Kulturë
Kisha: "S’kemi prova se Luarasi është shkishëruar"
E marte, 18.01.2011, 08:50 PM
Mallkimi dhe shkishërimi janë akte zyrtare të Kishës Ortodokse dhe ato mbeten të tilla, pra si akte, deri në marrjen e një vendimi të dytë, pra për heqjen e mallkimit apo të shkishërimit. Këto janë urdhëresa brenda së drejtës kanonike të kësaj kishe, të përcaktuara me kohë. Për të sqaruar nëse mallkimi dhe shkishërimi i Petro Nini Luarasit, dhe së bashku me të, edhe i gjuhës shqipe, vazhdojnë të jenë akte zyrtare të kësaj kishe, pyetëm pranë Kishës Ortodokse Autoqefale këtu në Tiranë. "Ne nuk i kemi në arkiv këto vendime dhe për këtë (mallkimin e Petro Nini Luarasit) nuk ekzistojnë materiale, mund t'i ketë Arkivi i Shtetit ose janë në Kostur", - shprehet kështu Thoma Dhima, përfaqësues i zyrës së shtypit të kësaj Kishe. Vendimi për të shkishëruar Petro Nini Luarasin dhe familjen e tij, është marrë më 1892, në kohë kur edhe u bë deklarata kundër gjuhës shqipe nga dhespoti i Kosturit, Fillaret. Pavarësisht se materialet ekzistojnë në Kostur, vendimi mbetet i tillë edhe në kohët e sotme, kur nuk ka pasur një vendim të dytë që të rrëzojë të parin. Përfaqësuesi i Kishës shprehet se e njeh problemin në fjalë, por nuk mund të japë shpjegime teologjike lidhur me të. Sipas tij, vendimi për Petro Nini Luarasin i takon një kohe tjetër "një kishe tjetër me të tjera vartësi dhe territore të tjera". Sipas tij, të gjitha këto materiale, që i përkasin Shqipërisë dhe shqiptarëve "janë para formimit të shtetit shqiptar". Kaq ishte shpjegimi i përfaqësuesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në lidhje me çështjen e shkishërimit dhe mallkimit të Petro Nini Luarasit dhe gjuhës shqipe.
Mallkimi i shqipes
Po botojmë tekstin e mallkimit të gjuhës shqipe nga ana e Fillaretit të Kosturit, marrë nga libri "Mallkimi i shkronjave shqipe e çpërfolja e shqiptarit", Manastir 1911.
"Fort mirëdërimtarë priftërinj, fort të ndershëm myftaro-pleq, dhe ju të tjerë gjithënjëherësh të bekuar të krishterë të katundevet të ngasrës së Vakëfevet, të Eparhisë (Kazazë) sonë perëndishpëtuarë! Hiri qoftë mbi ju dhe paqë prej Perëndije, dhe prej nesh uratë, bekim dhe ndjesë!
Me pikëllim të madh dhe pamë syfaqëza dhe dëgjuan në udhëtimin tënë që bëmë në ato vise, se i mallkuari dhe i çvetëmtuari prej Perëndisë, Petro Luarasi, duke marrë vesh me propagandën Protestante dhe Masone, erdhi rrethepërqark në katundet e ndryshëm të ngasrës (Kazasë) së Kolonjës, duke u zotuar të përkufizonjë (emëronjë) mësonjës shqipëtarë gjoja për të mësuarë gjuhën shqipe, e cila nuk është e qënë, po me të vërtetë që të përdredhë ndërgjegjen e orthodhoksëvet dhe të bënjë përkthyerës në Masoni dhe në Protestantizmë....
Në Korçë, më 20 të vjeshtës së parë 1892
Fillareti i Kosturit uratësi juaj mbi Krishtin
Luarasi mbron
shqipen
Qëndrimi i Petro Nini Luarasit për mallkimin e vet dhe të gjuhës shqipe
"Më 1887, në muajin gusht, (Petro Nini Luarasi) u kallëzua nga bashkëmëmëdhetarët e ti për predikimet shqipëtare te nxënësit e ti ne Mitropoliti i Kosturit, Qirilli; dhe me qenë që nuk u bind në këshillat dhe zotimet e Qirillit, ky për dënim e mallkoi dhe e çkishëroi Petron, duke dënuar me çvetëmtim (aforizmë) dhe jashtëkishje (ekskomunikim) në gjithë katundet e fshatrat e Kolonjës cilindo që të zërë fill për të qasur Petron dhaskal (mësonjës) në katundin e tij. Po Petrua, kundër bindjes ndaj Qirillit, tek të pendohet, hapi mësonjëtore shqipe vetake në Ersekë të Kolonjës, ku të vegjël e të mëdhenj nga dëshëronjësit, që kishin voli, vinin të dëgjonin e të mësonin këndim e shkrim të gjuhës shqipe. .....
Më 1889 nëvëndësi i Qirillit, Mitropoliti i Kosturit Grigori, mori përsipër dhe ndjekjen e Petro Luarasit e të shokëvet të tij. Ky, dyke dëshëruar që të lëftonjë veprimet e Petros më vepëruarzi; urtësisht u mëndua se do të jetë më fundsjellëse ndër interesat e kishës greke patriarhike kjo grapje (përpjekje) dmth po të bëhen vegël nëpër viset priftërinjtë e fshatravet, të cilët, dyke përdorur fenë si gogol kundër Shqipëtarëvet, do të goditin më plotërisht qëllimin që ndjekin. Prandaj, dyke u shkruar shumë herë në Luaras priftërinjve të fshatit për jashtëkishjen e familjes së Petros dhe ndalimin e meshëbënjës s'asaj, dhe dyke mos u ndëgjuarë, mundi më në fund të gabonjë me dinakëri dhe të marrë pas për në Kostur, priftin e Luarasit Papa Stefanin. Po ky, me të arrirë gjer në Dardhë, nga ca shënja mori kundërmendim dhe frygosi tinëzaj në Luaras nënë mburojtjen e Petros. Për më tepër dëftesë të vepërimevet të Grigorit dhe për të kupëtuar më mirë shënjat e ti, vëmë përpara këtu këto letra ndersenjake të Grigorit për shtëpijakësit e Luarasit, dhe një letër tjetër miqësore të ti Kajmekamit të Kolonjës, ku i shkruan për frygosjen e Papa Stefanit nga Dardha...
Më 1889-1890, në vjeshtën e parë, me qënë që u vra me dhunë, si thonë, në Konstantinoplë Pandeli Sotiri, i gjeratëhershëmi shqipmësonjës në Korçë, Petrua u grëshit nga patriotitët e pakët shqipëtarë të Korçës si mësonjës i shkollës shqipe atje me bashkëpunëtorë ZZ. Hafiz ali Efendinë për turqisht dhe Thoma H.Avaramin për frëngjisht. Në këtë hop shëfreu shumë prova dhe vëzhgime prej Guvernësë të cilët e shtrëngonin të bindet për të treguar se cilët ishin mbajtësit dhe vështorët e mësonjëtores, dhe për ç'qëllim mbahej ajo shkollë..
Më 1891 dyke qënë mësonjës në Korçë vepëroi të shtatonen në Kolonjë gjashtë mësonjëtore shqipe, të cilat nisnë të punojnë që me të parën e Vjeshtës së parë 1892, në katundet Luaras, Gostivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë e Pishës dhe Treskë. Këto mësonjëtore mbaheshin me ronime (harxhe) të vetë katundeve dhe të shoqërisë shqipëtare "Drita" në Bukuresht, kryesonjës i së cilës qe atëhere Z. Nikolla N. Naço. Më 1892-1893 vitin shkollor, jashtë dashjes së ti, Petrua u nevojtua të heqë dorë nga mësonjëtore e Korçës dhe i pështolli kujdeset e ti në mbajtjen dhe përparimin e mësonjëtoreve të Kolonjës dyke shtirë caq direksisë së tij Luarasin.
Në vjeshtën e vitit 1892, Fillareti, mitropoliti i shenjtë i Kosturit, dyke udhëtuar, sipas zakonit nëpër Kolonjë dhe në Vakëfe, me qënë që dëgjoi dhe pa gjërat e mësonjëtorevet shqipe nëpër katundet dhe të përhapurit e shkronjavet shqipe, fort u pikëllua, dyke u ndrydhur prej frikës që i nguli në zëmër parandjenja e të përmbysurit dhe e te çrrënjosurit në ato vise të kuçedrakes Megali idhesë greke prej dritës së Shkronjave Shqipe. Prandaj dyke vajtur me pashpresje (i dëshpëruar) në Korçë dhe dyke marrë nga bashkëmendonjësit e tij miq atje këshilla, volli një mallkim të tmerrshëm dhe një aforizmë me çkishërim kundër Petros dhe shokëve të ti, dyke nematisur çdo të krishterë që përqafon shkronjat shqipe a ka mall për mësonjotore shqipe në katundin e tij.
Me gjithë këto, as nëmë e frikëshme, as aforizma dhe çkisherimet e shënjtit. Fillaret nuk i shprapenin dot kolonjarët nga mësonjëtoret shqipe dhe nga shkronjat, po të mos kishte shpejtuar për ndihmë Guverna tiranike e atëhershme e Manastirit, që dërgoi në Kolonjë kryepolicin e Manastirit Haxhi Osman Benë për të kontrolluar veprat e Petros, të cilin Mitropoliti i Kosturit dhe grekomanët e Kolonjës e kishin kallëzuar djallëzisht në kryesundimtari i Manastirit...
Më 1909- 1910, duke qënë dikrektor i mësonjetores shqipe në Negovanë, pas rastit, vuri re në gazeta e ndershmja gazetë e Londrës "Times" përfolte fort partriarqinë greke në Konstantinoplë, si dhe priftërinë greke përgjithësisht greke, që ndalon aforizma dhe të tjera mjete të panomtë përparimin e shkronjave shqipe dhe të qytetërimit të shqiptarëve të krishterë.
Dhe Partriarqia me gazetën "E vërteta Kishëtare" (Eklisiastiqi alithia) u përgjegj se përfoljet e "Taimës-it" kundër priftërisë Partiarqisë greke përfillazi me shqipëtarët ishin shterpë me qënë që nuk ka asnjë dëftesë për veprim të shortit priftror grek kundër shkronjave shqipe etj. Nga ky shkak, dhe me lutje të shumë atdhetarëve shqipëtarë, Petrua dha në botim Aktin e Mallkimit bashkë me gjithë aforizmën dhe çkishërimin si dhe të tjera shkresa mitropolitike, të cilat i përkapin ku leçiteshin nëpër kishat e katundeve të ndryshëm në Kazanë e Kolonjës dhe të Vakëfëvet, sipas urdhërit të Mitropolitit të Kosturit, për frikësimin e shqipëtarëvet.
Si përgjigje mbi këto shkresa frikësonjëse, u punëtua dhe një çpërfolje prej të aforisurit Petro, për kontroll të bënjave të shortit priftëror dhe përzgjim të njerëzisë shqiptare së paditur dhe së padhunët e cila fatkeqësisht edhe në këtë shekull të dritës e qytetërimit përfundon në pamësim dhe në prandim të para-gjykimeve. Për këtë gjë, që të kuptohet nga të gjithë atdhetarët shqipëtarë, u përrjeshtua greqisht dhe shqip kjo librëzë...
Me kthjellësi dhe nder shpallësi
P. N. LUARASI
Besimi
Mallkimi dhe shkishërimi i Petro Nini Luarasit u bë pasi, sipas akuzave të drejtuesve ortodoksë të Kishës ai shpërndante literaturë protestante dhe masone. Vetë Petro Nini bën një deklaratë, në korrik 1911, ndërsa në gusht ai do të gjente vdekjen.
Jam ortodoks dhe jo protestant
"Fjalët mason dhe masonik vetëm i kemi dëgjuar, po asnjë ide për masonët s'mundim dot të çfaqim; po dhe ç'rëndësi dhe vlerë ka ajo fjalë Mason, dhe në ka Masonë në Shqipëri a shoqëri masonike, e lemë në gjykim të atyre që kanë dijë dhe njohë për masonët. Fjala Protestant e di që është fjalë evropiane, të cilën e përdorin në shumë gjuhë, dhe tregon prote-sto; dhe protestantë quhen ata që kanë bërë protesto në fenë e krishterë, dhe janë një farë dhogmë e fesë së krishtërimit. Protestantë njoh shumë, si njoh dhe katolik, muhamedanë, judhenj dhe të tjerë. Sa herë hasem me protestantë, flas me ta dhe bisëdonj, siç e meriton me njerëz të kungajkës dhe të bashkërisë dhe të qytetërimit, me ndryshim që ata janë protestantë, dhe unë orthodhoksë. Po rrëfenj zëmërkthjelltazi se për hir të fitimit lënduar kurrë nuk u mora vesh për ndonjë qëllim fetar me protestantët". (Korrik, 1911)
Kontributi për ortodoksinë
Historiografia shqiptare e ka minimizuar trajtimin e veprimtarisë atdhetare të ortodoksëve shqiptarë për përkthimin e literaturës ortodokse në shqip, përpjekjet për futjen e gjuhës shqipe në kishën ortodokse, ndërtimin e fondamentit të kishës Ortodokse Shqiptare me arritjen madhore të krijimit të kishës së Nolit. Është anashkaluar hero-izmi dhe nderimi ndaj martirëve të kishës ortodokse shqiptare. Në këtë aspekt e harruan edhe rolin e rëndësishëm të Petro Nini Luarasit në përdorimin e gjuhës shqipe në kishë (në kishën e Luarasit dhe në ShBA), në ideimin dhe ndërtimin e themeleve të kishës ortodokse shqiptare të pavarur në ShBA. Petro Nini Luarasi është një nga martirët, por çelësi për të trajtuar të vërtetën tragjike të vrasjes së tyre, të heshtjes ndaj tyre, të shtrembërimit të turpshëm të krimit ndaj tyre. Ndaj po e trajtojmë veprën, të vërtetën e vrasjes dhe shtrembërimet e luftën që i bëhet në ditët e sotme nga qarqe shoviniste grekofone. Bashkëkohësi i tij, veterani Guri Sevo, tregon:
"Tani si mësonjës në fshat (Luaras) Petroja kish filluar të përkthejë shqip librat e kishës dhe mesha nisi të bëhej pothuajse gjysëm shqip. Atëhere kishat ishin si Pazar. Mirëpo kur fliste Petroja, s'dëgjohej anjë zë. Dale, thoshin do të dëgjojmë Petron se flet". Një ditë kam parë një plakë, të Simo Itës që ish më fanatikja në punë feje: siç rrinim në hajat të kishës erdhi me një shkop në dorë, dalë nga dalë i shtrëngoi dorën Petros dhe i tha: "Lum ajo nënë që të ka se ti sot në kishë me fjalën që na fole na bëre të derdhim lot të gjithë. Kurrë ndojnë herë në jetën time s'kam qarë kaq me mallëngjim sa sot". Si mbaroi së thëni këto, shtoi plaka: "Dale të të puth në ballë se të kam si djemtë e mi dhe s'të ndaj syresh". Në kishë Petroja vinte gjithnjë çdo të dielë e të kremte. E kish vendin e tij më të djathtë ku psallnin dhe sanddejmi jepte fjalë dhe lëçiste shqip sa mundte. Kur vinte që kremtonin fshati, dita e Shën Marisë, më 15 gusht dhe kish njerëz të huaj nga Vakëfet dhe nga Lubonja, Qafëzezi, Vodica, Blushi, Gostivishti, Orgocka dhe nga gjithë fshatrat ku luarasllinjtë kishin miq e të njohur, Petroja jepte fjalë në kishë e iu shpjegonte ungjillin dhe i falenderonte mysafirët si nga ana e fshatit, si dhe nga ana e kishës.Se qe dhe epitrop. Dhe kështu me anën e kishës bënte propagandë nëpër fshatrat në mes të burravet dhe gravet, duke u folur në këtë mënyrë, dhe në mes të fëmijëve, të cilëve u jepte mësim edhe në shkollë e duke u përkthyer e duke u mësuar Apostollin, Pis-tevon, Paterimonin, e të tjera, që t'i thoshin edhe ata shqip në kishë" ...Dhe kur u ktheva më 1886 në Luaras ...Stefan Kostë Rrapo, më thotë: Dhaskali sivjet na ka mësuar vjershën e Shën Llazarit ta dimë pa kartë, e kemi kënduar ditën e shenjtit dhe e kemi mbledhur vezë më shumë nga motet e tjerë se na i jepnin nga dy e tri vezë në ç do shtëpi. Dhe si ish i sëmurë atë na mësoi edhe mua këngën e shën Llazarit". (Petro Luarasi, Jeta dhe Vepra, f.30-31)
Mesha
Siç dihet në Hudson u fillua shoqëria kishtare "Nderi Shqiptar" prandaj pas Bostonit natyrisht vjen Hudsoni. Kjo shoqëri vuri në praktikë idenë e fillimit të një kishe shqip duke mbledhur ndihma dhe duke dërguar priftin Fan Noli në Nju Jork. Pas meshës mbajti një fjalë greqisht Fan Noli (që krijoi keqkuptime ndër dëgjuesit). Pas fjalës së priftit z.Petro Luarasi foli shqip mjaft orë dhe shumë bukur. ("Kombi", 27 mars 1908)
Fan Noli ka shkruar "Petro Nini Luarasi ishte Paul Reever-i shqiptar...i pari pionier i lëvizjes kombëtare në Amerikë".
Në Kongresin e Dytë të Manastirit që u çel më 20 mars 1910, në të cilin Petroja mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë "Lidhja orthodhokse", i Negovanit e Ballkamenit, Petro Nini Luarasi u shpreh: "Çështjet e shkronjave dhe të programit të përparimit e biseduat; dhe zotnija juaj dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë për këtë gjë po përpiqen dhe punojnë. Po unë në këtë mbledhje, jo vetëm si përfaqësonjës i Negovanit dhe i Ballkamenit, po edhe si i krishter orthodhoks shqiptar, përfaqësoj edhe "Lidhjen Orthodhokse të Shqiptarëve" andaj do të përmbështillem vetëm duke folur përmbi çështjen për të cilën jam i dërguar: Me tu shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë orthodhoksë që kishin ndjerë mungimin e diturisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therrori që do të na rëndonte nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonë duke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta, nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip.
Si të uritur, pra, që kanë qenë Orthodhoksët shqiptarë për shkrimin shqip, shtatuan shoqërira në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri. Tani nën liri konstitucionale shtatuan shoqërinë "Lidhja Orthodhokse e Shqiptarëve" me qendrën në qytet të Korçës për t'u mbaruar nga orthodhoksia elinishte e grekërve dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmonjë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete....
Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslymanë dhe katolikë, a dotë mos vuajnë keq kur tëshohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?!
Andaj si anëtar i "Lidhjes Orthodhokse të Shqiptarëve" u lutem së nderçmes qeveri si dhe të shumëvlyerit Kongres të sotmë që të veprojnë ku duhet për të drejtat e "Lidhjes Orthodokse të Shqiptarëve" e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s'ka.
Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!"
P.Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)