriu i shëndoshë mendërisht në bazë të nivelit të argumentueshmërisë gnoseologjike, metafizike dhe, madje, shkencore që ofron secila prej tyre. Ngase nëse shikohen nga prizmi njëdimensional thirrjet fetare islame (realisht inekzistente) “për luftë” atëherë a nuk e gjejmë në Bibël, madje edhe më drejtpërdrejtë: "Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!" (Luka, 19:27)? Mandej: "Kushdo që nuk do ta kërkojë Zotin, Hyjin e Izraelit, do të vritet me të madh e me të vogël, burra e gra" (Libri 2 i kronikave, 15:13). Nëse ndonjë citat i nxjerrë nga libri i shenjtë islam mund të interpretohet në logjikën e mykur, gjoja për ndarje gjinore, fetare, etj., atëherë, si mund ta shpjegojmë këtë citat ungjillor: "Këndej vrisni të gjithë fëmijët meshkuj edhe të gjitha gratë që njohën mashkull mbytni, kurse të gjitha vajzat e reja që nuk njohën mashkull, lërini në jetë për ju." (Numrat 31:17:18). Po ashtu, nëse prirja për “dhunë” fetare argumentohet në norma islame (që realisht bie ndesh me të që nga terminologjia e deri te esenca metafizike dhe tejkozmologjike), në ç’nivel të prirjes për “paqe” mund të shpjegohet porosia që jepet në citatin vijues ungjillor: “Samueli i tha Saulit: “Zoti më dërgoi që të të lyej për mbret mbi Izraelin, popullin e vet. Pra, tani, dëgjoje zërin e Zotit. Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kam para sysh gjithçka i ka bërë Amaleku Izraelit: si e pengoi në udhëtim kur po ngjitej nga Egjipti. Tani shko e shpartalloje Amalekun dhe dëno me shfarosje gjithçka ka. Mos ki mëshirë për të: as për trim, as për grua, as për fëmijë, as për foshnjë, por vriti deri edhe lopë e dele, deve e gomar” (Libri 1 i Samuelit 15:1-3)? Ngase po të ishte esenca e fesë e nxjerrë nga disa rreshta të librave hyjnorë që dikujt i tingëllojnë si gjenerues konfliktesh, bota do të prodhonte kaos, së paku dy taborësh: kryq dhe gjysmëhënë. Por ja që kjo logjikë i takon një pakice të mendjeve, dhe lirshëm do t’i pranojmë si raste të izoluara.
Nëse bazat e Islamit janë: plaçka, urrejtja, vetëvrasja, martesa e vajzave të mitura, etj., (të reja deri më tash!), ato ndoshta mund të jenë të vërteta, vetëm në kuadër të përmirësimeve gramatikore dhe kuptimore që do të duhej t’i kishte shkrimi, pra duke i shtuar se bazat e Islamit janë, “të ndalohen ato”. Gabim dhe dallim i vogël, por me kuptim të madh.
Sa për informim, vendet e rajonit dhe vendet e Evropës e kanë instaluar moti në programet shkollore edukatën fetare, kjo qëndron, madje fuqishëm. E në trojet shqiptare s’mund të thuhet se po shihen efekte negative të kësaj lënde, kur ajo ende s’ka filluar të mësohet në shkollat publike. Pasoja s’mund të vijë para shkakut. Nëse ke parë ndonjë pasojë të papëlqyeshme, ajo është rezultat i mungesës së lëndës fetare, jo i pranisë së saj.
Ndërsa po ta lexonte një i huaj atë shkrim, edhe pse s’do ta kuptonte lehtë atë shqipe edhe nëse e ka mësuar gjuhën mirë, do të krijonte përshtypjen e një patologjie të madhe fetare në Kosovë dhe të një agresiviteti ndërfetar, çka bie në kundërshtim me frymën reale paqësuese mes Islamit, si dominant në trojet shqiptare dhe të Krishterimit si fe e dytë (flamurin e të cilit, pa të drejtë, po mundohen ta mbajnë njerëz, përveç të padenjë, edhe provokues dhe përçarës).
Prandaj pavërtetësia e shkrimit në fjalë është aq fatale saqë e pamundëson një diskutim të mirëfilltë në dritën e argumenteve logjike të fetarësisë dhe kombit, duke ngelur në një nivel të tejfundosur të interpretimit të gjërave. Madje, kjo, duke mëtuar të jetë një përpjekje “për të mirën e kombit”, apriori shndërrohet në virus dhe patologji që e përçmon kombin shqiptar, i cili tashmë ka modeluar shkëlqyeshëm relacionin fe-qytetërim-komb.