E enjte, 02.05.2024, 09:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Petrit Palushi: Drita si kumt mirësie

E shtune, 29.01.2011, 08:56 PM


DRITA SI KUMT MIRËSIE

 

- Shënime për librin “Në rrokaqiellin e mbrapshtive” të Nue Oroshit -SHB. OMBRA GVG/EQUINOX  2007

 

Nga PETRIT PALUSHI

 

“Në rrokaqiellin e mbrapshtive”, është përmbledhja e tretë poetike e Nue Oroshit.

Në këtë përmbledhje poetike vjen krejt natyrshëm fryma e eksperimentimit të librave të mëparshëm (“Shenjat e shpirtit”, “Drejt atdheut”), por tashmë me një ngjizje më të plotë për kah dendësia e unit poetik, pikërisht ajo që ka të bëjë me brendësinë e shpirtit, të ndjenjës, të formësimit të raportit mendim-ndjenjë si dhe përtëritjes stilistike.

Kur them eksperimentim poetik, kam parasysh faktin se krijuesi Nue Oroshi është në kërkim të vazhdueshëm të lirisë së vet krijuese, por njëkohshëm dhe duke ruajtur tipare të stilit të shfaqur qysh në përmbledhjen e parë poetike dhe tash së mbrami duke u konsoliduar më së shumti në përmbledhjen e tretë.

Në librin me poezi “Në rrokaqiellin e mbrapshtive” të Nue Oroshit gjallërohet lehtësisht metafora: jeta në trazimet e përditshme, më saktë, jeta përmes një përditshmërie të trazuar. Dhe, në rast se kjo jetë e kësillojshme rrjedh përsëpari në sytë e poetit Oroshi, mandej, po aq lehtësisht përcillet tek lexuesi pa mungesa, por duke e përjetuar sikur t’ish vetë poeti që kish para syve të tij një tekst poetik të shkruar pak më parë. Një gjë e tillë ka të bëjë me gjendjen emocionale që krijon tek lexuesi një poezi e ndjerë, sistematike në zbatimin e atyre rregullave që parasheh poezia që kërkon të ketë ndjeshmërinë dhe virtuozitetin.

Kësisoj, poezitë e librit “Në rrokaqiellin e mbrapshtive”, na japin peizazhin e një jete që pulson me të gjitha ngjyrat e veta: të bukurën, të shëmtuarën, kujtesën, jokujtesën dhe tejkujtesën, dritën e rrënjëve të kullës, vendlindjen si ftesë për të kundruar vendin ku mbretëron gjithsaherë e bukura, terrin dhe dritën e përditshmërisë, varret e humbura të njerëzve më të dashur, diku një zjarr i ndezur që s’shuhet e s’shuhet...

Autori i këtij libri sikur kërkon të kumtojë vetëm mirësi njerëzore; një mirësi e tillë, krejt autoritare, e bën atë të shkojë përpara vetëm me hapa të përkujdestë, dhe në një farë mënyrë, sikur kërkon të sfidojë botën në të cilën drita dhe terri notojnë lehtësisht së bashku:

 

Me një sy e shikoj botën

Pa thyer qafën në rrokaqiellin e mbrapshtive

 

Ky kumt që kërkon të përcjellë autori merr formën e një drite që përhapet dhe bën vend edhe midis territ. Ai e dallon dritën mu aty ku terri është më i plotë, mu aty ku dita është më e verdhë, mu aty ku pështjellimi është më i madh.

Të duket se poezia e Oroshit merr formën e prozës së kultivuar poetike: vargu i gjatë, shpeshherë hijerëndë dhe me nuancat e përcjelljes së një trishtimi të pamatë, por gjithsesi në formën përshkruese të peizazheve që zëvendësojnë njëri-tjetrin prej poezisë në poezi.

Shpesh në poezinë e Nue Oroshit vargu merr formën e sentencës, dhe ku lehtas, në formime të kësillojta mund të vihet re edhe ndikimi prej poezisë së fuqishme të A. Shkrelit.

Prandaj poezitë e librit “Rrokaqielli i mbrapshtive” frymojnë peizazhe të ndryshme dhe shumë të larmishme të kësaj bote disi të turbullt, ku njeriu ndodhet shpesh në situata absurdi.

Autori i këtij libri, Nue Oroshi, jeton dhe punon në Gjermani, por kjo gjë s’e ka penguar atë të japë një peizazh jete të Kosovës, të japë dramën e saj nëpër kapërcimet e shekujve dhe të shpërndajë kumtin e dritës për kah mirësia njerëzore.

Poezitë e librit “Rrokaqielli i mbrapshtive” janë shembulli i një dëshmie se Nue Oroshi poezinë e ka si zë të parë në krijimtarinë e vet.

Kjo lloj poezie në radhë të parë është meditim për njeriun dhe fatin e tij, është klithje për vetë parregullsitë e kësaj bote.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora