E premte, 02.05.2025, 02:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Në detet e syve të tu...

E hene, 31.01.2011, 08:55 PM


KRISTAQ TURTULLI

 

Në detet e syve të tu...

 

Detet e syve të tu,

Ishin të kaltra, të kaltra, të kaltra.

Butë, lehtë u krodha

Mrekullinë dhe magjinë të gjeja.

Jashtë,

Mbi tulipanë dhe karafila,

Pikonte

Bulëza e vesës së ëndrrës.

Ish shterur perroi i plakave.

I shkujdesur notova,

Disa gllënjka të mëdha piva.

Por nuk u ngopa.

 

Në detet e syve të tu,

Endej puhize e lehtë.

Rruga e besimit nuk dukej e mugët

Horizontet ishin të hapura,

Të kthjellëta,

Prandaj shikimin tutje mbërtheva,

Atje ku lartoheshin selvitë

E larta të qerpikëve.

Shume shpendë dallova,

Lejlekë, thëllëza, bilbila,

pëllumba të bardhë,

 trumcakë.

Dhe një shqiponjë

Fluturonte ngadalë në qiell të hapët.

U fërgëllova.

 

Në detet e thella

Të syve të tu.

Dëgjohej llapashitja e lopatave.

Simfoni e lashtë e breznive.

Ishujt e shumtë,

Lundronin si anije të vogla,

Pëlhurë gjelbra,

Në to kish kaçube të dendura,

Me  lepuj, dhelpra dhe ketra.

Ndoshta me luanë dhe tigra.

U drithërova.

 

Në detet e syve.

Lëbyrja diellore

Pasqyrohej thellë

  ujë,

Ku dukeshin gjurmët e varkave të mbytura,

Korale,

Si dhe reflekse hënore.

Dritë hijet e marrëzive,

Kryqëzoheshin dhe priteshin skajeve,

U shtanga.

 

Pulëbardhat përplasnin krahët dhe gjuanin

Peshqit e artë,

Delfinët flinin

 Në tarracën e pasigurisë.

Në kalin e ujit ishte shaluar sirena

Këndonte këngën e lashtë të detarëve.

Ujërat e thella të deteve,

Nuk ishin të ftohta,

Por as të ngrohta.

Doja të kthehesha,

Dhe heshtas shpresova.

Se nuk do jenë larg

Ditët me diell dhe me trëndafila.

U nxeha,

Në shpinë u rrotullova.

Jashtë ëndrrës pulsonte jeta.

Bulëzat e vesës pikonin mbi selvitë

E larta të qerpikëve.

Po më ndalej fryma.

Ujërat e syve të tu ishin të nxehta, të nxehta, të nxehta.

U përvëlova,

Thirra,

U mbyta.

U zgjova!

 

Janar 2011 Toronto



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx