E premte, 02.05.2025, 01:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Perikli Jorgoni: I dashuruar me jetën…

E diele, 30.01.2011, 04:55 PM


Fjala e Profesor Perikli Jorgoni "I dashuruar me jetën..." mbajtur në ceremoninë e përurimit të vëllimit poetik "Mbeta mik me shpirtin" të Vaso Papaj

 

I dashuruar me jetën…

 

1-  Fjalë e thënë në një nga poezitë e Vaso Papajit, e theksuar si zjarri që mban të ndezur gjithë shpirtin e tij të ndjeshëm e poetik.

 

Eshtë ky zjarr i brëndshëm, që e nxit të mendojë, të rrëmojë nëpër jetë e nëpër kujtime, të kërkojë ngjarje e njerëz, që i zgjojnë dëshirën për të shkruar e për të gjetur fjalën e figurën e duhur, që do t’i përshtatej më mirë e më saktë idesë fillestare, mbartëses së vlagës së poezisë, e cila nis t’i flasë në mëndje dhe në zemër.

 

Dhe sipas datave të shënuara, shpërthimin më të vrullshëm, kjo fjalë e ndezur prej kohësh përbrënda, e pati vitin e fundit. Ne besojmë se tani që ka mundur të shkrepëtijë dhe nëpër poezi mjaft të ndjera e me gjerësi ndjenje e mendimi, kjo flakë do të vazhdojë të ndrijë në shpirt e ta shtyjë autorin e këtij libri, të na falë edhe libra të tjerë, që do të na gëzonin e pasuronin shpirtërisht.

 

Poezia e krijuar nga Vaso Papaj ka të gjitha elementët e një poezie të mirëfilltë. Në rastet e frymëzimeve të vetvetishme e të fuqishme, ajo na shfaqet në një formë të përkryer e me lëndë të begatë jetësore, me thellësi mendimi filozofik e thellësi psikologjike. Mbi të gjitha kjo poezi  është origjinale dhe jetësore. Ajo na sjell në formë poetike mbresa që ka përjetuar  dhe përjeton për ditë poeti e shkrimtari, i cili di ta vrojtojë botën e njeriun, di të nxjerrë konkluzione të mprehta e të thella llogjike nga analizat objektive, që bën mbi jetën dhe realitetin bashkëkohor, i cili për ne shqiptarët mbetet ende i ngarkuar me drama e probleme ende të pazgjidhura.

 

Si njeri e krijonjës me vetëdije kombëtare e me karakter të ndershëm, poeti Vaso Papaj nuk pranon ta shohë me ngjyra  zbukurimi realitetin dhe kohën që jetojmë. Ai është i guximshëm dhe i drejtëpërdrejtë. Realiteti që erdhi pas përmbysjes së sistemit të egër  e gjakatar autokrat, nuk është aq joshës, ka ende mjaft plagë e humnera tinëzare e të lemeritshme, që e rrezikojnë keqas ëndrrën e bukur të demokracisë. Dhe në një përpjekje më vigane duhen përqëndruar  gjithë forcat tona, që njerëzit të marrin frymë të lirë, pa këto plagë therëse të ndjera përditë në trupin e në vetëdijen e tyre të lodhur nga mundimet e zhgënjimet  e njëpasnjëshme.

 

Realiteti për poetin nuk është i shurdhët. Si luftëtar i përparimit, poeti e ndjen për ditë, në çdo çast, peshën dhe thirrjen e tij, për të ngritur zërin e për të na zbuluar para syve pamjet e së shkuarës dhe të së ardhmes, herë të dhimbshme dhe herë të gëzuara, të ngarkuara  me mall e kujtime të pashlyeshme.

 

Poeti ka një vështrim të qartë  e realist mbi jetën. Ai e do gjer në flijimin e vetvetes njeriun dhe jetën. Kjo dashuri fisnike dhe e sinqertë, e frymëzon të shkruajë e të na skicojë  me vërtetësi  njerëz që ka njohur gjatë jetës apo të na përshkruaj situata e ngjarje  mbresëlënëse,  të cilat ia vlen  të rizgjohen në vepra letrare a poetike, që i blatohen lexonjësve të letërsisë sonë shqipe.

 

2-  Poezia e Vaso Papajit  është e ngrohtë dhe e sinqertë, është konkrete dhe e gjallë, ka mendim të thellë e përjetim emocional.

 

Ajo është poezi që meriton të mirëpritet e të lexohet me vëmëndje e dashuri. Ajo ka lindur si dëshirë komunikimi me njerëzit, si një shtytje e brëndshme, për të dalë nga vetvetja e për t’iu zbuluar të tjerëve, ashtu siç është e siç është mbrujtur  me kujdes e dashuri  në magjen  e shpirtit, pa asnjë zbukurim e stoli të tepërt.

 

Në këto poezi, Vaso Papaji i zbulohet lexonjësit  dhe si poet, si poet me botë të pasur emocionale e me mendim filozofik të thellë e origjinal. Ai është i natyrshëm, i ngrohtë dhe plot energji e dëshirë për të shkruar, sepse tek ai ka mbetur  e fuqishme  dhe e pagjymtuar  dashuria për jetën dhe njeriun:

 

Jam një njeri i dashuruar

me jetën time simfoni,

prandaj gjithmonë kam ëndërruar,

të mos mbaronte në kuvli

 

Njeriu e veçanërisht artisti që s’ mbyllet brënda katër mureve e në guaskën e vetvetes,  por rend kudo, ku gjallon e merr frymë jeta, ka gjithmonë ç’t’u thotë të tjerëve dhe mbetet, çuditërisht, gjithmonë i ri  e plot dëshira e synime për të ecur më tej, drejt horizonteve e hapësirave të reja.

 

Poezia e Vaso Papajit na vjen e larmishme dhe e begatë në përmbajtje dhe në formë. Ajo nuk është e ngurosur brënda një strukture të caktuar e të palëvizshme metrike. Forma artistike e saj përcaktohet gjithnjë nga përmbajtja, nga natyra dhe shkëndijimet e brëndshme. Poeti përdor struktura të ndryshme vargëzimi: edhe me varg të matur, por dhe me varg të lirë apo me ritmikë popullore, duke synuar gjithmonë të na e paraqesë sa më të plotë e me nerv temën që trajton. Nga poezia popullore ka mësuar dhe mjeshtrín e ndërtimit të tablove e të organizimit të lëndës, pa mbetur rob i folklorit, i figuracionit e i shtrirjes së subjektit.

 

Shpesh herë poezia e tij është si bashkëbisedim apo monolog i brëndshëm. Ajo shpesh herë ka në qendër një subjekt të caktuar, një nyjë dramatike rreth së cilës vërtitet lënda dhe subjekti. Kjo lëndë jetësore, është lëndë e marrë nga realiteti i sotëm. Ajo përtërin me frymëmarrje poetike të gjërë ngjarje, që i ka përjetuar gjatë. Këto ngjarje dhe mbresa vijnë nga kohë të ndryshme, nga fëmijëria, adoleshenca, rinia dhe vitet e pjekurisë dhe të burrërisë dhe kanë gjithmonë një gjendje emocionale të trazuar dhe të përndezur. Gjuha, ritmi dhe figuracioni, struktura e vargut, një rrjedhë e natyrshme e me lëndë jetësore, ndihmojnë në gjallërimin e situatave e të tabllove, të pikturuara me kujdes e me imazhe të gjalla:

 

Të pashë, Titinë në dhè të huaj,

në trotuar shpejtonim.

E s’ na u duk se qemë harruar,

aq sa të mos ndalonim.

 

. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

 

Dikur na kishte zënë qymyri,

një tramundanë na ndau.

Qymyri ynë ishte si pluhuri,

në fusha e dete shkau.

 

( Titina )

 

Poeti  në parashtrimin e lëndës mundohet të mos kalojë nëpër hapësira e zgjidhje situatash të njohura e të gatshme, t’i shmanget skematizmit e shabllonizmit, të jetë krijonjës  lamijesh të reja, t’i japë jetë rrëfimit a dialogut me personazhin a lexonjësin, t’i gjallërojë situatat e të futet në psikologjinë e filozofinë e jetës e të kohës.

 

3-Në epiqendër të poezisë është njeriu, me veprimet, përsiatjet, ëndërrimet, përpjekjet e luftën e tij të përditshme me realitetin e me njerëzit.Figura e njeriut skicohet me dashuri e me botën e vet të veçantë, duke kapur gjithmonë një moment kyç e domethënës e duke gjetur hallkat që e lidhin me realitetin e sotëm, me shtyllën e idesë nismëtare filozofike e me gjendjen emocionale e psikologjike që na përftohet.

 

Ky njeri që na afrohet shpesh, për të na treguar biografinë e tij, shqetësimin e dramën,  ka fytyrën e kohës që jeton, mbart psikologjinë e filozofinë e saj dhe përgjithësisht mbart një frymë e qëndrim objektiv ndaj ngjarjeve. Përmes tij, Vaso Papaj me konkretësi, ngrohtësi e forcë emocionale na pikturon tablonë e një jete dhe realiteti, që e ka jetuar në mënyrë aktive si luftëtar i së resë dhe i përparimit shoqëror, pa u strukur nëpër skuta të rehatëshme, duke guxuar të mbajë qëndrimin e vet të drejtë e të thotë fjalën e vet me mençuri e maturi, për të hedhur dritë , sado pak, në kohën e problemet e realitetit tonë.

 

Poezia e Vaso Papajit nuk është një poezi e ftohtë dhe cerebrale, nuk është poezi kabinetesh e plot rebuse e frazeollogji të mbingarkuara e absurde. Ajo është e kthjellët, bashkëkohore, realiste dhe gjithnjë e ngrohur nga dashuria për jetën, për njeriun e për botën, në të cilën dëshëron të ketë hapësira e mundësira për të gjithë. Bota dhe njerëzimi duhet të shkojë drejt rrugës së harmonisë e mirëkuptimit, drejt dashurisë e begatisë së përgjithshme. Kjo është ëndrra e synimi shekullor i mëndjeve më të ndritura dhe e pishtarëve të përparimit e të demokracisë, kjo është ëndrra dhe synimi dhe i poetit, që na zbulohet në këtë përmbledhje poetike, me një botë shpirtërore të pasur dhe fisnike, si një poet e shkrimtar, që shqetësohet dhe lufton për mbarëvajtjen e jetës e të njerëzve bashkohës me të cilët ka përjetuar gjithë ato mundime e drama, pa u gjunjëzuar e pa u larguar nga përpjekjet e lufta për një jetë më të mirë e më dinjitoze.

 

Në mënyre sintetike kjo dashuri për jetën dhe njeriun na është plazmuar në poezinë që po e citojmë të plotë:

 

I mbylla sytë e s’e pashë më diellin,

Bashkova buzët e fjalët s’më rrjedhin.

I zura veshët, shkretëtirë m’u bë dhoma,

Shtrëngova hundën, nuk ndjeva aroma.

I  lidha duart e s’të gudulisa,

Trupin ma drodhën me qindra  mornica.

 

( Çast pa ty )

 

Kjo flakë e dashurisë  ndihet e pranishme në poezitë, në tregimet dhe në romanin e Vaso Papajit. Për poetin, bota do t’i përngjiste një shkretëtire memece pa zërat e njerëzve dhe të natyrës. Këto zëra, tinguj, fëshfërima e xixëllima yjesh e shushurima rrëkesh e detesh, i japin dimensionin e vertetë jetës e natyrës. Ato janë shtysë e çdo projekti dhe e çdo vepre artistike. Dhe kur kjo dashuri për jetën dhe njeriun është e thellë dhe e sinqertë, krijimet artistike marrin gjallëri, fitojnë frymëmarrje dhe hapesirë, trokasin e ndërfuten brënda botës sonë e na bëhen të afërta e të dashura.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx