E shtune, 03.05.2025, 03:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: A mund të quhen fjalët e reja ''huazime''?

E premte, 28.01.2011, 09:58 PM


A MUND TË QUHEN  FJALËT E REJA  “HUAZIME”?

 

Nga Sami ISLAMI


 

Dihet se gjuha është organizëm i gjallë, e cila jeton, zhvillohet, pasurohet nga nga njerëzit që e flasin atë. Secila gjuhë ka një fond të caktuar të fjalëve. Po a thua ky fond do të jetë i mjafueshëm për atë gjuhë, pa pasur nevojë të marrë fjalë të reja nga gjuhët e tjera? Shkalla e  marrjes apo e dhënies gjithmonë shkon në shpërpjestim  me atë se cila gjuhë , në një etapë të caktuar të zhvillimit  shoqëror e kulturor,  ka qenë më mbizotëruese përballë tjetrës. Nga nevoja që ka  gjuha disa fjalë shpesh merren nga ndonjë gjuhë tjetër, qëndrojnë aty, por shpesh,  me zhvillimin e mëvonshëm të saj edhe mund të dalin nga përdorimi në atë gjuhë, madje mund të  harrohen fare. Kësisoji ka ndodhur edhe me gjuhën shqipe. Historikisht në gjuhën tonë, për shkak të nevojës që kishte, janë futë fjalë të reja nga  gjuhë të ndryshme, si nga latinishtja, greqishtja, turqishtja… Në kohën më të re edhe nga anglishtja e nga ndonjë gjuhë tjetër.

 

Po a ishin dhe a janë këto fjalë “huazime”, siç ndeshet shpesh ky term  në gjuhësinë shqiptare? Kush i “huazoi” këto fjalë?  Fundja si ka mundësi të huazohet fjala? Këtu qëndron edhe gabimi i këtij emërtimi, se fjalët, në fakt,  nuk mund të huazohen por hyjnë në gjuhë si mjet shërbyes për t’u marrë vesh më mirë me njëri- tjetrin. Fjalët hyjnë spontanisht në gjuhë. Shtresa e gjerë popullore nuk lodhet shumë për atë se kjo apo ajo fjalë është apo s’është e burimit shqip. Me rëndësi është të merren vesh me njëri-tjetrin. Gjuhëtarët janë ata të cilët duhet të merren me ketë çështje, por sa po merren gjuhëtarët sot me këtë problematikë është çështje më vete. Sidoqoftë,   pasi  që jemi tek “huazimi”,   le të shohim se si  e shpjegon kuptimin e fjalës (emrit) “HUA,-JA”,  “Fjalori i shqipes së sotme” , Tiranë , 2002, f.488: “HUA,-JA f. sh.-,-T. Para (të holla)  ose diçka tjetër me vlerë që i merret a i jepet dikujt, për një kohë të caktuar dhe i  kthehet përsëri.  Hua shtetërore, I mori ( i dha i kërkoi) hua.  Edhe  emri “huazim” shpjegohet me: Veprimi sipas fjalëve  HUAZOJ, HUAZOHET. Huazimi i fjalëve. Huazimi i librit. 2. gjuh. Fjalë a njësi tjetër gjuhësore , që janë marrë prej një gjuhe të huaj (po aty f. 489). Nga shpjegimi që na jep fjalori shohim se “huaja” përcakton diçka (çfarëdo qoftë ajo) që merret, por që pastaj duhet  edhe të kthehet, por në shpjegimin  vijues , “huazimi i fjalëve”, mbetet aty. Pra, çështja që del këtu është se fjalët  nuk kthehen! Sipas vetë përkufizimit që është bërë nga vetë hartuesit e FShS-së del se huazimi është diçka që merret hua, pra, që të kthehet pas një kohe,  por si është e mundur të huazohet diçka e të mos kthehet? Hartuesit e fjalorit edhe librin e kanë futur në rangun e fjalëve a njësive gjuhësore, të cilat, sipas fjalorit “huazohen” dhe nuk kthehen kurrë! Po libri kthehet, apo jo ? Problemi është që përkufizimi nën numrin 1. E kundërshton përkufizimin në numrin 2!

 

Po  ta shikojmë  historikun  e gjuhës shqipe do të vërejmë  se kemi fjalë  me origjinë greke , që janë përdorë dhe përdoren edhe sot në gjuhën shqipe si: monizëm, nomad, ikonë, nikoqir, taksë etj. Të gjitha këto fjalë janë në fjalorin e gjuhës shqipe.  Shumë mirë! A mund të quhen më këto fjalë “huazime”, kur përdoren në  gjuhën shqipe me vite e dekada a ndoshta edhe me shekuj? Njësoj kemi edhe fjalë të tjera  me origjinë latine, si: monitor, orator( për gojëtar),  erudit, akceptoj  investigoj, involvoj , prononcoj, okular (në fjalorin e 2002-ës është vetëm  okulist), kamera, kancer etj. Nëse këto fjalë me origjinë nga gjuha latine, të cilat kanë përdorim të gjerë për një kohë të gjatë në gjuhën shqipe, atëherë as  këto më nuk janë  fjalë të “huazuara” nga latinishtja. Këto  janë fjalë shqipe me origjinë nga latinishtja. Për disa nga këto  fjalë dhe fjalë të tjera ka edhe fjalë shqipe për ato kuptime. Sigurisht fjala shqipe duhet të ketë përparësi   por a mund të përjashtohen këto me një dekret nga gjuha si “të huaja”? Këtu duhet pasur kujdes të gjithë, e në rend të parë gjuhëtarët, sepse një e gjë e tillë do të ishte e pamundur. Ajo çfarë do të ishte më e logjikshme për gjuhëtarët do të ishte  të sugjeronin fjalën  e re shqipe, por duke e lënë atë fjalë si sinonim. Pas një kohe disavjeçare do të shihet se cila fjalë do të qëndrojë.  Është krejt në rregull që për  “orator” të përdoret fjala shqipe  “gojëtar”, sikundër  edhe për fjalët (foljet) akceptoj, investigoj,  pronocoj, të përdoren  fjalët shqipe “pranoj”, hulumtoj”, kumtoj .  

 

Kriteret , të cilat ndiqen nga gjuhët perëndimore lidhur me fjalët  me origjinë të huaj janë shumë të qarta. Gjuhëtarët anglezë, p.sh. për ta konsideruar një fjalë me origjinë të huaj, si  të veten,  përdorin këtë kriter: Ata caktojnë pesë pika të ndryshme  gjeografike ku flitet gjuha angleze, vërtetojnë se e njëjta fjalë a është  shkruar në këto pesë pika brenda pesë vitesh së paku pesë here. Dhe nëse është kështu  ajo fjalë konsiderohet si fjalë angleze. Pas kësaj kohe ajo fjalë nuk trajtohet më si fjalë e huaj ose  “huazim” siç ndodh në gjuhën shqipe, por ajo fjalë quhet  fjalë e gjuhës angleze dhe futet menjëherë në fjalor.

Disa fjalë me origjinë latine nga përdorimi shumë i gjatë i tyre  në gjuhën shqipe (pothuaj në tërë trevat shqipare), edhe po të duash s’ke se i largon. Këto janë tanimë  fjalë shqipe, por me origjinë latine.  Nëse s’është kështu, atëherë si do t’i themi kamerës, kancerit,  madje  edhe  kishës   shqip? 

 

Edhe  me origjinë turke kemi fjalët: xhep, tepsi, xhamadan, papuçe, bajrak (për flamur), adet (për zakon),  “jo” (nga “yok”), kanape , xhezve, filxhan , çarçaf, çorapa  , çardak , bardak (për gotë), penxhere (për dritare), minder, vezir, zabit (për officer), nizam (për ushtar) etj. etj. Duke e ndjekur këtë kriter, pra kriterin se këto fjalë ishin e disa janë edhe sot në përdorim thuaja  në gjithë trevat shqiptare, shohim se gjuha i mban vetëm ato fjalë të cilat i nevojiten. Ato që s’i duhen i hedh jashtë. Fjalë të tilla, të cilat shqipja i kishte futë në leksikun e vet shekullor kishte  plot , por po i përmendim vetëm disa. Sot dëgjohen shumë më rrallë fjalët:  çardak , bardak , penxhere, minder, vezir, zabit, nizam etj.  Por janë disa që jetojnë edhe sot në leksikun e shqipes është pa kuptim  të trajtohen si fjalë “të huazuara” nga turqishtja. A ka kuptim ne sot t’i quajmë “huazime”,  ose fjalë turke,  fjalët:  “xhep”, “tepsi”,”xhezve” , ‘filxhan”, ‘çarçaf’, çorapa , jorgan etj.? Nëse do të trajohen si të tilla, si do t’u themi këtyre shqip? Është interesante të theksohet se edhe pjesëza mohuese ‘jo’, pra   është me origjinë nga gjuha turke  nga “yok”,  që pastaj me kohë kjo –k fundore ra dhe mbet vetëm “jo” për fjalën shqipe “nuk”, e cila, si fjalë burimore shqipe, sot përdoret mjaft rrallë. Përdoret vetëm në disa të folme të shqipes, si tek shqiptarët e Maqedonisë: në rrethin e Tetovës, Gostivarit etj. Pra, eni e ta heqim fjalën “jo” nga gjuha shqipe, si një fjalë të huaj! 

Tani në kohën më të re situata për të “marrë “ apo për të “dhënë” fjalë është krejt ndryshe nga kohët e kaluara. Sot ka institucione që merren me studimin e leksikut (ose të themi më mirë duhet të merren me studimin e leksikut, apo fjalëve). Gjuhëtarët  në rend të parë janë ata që do të duhej të  kishin kontroll më të madh në këtë fushë. Po kjo nuk do të thotë se ata do të kenë rol  vendimtar, sepse , siç thamë më lart, fjalët nuk ka mundësi t’i “ndalojë” askush në mënyrë arbitrare, pra, as gjuhëtarët. Në mënyrë të pashmagshme disa fjalë futen në gjuhë (shpesh bashkë me mjetin). Varësisht se si dhe kur futen në gjuhë fjalët  duhet të regjistrohen , të verifikohen dhe nëse përdoren më gjatë se pesë vjet,  të futen edhe në fjalor.  Po si të shpjegohet madje  fakti që  fjalët, kompjuter e internet   përdoren në gjuhën shqipe  së paku qe dy dekada dhe nuk janë në asnjë fjalor të gjuhës shqipe! Pse po ndodh kjo? Kjo ndoshta po ndodh, sepse ne jemi “mësuar” t’i “konsiderojmë” “të huaja”, anipse përdoren në gjithë hapësirën shqiptare për rreth njëzet vjet, e ndoshta edhe më gjatë!  Është paradoksale që  fjala “kompjuter” (por edhe shumë fjalë të tjera të reja) të mos jetë në fjalorin e gjuhës shqipe botuar më 2002. Nuk është as në fjalorin  më të ri të gjuhës shqipe hartuar nga Mehmet  Elezi dhe i botuar më 2006, i cili,  madje,  në parathënien e fjalorit e përmend disa herë fjalën “kompjuter”!

 Të kësaj fushe janë edhe fjalë të tjera që po përdoren në shqip, të cilat në vjetët e fundit kanë gjetë përdorim shumë të gjerë. Të tilla janë:  monitor, printer, pasword, , update (apdejt), download (dounloud), e-majl , llaptop, chat (çat).

 

Janë disa përpjekje, do të thosha,  më shumë  jashtëinstitucionale që kanë krijuar disa terma shqipe në fushën e kompjuteristikës, p sh. për password  përdoret   fjala  shqipe “fjalëkalim, për  “update  përditësim , për  download, “shkarkim” , për e–mail,  postel (shkurt për “postë elektronike”). Po si t’i themi  “llaptopit” shqip? Në qoftë se këto fjalë lihen të qëndrojnë kështu me vite dhe nisin të jetojnë në gojën e shqiptarëve, pa kujdesin  e gjuhëtarëve, apo thjesht pa kujdesin e institucioneve gjuhësore për të krijuar fjalë shqipe, edhe këto fjalë do të mbesin si “huazime” të përhershme, por në përdorim të vazhueshëm në gjuhën shqipe! Kështu ato do të bëhen fjalë të thesarit të shqipes, doemos.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx