E diele, 04.05.2025, 02:03 AM (GMT+1)

Kerko: Remzi Salihu

Remzi Salihu: Gjeografia intime e rrëfimit poetik

E shtune, 26.02.2011, 08:09 PM


GJEOGRAFIA INTIME E RRËFIMIT POETIK

 

Vëllimi poetik “Gjeografia ime”  Shkup 1996

 

Nga Remzi Salihu

 

Nëpër të gjitha burimet poetike ku noton kjo krijuese, bashkë me shtegtimin ironik e të thellë meditativ, kanë mbetur aspirata të përkryera, sepse prania e individit nuk është e afërt, ajo është shumë larg, larg deri në horizontin e pakapshëm të dashurisë së fshehtë në brendinë e thellë të shpirtit, e cila kërkon të komunikojë e kumbojë ashtu, si diç e jashtme, e huaj, e paprekshme, sepse, sipas saj, vetëm me komunikim shfaqet afria e mirëkuptimit, ekzistencës, dashurisë së çiltër, kurse pritja për të gjitha këto shqetësime, krijon ndjeshmëri e neveri deri në dhimbje dhe këto tërësi vegimi në harkun kuptimor, shndërrohen në mall dhe kujtim të përhershëm.

 

Kozmosi i fjalës poetike në imazhin refleksiv të gjuhës krijuese shfaqet si magji e ndërlidhur midis kohës dhe njeriut në alfabetin intim të Teuta Arifit. Që në esencë libri i parë poetik ?Gjeografia ime? i hap dyert e intimitetit nga e veçanta me atë kolektive, të përgjithshme. Kështu poetja zhytet në këtë imagjinatë ndjenjash, ndërton fondamentin e gjuhës trupore bashkë me qiellin e yjëzuar të fjalëve ku qarkullon fusha semantike e tekstit me lëvizje të mëdha kërkimi dhe, njëkohësisht, ky kërkim, pasqyron në vete, gjithnjë figura të reja, të kapshme dhe tërheqëse. Ky spontanitet i vargjeve poetike rritet duke shfaqur imazhe të ndryshme jetësore nëpër hartën trupore të individit, ku gjuha poetike komunikon me fjalët intime dhe formulon një gjuhë të re të domethënies. Nga vargu në varg vepron një rigjenerim i shprehjes së re poetike, ku temperatura e ndjenjës rritet me një virtuozitet të theksuar në definimin e gjërave konkrete të rrethit dhe ambientit ku jeton. Kjo rritje e shkallëzu­ar nga e rëndomta në atë të përbërë, ngjeshët herë me klithmë dëshpëruese ekspresive, e herë qetas në mënyrë ironike, herë fortë në kontinuitetin e shpresës, herë butë në melankolinë e shpirtit poetik. Shumë herë e zemëruar madje shpejt e dashuruar, herë në mënyrë të rrëmbyeshme fshikullojnë tonet në eterin poetik dhe sa herë që do njeriu ta kap këtë ritëm zhytet në një gjendje tjetër veprimi për ta kuptuar zërin poetik të Teuta Arifit. Ky relacion na shpie në transformimin e kozmosit të gjuhës poetike me fotografi tingëlluese polifonike.

 

Ëndrrat, ndjenjat, takimet, pritjet, janë dramat poetike që sinjalizojnë etjen e një shpirti të ndjeshëm poetik, që kërkon arsyen, realen, humanen nëpër të gjitha sakrificat e jetës dhe veprimit. Kur këndon për dashurinë ajo kërkon prej saj një dashuri të realët tokësore e pastruar nga ajo idealiste, platonike.

 

Edhe pse temat dhe motivet e këtyre poezive janë trajtuar edhe nga autorë tjerë, por këto këndime nga pena e kësaj krijuese shpalohen nga një kënd krejtësisht tjetër, që paraqet preokupimin intim të dashurisë trupore të ngjeshur në vetminë dhe me spontanitetin e jetës së përditshme. Të gjitha këto akte intime ngjeshën nëpër pyetjet dhe kujtimet e përgjithësuara të gjinisë femërore.

 

Poetja kërkon që dashuria të jetë konkrete, pa idealizime, e plotë, e sinqertë dhe me mjaft afsh, sepse ajo është më shumë se sa poezia dhe vdekja. Autorja gërsheton edhe ëndrrën edhe zhgjëndrrën për një dashuri që është aq e madhe dhe për të cilën nuk mjafton vetëm një jetë, sepse dashuria sipas poetes nuk është trupi, por ndjenja, shpirti që e lëviz trupin. Kjo ndjenjë e fortë është gjeografia intime që udhëheq trupin në gjezdisje të fshehtë në një trup tjetër të këtij rruzulli gjeografik tokësor.

 

Edhe pse poezia e kësaj poete shprehet në vetën e parë, ajo megjithatë shpalon, botën shumës të gjinisë femërore, e cila trajtohet, ndjehet dhe pasurohet në mënyra të ndryshme nëpër etapat e jetës, ashtu siç është e fshehtë bota e pasur e gjinisë femërore për takimin e parë dhe të fundit. Madje ajo kërkon që dashuria midis dy vetëve të mos jetë e kufizuar dhe e njëanshme. Toleranca midis dy palëve kërkon që të jetë njerëzore dhe pa kufizime fetare e provinciale, sepse bota e saj është aq e madhe, saqë i tërë kozmosi është i lidhur me të. Poetja mbron botën e saj femërore dhe në këtë barrierë ndjenjash e betejash të gjinive kalon në feminizëm. Qasja me këtë fenomen poeten e futë në guximin për barazinë e njeriut kudo që të jetë, që gjinitë të jenë të barabarta në mirëvajtjen e jetës shoqërore. Ajo mbron femrën ashtu siç e kanë mbrojtur shumë studiues të ndryshëm dhe, për këto gjëra, kanë bërë me mijëra studime mbi këtë fenomen.

 

Imazhi poetik i Teuta Arifit tenton të shpalojë qenien femërore me të gjitha karakteristikat e saj. Bota femërore në vargjet e poeteshës feminizohet, ajo hyn thellë në jetën intime duke strukturuar frymën e vet, me preokupimet e gjinisë, prej komplekseve deri tek ajo më e përsosura racë njerëzore. Ajo shkruan për të gjitha gratë dhe nuk e kufizon veten në një mes të caktuar, por shtrirja e pikëpamjeve të saj zgjeron kufirin e meditimit edhe më gjerë, duke shpaluar shpirtin femëror kudo që gjendet, në dhomë, në banje, në fshat, qytet, në metropol, në lindje e në perëndim. Kontakti i shumtë, në vend dhe jashtë, me botën femërore, në vargjet e saj mundohet të përgjithësohet dhe me motivet e veta, angazhohet ta sensibilizojë lexuesin se femra kudo që të jetë, ka një botë të mëvetësishme dhe të dallueshme nga mashkulli, këtë dallim e sheh te të gjitha gratë e botës, madje të njëjtën bindje ka edhe për gratë arabe.

 

Nga frymëzimet universale zbret në diskursin kritik e politik

 

Zhgënjimi i një politike të kohës dhe jeta dramatike e popullit, do ta nxis autoren që dramat dhe reflekset poetike të kenë edhe elementin kritik e politik. Teuta shkruan për Shqipërinë, për atdheun, për tokën, jetën, për vendin kur diktatura dhe njëmendësia kishte mbyllur në kështjellë të njëmendësisë tërë vendin, duke bërë izolimin total të shqiptarëve nga bota e jashtme, kështu që vendi si “mekë shqiptare” ndjeheshe dhe njiheshe nga autorja vetëm, nga radiot e vjetra të shtëpisë, e cila nga politika e kohës ngrihej e hiperbolizohej deri në skajshmëri, me propagandën e njohur të vendeve socialiste, për të arriturat kolosale në tejkalimin e planit të hiperbolizuar në ekonomi, për parajsën e tej kufirit. Këto ishin ëndrrat që e ushqenin rininë e asaj kohe, por me ndryshimet politike dhe me rrëzimet e mureve të diktaturave dhe çdo gjë qe ishte idealizuar deri në skajshmëri, për autoren, kishte hyrë papandehur në kornizën e zhgënjimit, prandaj këtë kataklizëm të këtij vendi të adhuruar e sheh nga shpërngulja e tmerrshme, ikja, braktisja e rinisë nga atdheu i saj dhe në këtë gjendje mëmëdheun autorja e sheh si një “grua plakë me gji të lëshuar”, që s’është tërheqëse, nga e cila ikin të gjithë, si jo atraktive dhe e pashpresë, ku vlera njeri në fillimin e demokratizimit të vendit kishte rënë shumë, ishte përbuzur nga secili, ashtu siç ishin anashkaluar edhe kombinatet e ndryshkura të lënë pas dore dhe çdo gjë shitej lirë, prej policit deri te doganieri. Si duket poetja qorton dhe ironizon në këtë elegji politikën që kishte sjellë skëterrë shqiptareve, vendin më të dashur të saj e kishin futur nëpër kantieret e ndryshkura të lëna pas dore dhe, nga dëshira për ta parë atë vend sa më të përparuar e të ngritur, largon nga imazhet e vëzhgimit të saj atë rrëmujë dhe katandisje të tmerrshme të rinisë, që dilte nga gërmadhat e një diktature më të tmerrshme në botë. Kështu që poetja me shprehjen unike të performancave poetike dhe qëndrimit të saj feminist ndaj gjërave, farefisin dhe njerëzit që e rrethojnë nëpër këtë kozmos me plot ndryshime dhe, sidomos, prania e gruas në shoqëri, e cila nuk ka reputacion të barabartë me mashkullin. Poetja ngriti zërin e saj kundër diskriminimit gjinor, sepse sipas imazhit kuptimor të autores, edhe femra, gruaja, mund të ketë reputacionin dhe pozicionin e vet në shoqëri. Përditshmëria e jetës përballet edhe me këtë kategori të përfilljes dhe mos përfilljes së individit në shoqëri. Vëllimi poetik “Gjeografia ime”, ka sjellë freski në imazhin poetik të letërsisë së kësaj ane të poezisë dhe kulturës sonë. E vetmja përmbledhje e kësaj autore, që provokon lexuesin mbetet si shkëndijë e vetmuar feministe në rrethin e eterit poetik. Kjo ndjenjë poetike sjell dhe mesazhin e papërfunduar të revoltës dhe dashurisë, midis fiksionit imagjinar femëror të të kuptuarit të jetës së një shoqërie dhe realitetit të individit ndaj gjërave që e rrethojnë, sidomos, pozicioni që ndërton gruaja përballë kushteve që e sfidojnë atë në suaza të balancimit të një ndjenje rishtë dhe përjetësimit të një favorizimi përballë gjinisë tjetër. Guximi për të shprehur mendimin dhe ndjenjën në vargjet e kësaj poete kanë lënë gjurmë në panteonin poetik të gjeneratës së vet.

 

Vitet e ‘91 e këtej, ishin vitet më të rënda për një vend që dilte nga shpella e diktaturës me të gjitha pasojat e saja si dhe me moralin e zhgënjyer të njeriut. Ky ton qortimi nuk vjen rastësisht në vetëdijen e poeteshës dhe kjo bindje nuk do të mbetet si disponim pesimist i përhershëm, por si moment frymëzimi që është e lidhur ngushtë me kohën dhe hapësirën e një etape të caktuar. Vetëm në pjesën e fundit të elegjisë, ky qortim melankolik, do të sjell frymën optimiste ku dashuria e saj do të shfaqet nga një pikëpamje optimiste me perspektivë, ku do ta afrojë autoren drejt optimizmit me vendimin e rinisë për ta shkruar një histori të re, dhe shpirti poetik i saj të kthehet me mburrje në trupin e atdheut dhe ai ta pret si bijën, që gjendet diku larg, larg mundësive e kënaqësive të standardeve normale njerëzore, ku njeriu do të ketë mundësi të bëjë jetë të lirë dhe të flejë në prehrin e tij qetë dhe në lumturi.

 

“Gjeografia ime” e Teuta Arifit është më e gjerë se sa një gjeografi e shpirtit të shqetësuar poetik, që udhëton nga vendi në vend, nga njeriu në njeri, si një udhëpërshkrim intim i ngjeshur mirë në meditim, nëpër imazhet poetike të përditshmërisë. Ajo me fjalorin e rëndomtë të shprehjes poetike, ngjitet lartë pas ideve kuptimplote për të lënë gjurmë të pavdekshme në gjininë njerëzore. Edhe pas shumë peripecive dhe fluturimeve e imagjinatave, si ngushëllim i vetëm mbetet vetëm vdekja, ngase njeriu gjatë tërë jetës mundohet të veprojë për një vepër të mirë, humane, e cila si veprim i drejtë njerëzor, nuk do të ketë fund e që do të jetojë përjetësisht në kujtesën e njerëzimit.

 

Si vëllim i parë poetik, kjo vepër, sjell një pjekuri meditative të autores ku shprehja poetike është mjaft e kapshme. Metaforat dhe ironia e theksuar e freskojnë lexuesin me tablo të ndryshme të jetës dhe rrethit ku jeton. Pos poezive mjaft të qëlluara, si ?E pakryera?, ?Dashuria ime?, ?Lettre a’ma mere?,? Eros në kufi?, ?Epistolare?, ?Në sallonin e ondulimit?, etj. ekzistojnë edhe të tilla që janë deklarative dhe përshkruese, por ato si të tilla, nuk e zvetënojnë tërësinë poetike të poetes. Sipas shijes sime s’janë të realizuara sa duhet poezitë “Vetëm një ditë”, “Tregimi mbi Rusinë”, “Shkencë e harruar”, “Rrugët e vdekjes”. Madje disa përshkrime të tepruara e kalojnë kufirin poetik dhe tjetërsojnë normën poetike të poezisë. Këto vërejtje që bëhen nga këndi im i qasjes së kësaj vepre poetike, janë të pakta, në krahasim me poezitë tjera të goditura, të cilat dallohen prej shumë autorësh tjerë. Vargjet nuk kanë amatorizëm që do ta shpërbënte nivelin kreativ të kësaj gjinie letrare. Të duket se kjo autore mund të befasoj prandaj shpresojmë se në të ardhmen zërin poetik të saj do ta ndjejmë edhe më të fuqishëm dhe më të bindshëm, për ta treguar gjeografinë e saj poetike, meditative, vetjake, me një individualitet më të theksuar poetik.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx