E marte, 30.04.2024, 05:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali R. Berisha: Poezi situatash të ndryshme për një kohë pa emër

E diele, 23.01.2011, 08:24 PM


Recensë prozo-poetike për një vëllimi me poezi

 

POEZI SITUATASH TË NDRYSHME PËR NJË KOHË PA EMËR

 

Ibrahim Kadriu: Frymëmarrje në shtjellë, “Kosova PEN Center” Prishtinë 2007

 

Nga Ali R. Berisha

 

Eshtë shkruar disa herë për veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut, më shumë për prozën se sa për poezinë e tij. Janë thënë shumë gjëra për atë veprimtari, kryesisht konstatime miradije, sepse për miradije ajo është padyshim. Edhe vëllimi me poezi Frymëmarrje në shtjellë përmbledh poezitë e fundit të tij meriton vlerësime miradije.

 

Përtej ëndrrës së tyre (te shkrimtareve)

 

T’i qasemi parathenies - Të jesh shkrimtar               

Kur je shkrimtar / ...

Arrihet në Prekaz. Po, se poeti arrin ne vendkujtesat, në venddëshirat dhe vendëndrrat kudo që të jenë ato. S’ka gjë që e ndal atë. E poeti ynë shkon në vendin e shenjtë që prej nesh e prej gjeneratash tona do të ruhet si trosha e bukës, si syri.

            Në Prekaz valët         

            Janë shndërruaar në jehonë

            Dhe lënë jetë brigjeve e fushave

            Në këtë kohën time të cilën mezi e ruaj

            Nga kafshimet e qenëve të çartur

            Nuk e di prej kujt

            Nuk e di deri kur

 

Përtej ëndrrës

Shkrimtari Mes durimit dhe shpresës e shpall të paqenë Frymëmarrjen në shtjellë deri sa pret për të permbajtur vetveten Arrin  në Prekaz.

Aty esencializohet se kafshimet e qenëve të çartur dikur Marrëzinë në përmendore e patën shndërruar. Kjo i gjason himnit.

Tash në faqen 12 të librit që të mund të merret frymë fillon shtjella:

Autori e historizon të kaluarën me Gjeografi të etur dhe me vargun e poezisë i falet Shqipërisë që është edhe ku s’ësht /, i falet Çamerisë / sikur iu fal Kosovës.

Kështu depërton në zemër Atdheu, të cilin e lut “të më qëndrosh / ashtu siç je me plagë” “Pa ty ... ç’ndodh më tutje / ne zot e di”.

Siç është i domosdoshëm Udhëzimi për ngritjen e shtëpisë edhe për atdheun, ashtu siç është me plagë një udhëzim është më se i domosdoshëm E para e punës themeli me një çati guximi e zjarrit të pashuar nga mesjeta e tutje.

 

Shikimi bëhet viktimë

Këtë shikim Rrëmuja e vjetër sa bota e bën viktimë të valëve që arrijnë: vala e parë - Pluhuri dhe vrapi s’arrijnë askund.

 

Folëm për ciklin e parë të poezive të këtij libri. Në vijim fillojnë rrëfimet epiko-lirike të poetit. I pari rrëfim Në Shkodër poeti kendon për të, për rrugëtimin dymijë vjeçar të Rozafës. Poeti i ka shkuar në vizitë dhe i dhurohet një kurorë lulesh dhe pret ta prejë shiritin për ta shemb murin në mes të shpirtit të fjalës dhe këngës.

            Tanimë e dimë se çka bëhet kur ndodh prerja e një shiriti, e aq më shumë kur ai u përket shpirtit, fjalës dhe këngës. Duke pritur se cili rrëfim e ka radhën, në këtë fillim gurësh historie, poeti bën një hapërim të papritur lirik dhe fillon e këndon për ethet e një ëndrre, në ankthet e anktheve, me titullin Natë e vrarë me heshtje. I thash “titull” nuk u dasht, se te poezitë nuk do të duhej të kishte tituj, ani ky, nuk është fare titull është një simbol i krijuar mjeshtërisht, që i rri mrekullueshëm lirikës meditative, pikërisht atëherë kur poeti i vetmuar klith “ku më gjete të më mbash në ethe”?! Lexojmë tutje dhe duhet të shtojmë se ende nuk kemi rrëfim, kemi këndim, vargnim, lëngëzim poeti, vargëzim liriku: Udhëtoj  e mbetem në vetvete. Një poezi e ngjizur me meditime historike, ku poeti veç që s’e thotë troç: Kur nuk çmohet historia ka gjasa që ajo të kthehet dhe shton: të gjitha kalatë në fazën e ndërtimit dhe asgjë e dikurshme nuk është më afër.

 

Ndjehem i detyruar ta lexoj edhe një herë këtë poezi. Gërmoj aty nëpër gjithë atë pasuri sentenciale dhe i drejtohem poetit: Kjo poezi do të me kishte pëlqye më shumë sikur të qëndronte afër Rrëmujë(s) (s)ë vjetër sa bota. Por kur më bjen ndërmend se poetët kanë gjilpërë e gërsherë të posaçme dhe nuk pranojnë të tjera, heq dorë nga mendimi dhe vazhdoj të lexoj. Poezia Bukurisë në gjumë ia kam drojën ka një emërtim që unë do ta quaja varg-poezi, sepse vetë emërtimi-simbol ngërthen një poezi të tërë në vete. Ndonëse ajo nuk është rimuar deri në fund, ky fakt nuk e pengon atë të radhitet ne poezitë e tilla që e kanë të gdhendur rimën-ritëm në çdo varg. Duke e rilexuar këtë lirikë sentimentale na bëhet sikur, aty diku afër, ama shumë afër, dëgjojmë tingujt e një violine, së cilës i bie një plak gishtagjatë – të bërë ashtelëkurë nga bohemia, që kohë pas kohe piklohen  nga ndonjë lot i syve të tij të mekur,  ku janë strofulluar sa e sa historira plot dhembje, melankoli e vuajtje shpirtërore. Shumë e shkurtër kjo poezi në krahasim me shpirtvajtimet e poetit! Përshtypje  të ngjashme hasim edhe  te dy poezitë në vijim. Kurse meditacione filozofike ndjejmë te katër poezitë e radhës. Meditacione të thella nga jeta e vrojtuar nga disa kënde.

 

Rruga e sukseshme deri te shtjella

 

Përvoja mbi pesëdekadshe e poetit Ibrahim Kadriu e fituar nga ndërveprimet e veta me botën e jashtme e të derdhura këtu siç edhe ne krijimet e tjera letrare nuk na lë të nxitojmë. Edhe në krijimet tjera poetike ai ka dhënë krijime me vlerë, qoftë nga aspektet strukturore, vargësore e motivore, qoftë edhe nga ai gjuhësor, duke ia dalur me sukses të krijojë një stil gati-gati vetanak. Poezia e sotme bashkëkohore është një botë e tërë, ku lexuesi, e aq më tepër vrojtuesi recensional, po bëri e u fut tërësisht në brendësinë e saj, zor e ka të bëjë ndonjë seleksionim çështjesh ku duhet ndalur më gjatë apo duhet theksuar me thekshëm. Edhe në aspektin e projektimit strukturor a përmbajtësor mund dhe duhet të flitet me shumë kujdes. Nga ky kënd ky vëllim poetik reflekton domethënshmëri, madje-madje edhe sa i përket radhitjes së poezive.

 

Të ndodhurit në një shtjellë natyrisht se edhe frymëmarrja nuk është e lehtë, as e njëtrajtshme, as e patrazuar e as e natyrshme. E kam mendjen këtu te cikli vijues i këtij vëllimi poetik që quhet Krisma eshtrash. Ç’duhet të kemi brenda këtij emërtimi sintagmatik: luftë, varre luftëtarësh, eshtra të historisë, apo eshtra në thasë – me të cilat, për fat të keq më shumë po merren  nënat e atyre eshtrave se sa baballarët apo pushtetarët. Na thotë këtë Poezia Dje si sot – Sot si dje kur  historisë i jemi falur me gjak. Me Mysafirët e paftuar vjen mllefi, zemërimi i mezipërmbajtur në çastin kur na duhet t’i frikohemi edhe mysafirit – këtij shpirti lëvizës si kapuçon i zi. I ziu njeri  keqpërdori mikpritjen këtë mit tonin!!! ... mysafirë do të pres gjithmonë por jo të paftuar.sepse u mbushëm apo jo mend; Ardhja e paftuar / ma pasuroi vetminë / me krisma eshtrash.  

 

Cikli Relacione të ndrydhura, ka dhjetë ligjërata, rrëfenja, meditime të cilat poeti i quan hapa. Hapat zakonisht  finalizohen me një udhëtim. Udhëtova gjatë – (vargu i parë i Hapit të parë), për t’u shpallur jetësor (vargu i fundit i Hapit të dhjetë). Nga vargjet e para të këtyre ligjëratave do të mund ta formonin një akrorrëfim jo (akrostik) me këtë radhitje:

 

1.Udhëtova mbrëmjeve të errta

2.të dëgjoj çfarë flitej për Teutën

3.për Harfin që fjalën bukë ia mësova

4.(për) dasmën e madhe që bënte Gjergji.

5.Hapi i pestë është himni “Zbrita në fushëbetejë”;

6.Sfaqen Budi dhe Bardhi

7.Bogdani që mban meshë.

8.Në këtë hap i ligjërohet lirisë

9.Portretojnë skeletet

10. NëPrizren hapet dera e kullës

 

Udhëtova gjatë për t’u shpallur jetësor rrëfen poeti. Udhëtimi nuk i ka shkuar kot, ndonëse ka udhëtuar gjatë. Kur në vitin 1972 I. Kadriu e botoi përmbledhjen me poezi Diçka po ndodh Ibrahim Rugova duke shkruar për të stigmatizoi fjalë-simbolin rrugë dhe pat shtuar: Rrugën mund ta marrë si nxitje të frymëzimeve.” (Jeta e re, 4 – 73 fq. 350) Edhe në këtë vëllim poezish poeti e përdor këtë simbol jo si një shenjëzim frymëzimi të një poeti bohem, por si një poet që rrugëton drejt lartësive, rrugëve të shtruara me durim (fq. 70) ku Atje vetëm një herë në jetë arrihet (fq. 11) dhe aty ai ka lëshuar spirancat t’u bëjë ballë valëve (njaty)

 

Kohë pa emër quhet cikli i fundit, i cili përbëhet prej 16 poezive. Poeti bie në dilemë se si ta quaj kohën, prandaj u këndon temave, të cilat do të mund të merreshin si mostër për pagëzim. Poezitë e këtij cikli janë si një tufë lulesh, secila e ka ngjyrën e vet, aromën e vet, petalet e veçanta dhe emrin e posaçëm – poashtu. Aty i këndohet një kohe e cila ende nuk kishte emër të qëndrueshëm. Poeti u këndon luleve dhe ditëve, që janë të llojllojshme, gjahut të qenëve dhe tokës në tavolinën e operacioneve, erës dhe pluhurit si rrjedhojë e shtjellës me frymëmarrje të vështirësuar...

Në poezinë Lule në vaze të dritares, lulja simbolizon të dashurën, e cila Në më të mirën stinë / ... / frymëzimin ma bën më të hijshëm. Në poezinë Nga ajo ditë e te kjo ditë, tri herë refrenohet titulli, me qëllim që poetin e shtyrë në moshë ta detyrojë të pranojë se “janë mijëra kodra që s’kalohen më”. Poezitë e radhës me të tjera motive u këndojnë striktisht disa temave, që në këtë Kohë pa emër  Në shkopin e tij të lodhur/ bën dreqi / ve kur Toka ime / në tavolinën e operacionit / i druan prerjes cezarike, pastaj kohë moj qyqe qyqeve u je falë / të gjitha orët të kanë harruar. Këtu  poeti stigmatizon ata që në këtë Kohë pa emër me uri të paharruar hanë e hanë e hanë.

 

 

Çpërshtjella e shtjellës

 

I. Rugova në punimin e cituar pat vlerësuar Dëshpërimi i tij nuk arrin në shkallën  e revoltës, mbetet vetëm reagim. Edhe në këtë vepër Ibrahim Kadriu ka shprehur revoltë e reagime për tringëllimat e kohës për të cilat nuk mund të “shukatet”. Këtu, si një poet që i nxjerr në letër edhe ato frymëzimet poetike që i kanë ngelur pa ua dhuruar lexuesve,  reflektohet përvoja e gjatë (10 vëllime poetike), sepse poezia akoma e grish, e ngacmon, ndonëse më shumë dhe më suksesshëm po shfaqet si prozator (17 romane e novela), ku pena e tij përvojësore po tregohet shumë e begatë.

 

Kur je shkrimtar ... mbahesh gatitu ... si ushtar io disiplinuar” / fq. 7/ prandaj vëllimi në fjalë nuk ka tepërsi temash as llojllojshmëri të shumtë vargnimi, por ka një esencë thellësore dhe një horizont të gjerë të kulturës poetike. Gjithçka me maturi krijimore e pjekuri shkrimore. As e leshuar ne eter, as e mbyllur ne intime. Kendohet per ne e me ne. As e vuajtur nga pedanteria metrike as e shfrenuar neper lirishtat poetike.Ai nuk ngul këmbë t’i jep mesazhe, as ta shtrumullojë (me ia ngjitë për gryke e me e dridhë) lexuesin, ai ngul këmbë të shkruajë poezi për atë lexues që e do poezinë vetem si krijim letrar duke mos i shkaktuar trazime..Poezia e tij nuk ngarkon (shpirtërisht obligon) me asgjë. Ajo dhuron lexim të frymëzimit realitetësor. Bota e poetit është po kjo jona me të tërat ato të vetat - të rënda dhe të botërrethit - të imponuara.

 Aty nuk fshehet asgjë. Duke frymuar aty ku frymojmë edhe ne, duke shuar etjen dhe urinë me aromat dhe lëngjet e përbashkëta jetësore dhe frymëzuar me të mirat e të këqiat ndjenjore ky poet na ka dhuruar një tufë poezish “burrërore” pa “ahe” e “ohe”.Edhe këtu është shpërfaqur si një lirik, që reflekton bagazhin e tij të frymës rretheqarkuese ku jeton dhe e gjen vetën edhe i riu – qoftë ai edhe adoleshent, edhe i pjekuri – qoftë ai edhe kolegu i tij poet, qoftë ai edhe më seriozi. Figurativiteti letrar i Ibrahimit është ai i universit tonë letrar. Çdo figurë e zë vendin mjeshtërisht aty ku duhet, posa ta fillojë ecjen..Bota shqiptare, por më shumë nënbota kosovare është ajo që frymon e rrezaton për vete(në këto vargje) e për mendjen dhe shpirtin që nuk mund të hesht përgjumshëm, e s’ka të heshtur (në mesazhin e veprës). Fillim e fund veprës ai ka arritur të këngëtojë ne të tri vetat, në të tri rrafshet dhe në të tri kohët. Ka udhëtuar për t’u bërë jetësor. Udhëtimi nuk i ka shkuar kot.

 

Analog me vargun e tij “se mund të infektohesh nga patriotizmi i tepërt” për poezinë lirike do të vlente thënia se mund të sëmurësh nga “ahet” e “ohet” e tepërta. Këtyre poezive të Ibrahim Kadriut do të mund t’u qëndronte përshtatshëm si moto mendimi i tij origjinal: Nuk del bir nëne të jetë më i pushtetshëm / se ai që i mban në rresht / ndjesitë e të gjitha rrafsheve / për  t’i veshur mysafirët / që zënë vend në faqe “librash”.

 

Ma merr mendja dhe ma thotë logjika t’i them edhe dy-tri çështje: poezia kushtuar Ulpianës do të zinte vend më më të përshtatshëm atje diku nga fillimi i përmbledhjes. Dhe se poezia Unmikistani – nuk do të duhej të emërtohej ashtu. Po më duket fort gazetaresk.Bile të quhej Unmikland, sipas Konicës!

 

Ibrahim Kadriu mund ta lë poezinë, siç kanë bërë shumë shkrimtarë në thyerje të moshës, e t’i rreket me tërë qenien prozës, ku po hapëron me shumë sukses, por kam dronë se do ta lë jetim damarin e një poezia të gjitharrirë, ku erëmon jeta e sotme me një semiotikë figurative – gjithnjë në hulumtim dhe me një motivikë hulumtuese - gjithnjë në lëvizje. Nuk po e them këtë për asgjë tjetër veç nga frika sepse në njëzet vjetët e fundit  Ibrahimi ka botuar vetëm katër vëllime poetike kundrejt gjashtëmbëdhjetë veprave në prozë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora