Kulturë
Esat Stavileci: Një Libër enciklopedi nga i cili duhet të nxjerrim shumë porosi
E merkure, 19.01.2011, 08:28 PM
Një vlerësim për monografinë, “ Bardhësitë e Atdheut” të Autorit Afrim Mustafa
Një Libër enciklopedi nga i cili duhet të nxjerrim shumë porosi
Afrim Mustafa, “ Bardhësitë e Atdheut” - Monografi për 2073 dëshmorë të tri ushtrive çlirimtare: UÇK në Kosovë, UÇPMB në Kosovën Lindore dhe UÇK në Maqedoni . Botoi, Autori, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Prishtinë dhe Radio “Zëri i SHARRIT” Kaçanik - Ferizaj, mars , 2008. Ribotimi - qershor 2010
Shkruan: Akademik Esat STAVILECI
Me kënaqësi pranova të shkruaj një recension për librin e Afrim Mustafës me titull “Bardhësitë e Atdheut”, një monografi për 2073 dëshmorët e tri tri luftërave çlirimtare të shqiptarëve, në botim të Autorit, SHFDUÇK dhe “Zërit të Sharrit”, 2008.
Përherë me kënaqësi kam lexuar librat e shkruar mbi bazën e ngjarjeve dhe fakteve të dokumentuara. Mbi bazën e ngjarjeve dhe fakteve të dokumentuara, shumë historianë na kanë dhuruar libra që kanë lënë gjurmë. Afrim Mustafa me librin e tij lë gjurmë duke shkruar një libër në të cilin lexuesi do të gjejë histori, kujtime, konstatime, vlerësime autoriale, krahasime ngjarjesh e personazhesh, me qëllim për t’i shërbyer zbulimit para lexuesve të vërtetave të luftërave në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni.
Qysh në vrojtimet e para dëshiroj të theksoj, në mënyrë të veçantë, kontributin e autorit për “t’i shërbyer historisë”, siç bën çdo historian tjetër kur trajton një ngjarje nga e kaluara, më e largët apo më e afërt.
Autori Mustafa ngjarjet që i trajton, i kombinon në mënyrë të natyrshme, me materialet që i kanë ndihmuar për të plotësuar idenë e librit të tij. Ideja e librit është që “të mbahen gjallë” personazhe dhe vepra të tyre që kujtojnë një histori të flijimit të tyre për “komb e atdhe”, pa “u nda gjeografikisht” apo në pikëpamje ideologjike. Edhe kur vështrohen “ndaras” është ideali ai që i bashkon, ideal që duhet të na “bëjë bashkë” në ruajtjen e kujtimit për ta, pavarësisht se për cilin flasim a shkruajmë, pavarësisht se në përvjetorin e të cilit “thurim lavdinë kombëtare”.
Për të shkruar këtë recension të librit të Afrim Mustafës padashtas “kam rënë nën ndikimin” e Gjeneral Kudusi Lame për vlerësimin që i kishte bërë monografisë, veçanërisht gjykimit të tij për dëshmorët e kombit, të cilët sikur i pyeste se “ku i morën plagët, ku i zhvilluan betejat, si i mbrojtën shokët, si e mbajten betimin para atdheut e kombit etj”., por edhe për pyetjet që sikur i kishin bërë: ”se si i kemi punët, se sa janë realizuar detyrimet e betimit ushtarak; nëse i kemi shkolluar djemtë e vajzat, nëse i kemi kthyer të ikurit nga atdheu prej represionit të armikut; nëse jemi duke e rritur lavdinë kombëtare”.
Libri i z. Mustafa është një Përmendore në vetvete në nderim të dëshmorëve …
Ky vlerësim i tij ma kujton një fjalë timen që e kisha mbajtur në përvjetorin e vdekjes së heroit legjendar Adem Jashari. Në momente fjalë, i drejtuar nga figura e tij, pata thënë: “me shikimin e rëndë nën vetulla, sikur po na pyet: ne e fituam luftën, por ju kur do ta fitoni paqen?”.Pyetja mbetet e hapur: dëshmorët e fituan luftën, por kush do ta fitojë paqen?. Afrim Mustafa u angazhua që ta fitojë në mënyrën e vet, me “mbamendjen” e veprave të tyre dhe me vendosjen e emrave të tyre në një “muze të kujtesës”. Eshtë vështirë të përcaktosh gjininë e këtij libri në vështrim shkencor, sepse autori i tij nuk ka bërë një vepër sipas kriteriumeve standarde, por një monografi me kujtime për njerëzit dhe me kujtime njerëzish me porositë e tyre. Në këtë libër, me struktura të lirshme, autori arrin që ta ushqejë lexuesin me informacione që i mungonin rreth tri luftërave dhe pishtarëve të tyre. Fakti që autori i librit ishte dhe vetë protagonist i ngjarjeve për të cilat shkruan, veçsa ia rrisin shkallën e besimit të lexuesit në vërtetësinë e argumenteve dhe fakteve në të cilat mbështet shkrimet e tij. Ai jo vetëm që ishte një dëshmitar i tyre, por edhe një përjetues i tyre. Ky pozicion i tij i ka ndihmuar që në letër “të derdhë më shumë ndjenja” të ngjarjeve për të cilat shkruan dhe “të përcjellë te lexuesi në mënyrë më të ngrohtë” pjesën e tragjedisë që e kishte goditur palcën kurrizore të një kombi që “ishte gjykuar për shfarosje”. Deri më sot ka pasur disa përpjekje për të pasqyruar këto ngjarje dhe për për të mos fshirë gjurmat e tyre. Por, merita e Afrim Mustafës është që i ka sistemuar në një vend, duke lidhur gjeografinë e tyre, por sikurse që në të vërtetë, është e lidhur gjeografia e kombit të cilit i përket ai, sikur të dëshironte të afirmonte edhe në këtë mënyrë, pacaptueshmërinë e çështjes kombëtare për të cilën edhe ishin flijuar personazhet në librin e tij.
Dëshmorët nuk luftuan për asnjërën parti, por ata ranë për Flamurin Kuq e Zi …
Cdo libër nga fusha e historisë shkruhet për të përhapur të vërtetat për të cilat shkruhet në to. Afrim Mustafa ka dhënë dhe ka thënë shumë të vërteta për luftërat e fundit të shqiptarëve, për të rënët në to, për heronjtë dhe për dëshmorët, për t’iu bërë vend në “historinë e kombit” që në kapërcimin e dy shekujve u kërcënua me ekzekutim kolektiv.
Libri i Afrim Mustafës merr vlerë të veçantë për këto kohë, sepse ende ka përpjekje që të njolloset karakteri çlirimtar i këtyre luftërave që bën shqiptarët në mbrojtje të vatanit të vet. Libri u ngre një përmendore gjithë atyre që flijuan jetën për lirinë e kombit. Por edhe vetë libri është një përmendore në të cilën janë skalitur emrat e gjithë atyre që shkruan historinë më të re të kombit. Skalitja e të gjithë emrave në një “përmendore të përbashkët” shihet me shumë interes për kombin, sepse pas luftërave janë ndeshur tendenca për “të fshirë emra” dhe për “të përjashtuar luftëtarë” që kanë falur gjakun e tyre për të ardhmen e kombit. Madje kishte dhe përpjekje për “të përvetësuar emra” dhe “familjarizuar luftëtarë në parti politike”, pa vrarë mendjen se asnjëri prej tyre nuk kishte luftuar për asnjërën parti, por për flamurin kuq e zi. Afrim Mustafa është kujdesur që asnjërin prej pishtarëve të luftërave mos ta mbulojë “pluhuri i harresës”. Me këtë reçension nuk kam marr përsipër që të bëjë verifikimin e materialit të dhënë në libër, as të një përmbledhësi të lëndës që përmban ai. Këto duhet ‘i bëjë secili lexues i tij.
E përgëzoj autorin e librit për kontributin e tij shumë të rëndësishëm dhe e inkurajoj
për ndërmarrje të reja në ndriçimin e fakteve nga luftërat çlirimtare të shqiptarëve, në mënyrë që si dëshmi të kohës të përgenjeshtrojnë të gjitha përpjekjet për të kontestuar karakterin dhe vlerat kombëtare të tyre. Të shkruash për një libër do të thotë t’i ftosh të tjerët që ta lexojnë atë. Libri i Afrim Mustafës vlen jo vetëm që të lexohet, por edhe që të nxirren porositë prej tij. Populli shqiptar duhet ta mbajë në mend të kaluarën, në mënyrë që të mos i përsëritet.