E premte, 02.05.2025, 06:07 PM (GMT+1)

Kulturë

A. Shkodrani: Kali

E shtune, 29.01.2011, 07:24 PM


Tregim nga A. Shkodrani

 

K A L I                

 

Një kalë i çmendur kishte hyrë brenda dhe po u mëshonte shqelma mureve të shpirtit të tij. Shpesh i kishte ndodhur t’i përjetonte disa drama të vërteta, si sherre të gruas, por asnjërën prej tyre nuk po mund ta krahasonte me dramën e asaj dite që kishte brenda, jo veç revoltën, inatin, xhelozinë, po edhe një turp kryeneç, të cilin nuk kishte sesi ta mposhtte në asnjë mënyrë.      

Lata s’kishte qenë kurrë bestyt, por tani, pas asaj vizite në fermën e kuajve, po besonte plotësisht në diç të çuditshme; ishte bërë bestyt i pandreqshëm. Për këtë ishte shkak ajo, gruaja e tij, Lulaveri, që e kishte bërë të mendonte se për të ishte, vërtet, një rrezikzezë e lindur, që t’i ndodhnin të papritura të pakëndshme ose ishte e prirur të krijonte situatat, që t’i ndodhnin të papriturat. Tani, ajo, me ngjarjet e asaj dite, me atë kalë të mallkuar, e bindi plotësisht se ishte e lindur një baksëz femre, që t’i ndodhnin gjërat e hidhura dhe, madje, edhe ishte e tillë që t’i krijonte ato situate turpi, revolte e poshtërimi, nga të cilat ai nuk shpëtonte dot, derisa të ishte me të.

Ishte nisur edhe atë ditë me qëllimin dhe dëshirën më të mirë, t’i kënaqte fëmijët e vet, nipërit e mbesat, motrat e kunatën, sepse njëherë në vit vinte nga ai vend i largët, ku ishte vendosur qe disa vjet, dhe ia vlente të tregonte dashurinë e kujdesin ndaj të afërmve, për ato pak ditë pushimi sa kishte.

Kishte zgjedhur atë ditë t’i shpiente njerëzit e vet të dashur në kodrën e fermës së kuajve, t’ua tregonte fëmijëve pamjet e bukura të vendit të tij, po t’i kënaqte ata dhe njerëzit tjerë të dashur të tij, me ato qenie të çuditshme, kuajt e racave të ndryshme, të cilët, thuhej se pronari i kishte sjellë nga anë të ndryshme të botës, që njeriu i këtij vendi kurrë s’kishte pasur rast t’i shihte.       

Vetëm një gjë Lata nuk e kishte paramenduar dot, se përpara kishte një të papritur që do t’ia shkaktonte pikërisht e shoqja, Lulaveri, me baksëzllëkun e saj prej natyre. Ah, atë ditë të mallkuar, kobzezë, atë turp, atë mjerim, atë skëterrë shpirtërore se kishte pritur në asnjë mënyrë.

E bëri vetë Lulaveri atë. Ajo nguli këmbë, si gomari në baltë, dhe kërkoi të hipte mbi atë kalë të çmendur, sherrxhi, mbi atë djall të vërtetë, se s’mund të ishte tjetër. E kërkoi me ngulm Lulaveri atë kalë t’i hipte, ta provonte forcën, shkathtësinë, energjinë e tij…gjithçka do të provojë ajo, e zeza! Edhe e provoi atë më të madhin, më të fuqishmin…, se nuk kishte të tjerë më pak sherxhi se ai kalë që zgjodhi ajo!?

Fëmijët hapën sytë nga habia me guximin e Lulaverit.

Kofshët e Lulaverit, mbi kalë, po shquheshin në një mënyrë të theksuar, të turpshme, pamje që do t’i bënte t’i ulnin sytë fëmijët e gratë, ndërsa t’i hapnin burrat.

Por, disi, gjendja dukej normale derisa kali vraponte shumë krenar me Lulaveren mbi shpinë, pa qenë i aktivizuar në pjesët e turpshme të tij. 

Gjendja u bë tejet dramatike, kur kafsha u duk se ndjente mbi shpinën e saj qenien e një gruaje, si Lulaveri. Ky ishte një mister që Lata e kuptonte intuitivisht dhe kalin e konsideronte si një burrë që s’e përmban dot veten dhe që donte ta turpëronte botërisht të shoqen. Kafsha vazhdoi të mos i  bindej më seriozitetit të zotërisë së tij, të vraponte, për të kënaqur vizitorët me dukjen dhe vrapimin e tij (dhe me bartjen e Lulaverit), shërbim që Lata e kishte paguar me paratë e djersës së tij.

Kafsha e pandershme, pa fije turpi e respekti, siç i thoshte vetmëvete Lata, kali i pabindur, arrogant, para masës së vizitorëve, filloi të nxirrte atë gjënë, sendin, fallusin, abazin e tij të gjatë, të stërmadh, me të cilin fëmijët filloi t’i tmerronte, kurse gratë, sado djallëzore, t’i turpëronte dhe t’i ulnin sytë, në praninë e burrave dhe fëmijëve.

Por, më shumë se të gjithë, ishte i tmerruar Lata, i cili ishte i bindur, plotësisht, se, në një situate të tillë, të pakrahasueshme, po e vinte vetë gruaja e tij, Lulaveri.

Vetë Lulaveri, plot krenari mbi kalë, dëshmonte krenarinë se dinte të qëndronte mbi shpinën e një kali të fuqishëm e të azdisur, vrapit dhe lojërave të tij dhe sikur të mos i mjaftonte kjo edhe po qeshte për ta pëlcitur m’u në zemër Latën vetë.

Ç’të bëntë Lata i shkretë ?!

Si të dilte nga kjo situatë tmerri, kur fëmijët po tmerroheshin, gratë po turpëroheshin, kurse atij vetë po i copëtohej zemra, jo veç nga harlisja e kalit, po edhe nga harlisja e Lulaverit?!

Si t’u përgjigjej fëmijëve, të cilët me sytë e shqyer nga çudia, s’po pranin, po me ngulm e me zë të lartë po pyesnin: “Çka është ajo, që ka nxjerrë kali?!” Çka është ajo, që ka nxjerrë kali … ?!”

Gjithë pesha e atyre kodrave që po shihte, Latës i dukej se ishte lëshuar mbi krahët e tij dhe po sharronte thell në tokë! Megjithatë, Latën nuk e shpëtoi dot ajo peshë e rëndë turpi, të mendonte për të gjetur enigmën e lidhjes së fshehtë, të padukshme, djallëzore, ndërmjet gruas së tij, Lulaverit, dhe kafshës që kishte krijuar gjithë atë dramë të padurueshme turpi. Ku qëndronte ajo lidhje ndërmjet kafshës, që reagoi aq paturpësisht, në atë moment aq tragjik, për fytyrën, moralin e botën e tij të ndjeshme dhe guras së tij?!

Ai, edhe në atë gjendje shpirtërore dramatike, përfundoi se, për sherrin e fatkeqësinë e tij, ekzistonte një lidhje ndërmjet kafshës dhe gruas. Edhe kali, tani, në botën e tij, ishte si një njeri që po bashkëpunonte me gruan e tij, për ta bërë të vuaj… Gjithnjë gjenden disa gjëra që bashkëveprojnë, në një mënyrë të fshehtë, të padukshme, të pazakonshme…

Ai kalë i çmendur kishte hyrë brenda dhe po u mëshonte shqelma mureve të shpirtit të tij, kurse gruaja e tij, Lulaverja, e ulur mbretërisht mbi shpinën e tij po qeshte.        

Ndërhynë punëtorët e fermës dhe e ndërprenë tragjikomedinë e asaj dite. Lulaveri zbriti nga kali problematik dhe kuptoi se për stepjet e njerëzve dhe fytyrën e vrarë të të shoqit, shkaktar ishte reagimi i kalit. U kthyen në shtëpi. Po mbeti të vazhdonte jo veç tregimi i asaj dite.

Shënimi i tregimtarit:

Tregimi u tregua gjatë në qytet dhe vazhdon të tregohet edhe më e t’i argëtojë qytetarët, ndonëse u vlerësua tejet vulgar. Por është nga jeta reale, i vërtetë. Do të rikujtohet, sigurisht, shumë, edhe verën e ardhshme, kur, nga diaspora, do të vijnë njerëzit për pushime. Sigurisht, nuk do t’ia dinë për dhimbjen e Latës. Ata mund të mahniten më tepër me kureshtjen dhe shkathtësinë e Lulaverit. Flitet se ky tregim më shumë iu pëlqen grave (sidomos atyre që duan t’ua krijojnë ndonjë rreng burrave) dhe rrëfehet prej tyre.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx