E enjte, 01.05.2025, 10:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhmije Çerkezi: Gjithherë në reflektim të mesazheve

E merkure, 02.02.2011, 07:59 PM


Gjithherë në reflektim të mesazheve

 

Nga Nexhmije Çerkezi

 

Ismet Jonuzi u lind m 9 shkurt 1961 në Rahovicë të Preshevës. Studimet i kreu te profesor Agim Çavdërbasha, më 1983, ndërkaq studimet master i kreu te po i njëjti profesor më vitin 1996. Prej vitit 1994 punoi si asistent në Fakultetin e Arteve në drejtimin e skulpturës, në Prishtinë, ndërkaq prej vitit 2006 punon si profesor në Fakultetin e Arteve, në drejtimin e skulpturës. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në vend dhe jashtë vendit, gjithashtu është shpërblyer me shumë çmime vendore dhe ndërkombëtare. Ai vepron me sukses vite me radhë, duke u radhitur në kreun e listës të skulptorëve më të mirë në Kosovë.

 

Rruga e observimit artistik e Ismet Jonuzit synon të përcaktojë natyrën krijuese të tij, dhe cakun e shqetësim-kërkimit të cilin autori e gjen në skulpturën dhe vizatimin e tij. Janë këto dy tërësi disiplinash, me të cilat identifikohet jeta krijuese e këtij skulptori të veçantë, ku portreti pothuajse mbetet shprehja e tij më besnike. Krijuesi e gjallëron, i jep tërësinë rrëfimore skulpturës, duke synuar për një dëshmi më të gjallë, për të bukurën dhe për përsosmërinë.

 

Pra, skulptura e autorit mbase nuk qëndron vetëm si kornizë, si dekor i gjallë, por me një origjinalitet autori e zhvesh petkun e së kaluarës, luftës dhe traumave, që e preokupojnë autorin, duke synuar kështu formimin e një shtylle qëndruese në skulpturat e tij. Këmbëngulësia e tij nuk ndalet vetëm te skulptura dhe vizatimi. Kreativiteti i tij vazhdon edhe me instalimet në hapësirë dhe performansat që tashmë kanë marrë hapin drejt personifikimit të tij, jo vetëm te opinioni ynë, por edhe në atë të jashtëm.

 

Në synimin për t’u çliruar nga mllefi ironik i armës, armikut të njerëzimit, autori në njërin nga ciklet e tij “Loja e luftës”, pikërisht këtë shëmtim e veçon dhe e fikson artistikisht aq me gjallëri dhe aq drejtpërdrejt. Ai shpreh nevojën t’i kthehet dhe ta vigjilojë botën e njeriut, që dje ishte e dhunuar dhe e shkatërruar pikërisht nga kjo armë, të cilën Iasmet Jonuzi e ka si lajtmotiv në disa skulptura.

 

Jo rastësisht piktori Nebih Muriqi thotë për skulpturën e autorit: “Kjo skulpturë e fuqishme, befasuese dhe tejet sugjestive, nuk mund ta lërë indiferent njohësin e mirë të skulpturës moderne...”. Dhe sikur autorit të mos i mjaftojë vetëm arma në ciklin e tij “Loja e Luftës”, duke i bashkangjitur ciklit të tij “Loja e Luftës” edhe dy koka aq interesante me telin me gjemba përpara. Njëra ka të mbyllur njërin sy me njërën dorë, dhe tjetra me të dyja.

 

Dy skulptura aq kreative, të materializuara aq mirë, por në të njëjtën kohë edhe shumë domethënëse. Gishtërinjtë e duarve mbase janë ato që flasin më shumë, i japin dramacitet veprës dhe ngrehin në pah shqetësimin e autorit, që e vënë përballë kësaj ngjarjeje. Mbyllja e syve mbase figuron në njërën anë, mosbesimin dhe frikën, për t’u mbrojtur nga tmerret e luftës, dhe në anën tjetër është vetë objekti-pozicioni ku gjenden këto koka, i cili është edhe shkak i kësaj ndjenje.

 

Paraqitja e kokave, loja e syve të mbyllur në koka në forma të ndryshme, krijon një tërësi skulpturash aq kreative, por edhe ngacmuese ku me paraqitjen e tyre i japin plasticitet veprës, por njëkohësisht shtojnë edhe refleksin e atmosferës... Duke i fiksuar kështu në këto koka reflekset, nuancat karakteristike të ngjyrave, si ajo e kuqe,e kaltër, gri, e kafet” dhe të gjitha këto duke i sendërtuar me detaje të veçanta, si p.sh disa me sytë e mbyllur,disa me gojën e mbyllur , koka të strukturuar me një lule të kuqe në gojë, e kështu me radhë që mbase atë dramacitetin e atyre kokave të shqetësuara i shndërron thjesht në skulptura kreative dhe artistike moderne.

 

Më tutje te cikli “Arti nga trupi “ është një qasje më spontane e autorit, ku skulpturat e tij i sendërton në hapësira performuese, por që sjell një frymë të re në skulpturat e tij, por që vazhdon të jetë e kuptueshme, duke synuar kështu që në këtë formë të kreativitetit të tij të tërhiqen sinteza- mesazhe që vijnë thellë nga spirancat e imagjinatës të autorit, jehona e të cilave dinë të jete aq prezentë dhe aq e fuqishme në galeritë tona dhe ato ndërkombëtare.

 

Autori nuk rresht së ndaluri, duke u paraqitur me vizatime, grafika, instalime, maska, reliefë, skulptura që e ngritin në pah zotësinë krijuese të autorit në shumë sfera. Pra autorin e gjejmë gjithherë në kërkim, i etur që të njohë, që synon pas përsosjes në jetë dhe krijimtari. Mbase kjo me ngjanë edhe me një citat të Gustave Courbet kur thotë: “Të njohësh, që të mund të punohet. Kjo është pikëpamja ime. Të paraqitesh doket, idetë dhe ngjarjet e kohës sime ashtu sikur që i shoh unë –Me një fjalë të krijosh art të gjallë”.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx