E enjte, 01.05.2025, 09:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Bardhësi

E premte, 04.02.2011, 08:56 PM


Tregim

 

Kostaq Duka

 

Bardhësi

 

-Në natën e Shën Valentinit-

 

Ishte prag mesnate. Zakonisht  në këto çaste, sidomos në stinën e dimrit, në mjediset e Shtëpisë së Pleqve  mbizotëron qetësia. Por kësaj here ishte ndryshe. Porsa ishte mbyllur mbrëmja e bukur për Shën Valentinin. Në grupe dhe çifte, çifte, me fytyra të përskuqura e gjithë buzëqeshje, pleqtë po dilnin nga salla e madhe farfuritëse e restorant “Kristalit” e dekoruar me shirita shumëngjyrëshe e balona lloj, lloj, ku mbizotëronte ngjyra e kuqe. Atë e bënin më të theksuar sidomos zëmrat pa fund prej letre  plot shkëlqim.  Xhoni  shoqëronte  mikeshën e vet, për tek dera e daljes me një fytyrë plot ndriçim lumturie të vërtetë, duke ecur ngadalë dhe me kujdes, duke u mbështetur pas saj. Gati një vit të tërë e kish ëndërruar këtë mbrëmje. Por edhe mikesha e tij Xhina  ishte po kaq e lumtur. Befasuese për të ishte unaza me gur diamanti që Xhoni  i fali gjatë mbrëmjes. I miri Xhon kishte harxhuar mijra dollarë për këtë unazë, kurse ajo me gravatën dhe këpucët as njëqind dollarë. Por sa u gëzua ai! Ç’ështe e drejta Xhoni  i’u lut që ajo të ngjitej sipër në apartamentin e tij e të  qëndronte me të gjithë natën. Asaj jo se nuk ia kishte qefi por i kishte premtuar mbesës se para  mesnatës do të kthehej. Ishin për njëra tjetrën. Djali me nusen këtë vajzë kishin por jetonin në Florida. Mbesa  u lidh me të.

Xhoni, tashmë i’a kishte shfaqur hapur dëshirën për të bashkëjetuar, se nuk kishte kuptim që edhe pas të tetëdhjetëve viteve, të qëndronin si të dashuruar të hershëm. Ishte kjo arësyeja që  ai në Shtëpinë e Pleqve kishte blerë një apartament të madh luksoz, me dy dhoma gjumi, ku nuk mungonte dhe pjanoja dhuratë për të, pesë vjet  më parë , kur ata u rilidhën pasi fati i kishte ndarë në udhë të ndryshme për shumë  e shumë kohë që kur braktisën  pa asnjë shkak serioz dashurinë e tyre në vitet si studentë.

Në dera e daljes ai e përqafoi dhe i tha të bënte kujdes sepse  jashtë kishte filluar dëbora. Ajo e falenderoi  për të dhjetën herë për unazën me gur diamanti dhe i tha gjumë të ëmbël.

Tek kalonte para sportelit të godinës, punonjësi që shërbente, i tërhoqi vemendjen Xhonit se porsa u dha njoftimi për fillimin nga çasti në çast të një stuhie të madhe dëbore, ndoshta më e madhja e gjithë vitit.

"Ajo e ka shtëpinë e saj shumë afër prej këtu, pas semaforëve të parë!"  I mëshoi këtij pohimi gati si me inat si për t’i thënë atij burri të shkurtër, që qëndronte para kompjuterit , që të mos ndillte të keqen e të hapte panik pa qënë nevoja. Megjithatë kur u ngjit me ashensor në katin e shtatë ku banonte,  u mbështet në parmakët metalikë të hollit dhe shikimin e degdisi tej qelqeve të mëdha të dritareve. Vërtet dëbora në pak çaste ishte bërë e dendur dhe ishte lëshuar si një koketë në krahët e fuqishëm të erës. Asgjë s’mund të shquhej. Konturet e autostradës trajtësoheshin të zbehta dhe mes saj mezi mund të kuptoje lëvizjen e makinave.

I turbulluar paksa hyri në apartament dhe hapi menjëherë në televizor stacionin e posaçëm për motin. Spikerja bjonde e cila bënte lëvizje elegante dhe gjithë buzëqeshje si të ishte në paradë mode jepte të dhëna tronditëse. " Stuhia e borës po rritet nga çasti në çast duke rrezikuar e paralizuar trafikun e makinave në mjaft zona të Chicagos." U trondit dhe u nervozua. Adresoi një të sharrë të egër në drejtim të parashikueses së motit dhe u platit në kolltuk. “S’duhej ta kisha lënë të ikte! Edhe ajo mendjen e kishte tek mbesa sikur mbesa të ishte vetëm e jo me të dashurin e vet!” E keqja ishte se edhe celularin nuk e kishte me vete. E humba mendjen, s’më pritej sa të vija tek ty, i kishte thënë ajo. Pas dhjetë minutave kohë e mjaftueshme, në kushte normale për mbritjen e saj me makinë në shtëpi ai e mori në telefon. Nga telefoni i shtëpisë asnjë sinjal. Nuk i doli as mbesa, por ai nuk e  priste zërin e saj. Ishte i bindur se këtë natë mbesa nuk do kthehej, do qëndronte me të dashurin edhe pse mikja e tij pretendonte në korrektesën e saj.

Telefonatat i përsëriti edhe herë të tjera.....Tashmë kishte kaluar gjysëm ore. S’mbante më. Kishte vërtet arësye që të shqetësohej. Sa do ngadalë të lëvizte me makinë për shkak të dëborës, në këto momente ajo duhej të kishte mbritur. Mendime ogurzeza s’po e linin të qetë. Përfytyronte rrëzimin e saj diku në ledhet e rrugës, në ndonjë kanal, përplasjen me ndonjë trak, pas shtyllave elektrike... Shkoi tek dritarja e dhomës.O zot ku u gjet  kaq papritur kjo stuhi e egër dëbore?!

Dikush po  i telefononte nga jashtë. E ngriti me vrull telefonin dhe me ritmet e zemrës të përshpejtuara  priste zërin e saj por jo… ishte i mbesës....

-Xhon, Xhon, aty është gjyshja ime? Tani sa mbrita në shtëpi dhe nuk e gjeta. Jashtë është tmerr, nuk mund të lëvizësh as më këmbë e as me makinë. Në është aty, i thuaj të mos vijë....

Ai ngriu...U mpi i tëri...

-Më dëgjon, Xhon të lutem më thuaj është aty gjyshja?

Ai e mblodhi veten dhe mundi të lëshonte zërin.

-Ka një orë që ka ikur. Duhej të ishte në shtëpi....

-E mjera unë ku ta kerkoj?!.....

Ai donte sikur të vazhdonte bisedën por çfarë t’i thosh....Zëri tej u ndërpre. Një ndjenjë faji e bëri të shante veten: Budalla , plak matuf,  i marrë... s'duhej ta lejoje të ikte.....

U vërtit rreth dhomës, gjithë nervozizëm e me një ankth që gati po i merrte frymën. U kthye edhe njëherë nga dritarja. E hapi pakëz atë. Ju përcëllua  fytyra nga të ftohtit, disa copëza të akullta dëbore, të trembura hynë në dhomë. Befas mori vendimin. Do shkoj poshtë në garazh të marr makinën e ta kërkoj. Rrëmbeu pallton që e kish hedhur  pa  rregull mbi një karrige, që nga çasti kur përcolli miken e vet dhe u drejtua jashtë. Korridori në katin e shtatë ishte bosh....Dhe më mirë, tha me vete, s’donte në ato çaste të fliste me askënd aq më tepër të diskutonte vendimin e tij për të dalë mes motit të egër. Por tek priste në hyrja e ashensorit në njërën qoshe,  nga ashensori në krahun tjetër papritur u shfaq infermierja që shërben gjatë natës.

-Ej Xhon çfarë po bëni? Akoma nuk kini fjetur? Tashmë ka kaluar mesnata!

Në fillim tha të mos i jepte shpjegim e ta gënjente sikur do të shkonte në katin e dytë për të marrë postën e ditës në kutia e tij postare, por ndrroi mendje dhe i shprehu shqetësimin.

-Më duhet të marr makinën...Ajo nuk ka shkuar ende në shtëpi. Më duhet ta gjej.

Nuk përmendi emrin e saj por ishte i bindur se infermierja do orientohej shpejt. Të gjithë e dinin se ai kishte një mikeshë  që e takonte thuajse çdo mbrëmje  dhe që jetonte  afër Shtëpisë së Pleqve.

-Ç’thua Xhon!- u pergjigj infermierja,- ajo ka më shumë se një orë që është nisur. I’u ndoqa me sy kur ju e përcollët. Por ju mos kini merak. Mbase ka shkuar në ndonjë i afërm, a ndonjë komshi.

- Në këtë orë?! Jo diçka ka ndodhur.

-Xhon! Jashtë stuhia e dëborës ka arritur kulmin. Është e pamundur të  drejtosh makinën. Të lutem qetësohu. Çdo gjë do të zgjidhet. Mbase tani është në shtëpi. Ajde shkojmë bashkë në apartamentin tënd. Më jep numërin e telefonit të shtëpisë së saj.

Ai i dha numërin e telefonit infermieres, por pallton nuk e hoqi. U ul me gjithë të në kolltuk. Në ikje, tek mbyllte derën infermierja i tha se ajo do interesohej të merrte patjetër ndonjë të dhënë.

Xhoni e pa me dy sy të akullt, të pashpresë.

Infermierja zbriti poshtë. Informoi për gjithçka punonjësin e shërbimit në sportel.

Formoi numërin që i dha Xhoni dhe  priti përgjigje. Por asgjë....Këtë e përseriti disa herë.

-Xhoni ka të drejtë- i tha punonjësit të shërbimit- diçka ka ndodhur me miken e tij. Dhe në mendjen e saj përshkënditi ideja se mos Xhoni nuk do ta mbante premtimin por do të zbriste e do të nisej me makinë në kërkim të mikes së tij. Ajo e njihte mirë. Ishte njeri i sjellshëm por shumë këmbëngulës dhe i vendosur. Një dalje e tij  mes motit të egër, do të ishte gati fatale për jetën e tij, duke pasur parasysh moshën mbi tetëdhjet vjet.

-Të lutem-iu drejtua punonjësit të shërbimit ngjitu në katin e shtatë e kontrollo nëse Xhoni është në apartamentin e tij.

Ai me hap të nxituar, gati me vrap, u drejtua nga ashensorët. Shkoi në apartamenti i Xhonit. Trokiti me ngulm  dhe kur s’mori përgjigje, vrulltas u largua përsëri tek ashensorët dhe zbriti në katin e poshtëm tek garazhet, duke u drejtuar nga jugu, ku Xhoni kishte vend parkimin e tij. Dhe ja në këto çaste  shikoi derën e madhe të hekurt të hapur dhe një makinë që tretej mes stuhisë së dëborës.  Rendi me vrap por s’mund të bënte gjë. Pas kthesës makina doli në rrugë të madhe pa lënë gjurmë për shkak të dëborës që  era e vërtiste paprerë.

U kthye në sportel me një çehre shqetësimi në fytyrë.

-Xhoni iku. Nuk munda ta arrij . Punë minutash.- i tha infermieres e cila u trondit shumë.

-Kjo nuk na falet- tha- megjithse ligjërisht çdo banor në këtë godinë,  ka të drejtën e qarkullimit të lirë, në çdo kohë.

Pas kësaj të dy prisnin me shqetesim kthimin e Xhonit.

Kur as gjysëm ore pas largimit të Xhonit para hyrjes në godinë rrezëllinë dritat e makinës së policisë. Fytyrat e të dyve shprehën tronditjen me mendimin e ndonjë ngjarjeje të keqe të papritur për Xhonin. Ky mot i tmerrshëm donte viktima.

Dy policë qëndruan para sportelit.

-Jemi në kërkim të zonjës Xhina, mikes së Xhonit. Kush nga ju ishte këtu kur ajo u largua?

Punonjësi i shërbimit tha se ajo u largua aty nga ora 11-të e natës, në prag të fillimit të stuhisë, e përcolli Xhoni. Dëgjova që Xhoni shfaqi merak se shenjat e stuhisë ishin të dukshme por mikesha e tij dha siguri për mbritje në shtëpinë e saj që është shumë afër prej këtej.

Infermierja me padurim pyeti për Xhonin duke sqaruar largimin e tij.  Xhoni thanë policët është në stacioni i policisë tok me mbesën e mikes së tij. Mos kini merak...

-Ai nuk duhej të largohej- tha infermierja

-Ju kuptoj por ja që guxoi....Tani  kujdesemi ne për mbritjen e tij. Problemi është të gjejmë mikeshën e tij.

Kaq thanë policët dhe pas përshëndetjes dolën përsëri jashtë...

Infermierja mori frymë thellë. Të paktën Xhoni ishte në duar të sigurta sidoqë të ndodhte.

Moti më pas erdh e  u qetësua.Rreth orës katër të mëngjesit dëbora, e cila  kohë më parë përplasej andej ketej, krijoi mbi pemët simbolin e qetësisë së përjetëshme, duke u mbështetur butësisht, si një tufë shqerëzash mbi degët e pemëve. Pikërisht në këto momente mbrriti Xhoni. Pasi parkoi makinën, duke tërhequr pallton zvarrë, u drejtua nga sporteli. Dukej tepër i lodhur por prej syve i vinte një dritë mirësie.

-Hë Xhon! U gjet  mikesha?-pyeti infermierja duke mos dashur ta lëndonte me vërejtjen për largimin e tij.

- Po, po. Më në fund. O zoti im, kishte shkuar 40 milje larg. Ishte trembur e  hutuar. Nuk dalloj kthesën që  duhej të bënte për në shtëpinë e saj sepse në fakt asgjë nuk mund të shikonte.. Vetëm ik e ik...Policët e gjetën diku anës rruge. Tani është duke u kthyer për në shtëpi. Unë po iki, jam i lodhur. Kjo natë sa e bukur në fillim u kthye kaq e tmerrëshme! Në jetën time kurrë s'kam provuar këtë gjë.

 Infermierja e shoqëroi Xhonin duke ecur ngadalë drejt ashensorit për në dhomën  e tij. Por, me sa dukej duhej të ngjante edhe prologu i i kësaj nate. Rreth orës pesë fytyrë qeshur në godinën e pleqve vjen mbesa e mikeshës me një djalë të ri që nga pamja të dukej sikur të ishte vëllai i saj. Në fakt ishte i dashuri i saj, me të cilin kishte kaluar orë të këndëshme në mbrëmjen e kësaj nate të magjishme dhe plot shqetësime. Ai i qëndroi pranë në gjithë kërkimet e mundimëshme për gjetjen e gjyshes, mikeshës së Xhonit.

Infermierja dhe punonjësi i shërbimit mësuan se ajo tashmë po pushonte në shtëpi, pas largimit të policëve që  e sollen me makinën e tyre. Me vonë mbesa dhe djaloshi i saj,  do niseshin të merrnin makinën e saj që tashme ishte vendosur nga policët në një parkim të sigurt. Por e kishte një kërkesë që ata donin t’ja plotësonin  patjetër. Dëshironte të takohej sa më parë me Xhonin.

E dimë që ai është i lodhur dhe u trondit shumë...Por jemi të bindur se do të vijë. Shtëpia jonë nuk është më shumë se dhjetë minuta prej ketej. Jashtë tashmë është shumë bukur. Rrugët po thuaj janë pastruar aq sa e gjithë ajo stuhi të duket e largët, e largët si një ëndërr e keqe.

Mbesa kish të drejtë. Xhoni u gëzua shumë për këtë ftesë. Zbriti përsëri i zhytur nën pallton e gjatë. Në duar mbante një shishe shampanjë. U përqafua me mbesën dhe djaloshin pranë saj, duke u thënë : edhe mua s’më rrihej. As që u zhvesha për të fjetur. Sikur ta dija që  ju do të vinit!

Të rinjtë e vunë në mes Xhonin dhe u drejtuan për nga makina, që qëndronte në hyrje. Ishin çastet e fundit të kësaj nate, Natës së Shën Valentinit.

 

Janar, 2011



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx