E diele, 04.05.2025, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Poetika palimpsesteve

E enjte, 20.01.2011, 08:58 PM


POETIKA E PALIMPSESTEVE

 

Moikom Zeqo: “Anima mundi” (sagë palimpsestesh”, botoi “Ombra GVG”, Tiranë, 2010

 

Shkruan: Ahmet Selmani

 

a) Krijimi i metatekstit

 

Në rastin kur e lexojmë librin me titull “Anima mundi” të Moikom Zeqos, të cilin e ka emërtuar thjesht si një sagë palimpsestesh, që në fillim mund ta vërejmë një tendencë të qartë krijuese, e cila vetvetiu na shpie drejt rikonceptualizimit. Kur është fjala këtu, me sa duket, autori ia ka vënë vetes për detyrë që të bëjë një zhdrivillim të tjetërllojtë, sepse është i prirur që çështjen në fjalë, pra atë që kryekëput ka të bëjë me palimpsestin si një fenomen shkrimor, ta paraqesë brenda veprës së tij ngulmërisht në një rrafsh modern dhe postmodern. 

 

Siç e kemi të njohur, fjala palimpsest vjen nga greqishtja e vjetër ?????, që do të thotë rishtaz, përsëri dhe ??????, që do të thotë i gërryer; ose nga latinishtja codex rescriptus, që do të thotë i shkruar sërish. Këtu duhet marrë parasysh faktin se, gjatë antikitetit dhe mesjetës, dorëshkrimet janë gdhendur nëpër pergamena ose papiruse të ndryshme. Mirëpo, për shkak të kursimit të tyre, sidomos gjatë qindvjetshave VII – IX, kur pergamena ishte shumë e rrallë dhe e shtrenjtë, një numër i madh tekstesh të njohura që u përkisnin kohëve të lashta, gjatë shpërlarjes me mjete kimike, u dëmtuan shumë rëndë. Kështu, lindi nevoja e riparimit ose shpërlarjes, që filloi qysh në mesjetë. Sot ato dorëshkrime zbulohen me ndihmën fototeknike të rrezeve infra të kuqe.

 

Pikërisht kjo botë e lashtë e shkrimeve e josh së tepërmi edhe Moikom Zeqon, kryesisht me një synim për ta bërë rindërtimin e palimpsesteve, kuptohet gjithmonë sipas botëkuptimit të tij artistik dhe filozofik.

 

Në të vërtetë, ai e ka të njohur tërë historinë që lidhet me fatin tragjik të palimpsesteve, që nga kodikët e antikitetit, të cilët u shkruan nëpër pergamena, periudhën e ngadhënjimit të krishterimit, kur shkruesit e shumtë, mbi gjurmë e Homerit, Pitagorës, Eskilit, Empedoklit, Jamblikut, Platonit, Aristotelit etj., e zbardhën tërë botën pagane politeiste dhe mbi to shkruan ungjijtë, psalmet, shënimet e etërve kishtarë të Turtulianit, Origjenit, Irineut, Jeronimit, Ambrozit, Augustinit, Thoma Akuinit etj. Megjithatë, më vonë, me ndihmën e lëngjeve kimike, fatmirësisht u zbardhën gjurmët e vjetra.

 

Pikërisht nga kjo gjë sikur ngazëllehet edhe vetë autori në fjalë, i cili në një mënyrë thuajse solidarizohet me ithtarët e ringjalljes së palimpsesteve, për ta bërë riparimin e tyre, ose ringjalljen e motërzimeve të lashta, por njëherëzi edhe për t’i plotësuar ato me dromca të shumta që u përkasin shembëlltyrave të ndryshme. Ky është një mision sa krijues e intelektual, po aq edhe historik dhe human, sepse vihet në mbrojtje të asaj që është burimore, si një trashëgimi e cila vetëm mund të përsoset, të përmirësohet, të ndreqet, por jo edhe të zhduket nga faqja e dheut.

 

Prandaj, nisma e ndërmarrë nga autori për ta përshkuar udhën e mistershme të palimpsesteve, është një projekt shumë i rëndësishëm krijues, për faktin se kemi të bëjmë me një përfshirje jashtëzakonisht të madhe dëshmish historike e arkeologjike, gjuhësore e letrare, filozofike e fetare etj. Duke i bashkuar këto elemente në një tërësi të vetme, autori arrin ta ndërtojë vizionin e vet të qartë para lexuesit.

 

Prandaj, duke u ndodhur kundruall palimpsesteve të këtilla, ai bën çmos që me një vetëdije të lartë ta modelojë shkrimin vetanak në përputhje të plotë me nevojat e kohës së sotme, thjesht si një paradigmë e konceptuar me kujdes nga këndvështrimi modern i krijimtarisë letrare, i ngjeshur me të gjitha tiparet e nevojshme. Dhe realisht, palimpsestet që i ka përzgjedhur për t’i trajtuar, paraqesin një lloj metateksti të M. Zeqos, pra një tekst që lind nga një tekst tjetër, sipas të cilit e artikulon qëndrimin dhe gjykimin e vet për çështjet që kanë të bëjnë me historinë e ekzistencës së njerëzimit dhe të shkrimit. Në këtë kontekst, autori nuk ngurron të na e bëjë me dije gojaplotas se çdo gjë në këtë botë është palimpsest, që i nënshtrohet zhvillimit dialektik të vazhdueshëm, mbase në kuptimin e teorisë së relativitetit të A. Ajnshtajnit. Ç’është e vërteta, në këtë teori ai e ngjiz nismën e tij krijuese, e ritrupëzon materien frymëzuese në një kontekst të ri perceptues.

 

b) Kuptimi i sagës

 

Në përgjithësi mund të kuptohet qartazi se M. Zeqo rrëfimin e lëndës së tij brenda librit në fjalë e quan thjesht sagë. Ç’është e vërteta, vazhda e kësaj sage të palimpsesteve hapet në trajtën e një kumti, ku autori rrëfimtar i drejtohet së bijës, Arnisës, duke ia shpjeguar në mënyrë programatike gjithë botëkuptimin që ka të bëjë me palimpsestet. Hapja e këtillë e librit është palimpsest i palimpsesteve, ose kryepalimpsest, si një pohim të cilin do ta dëshmojë me shembujt e shumtë që do t’i ofrojë në krijimet e tij. S’do mend, pas gjithë ecurisë konkretizuese me anë të rishkrimit të kësaj bote, në fund ai e mbyll me palimpsestin e mikut të tij virtual, Makabe Zaharisë, si një referencë e njohur edhe më parë, për ta ripohuar rishtazi gjithë teorinë e tij filozofike e artistike. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një diskurs të vjetër dhe të ri njëkohësisht, mbase për të dëshmur edhe këtu se ai prapë i përmbahet logjikës së palimpsesteve, dialektikës së njohur filozofike se mbi të vjetrën lind e reja. Thënë në mënyrë figurative, në këtë libër autori këndon në mënyrë epike për palimpsestet, ringjall lavdinë e tyre historike, tregon bëmat e tyre nëpër periudha të ndryshme kohore, ndikimin e tyre në historinë e njerëzimit etj. Në këtë pikëpamje forma e sagës mesjetare skandinave shndërrohet në një rimodelim të rrëfimit nga ana e tij, sigurisht duke iu nënshtruar një tipologjie moderne, si dhe duke e mishëruar jehonën e tyre historike me konceptin bashkëkohor.

 

Dhe, rrjedhimisht, ballafaqohemi me një materie të ndërlikuar historike dhe aktuale, brenda së cilës plekset çdo gjë e mundshme në suazat e konceptit të shkrimit letrar, por edhe që përkon me përmbajtjen e çështjes që trajtohet brenda tij. Tekstet e vjetra, përmbajtjet, dëshmitë, rrëfimet, gojëdhënat, jetëshkrimet, vargjet, citatet etj., shfaqen në mënyrë krejt të befasishme dhe thuajse shkrepin si shkëndija vezulluese përgjatë ecurisë të cilën e ndjek autori, ato ndërfuten fare natyrshëm në vazhdën e shtjellimit të tyre ose të përpunimit artistik. Kjo mundëson që edhe struktura intertekstuale të marrë përmasa më të qarta e më të plota. Nga kjo pikë e vrojtimit del se M. Zeqo bën një rrëfim teorik dhe praktik; ai zbulon dhe vërteton, afron dhe largon, në njërën anë e sjell palimpsestin e vjetër dhe, në anën tjetër e ndërton metatekstin si gjedhe të rikrijuar artistike. 

 

Në aspektin e ligjërimit është vështirë të jepet një përkufizim i kapshëm ose një emërtim më konkret, për arsye se brenda vijës së njëjtë të rrëfimit gërshetohet diskursi shkencor dhe ai artistik, ai eseistik dhe publicistik, letrar e artistik, për të na zhvendosur herë në njërin rrafsh e herë në tjetrin, pa e shkëputur asnjë çast praninë tonë shpirtërore, pavarësisht nga përqëndrimi dhe perceptimi që kemi. Prandaj, mund të pohohet se saga e palimpsesteve të tij merr karakter ontologjik dhe gnoseologjik.

 

Si strukturë e këtillë, aq sa na bën t’i njohim gjërat e llojllojshme, po aq na bën edhe t’i përvetësojmë. Në fund të fundit, kjo është fuqia e brendshme e metatekstit të M. Zeqos, që të na joshë dhe të na nxisë, të na bëjë të mendojmë dhe ta përjetojmë këtë botë të shkuar, e cila nuk shterohet asnjëherë, por vetëm rikrijohet në mënyrë të pareshtur.

 

c)  Poetika e shpotisë

 

Po ashtu, duke e lexuar librin “Anima mundi” të M. Zeqos, mund të vërehet edhe një element i veçantë dhe i rëndësishëm poetik, me të cilin gjithsesi i jep kuptim shumë domethënës dhe thelbësor atij. Në të gjitha çështjet e trajtuara aty, teksa merr si shkas një shëmbëlltyrë ose një ngjarje të caktuar, në radhë të parë ai kapet për atë që është e njohur ose e panjohur, për jetëshkrimin ose për veprën e ndonjë figure. Në fakt, kështu e veçon pjesën më interesante, duke e paraqitur atë fare shkurtimisht vetëm si një tabllo përmbledhëse. Por, në këto raste është e rëndësishme se nuk harron të bëjë edhe shpoti lidhur me ndonjë çështje që shtrohet aty, duke e vënë në sprovë një ide ose një botëkuptim që i përket ndonjë shembëlltyre historike, si një lloj kontestimi ose polemizimi, gjithsesi për ta ofruar mendimin e vet të pavarur lidhur me të.

 

Kjo është një finesë artistike e M. Zeqos; ai bën shpoti apo ironizon, nxit ose trazon, me çka na bën ta kuptojmë vërtetësinë ose tërësinë e nevojshme. Pra kemi të bëjmë me një poetikë shpotitëse shumë racionale, thelbësisht të moderuar, jashtëzakonisht të kulturuar, sepse e gjithë kjo i shërben për ta ruajtur me dinjitet unin e vet. Ngacmimi i këtillë është një mënyrë e reagimit artistik ose një e trajtë e tejkalimit, gjithnjë në funksion të shpalimit të së vërtetës së përgjithshme.

 

Me një fjalë, këto i merr si palimpseste për ta ndërtuar ose rindërtuar një kontekst të ri kohor e hapësinor, duke u bërë sozie e tij, bashkudhëtar i shkrimit historik, korrigjues i vëmendshëm i tij, plotësues tejet funksional, gjithmonë duke gjetur ekuivalente të shumta që përkojnë ose që lidhen me të. Figurat apo gjërat e tilla i gjen në realitetin shqiptar, por edhe kudo gjetiu. Pra, edhe në këtë raste shihet anima mundi (shpirti i botës) si një metaforë përgjithësore, ku bëjnë pjesë mikrokozmosi dhe makrokozmosi, individi dhe shoqëria, pjesa dhe tërësia, e veçanta dhe e përgjithshmja.

 

Përgjatë ecurisë së pandërprerë rrëfyese autori bën një lloj kritike sociologjike, ose thjesht një qasje me karakter sociologjik ndaj çështjeve ë nduarnduarshme, përherë duke i gjetur natyrshëm përkimet në ditët e sotme. Ndaj mund të thuhet se brenda këtij libri ndodhin transformime rrënjësore; aty edhe fakti dokumentar e artistik bëhet një fakt real e konkret, edhe palimpsesti i vdekur ringjallet dhe bëhet dëshmi e gjallë dhe, mbi të gjitha, perceptim dhe vizion artistik e kulturor.

 

Gjatë gjithë kohës ai nuk bën asgjë tjetër, përveçse pohon dhe mohon, identifikohet ose distancohet, vetëm e vetëm që të krijojë një vijë të qartë filozofike para lexuesit.

 

Duke e mbrojtur bindjen e tij se çdo gjë brenda gjithnajës sonë është palimpsest, në fakt ai e ilustron këtë me shumë raste që i trajton me anë të shkrimit të tij artistik. Bie fjala, thënia e Gjon Muzakës “Nil sub sole novum” (Asgjë e re në diell), është një pohim i kësaj teorie filozofike. Mandej, edhe në rastin e enigmës së romanit poetik në pergamenat e qindvjetshit XII të Aimon de Varenes-it, për Florimontin e Durrësit, është një dëshmi e tillë, pra struktualisht e ngjashme, që i shërben autorit për t’i ndërlidhur shumë gjëra në kohë dhe hapësirë. Kjo është një rendje gnoseologjike dhe fantastike, një shtegtim i pandalshëm, për t’u dhënë kuptim të ngjashëm gjërave apo ideve që u përkasin kushteve e rrethanave të ndryshme.

 

Në fakt, shtegtimet e këtilla janë hipotetike, si gjasa apo si përputhje fantastike, por që krijojnë marrëdhënie të çuditshme në rrafshin e ekzistencës së ideve të njerëzve. Gjithsesi i tillë është edhe rasti me figurën e Pashko Gjeçit në raport me Dante Aligierin, si dy figura që u përkasin kohëve të ndryshme, por që korrespondojnë në imagjinatën krijuese dhe hipotetike të autorit. Po ashtu, edhe nëpërmjet figurës së Pjetër Bogdanit, përkatësisht poezisë së tij “Mundus versus” (Bota ndryshe), autori palimpsestin e shpalos në kohën tonë, si një ekuivalent tipizues për të komunikuar me një ndjeshmëri shumë të lartë.

Prandaj, qëndrimi stërpohues i M. Zeqos se gjithçka është palimpsest, edhe populli i zhdukur siç janë kazarët, edhe fetë e ndryshme, edhe arti në përgjithësi, edhe zanafilla e botës, edhe mistika bektashiane etj., në të vërtetë e ridëshmon katërcipërisht se në krijimtarinë letrare nuk është e rëndësishme çfarë thua, por mënyra se si e sjell atë para lexuesit, çfarë pohon dhe mohon në një rast të tillë, çfarë ironizon në transmetimin e tekstit që e krijon, çfarë përzgjedh në ecurinë e trajtimit, çfarë vendos në marrëdhënie me kohën gjegjëse etj. E, M. Zeqo me librin e tij “Anima mundi” na e sjell metaforën e palimpsesteve, me të cilën sfidon çdo teori të harrimit ose të injorimit. Në këtë mënyrë, ai palimpsestin e bën metatekst, rrëfimin e tij që e quan sagë, e bën metakomunikim me lexuesin e kohës sonë. Në fakt, kjo është letërsia e tij e quajtur vetëm kushtimisht, ngase realisht ajo është shumë më tepër se letërsi, është një metaletërsi, siç do ta quante R. Barti. Me modelin e shkrimit të tij ai ofron një emërues të përbashkët për të gjitha format dhe zhanret ekzistuese, duke i rrënuar ato ose duke i shkrirë në një tërësi ndoshta të paemërtuar saktësisht. Thjesht, kjo është poetika e palimpsesteve të M. Zeqos, e hapur dhe mbyllur njëkohësisht, e mistershme dhe intriguese, joshëse dhe rikrijuese.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx