E hene, 29.04.2024, 12:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Shpirti shqiptar dhe mendimet e tij

E hene, 24.01.2011, 09:58 PM


Shpirti shqiptar dhe mendimet e tij

 

(Jeton Kelmendi, Gandurile sufletului / Mendimet e Shpirtit, Editura RawexComs, Bukuresht 2011)

 

Nga Baki Ymeri

 

Pëlhurat e anijes së fjalëve që kanë kapluar një stuhi të përshtatshme të shprehjes

 

Zbulimi i ideve fisnike që lindin në gjuhën shqipe dhe i japin impuls perfeksionimit të diskursit lirik,  depërton edhe në hapsirat letrare të botës së huaj. “Mendimet e shpirtit” është libri më i ri i Jeton Kelmendit që e pa këto ditë dritën e botimit në Bukuresht. Libri del në gjuhën rumune dhe ia dedikon Nënës Tereze me rastin e 101 vjetorit të lindjes së humanistes botërore me gjak e shpirtë shqiptare.  De facto, pas vëllimit „Sa fort u rraluan letrat”, kjo është vepra e dytë e këtij poeti kosovar që jeton në zemër të Evropës, e cila del në gjuhën e një vendi të huaj, Rumania duke mbetur në kujtesën shqiptare si një vend i huaj pse s’e njeh pavarësinë e Kosovës, edhepse faji për këtë nuk është i rumunëve me të cilët na lidh një farefisni e lashtë, por i klasës politike e cila ende s’e ka kuptuar të vërtetën se Kosova nuk është Hungaria e Transilvanisë, por Basarabia e Shqipërisë.

 

Jeton Kelmendi është njëri ndër poetet më të përkthyer shqiptarë, përfaqësues i denjë i poezisë moderne shqiptare, anëtar i Akademisë Evropiane dhe Asiciacionit të Gazetarëve të Evropës. Qenësia e punës së tij në fushën e artit letrar është kujdesi që i kushton të shprehurit poetik, shtjellimit modern të tekstit dhe thellësisë së mesazhit. Në krijimtarinë e tij veçohet sidomos lirika e dashurisë dhe vargu eliptik i ndërthurur me metafora dhe simbole artistike. Është veteran i luftës së UÇK-së, militon për demaskimin e strukturave mafiotike që e sollën Kosovën në prag të varfërisë, aktualisht punon dhe jeton në Bruksel.

 

Libri i Jetonit strukturohet në tre kapituj vlerash lirike: Monaliza, Çast për admirim dhe Bukuria e Bukurive, duke qenë i dinamizuar me një parathënie briliante të Monika Mureshanit, me një pasthënie të kritikut Marius Qelaru, i cili e vlerëson këtë vepër si „një udhëtim në një botë të brendshme, të sentimenteve multikolore dhe sekondave që derdhen përmes gishtërinjve të kohës, duke e konstruktuar realen në kohën kur koha, nganjëherë, duket se është thuajse „e prekur” dhe e thithur nga poeti, si çdo pjesë tjetër e ndjeshmërisë së dashurisë dhe shpirtit njerëzor”. Pasojnë mendimet e Agim Gjakovës, Ylljet Aliçkajt, Mihai Antoneskut, Florentin Popeskut dhe një medalion i Xhelku Maksutit që e konsideron poetin si “një heshtje e gjallë e bukurisë me shpirt të qetë”).

 

„Njëqind e një ngjarje/ Kanë mundur të ngjajnë/ Por ja/ Koha ka kaluar vetëm në anën/ Tjetër”, thekson poeti “në anën tjetër”, atje ku e pret poezia. Një poezi e mbrujtur me mendime të pastra e të thjeshta, për të cilën autorja e parathënies konkludon se “e pamundshmja bëhet e mundur, e përditshmja bëhet poezi, ndërsa leimotivi i kësaj sintagme „tejmatanë së mundshmes”, është pikërisht katargu mbi të cilin mbështeten pëlhurat e anijes së fjalëve që kanë kapluar një stuhi të përshtatshme të shprehjes. Thjeshtësia e dukshme e teksteve të poetit kosovar është faktikisht një ushtrim i stilit, ndërsa senzacioni i puritetit fsheh apo disimulon një kompleks të integruar nga impuritete të imta që, të kombinuara, revelojnë mrekullinë e padukshme të së përditshmes. Në aparencë, idetë duken se rrjedhin thjeshtë, normalisht, natyrshëm, në një rrjedhë që i përshtatet natyrës, kur, faktikisht, në shpinë të këtij impresioni fshihet një konstrukcion mental i përpunuar në një laborator poetik të hatshëm, por në të cilin gjithçka është fort mirë e organizuar dhe ku çdo gjë gjendet në vendin e vet.”

 

Drita e fjalës shqipe sipas një kritiku të huaj

 

Më duket se prej shekujsh e mbaj në trup këmishën e poezisë shqipe, ndërsa drita e saj e nxit murlanin në shpirtin tim me vargje të cilat më shërojnë nga vdekja duke i lexuar, apo, duke ua dëgjuar fëshfërimën e mrekullueshme. Fuqia e vargjeve të poetëve shqiptarë buron nga zemra e përjetshme e një dheu të mbrojtur me dashuri dhe vuajtje që e përmbushin misionin e jetës me merita që mbeten në histori. Ja, mbaj në pllakat e shuplakës, shpirtin poetik të Jeton Kelmendit, ndërsa drita e tij më duket e mjaftueshme, ngase buron nga rrënja e fjalëve që i lartëson në drejtim të shikimit, aq sa e kuptoj britmën e tyre edhe në adresën time, një lexues i gjorë, dhe më bën të jem dëshmitar i çastit fitimtar të lotit kosovar. 

 

Jetoni është një zjarr i brendshëm i degdisur nëpër prita e pritje fjalësh që s’të lënë të mbetesh i vetmuar, edhe pse i kaplon nga një here vetmia në largësinë e një mendimi të cilit i janë fshehur rrugët. Poeti shkëput nga mishi i shpresës një mahnitje turbulluese që turfullon me të gjitha hijet që vijnë pas teje, dhe vjeshtat kalojnë këndejpari si një heshtje e fillimit kur të mbyll e shkuara në vetmi. Kush e din se cila erdhi më parë: “ardhja apo shkuarja”, pyet poeti duke ëndërruar t’i shërojë me fjalë krejt të vetmuarit e botës. Jeton Kelmendi e fiton betejën mendimtare të mundimit duke arritur të bëhet një zë i veçantë i ndërgjegjes artistike të shpirtit shqiptar. Kështu, poemat e tij i japin peshë plotnisë dhe vlerës, duke u shndërruar në stoli të vërteta. Nga do të nisë dita ime e nesërme, ku është hija ime e djeshme, pyet poeti duke i kundruar te guri i padukshëm ëndrrat dhe zgjimin nga ëndërrimi

 

Delikat dhe i sinqertë, poeti sjell në gjykatën e instancës së fundit të gjuhës së tij dhe të gjithëve, çdo gjë të mbrujtur me vërtetësi, dashuri, dyshim apo fitore, në një regjistër personal të mirë strukturuar, që e vë pa kurrfarë dyshimi në qarkun e zërave të mëdhenj të lirikës së sotme shqipe. Poeti dëgjon qetësinë e skalitur në gjurmët e fjalëve, në brigjet e të cilave unë, shtegtar i vonuar apo i ardhur para kohe, nuk jam veçse njeriu me duart e pastra nga bardhësia e të cilave ka marrë fluturimin një pulëbardhë e vetmuar. Dhe ja, dha Zoti një “një çik më vonë”, më mirë më vonë se kurrë, të vijë Bakiu e të na e sjellë shpirtin fisnik të Kosovës poetike në veri të Danubit, në gjirin e gjuhës së një kombi me të cilin na lidh një e shkuar e lashtë dhe e bukur. Qoftë i gëzuar dhe paharruar ky çast i bekuar me poezinë e Jeton Kelmendit në gjuhën rumune! (Mihai Antonescu).

 

Atdheu i bijve të shqipes që përulen para dashurisë

 

Jeton Kelmendi ka dhuntinë për të gjetur një stil personal, një fushë tematike dhe një botë poetike vetjake, në të cilën lëviz me mjaft zhdërvjelltësi. Pa e shkëputur lëngun poetik nga dramatizmi i mbarimit të periudhës komuniste apo te luftës që e ka prekur deri para do kohe botën në të cilën jeton, përkatësia ndaj historisë dhe qenia e vendlindjes, të konturuara me bindshmëri (për shembull Atdheu im është atdheu i Zotit/ Qe ma ka dhëne emrin/ Shqiptar), në shpirtin dhe në vargun e tij qëndrojnë pranë vargut te dashurisë (për shembull: Dashuri/ Bukuria dhe vargjet se bashku rrjedhin/ Për ty dhe për atdhe). Duke e lexuar poezinë e tij nën thjerrën e një analize te fjalorit të përdorur, te proceseve linguistike/ stilistike, përmes mënyrës në të cilën e përdor fjalën, Jeton Kelmendi ma përkujton nganjëherë njërën nga figurat me te rëndësishme të poezisë amerikane, Charles Olson: Elementet e fjalorit janë të përkufizuara, por poeti, përmes qëndrimit të tij, (loja e mendjes) është ai qe i përdor fjalët në një mënyrë të sofistikuar. Sofistikimi për Jeton Kelmendin nuk donë të thotë precizitet, por përpjekje për të zhvilluar një fushe semantike sa me te gjerë për fjalën, me të cilën e vesh vjershën. Dhe për ketë, mund te themi se ia arrin me mjaft sukses. (Marius Chelaru)

 

Pesha e fjalës dhe forca e mendimit. Jeton Kelmendi i jep poezisë së tij art dhe shpirt, pra ndjenjë të bukur. Ndjenja e tij poetike përçohet tek lexuesi, nuk mbetet tek autori. Ajo godet mprehtë, gjallërisht dhe hijshëm. Madje hijshëm edhe kur nëpër midis vargjeve ka heshtje. “Sa fort janë rralluar letrat”. Fjala poetike e Jeton Kelmendit dhe tejkalimi i saj në gjuhën e Emineskut, si dhe përurimi që i bëhet në kohën e Samitit të NATO-s (2008), e zbukuron Bukureshtin me një moment të ri në folenë e pikëpjekjeve shpirtërore ndërmjet shpirtit shqiptar dhe gjuhës rumune të atdheut të poezisë. Kelmendit i vjen keq pse janë rralluar letrat. Neve s’na vjen keq pse fjalët e poetit të veprës së madhe të ftojnë tu bësh ballë betejave të jetës për të mbajtur lart flamurin e atdhetarizmit dhe qytetërimit shqiptar. Poeti e përjeton jetën në Kosovë, Francë, Belgjikë e gjetiu. Ai është një shpirt i brishtë që din t’i mësoje fjalët të të dashurojnë. Fjalët e tij janë fluturime lirike që të japin dritë për imagjinatë, aftësi, përgjegjësi dhe ekuilibër. (Florentin Popescu).



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora