E enjte, 01.05.2025, 11:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Manjola Brahaj

E shtune, 05.02.2011, 08:06 PM


Manjola Brahaj ka lindur më 14. 06. 1986 në Tropojë. Ka kryer studimet e mesme atje, studimet e larta i ka kryer në Tiranë, fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi.

Në ''Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2010'' ka fituar çmimin ''Migjeni'' me vëllimin “Vajtimi i Kalipsosë”, si poete debutuese.

Tani është me studime psuniversitare për letërsi, profili teori dhe kritike.

Shkruan dhe boton artikuj dhe shkrime kritike në shtypin kosovar dhe shqiptar. Jeton në Tiranë.

 

 

NUK TË PASHË MA

 

Kushtuar babit

 

Për herë t’fundit

kur kambën vuna në ashtin e diellit

nuk të pashë ma

 

Tash kaloj para do syve që mrizojne hijeve, territ,

me lugetën të tredhun trush.

Nëpër do rrugë t’çaraveshuna buzësh,

t’shkyeme prej kush e di çfarë kambësh.

 

Iki prej dheut e gurit që m’blatoi

ti nuk je ma

e heshtja tjerr pejtë e saj fytit tim

 

Véna m’ban nji vend

në qoshin e sirtarëve t’mykun.

Rrëzohna mbi do shkrime.

Përzihen faqeve lotët e mij e të hanës

 

Nuk të pashë,

vetëm do imazhe t’cofta prej letre,

që më shkundën pluhnin

 

Tash asht vonë, terri ka ra,

po shprazh grushta t’plasaritun dimni,

gota t’thyeme akulli,

sy t’shprishun véri

mbi mue

 

Për herë të fundit

kur dorën vuna në buzën e hanës

nuk të pashë ma,

pashë vetëm do thija që shtohen tash  sa vjet

në kryet e nanës

 

 

ME T’PA HARRUE

 

Me t’pa harrue

Nji harren e kisha ngjit’

Aty ku zemra asht shkye

Prej se ke ik’

 

Kohës s’vrame mes duersh

Që nji trohë shpirti nuk m’i mbet

Nuk ia kisha marrë gjakun

 

Nji herë me t’pa harrue

Nuk m’kish çelë drita

Isha ngri n’dimen

Po me t’harrue nuk dita

 

Shpirti do m’u kish zgurdullue sysh

Për darkë e drekë

Vorben e territ e kisha shprazë n’fyt

Me t’pa harrue kisha dekë...

 

Në trishtimin tim

nuk do isha mbështjellë si péni

n’furkën e nanës plakw

Përskej harpave që u bien

Duert e hanws si drapen i thatw

do m’u kish gjetë vendi

 

Me t’pa harrue ti duhet me e ditë

Nji harren e kisha ngjit’

Aty ku zemra asht shkye

Prej se ke ik’

 

 

KA ME ARDHË NJI DITË

                                                           

Ka me ardhë nji ditë kur kam me u varë

në vargojtë e zanit tand,

si nji flutur n’rrjeta marimange

kam me pranue aty me dhanë shpirt

 

Ka me ardhë nji ditë dhe qenia ime

ka me u varë në lakun e erës  s’kurmit tand,

si nji i denuem me vdekje n’shesh para botës

Ka me u varë n’notat e dihamës tande

si i dehuni pas gotës

Ka me u shkri si borë

e me lulue si lule

kur ta prekësh më dorë,

t’i ndjesh mishin e asaj buze

 

Ka me ardhë nji ditë dhe ti ke me u mbytë

në langun e shikimit tim

Ke me u dehë e me dalë prej veti

me venën e buzëqeshjes time

E kadalë kadalë, kadalë kadalë

ke me arritë lumnimin

 

Ka me ardhë ajo ditë

dhe atëherë teshat e trupit

mbytë në lang krype

kanë me na u dokë marrinë e pa krye

Me turra pikëpyetjesh

kena me e denue të shkuemen

nuk kena me e lanë me bëza

 

Tingujt e shiut kena me i mbajtë

si simfoninë e takimeve tona

Shtrati nuk ka me na u dashtë

vetëm katër mure e do libra

Brenda tyne;

Formula heshtjesh t’fohta

kanë me u djegë në zjarr fjalësh

Nuk kena me lanë dëshmi

vetëm pasardhës dashnie

 

Ka me ardhë ajo ditë

dhe ka me na gjetë të humbun në njani – tjetrin

të shterrun hapësinës si pika vene t’pime

unë në goten tande

e ti në gotën time.

 

Ka me ardhë nji ditë...

 

 

  SHTIFSHA    DHE 

 

Nji gotë vénë ndoshta më ban edhe ma

Të marrë se sa jam

Vetimat e venave të zemrës

Shkojnë e bien mbi krye

A merr vesh, a s’di ndrysh

He terri të marrtë mësysh!

 

Para Kryqit, Kuranit e Diellit

Po të baj bé

Të due

He të shtifsha në dhé.

 

Nji gotë  çmendunie po due me ta dhanë

Le të jetë dëshmitare

Kjo natë

Kjo hanë

Ti me m’pa me sy

Me m’ardhë ngat

He mos gjetsh rahat!

 

Para Kryqit, Kuranit e Diellit

Po të baj bé

Të due

He të shtifsha në dhé

 

 

TINGULLI  I GJAKUT

 

Vetëm unë e di si ndihet tingulli i gjakut

Prej kambsh e maje kreje

Si çmendet mishi i trupit vetëm prej teje.

 

Vetëm unë e njoh ngjyrën e ajrit

Si ndalet e dredhet shtëllunga e frymës

Mushknive tona.

 

Vetëm unë e di drejtimin e djersës

e shoh se si hap rrugët kurmave tanë

e bahëm rrangallë mes duersh tua.

 

Vetëm unë e njoh si njomet shkretina

E buzëve,

si gdhendet skulpturë e bashkimit

vetëm unë e njoh fundin e fillimit.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx