E premte, 17.05.2024, 07:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Violeta Murati: Libri i librave, 500 vjet brenda

E merkure, 26.01.2011, 07:42 PM


Libri i librave, 500 vjet brenda

 

Nga Violeta Murati

 

Mbyllen festimet e 90-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare me kulmin e promovimit të Bibliografisë Retrospektivë të Librit Shqip, të munguar prej dhjetëvjeçarësh kulturës shqiptare, që përfshin bibliografinë prej viteve 1550 deri më 1913, nga Buzuku deri në krijimin e shtetit shqiptar, duke mbërritur në vitin 1944. Të përgatitur nga bibliografët Ramazan Vozgu dhe Maksim Gjinaj, dje ky libër është cilësuar “ngjarje historike për botën kulturore shqiptare”

 

Më në fund kultura shqiptare ka “librin e librave” të saj; Bibliografinë Retrospektivë të Librit Shqip në dy pjesët e para, 1555-1912 (I) dhe 1913-1944 (II). Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, në parathënie të tij shënon: “Më bie detyra të pohoj me bindje se është fjala për një botim që përbën ngjarje historike”.

 

Ndërkaq sipas Plasarit botimi i Bibliografisë Retrospektivë të Librit Shqip përbën një arritje të lakmuar ndoshta qysh këtu e 90 vite të shkuara, kur qeveria e ardhur në Tiranën kryeqytet nga Kongresi i Lushnjës merrte vendimin për themelimin e një “biblioteke kombëtare” në Shqipëri. “E pamundur do të ketë qenë ideatorët e institucionit në fjalë të mos kenë ëndërruar që shqiptarët të kenë një ditë për duarsh edhe regjistrimin e gjithçkaje që ishte shkruar e botuar deri më atëherë në gjuhën shqipe, nga Buzuku deri tek ata, në atë vit të largët 1920”.

 

Këto dy botime, quajtur “Libra të librave” janë promovuar dje në një ceremoni jo të zakontë, e në ditë tensionesh e trazirash në kryeqytet. Si për të “shpërfillur” politikën, dhe çfarë ka ndodhur këto ditë në sheshin e kryeqytetit, në Bibliotekën Kombëtare dje kishin ardhur studiues, shkrimtarë, historianë, drejtues të institucioneve të kulturës, e personalitete të letrave…të gjithë me ndjenjë kërshërie, si për të treguar se është ana tjetër e medaljes për shqiptarët.

 

“Shqiptarët tregojnë se dinë të bëjnë gjëra, vepra të mëdha…”, do thoshte në fjalën plot zjarr, drejtoresha e Arkivit të Shtetit. Dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtar të Kosovës, Sali Bashota do shkëputej se ndër shqiptarë “kjo është një nga projektet kombëtare më të fuqishme, duke u bërë trashëgimi kulturore primare e komunikimit në gjithë hapësirat mbarëshqiptare”.

 

Ndërsa prezenca e Kryeministrit, Sali Berisha, i cili u nderua me medaljonin jo vetëm të anëtarit të vjetër të Bibliotekës, por dhe kontribuuesit në kulturë, ishte për këtë pjesë të kulturës një garanci mbështetje për librin. 

 

Projektimi dhe realizimi e të parës bibliografi të librave shqip, është vlerësuar si “ngjarje historike” edhe nga dy të ftuar në këtë prezantim, drejtorit të BK-së, së Kosovës Sali Bashota, dhe drejtores së Arkivit të Shtetit, Nevila Nika.

 

“Të kesh një bibliografi të librit shqip është një fat. Dy libra që mendoj se në bibliotekën e secilit duhet të jenë. Dy vepra, që deri dje kemi përmendur vetëm nga të huajt, albanologë e autorë të huaj. Me këtë dy libra punonjësit e bibliotekës kanë treguar se edhe shqiptarët dinë të bëjnë vepra”.

 

Ndërsa Plasari kujton në parathënie, se kur nisën punën me bashkëpunëtorët e tij, vite të shkuara, për drejtimin e Bibliotekës Kombëtare, thjesht kishte thënë: nuk mund të ketë bibliotekë kombëtare pa bibliografi kombëtare. Kështu ka nisur edhe puna për hartimin e bibliografisë, me parimin lëvizës: para se librat të përdorën dhe, ose, të studiohen, duhet të dihet që ata ekzistojnë. Dy botimet janë përgatitur nga bibliografët Ramazan Vozgu dhe Maksim Gjinaj, së bashku me punonjëset e Bibliotekës Margarita Mele dhe Myrvet Elmazi, për të cilët Plasari thotë: “Ata që e njohin mirë e bukur këtë parim janë pikërisht punonjësit e bibliotekave, - të çdo biblioteke me funksion publik,- sepse ato krijohen për t’u shërbyer nevojave të grupeve më shumë se atyre të një individi. Punonjësve të bibliotekave, dhe jo “mendjes njerëzore” në përgjithësi, u njihet në historinë e qytetërimit merita e shpikjes së mjetit universal për realizmin e këtij informacioni, që është bibliografia”.

 

Është quajtur fat i lumë për kulturën shqiptare fakti që pjesa zotëruese e botimeve shqipe, prej Buzukut unikal - të riprodhuar nga At Justin Rrota - dhe deri sot, janë mbledhur e ruajtur në koleksionet e Bibliotekës. Prej këtu del dhe pasuria e fondeve zotëruar në shfrytëzimin e botimit të Librit të librave, me 500 vjet brenda, ku mund të llogariten përafërsisht 95% e totalit të tyre historic. Plasari shkruan se e famshmja British Librar dhe po aq e famshme Bibiotheque nationale de France mund të konkurrojnë në epokën e sotme të globalizmit me koleksionet e tyre: nga 14 në 15 milion libra. Pasuria e koleksioneve unikale që zotëron Biblioteka kanë mundësuar dhe përfundimin e “Librit të librave”. “Dhe pikërisht falë tyre përdoruesve të saj tanimë u ofrohet një informacion pothuajse pranë maksimales”- bëhet fjalë për një informacion, i cili, përtej bibliografisë i afrohet “një realiteti ende të veshur me vagulli shekullore që është historia e Librit shqip”, qysh nga botimet e tij më të hershme.

 

Vështirësitë për këtë bibliografi Plasari na i rendit në dy raste: Bibliografia, si disiplinë më vetë e shkencës së librit, është njëherësh art dhe shkencë, si e tillë ajo parakupton një bazë dijesh dhe aftësi interpretuese nga ana e bibliografëve; 1 - Janë kushte që nuk e bëjnë të lehtë hartimin e bibliografive dhe jo dokushdo “specialist” mund t’ia dalë mbanë kryerjes së tyre; 2 - “Librat për librat” janë të kushtueshëm nga pikëpamja e investimit intelektual, shkencor dhe kohor, përkatësisht edhe financiar, duke qenë njëherësh ky investim që i bën ata bartës vlerash të paçmueshme. 

 

Ndërkohë që Plasari përmend në parathënie vështirësitë për hartimin e “Librit të librave”, drejtorja e Arkivit, Nevila Nika e konsideron si kohë më të duhur botimin e tij në 2011. “Kanë qenë me fat që kanë zgjedhur vitin 2011 për ta nxjerrë bibliografinë. Në parathënie jepen shpjegime pse kanë ardhur vonë këta dy libra. Unë do të thosha më mirë vonë se kurrë. Po ta kishin bërë para ’90-s, do ta kishin ndjerë veten shumë keq, sepse ai që punon në bibliotekë dhe në arkiv vërtetë e ndjen veten shumë keq përpara vitit ’90. Kishim shumë informacion të cilën nuk e ndanim dot me asnjeri, ndoshta dhe me njerëzit e shtëpisë nuk mund të flisnim. Më mirë që u botua vonë, sepse përpara ’90 treçereku i atyre që me krenari ne mburremi të gjithë, për ata njerëz të kombit tonë, sot janë në këtë libër, dje nuk do të ishin”.

 

Drejtori i Bibliotekës së Kosovës, Sali Bashota e ka përfshirë këtë botim si “një pasuri kulturore që i ofrohet lexuesit të ri të kombit, si një ndër projektet më madhore”. Bashota ka ndarë: “Botimi i një bibliografie të tillë që trajton udhëtimin e librit shqip në afër pesë shekuj është akti më i veçantë intelektual e shkencor i Bibliotekës”. Shkrimtari nga Kosova ka vlerësuar profesionalisht standardin dhe cilësinë e botimit, duke thënë se “është mbështetur në rregullat më të avancuara të përshkrimit bibliografik, duke iu referuar dhe zhvillimeve më të reja bashkëkohore”.

 

Botimi i bibliografisë së librit shqip në të cilën përfshihet një periudhë e gjatë, është konsideruar edhe si një “dëshmi e fuqishme informacioni nëpër fazat e edukimit dhe dinjitetit të kulturës shqiptarë në qindravjeçare”. Materiali tregues i Librit të librave u tha se i jep dimension me vlerë shkencore, një fakt ky që shkon në favor të historisë së qytetërimit shqiptar, ku kultura burimore shqiptare do të jetë më e pasur. “Bibliografia e librit do të lexohet si një kryevepër e kulturës që ka kohën, hapësirën për lexuesin, me një ndjeshmëri magjepsëse intelektuale, dhe pasion të specialistëve në fusha të caktuar. Informacionet e sotme bibliografike na nxisin të mendojmë për diversitetin e qenieve shkrimore shqip nëpër faza dhe periudha të caktuara kohore të librit shqip. Ky fenomen ndërlidhet me qytetërimin dhe identitetin shqiptar, ndërsa bibliografia, përshkrimi i librit e ka kuptimin edhe interpretimin e vet edhe përbrenda kontekstit shoqëror, kulturor, religjioz deri te identitetet shtetërore”, - ka thënë Bashota në fjalën e tij. Nga parathënia e librit të dytë sqarohet se bibliografia e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare 1913-1944, është përpiluar mbi bazën e botimeve, që gjenden në fondin e Librit shqip të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Hartimi i bibliografisë është mbështetur në kriterin territorial e gjuhësor. Ajo përfshin botime të realizuara në kohën 1913-1944; në territorin e Republikës së Shqipërisë në shqip dhe në gjuhë të huaj; jashtë territorit të Shqipërisë, të autorëve shqiptarë e të huaj në gjuhën shqipe.

 

Proceset bibliografike janë kryer në bazë të shqyrtimit fizik të çdo titulli dhe ekzemplari, që gjendet në koleksionet e Bibliotekës. Por, ndonëse të pakta në numër, në parathënie thuhet se ka edhe botime të papërfshira në këtë bibliografi, të cilët gjenden në biblioteka publike ose personale.

 

Informacioni bibliografik u referohet botimeve që tradicionalisht janë përfshirë në nocionin “libër”: monografi, vepra letrare, antologji, botime zyrtare, botime shkollore, botime muzikore, albume, fletëpalosje etj si edhe gramatika e manuale të shqipes, botuar jashtë Shqipërisë, të cilat përmbajnë ushtrime, tekste, krijimi folklorike etj në masë të konsiderueshme në gjuhën shqip, fjalorë dygjuhësh, harta etj. Si burim informacioni kanë shërbyer: skedarët e Bibliotekës Kombëtare; skedari kronologjikisht librit shqip, skedari universal alfabetik dhe sistematik i librit shqip; në ndonjë rast edhe skedari alfabetik i librit në gjuhë të huaj. “Duke ndriçuar specifikat në periudha bëhet udhërrëfyese për kritikët, dhe për çdo studiues kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky informacion bibliografik 500 vjeçar, ka shenjën e vet emblematikë të projektuar në kohën tonë, në këtë 90 vjetor të Bibliotekës Kombëtare”, - ka mbyllur fjalën e tij Bashota. Ndërsa kryeministri shqiptar, Berisha ka marrë fjalën duke vlerësuar këtë

 

botim si “enciklopedi të gjenisë krijues të mendimit shqiptar nga 1550 deri më ‘44”. Si “shenjë” dhe “gjurmë” për mbylljen e festimeve të 90-vjetorit të themelimit të Bibliotekës kryeministrit iu dha edhe medaljon, prej së cilës ishte i “detyruar” të shprehej se “ këtë nderim e surprizë e marr me kënaqësi, por e marr gjithashtu, edhe si borxhli, mbasi unë sado që e dua shumë këtë institucion nuk kam arritur të bëj për të, atë që ka bërë për mua. Ndaj ju garantoj sedo përpiqem të jem në lartësinë e detyrimeve të mia ndaj Bibliotekës Kombëtare”.

 

Si mbështetës financiar të botimeve bibliografike, edhe për ministrin e Kulturës, Ferdinand Xhaferaj u dha një medaljon, i cili vijoi mbështetjen politike duke thënë: “Do ta mbështes bibliotekën për të gjitha projektet”

 

Për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional dhe profesional me Bibliotekën Kombëtare, iu dha medaljon drejtorit të Bibliotekës Kombëtare Sali Bashotës. “Një nga dhuratat më të çmueshme, nga biblioteka e Shqipërisë”, - tha Bashota.

 

U nderua Flavia Tibaldi, drejtore e Institutit Italian të Kulturës në kujtim të katër viteve të bashkëpunimit ndërinstitucional në të mirë të dy kulturave tona. “I uroj shumë fat Shqipërisë”, - tha Tibaldi. Fafuri Xhaja, - në shenjë mirënjohje për punën shumëvjeçare në formimin e kualifikimin e brezave të Bibliotekave në nivel kombëtar- mori medalje gjithashtu. Pas saj, iu dorëzua medalje edhe botuesit të “Onufrit”, Bujar Hdhri, në shenjë falënderimin për prodhimin me cilësi të lartë, dhe vlera estetike të veprës “Bibliografi të Librit Shqip. “S’ka nderim më të madh se një botues të vlerësohet nga biblioteka kombëtare e vendit të tij”, - tha Hudhri. Sherif Delvina, mori tjetër medalje për kontributin e shquar si anëtar shumëvjeçar i këshillit shkencor të Bibliotekës Kombëtar. “Qytetërimi është biblioteka, dhe dhurata më e madhe për popullin shqiptar është që ajo të jetë e plotë”, tha Delvina që njihet si polemist, sidomos ndaj studimeve sllave mbi historinë e Shqipërisë.

 

Medaljoni ka logon e 90-vjetorit të themelimit të Bibliotekës kombëtare, dhe në të “kemi rënë një mendje për një citat”, - thotë Plasari, duke shënuar: “Njerinë e ka bërë njeri të mbaruar gjuha dhe shkronjat, këto janë të parat e mbrothësisë”, të Naim Frashërit. Kësaj dëshmie të trashëgimisë kulturore, fjalës dhe gjuhës i shërben edhe botimit i “Librit të librave”, i pari me rëndësi historike në këta 50 vjet për Bibliotekën Kombëtare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora