E enjte, 01.05.2025, 01:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Liman Zogaj: Loja mbi gurë (VI)

E diele, 06.02.2011, 08:00 PM


LIMAN ZOGAJ

 

LOJA MBI GURË

 

- Poezi-

 

 

LULEDIELLI 

 

Nëse të duhen

Shkëndija drite

Edhe në ferr

Merr nga shpirti im prush

 

Biografia e vullkaneve

Është zjarri

Loti im

Ngrirë në bebëza

 

Mos e thyej

Vazon prej qelqi

Shikoje lulediellin

Nëpër dritë

11^2

 

 

NATA

 

Në cep të dritares

Një yll ndriçon

Vetëm një sy gjumë bëra

Krejt ëndrra bukuria jote

 

Në shtratin me pupla të bardha

U deha nga dhimbja

Krejt nata

Vaji im

 

Edhe pas ëndrrës së keqe

Nuk gjeta strehë nën flokët tu

Do lulebore

T’i solla në shtratin varr

 

 

UNË E DI

 

Biografinë tonë

Mbuloje me borzilokun e thatë

Nuk jam vetëm

Me vaj në buzë

 

Kam veshur kostumet e bardha

Të bëhem dhëndër si Romeo

Si kandili i Naimit të digjem

Shtegun ta kesh me dritë

 

Unë

Jam Sizifi memec

Me guri në qafë

Me diell pas shpine

 

Unë

Shkrumbohem

 

Nëpër dritën e kandilit që digjet

Kallën buzët moj Era

 

 

IKJA JOTE

 

Kur kositeshin livadhet

Unë merrja ujë me buri

Ti ma zure shtegun

Ti Era ma bëje me sy

 

Rrushi ishte pjekur në vreshta

Unë ta fala një kalavesh rrushi

Aty m’i puthe sytë

Atëherë më dogji prushi

 

Era kurrë s’u pamë

Skutave të kësaj bote

Ah si më djeg ai zjarr

Ai prush nga buza e jote

 

 

NËSE E DASHURON POETIN

 

Nëse e dashuron poetin

Thyeje pasqyrën e gjatë sa trupi

Bukurinë e syve

E gjen në vargun e parë

 

Nëse e dashuron poetin

Mësoje akupunkturën e dhimbjeve

Në secilën shkronjë

Portreti yt kallet

 

Nëse e dashuron poetin

Mos e kërko

Në mobilin pa numra

E fton kënga e vargut

 

Nëse vdes poeti

Mos e qaj

As një pikë loti

Mos e derdh për të

 

Ai ka vdekur duke kënduar

 

 

TAKIMI BUZË DETIT

 

Dy lot m’u rrokullisën

Si gurrë nëpër faqe

Ishin këngë nga zemra

Për ty moj tiranase

 

Kur kalova detin

Peng më mbet një mall

Ai zëri kur më thoshe

Djalë more djalë

 

Shpatet plot ullinj

Kopshtet dardhë e molla

Buzëqesha si me hënën

Me vashën nga Tropoja

 

Anë me anë ranë rreze

Rreze dhe mbi gurë

Vëlla e motër në valle

Në valle me flamur

 

 

PËRTEJ DETIT

 

Të shkrova vargje

Prozë dhe elegji

Për fytyrën si dielli

Për dy sytë e zi

 

Të thura dhe këngë

Kam frikë se gabova

Pse ma bëre vaje

Këngën që këndova

 

Dhe kur të mallkoja

Thashë mos raft as mbi gur

Unë humba tej detit

E ti s’më thirre kurrë

 

Sytë kurrë s’ m’u thanë

I ka përlagur loti

Ani pse s`më flet

Unë them të ruajt Zoti

 

 

LULEBORA

 

Lule mori lule

Me atë shtat të hollë

Si s’të thyen era

Si rritësh nën borë

 

Edhe ti e bardhë

Por pranverë sjellë

A gëzohesh si unë

Kur rrezon ai diell

 

Lule mori lule

Dhe e ngrirë nën akull

Na thua e buzëqeshur

Diellin e keni afër

 

 

ANI MORE ANI

 

Derën e lashë hapur

Të prita mor burrë

S’paske lëvizur nga shtrati

Qenke bërë si gur

 

Ani more ani

Jemi kështu si jemi

Po s’i mbollëm lulet

Ferra do të kemi

 

Kopshti si shkretëtirë

Sofra do jetë thatë

Kot i lëpinë buzët

S’do kërkosh mjaltë

 

Ani more ani

Mos harro këto fjalë

Pa punë nuk ke dritë

Djalë more djalë

 

 

NUK JAM UNË

 

Nuk jam unë krejt vargu

As shpirti i djegur

As s’e dashurova Besën

Por Besarti ma pikëlloi lapsin

 

Nuk jam unë ai vreshtari

As nuk vjela rrush

Por te penda ime qau

Unë ai dikush

 

Nuk qesha unë tërë jetën

Por mbjella buzëqeshje për ty

Dashurova edhe unë dikur

Atë me sytë e zi

 

Unë nuk jam i tëri

Si në vargun e ri

Por unë jam shpirti yt

I djegur për ty

 

Unë jam vetëm unë

Me shpirtin pa mur

Pa ty jam vetmia

Në vetmi jam gur

 

 

BEGATITË TEMATIKE DHE FIGURATIVE TË POEZISË

 

Ambienti rurale me të gjitha begatitë e saj, duke filluar nga burimet e ujit të freskët, blegërima e qengjave, loja e fëmijëve, bashkë me fyellin e bariut gjer ke agimet në vatër – janë disa nga subjektet lirike të poezisë të përmbledhjes “Loja mbi gurë” e poetit Liman Zogaj, duke shpreh kështu një nostalgji për të kaluarën jo të largët. Autori vazhdon t’i numërojë edhe disa objekte të kësaj natyre siç janë: sofrat e shtruar  në oda, flaka e prushit në oxhak, krisma e dasmave, lotët në vdekje, bekimet e nënave,  buzëqeshjet e vashave nën qershi, një vrap kali pa jele, ogiçi bri dredhur,  gurgullimat e krojeve dhe së fundit agimet në vatër. Kjo nostalgji hetohet edhe në disa poezi të tjera. Dhe  jo vetëm kaq. Poeti  angazhohet edhe për trajtimin e shumë çështjeve dhe probleme që e preokupojnë njeriun tonë dhe botën e tij të brendshme. Kjo bie në sy në të gjitha poezitë e tij të ndara në katër cikle, sipas motiveve që trajtojnë ato: ”Mbi flatra të shqiponjës”, “Më ka marrë malli”, ”Loja mbi gurë” dhe “Nëpër dallgë dashurie”. Siç shihet edhe nga vetë titujt e cikleve, subjektet lirike të kësaj poezie janë të larmishme. Janë këto krijime frymëzimesh sa subjektive aq edhe shprehje e botës njerëzore, që do të thotë se poeti  synon  thurjen e vargjeve që nuk kufizohen vetëm në botën e vet të mbyllur, por ato frymojnë edhe për atë të përgjithshme.

Vargjet poetike të këtij poeti gjejnë frymëzim në tema të preferuara siç janë, bie fjala, e kaluara me të gjitha traumat që ka sjellë nëpër valët e jetës, pastaj poezitë për problemet e përgjithshme, ato ku i këndohet luftës dhe lirisë dhe së fundit poezitë e dashurisë.

Për Liman Zogajn tema e mërgimit është burim i pashtershëm i frymëzimit, si edhe tek shumica e poetëve të tjerë, e sidomos e atyre që jetojnë dhe krijojnë në kurbet. Kjo plagë e shoqërisë sonë sjellë edhe tragjedi në familjet e mërgimtarëve:

 

            Kurrë mërgimeve

Nuk desha djep

As sot nuk dua varr

 

(Poezia:Lot mbi arkivol”)

 

Ose

A  jam unë më korb

A ti o det i zi

Pse mbi valë më le

Kur vdes mërgimi në ty

 

         (Poezia: “Korbi”)

Duke medituar për çështje të ndryshme, poeti Liman Zogaj, vjen te përfundimi se lufta është e tmerrshme, por nganjëherë është shpëtimtare për njerëzit qe kanë vuajtur nën okupimin e armikut. Kjo ndodhi edhe në luftën e fundit kur hordhitë serbe ikën me bisht nën këmbë sepse:

 

1999 dimrat u thyen

Terri u bë dritë

Krisma e maliherit

Natën e bëri ditë

 

(Poezia: “1999 dimra”)

 

Në këtë vazhdë ai do të këndojë edhe për luftëtarët e patrembur që ranë në altarin e lirisë për të mbetur të pavdekshëm, si bie fjala, Habib Zogaj – Arbri, të cilit i është kushtuar edhe poezia Meteor drite”.

Edhe një temë tjetër behët frymëzim i poezisë së autorit të përmbledhjes “Loja mbi gurë”. E kjo është çështja e bashkimit kombëtar shqiptar, ëndërr e vazhdueshme e popullit të ndarë në disa shtete. Madje një poezi e tij edhe është titulluar “Bashkimi”:

 

Njëri nga Lladroci

Tjetri nga Kumanova

Herë thërrisnin Shqipëria

Herë thërrisnin Kosova          

          (Poezia:”Bashkimi)

 

Për të dëshmuar kështu se kjo ëndërr një ditë do të behet realitet, gjë që është e pashmangshme në të ardhmen.

 Në ciklin e fundit të këtij vëllimi poetik të poetit Liman Zogaj i gjemë poezitë në të cilat i këndohet dashurisë, kësaj temë të pashtershme për të gjithë poetët e të gjitha kohërave dhe vendeve. Për këtë autor dashuria është e shenjtë, është diç që të tronditë, diç që të kallë dhe nuk të lenë të qetë:

 

Sonte

Lutem të bjerë shi i madh

Nëpër dritën e vetëtimave

Ta gjej emrin te porta prej druri

 

( Poezia: Kam frikë”)

 

Poezitë e kësaj përmbledhje  janë të shkurta dhe koncize, të thurura  me metafora dhe figura të tjera. Të gjitha këto e bëjnë këtë  poezi  të lexueshme dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat dhe moshat e lexuesve.

 

 

Prishtinë,

Tetor, 2010.                                         Ali D. Jasiqi

 

SHËNIME PËR AUTORIN

 

 

Liman Zogaj lindi më 1960 në fshatin Lladroc të Kosovës. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme – Drejtimi Biologji-kimi, e mbaroi në Ferizaj. Ka studiuar letërsinë dhe gjuhën shqipe në Fakultetin filologjik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë.

Me krijimtari letrare filloi të merret që nga shkolla e mesme, duke i botuar krijimet e tij në “Rilindja”, “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, si dhe faqet e gazetave dhe revistave të tjera. Poashtu ka botuar shkrime poetike edhe në revistat dhe gazetat e kohës në Shkup, Shqipëri, e tjerë.

Limna Zogaj shkruan poezi, pjesë teatrale, por merret edhe me gazetari dhe regji. Tekstet teatrale dhe regjit e bëra nga ky krijues janë interpretuar dhe janë shpërblyer në festivale serioze teatrale në Kosovë.

Që nga viti 1983 j3ton, punon dhe krijon në Gjermani, ku ka themeluar dhe ka udhëhequr vatra kulturore të mërgimtarëve tanë bë: Shvelm, Enepetal dhe Essen, për ta begatuar jetën kulturore për shqiptarët e mërguar. Tash e disa vite Liman Zogaj aktron në Teatrin Gjerman në Essen.

Krijimet poetike të këtij poeti janë prezantuar në Antologjinë e poezisë me titull “Metafora e arratisur”, botuar në Tiranë më 2003, si dhe në Antologjinë “Asht e gjak Arbërie”, botuar në Gjermani në vitin 2007.

Liman Zogaj deri tash ka botuar këto vepra poetike:

1. “Kosovë nuk ta mora diellin”, Tiranë, 2007

2. “Shtigjet e dritës” , Prishtinë 2009 dhe

3. “Loja mbi gurë”, Prishtinë, 2010.

 

Ky autor ka në dorëshkrim edhe disa vepra të tjera, që pritet t’i botojë në të ardhmen.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRMBAJTJA

 

MBI FLATRA TË SHQIPONJËS

 

Djepi, 7

Kulla, 8

Loja, 9

Lumi, 10

Pse, 11

Ofshamë, 12

Miopët nëpër dritë, 13

Një jetë, 14

Malet, 15

E di, 16

Si në ëndërr, 17

Lotët, 18

 

MË KA MARRË MALLI

 

Ikja, 21

Deti i zi, 22

Verri, 23

Më ka marrë malli, 24

Kënga e gurrave, 25

Deti, 26

Lot mbi arkivol, 27

Unë kthehem, 28

Betimi para dheut, 29

Në shekullin modern, 30

Kujtimi, 31

I mora me vete, 32

Sy më sy, 33

Oaza prej qelqi, 34

Pranvera, 35

Ëndrrat në pritje, 36

 

LOJA MBI GURË

 

Loja mbi gurë, 39

Harrimi, 40

Në mes, 41

Lapidari në diell, 42

Po, 43

Meteor drite, 44

Në Tivar, 45

Lulëkuqet mbi varre, 46

1999 dimra, 47

Klasa e IV 16, 48

E prita, 49

Biografia e dritës, 50

Heshtja u bë krismë, 51

Nuk vdes, 52

Dasma, 53

Kënga, 54

Drita, 55

Shqipëria, 56

Bashkimi, 57

Vlora më 1997, 58

Kur..., 59

Violina pa tela, 60

NËPËR DALLGË DASHURIE

 

Alge e blertë në gur, 63

Kam frikë, 64

I ndeza dy kandila, 65

Unë dhe lulja, 66

Meteori i dritës, 67

Nëpër dallgë, 67

Brigjet, 69

Me dritën e yjeve, 70

E di se, 71

Nëpër dallgë dashurie, 72

A je, 73

Dialogu i fundit, 74

Luledielli, 75

Nata, 76

Unë e di, 77

Ikja e jote, 78

Nëse e dashuron poetin, 79

Takimi buzë detit, 80

Përtej detit, 81

Lulebora, 82

Ani more ani, 83

Nuk jam unë, 84

Begatitë tematike dhe figurative të poezisë, 85

Shënime për autorin,89

 

 

(Zbrazët)

 

 

Liman Zogaj

 

LOJA MBI GURË

         - Poezi-

 

            *

Radhitja dhe realizimi kompjuterik

Litografia - Gjakovë

 

            *

U shtyp në shtypshkronjën

“Litografia” – Gjakovë, 2010

 

            *

Tirazhi: 500 copë

 

            *

Katalogimi në botim – (CIP)

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx