E enjte, 01.05.2025, 11:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Nostalgjia e një imazhi metaforik

E hene, 07.02.2011, 07:38 PM


NOSTALGJIA E NJË IMAZHI METAFORIK

 

Nga Remzi Salihu

 

1. Vegim poetik nëpër faunën dhe florën kombëtare

Libri më i ri “Resh etje” i poetit Ibrahim Veliu, mëton edhe njëherë për formësimin e standardizuar të meditimit kreativ. Me gjuhën e pasur, me shprehjen metaforike dhe me vargun e ngjeshur shëmbëllen me pulsin e tij krijues në kontinuitetin e pashkëputshëm të këngëtimit tradicional. Zgjedhja e temave, motiveve, mbeten preokupime të përhershme të këtij autori. Me anë të sintagmave që shpalon kjo përmbledhje poetike dhe vokacionin që ka kjo vepër si tërësi strukturore, na nxit të themi se ky poet është i ngërthyer në preokupimin kolektiv, që do të thotë se ky autor i angazhuar është dëshmitar artistik i rrjedhave të kohës dhe ndodhive jetësore. Që nga poezia e parë, paralajmëruese “Lule të murosura” e deri te poezia e fundit, “Përgjërim dhe mall” të përmbledhjes poetike ?Resh etje? ndihet një ton dhe mall melankolik. Poeti duke evokuar të kaluarën dhe të sotmen në meditimin e tij vrujon pulsin patriotik, për rrënjët e gjakut, fisit të vet, bashkë me etjen e një peizazhi të kallur në ndjenjat e tij. Poetit atdheu i mbetet vokacion kryesor ndaj edhe përkushtimi është i madh, për të bërë ëndrrën zhgjëndërr e dritë lirie, që lulet kryeneçe të bulojnë me shkëlqimin e tyre të papërkulur nga stuhitë e rrebeshet e kohës.

 

Rrjedha e lumit krijues vazhdon të depërtojë spontanisht, si tatuazh nëpër dejtë e gjakut, drejt faunës dhe florës kombëtare. Autori kërkon rrënjën e vet në gurin e vendlindjes, në shtratin e lumit, ku “Lulet kryeneçe” dalin mbi legjenda. I tëri ky vegim poetik nisë në ciklin e parë “Etje kallur”, përmes një antiteze të së keqes dhe së mirës, poeti shpalon kundërthëniet e jetës, madje paraqet të bukurën kundrejt të shëmtuarës, krenarinë përballë qyqarllëkut. Poeti fshikullon me kamxhikun e tij poetik servilët, kolltukdashësit, matrapazët, karrieristët që luajnë me fatin e popullit dhe në anën tjetër, me penën e tij praron me shprehje poetike figurat liridashëse, bijtë e kësaj toke qe u martirizuan, masakruan dhe u dogjën për ideale të larta kombëtare. Autori figurat e preferuara i kthen në simbole të tipizuara, negative apo pozitive dhe këto simbole, autori, i përcjell mbase në tërë krijimtarinë e tij. Të themi merimanga simbol i së keqes end skëterrë nëpër rrethin dhe kohën ku jeton poeti, këto insekte, sipas poetit në vokabularin simbolik, sjellin plagë të pashëruara një kolektiviteti që donë të dalë nga “oaza e llomit”. Vetëm krijuesit, evidentojnë, përshkruajnë kronika dhe janë dëshmitarët më të përpiktë për ndodhitë e shumta të këtij populli liridashës.

 

2. Përtej krematoriumit dhe hirit shtimungu melankolik i vargut

Vetë poezia pararendëse “Lule të murosura” hap rrugën e kuptimit të tërësisë së veprës, por si mund të interpretohet e gjithë kjo fugë e jetës, si të kuptohet gjendja në “Monopol”. Kjo në pamje të parë është diçka makabre. Diçka e dhunshme për një popull. Poeti me vargjet e tij i drejtohet viktimës. Këtu interpretimi mund të fillojë në dy forma si shkak–pasojë e kohës. Xhelati dhe viktima e sjellin konfliktin e poezisë në “Lule të murosura”. Paradoksi kryesor i kësaj poezie nuk shihet aq qartë sa në trashëgiminë popullore, çdo lexues e ka të kthjellët ngjarjen se për çfarë kohe bëhet fjalë dhe nuk lejon në rreth moskuptim. Por forma dhe përmbajtja që duhet të sqarohet, që në vete nuk bart sqarim, është metafora e shumëkuptimësisë artistike që ngjesh struktura tërësore e këtij vëllimi poetik. Natyrisht Ibrahim Veliu në këtë rast e sjell situatën në një kohë tjetër, sepse atdheu kërkohet edhe përtej krematoriumit e hirit, në shpirt, ku zogu i shpresës ringjallet dhe, ëndrra po të bëhet edhe më e mort se vdekja, do të mbijetojë. A janë në këtë rast “Lulet e murosura” dëbim shpërnguljesh nga realiteti dhe jeta, gjithsesi se jo, ngase këto gjëra sakrificash kanë në vetëdije pleksjen e gjakut të ri. Ato të mbeten gjallë në kujtesë. Daullja në duar të jevgut paralajmëron zi. Ky alarm i hidhur, nuk sjell motivin e gëzimit, por diçka të papritur, befasuese që të dridh shpirtin. Vargjet imperative mes vetes dhe të tjerëve përmbajnë situatë të përhirtë. Midis vdekjes dhe ritmit të daulles, identifikohet një kolektiv i tërë që rënkimin e ka më thellë se vdekja. Kjo hapësirë edhe pse është e trishtueshme ndriçohet nga yjet. Yjet asocojnë në një qiell të kthjellët, por këto yje janë të ndritshme vetëm në errësirë, si viktima të kohës. Ato yje gjenden larg dëfrimeve të çasteve duke sakrifikuar veten për një jetë më të ndritshme e më të mirë të popullit. Ato janë timonierë të kombit që qëndrojnë përballë rrebeshit të së keqes. Kur katandisin shirat drejt tokës së premtuar shpërlajnë helmin e vuajtjeve dhe gjithçka e keqe do ta gjejë lodhjen nëpër kohën që sjellin të papriturat. Ky shi torturash do të lodhet dhe nuk do të sjellë asgjë të qëndrueshme në tokën e premtuar, sepse para së keqes së madhe, si i pasuri edhe i varfëri mbeten të barabartë dhe të lagur njësoj. Stinëzezat e një politike të njëanshme janë munduar t’i shfarosin rrënjët e një kolektiviteti, por ato veprime si kundërthënëse kanë pasur kështjellat e identitetit të lashtë, që rrënjët dhe legjendat i kanë të zhytura thellë në lashtësi, në Iliri. Poeti me ironinë e tij qorton, fshikullon të gjithë ata që vrapojnë pas dekoratash të pamerituara, për medaljonet e falura pa merita. Këto vese autori i quan si shëmti të kohës, që ia vënë perden e errësirës, lirisë. Ato dalin tebdil me paturpësinë që sjellin të mira të përkohshme.

 

Në librin poetik “Resh etje” poezitë përmbajnë me vete edhe një freski, ku në brendi të tyre sjellin një shtimung melankolik. Jehona e dhimbjes e përshkon tërë strukturën e këtij vëllimi poetik, nga ky aspekt lexuesi mund të vërejë qartë edhe unin lirik të personit ose objektit që i dedikohet. Në këtë strumbullar meditimesh shëmbëllen dashuria dhe uni lirik. Kjo nuk përshkruhet thjeshtë në vepër, por kjo na jep gjithsesi të kuptojmë se autori na e shpalon përvojën personale për afërsinë dhe largësinë e marrëdhënieve të tij me rrethin ku jeton. Prindërit, nipërit, mbesat, miqtë dhe farefisi, bëhen lajtmotivi kryesor i këtij poeti. Përballë kësaj situate, apo këtij ambienti poetit i shfaqen fotografi dhe formulime të rëndësishme nga e kaluara dhe e sotmja. Si shembull tipik i këtij imazhi është ngrohtësia që i sjell etje dhe dashuri për rrethin familjar. Përmbajtjen e poezisë e përshkon dashuria ndaj babës, nënës, vajzës, nipit, mbesës, por kjo ndjenjë subjektive përgjithësohet dhe i jep domethënie poezisë. Cikli “Rrugët e babait” ashtu siç mund të kuptohet nga lexuesit, sjell një dialog të monologizuar të autorit nëpër gjurmët e kohës dhe jetës së tij. Përndryshe, ndërtimi i vargjeve në këtë vepër, është gjuha metaforike dhe ajo simbolike, e cila përshkohet pothuajse në tërë poezitë e këtij vëllimi poetik. Në këtë aspekt do të thosha se të gjitha poezitë ngërthejnë në vete tone dhe jehonë lirike.

 

3. Kontunuiteti i shprehjes së sintetizuar

Temat dhe motivet janë të lidhura ngushtë me kohën dhe natyrën, faunën florën ku vepron e jeton autori. Është koha ku diçka ndryshon dhe në poezi ky ndryshim shpesh paraqitet me tablo të jetës dhe vdekjes, me të gjitha shpresat dhe pasojat e tyre. Vetëm malli mbetet strumbullari i ndjenjave dhe disponimi i autorit. Aty paraqiten edhe fotografi dhimbjesh nga e kaluara e hidhur, por këto fotografi melankolike pas kësaj retushohen me një frymë shprese e optimiste, me tone mallëngjyese. Se pas dimrit vjen vera, se pas shiut shkëlqen dielli, se pas acarit vjen ngrohtësia. Të gjitha këto motive na duket se autorit i përsëritën gjithnjë. Kjo idile frymëzuese sjell freski dhe etje të këndshme nëpër dromcat e kësaj vepre poetike. Gjithnjë ky lirizëm e nxitë lexuesin të mendojë se frymëzimet dhe meditimet e autorit në fjalë, në vete përmbajnë shpresë e optimizëm për jetë për njerëzit dhe rrethin e tij, gjegjësisht për shoqërinë në kohë dhe hapësirë.

 

Në libër ka vargje përkushtimi, andaj kjo dashuri bëhet më një sinqeritet e vetëdije të theksuar nga autori. E kaluara dhe e sotmja në këtë përmbledhje poetike defilon me një përkushtim të sinqertë në ciklin “Rruget e babait”. Poeti tashmë me një përvojë të madhe jetësore ndjek gjurmët e babait. Ato vijare jetësore të ashpëruara me peripeci e sakrifica të mëdha i dalin si hije malli të tatuazhuara në ndjenjë. Ai e zhveshë këmishën e kujtesës e kthehet në lakuriqësinë idilike të fëmijërisë së tij, jetës me plot ëndrra, në atë fëmijëri me plot mall e dashuri, për prindërit e vet.

 

Nëse në librat e mëhershëm domononte motivi erotik, tanimë në librin e fundit, motivi erotik ka kaluar si peizazh i jashtëm dhe nga ëndrrat djaloshare kalon në pjekurinë e formësimit të vokacionit poetik. Në librin “Rresh etje? poeti herë polemizon me të keqen, të shëmtuarën, makabren, të dështuarën, e herë, herë ndien etje të madhe, të pangopur për të kaluarën e ikur padiktueshëm. Poeti me imagjinatën e tij zhytet thellë në gjurmët e fëmijërisë së ikur. Të gjitha ato imazhe jetësore të së kaluarës të duket se autorin e përcjellin nga çasti në çast. Tanimë kur nipërit dhe mbesat ia mbushin hapësirën e kohën me dashuri, rreth e përqark tij në skenë i shëmbëllen vetja me plot detaje të fëmijë­risë së tij, me prindërit dhe me të gjitha ato kënaqësi idilike të kohës. Në këtë eklips ndjenje e malli kërkon perlën e tij të humbur luadheve e vreshtave, ose atë fëmijëri të kaluar pa fëmijëri, nëpër ?faqekodrash?.

 

Të gjitha poezitë e ciklit “Rrugët e babait? në vete ngërthejnë një dozë melankolike të veshur me këmishën e inkarnuar të mallit subjektiv. Kjo nostallgji e imazhit melankolik në momentin e tanishëm kur poeti ka hyrë në moshën e pleqërisë, këngëtimin e ka zbritur në ethet e rinisë. Nga kjo distancë kohore, me vitet e ikura padiktueshëm poeti mallëngjehet, merakoset me përmasa si diçka e shkëputur, e ikur dhe që nuk kthehet më për sendet dhe njerëzit. Të gjitha përkushtimet kanë një dozë të theksuar të dhimbjes dhe kjo situatë në vëllimin poetik të Ibrahim Veliut vjen me një ton melankolik dhe pastaj këtë frymë poeti e tejkalon me mjeshtëri, për të mos rënë në pesimizëm, edhe pse të gjitha dromcat poetike i ngjallin mall dhe dhimbje për njerëzit dhe farefisin që s’janë midis nesh.

 

Autori huazon tema dhe motive nga tradita e krijuesve të kësaj ane ?që do të thotë se motivet dhe temat përsëriten gjithnjë?, por poeti mundohet këtij huazimi t’i jap një sens të ri. Të gjitha motivet dhe temat që trajtohen kanë petkun e shprehjes dhe të stilit vetjak, autokton.

 

Që nga libri i parë ?Ëndrra e lumit?, ?Natën e mirë vjeshtë?, ?Shira në ekzil? e deri te ky i fundi “Resh etje” vërehet një kontunuitet i gjuhës dhe shprehjes poetike të poetit. Dialogu i brendshëm me të afërmit e tij dhe me objektin që trajton, shëmbëllen si monolog i dialogizuar, e kjo vjen herë me tone të buta e herë me tone të ashpra ironike.

 

Poeti Ibrahim Veliu defilon në jetën poetike me mbresa e vragë, ashtu siç është edhe kjo trevë e ngulitur thellë ne lashtësinë e qenies sonë, me baticat e zbaticat historike të saj. Poeti me mjeshtëri krijon antiteza kundrejt kundërthënieve të jetës, të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, anonimes dhe të afirmuarës, prandaj edhe thotë:

 

“Anonimët defilojnë shpërngulshëm,

 

Ndërsa plehrat dergjen artistikisht”

 

Ibrahim Veliu mban ison e krijuesve pararendës të kësaj ane, siç janë Murat Isaku, Abdylazis Islami, Nexhat Pustina, Mustafa Loçi etj. Me këtë frymë poeti mban një vazhdimësi të gjallë të traditës sonë. Petkun tradicional poetik e defilon edhe më tej dhe atë e ngritë në standardin më të lartë letrar. Nëpër vargjet e tij inkarnohen tone moderne, bashkë me ngjarjet dhe ndodhitë që e përcjellin, për të mbetur me çdo kusht poet i angazhuar me frymëzim nëpër rrjedhat e kohës. Krahasimet, epitetet, metaforat dhe ritmi i brendshëm i vargjeve dhe ai lirizmi i theksuar i bënë këto poezi mjaftë të kapshme dhe tërheqëse. Poeti nuk ngutet të krijojë vepra sa për sy e faqe, ai mban përgjegjësi ndaj fjalës dhe asaj gjinie që sjell para publikut, prandaj këtë e bën me përkushtim të madh. Ibrahim Veliu nuk është autor i laboratoreve poetike që të eksperimentojë, por është poet i frymëzimit. Ai me gjuhën dhe stilin e tij mundohet të jetë i kursyer dhe i saktë në sintaksën e tij poetike.

 

Për të kuptuar drejt librin poetik të Ibrahim Veliut “Rresh etje”, duhet lexuar edhe librat e tjerë poetikë, para së gjithash duhet të dimë se për çfarë forme të krijimit bëhet fjalë. Pasi të kemi të qartë këtë, atëherë do ta kemi më të lehtë shtegun e interpretimit të këtij vëllimi. Kuptohet duke pasur parasysh se për çfarë poezie bëhet fjalë, lirikë apo epikë. I gjithë ky bagazh na vjen si shtytje kur poezitë të lexohen si tërësi strukturore. Pasi të kuptojmë së këto meditime a janë balada, ode apo satira, atëherë vetë shija e lexuesit përmbushet, hyn në fazën e interpretimit dhe kuptimit. Në këtë rast poezia e Ibrahim Veliut i ngërthen të gjitha këto elemente, andaj gjithsesi na shtyn te dedikimi i analizimit të tekstit poetik imanent, e kjo përmbushje mund të bëhet evidente me anë të shijes sonë për t’i njohur të gjitha signalet ironike e poetike të autorit në fjalë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx