E enjte, 02.05.2024, 11:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Sefaj: Një libër i mirë në kohën e duhur

E merkure, 26.01.2011, 08:57 PM


Një libër i mirë në kohën e duhur

 

Smajl Smaka, “Bashkëbisedime III”, Publicistikë, botoi SHKK “Anton Pashku” Prishtinë, 2010

 

Nga ILIR SEFAJ

 

Ditë më parë SHKK ”Anton Pashku”e Prishtinës nxori nga shtypi librin publicistik “Bashkëbisedime III” të shkrimtarit, gazetarit, publicistit e poetit, Smajl Smaka.

Them një libër i mirë në kohën e duhur ngase ky libër intervistash sigurisht se do të zgjojë kërshërinë e lexuesit, për faktin se në mënyrën e saj më të shkëlqyer, mes kopertinave të saj, ka ngërthyer disa intervista të cilat autori i saj i ka bërë me personalitete të shquara të jetës politike e krijuese, të cilët në opinion shqiptar, por edhe atë ballkanas, shquhen për diskursin e tyre të drejtpërdrejt dhe mjaft parimor mbi çështjet e caktuara politike e letrare, që lidhen direkt me Ballkanin Perëndimor.

Smajl Smakën, lexuesi ynë e njeh edhe si përkthyes e poet mjaft serioz dhe si gazetar shumëvjeçar të Kosovës. Gjithsesi, autori i këtij libri e ka parë të udhës që këto intervista të bëra në kohë e rrethana të caktuara të mos mbesin të shkapërderdhura në gazetat ditore, apo në kujtesën e një numri të caktuar shikuesish që kanë pasur rastin t’i ndjekin në ekranin televiziv, meqë problemet që rrah autori i librit me bashkëbiseduesit e tij, nuk janë probleme ditore, përkundrazi janë fragmente që sigurisht lidhen me epoka të ndryshme dhe si të tilla gjithsesi se meritojnë të mblidhen mes kopertinave të një libri, ngase vetëm në këtë mënyrë këto intervista tejet me interes do të bëjnë rrugëtimin e tyre të sigurt në vetëdijen e lexuesit.

Mes kopertinave të këtij libri janë prezent intervistat me shkrimtarët, historianët, intelektualët, të cilët kush më shumë e kush më pak, luajtën një rol tepër përmbajtsor, afirmativ në përpjekjen për një stabilitetet politik në këtë pjesë të Europës, synim i të cilëve ishte ruajtja e një balance në kontekstin gjeopolitik të Ballkanit perëndimor.

Personalitetet e intervistuara këtu, në opinion publik shqiptar e rajonal, po edhe atë ndërkombëtar njihen si oponentë të politikës oportuniste të Millosheviqit, dhe “armiq”  të çfarëdo tendence tjetër shtypjeje që gatuhej në kuzhinat e diplomacisë serbe dhe jo vetëm serbe, e që kishin synim destabilizimin e rajonit.

 

Postulate me interes

 

Libri hapet me intervistën e Abdullah Sindranit,  shkrimtar e intelektual boshnjak i cili njihet për qëndrimin e tij opozitar karshi politikës serbomadhe, në veçanti të asaj pas vitit 1990, kur ish-Jugosllavia bie në duart e kasapit Millosheviq, shkaktar i një terrori të paparë në Europën perëndimore që nga Lufta e Dytë Botërore.

Duke jetuar në realitetin e trepushtetit etnik të Bosnjës, ky intelektual i shquar boshnjak me mjaft përgjegjësi citon drojën e gjeneralit Atif Dudakoviq i cili thoshte se: “Lufta ka mbaruar vetëm për ata të cilët në të janë vrarë!“.

Intelektuali Sidran, ashtu sikurse edhe pjesa më e madhe e qytetarëve boshnjakë shfaqin pakënaqësinë me mënyrën e përmbylljes së çështjes së Bosnjës, të cilën gjithsesi më tepër do konsideruar si të hapur ende.

Libri “Bashkëbisedime III” nuk do ta kishte peshën e tij të madhe, sikurse jashtë kopertinave të tij të lihej intervista e realizuar me historianin e shquar shqiptar, Arben Puto, i cili jep detaje me mjaft interes rreth rrugës së gjatë e të mundimshme të krijimit të shtetit shqiptar. Ishte pra kjo rrugë e shtruar me gjemba hekuri mbase, e cila falë një përpjekjeje të jashtëzakonshme të intelektualëve shqiptarë të mbledhur rreth një ideali, me në fund rezultoi me krijimin e shtetit dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Vargu i personaliteteve të intervistuara këtu është tejet i gjatë, megjithatë libri mund të lexohet me vetëm një frymë, e kjo falë gjetjes mjaft të mirë të autorit Smaka, i cili në pyetjet e tij është tejet konciz dhe i qartë rreth asaj që kërkon nga i intervistuari, dhe falë këtij konciziteti ka arritur ta mbajë të paluhatur kërshërinë e lexuesit të supozuar.

Shikuar nga një prizëm tjetër, librin “Bashkëbisedime III” të Smajl Smakës do konsideruar të rëndësishëm edhe për faktin se personalitetet e intervistuar këtu, jo rrallë janë ballafaquar me “plasaritje” rreth konceptit të tyre intelektual, duke u konsideruar si persona jo konsekuent në pikëpamjet e tyre politike e intelektuale, përkundër thënies që unë do ta konsideroja antologjike të Filip Davidit, intelektual e shkrimtar i talentuar i cili ndër të tjera thotë: “Intelektuali i mirëfilltë është kritik ndaj çdo pushteti”.

Pra, alfa dhe omega e një intelektuali të mirëfilltë është kritika ndaj secilit pushtet sado demokratik që do të mund të konsiderohej, meqë vetëm një kritikë konstruktive, e mbështetur në argumente do të mund të bëjë saldimin e plasaritjeve të cilat ndikojnë në rrugëtimin e një shoqërie në kontekstin e brendshëm politik, po edhe në atë të gjeopolitikës.

Gjithmonë në këtë linjë, jam mëse i bindur se kureshtjen e lexuesit do ta ngacmojnë edhe intervistat e tjera të bëra me personalitete të dëshmuara të hapësirës së ish-Jugosllavisë, dhe të Shtetit shqiptar të cilët me veprimtarinë dhe krijimtarinë e tyre, dëshmuan se edhe në periudhat më të errëta të historisë së kombeve, ka të tillë që predikojnë paqen, lirinë, njerëzoren. 

Sigurisht, autori i këtij libri më shumë se tjetër, ka dashur që këto postulate të të intervistuarve të tij të mbesin brenda kopertinave të librit, ngase vetëm në këtë mënyrë do ta bëjnë rrugëtimin e tyre të sigurt dhe do të përçojnë mesazhet e tyre autentike tek brezat e ardhshëm.

Përfundimisht, në kohën kur në jetën tonë kulturore e artistike janë të shumtë (për të mos thënë të tepërt) botimet e librave, pastaj promovimet me pompozitet të këtyre ”krijimeve” që rëndom marrin lëvdata kuturu e të falsifikuara, librin “Bashkëbisedime III” të gazetarit e publicistit Smaka e “gëlltita” me vetëm një frymë dhe me kënaqësinë më të madhe; ngase ky libër intervistash, sikur mëton thyerjen e këtij shablloni kulturor me të cilin karakterizohet Kosova sot.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora