E marte, 30.04.2024, 04:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hasko: Dardanët janë aty (III)

E hene, 17.01.2011, 08:39 PM


Skënder Hasko

                              

DARDANËT JANË ATY

 

Thashethemet që mbushën shtatë fshatra

 

Gojë më gojë e vesh më vesh u perhaps fjala se Riza Gurabardhi ishte ngjallur e bridhte natën e ditën si hije, që trembkej këdo që takonte, duke i ckërrmitur dhëmbët e duke i thënë se do ta gllabëronte të gjallë po t’i dilte përpara tjetër herë…

- E morët vesh?! - thoshte njeri. - Thonë se Riza Gurabardhin e kanë parë me tri pushkë në krahë në Osojan. Ishte zgjatur edhe më shumë nga ç’ishte kur ishte i gjallë dhe rrobet i kishte tërë copra dheu e tërë pluhur… Domosdo ashtu do t’i kishte, se prej vorrit ka dalë…

- Ore po thonë se e kanë parë edhe në Kostare, - thoshte një tjetër, - veç jo me tri pushkë, por me një mitraloz nga ata që kanë mbetur prej luftës me gjermanët në vitin 1945… Por, për çudi, thonë se ishte më i shkurtër nga ç’ishte kur ishte gjallë… Çudi, çudi, një herë zgjatet e një herë shkurtohet, por trimërinë nuk e paska humbur!…

Një i tretë thoshte:

- Për njatë bukë që ha e më ngectë në fyt, thonë se Rizanë e kanë parë një natë pa hënë mu te varrezat, tamam njaty ku e kanë varrosë…

Ndërsa Zef  Përpali, ndërkohë që po rrëkëllenin gotat me shlivë, u tregonte nja dy-tre bashkëfshatarëve se thoshin që Riza Gurabardhin e kishin parë një natë me hënë tamam te muret e rrënuara të shtëpisë së tij… E aty paskej vendosur një mortajë…

Armët që “mbante” Riza Gurabardhi zmadhoheshin pak nga pak: nga pushkë, bëheshin mitralozë e pastaj mortaja… Ndoshta ishin bërë edhe topa e tanke, por këto “nuk i kishin parë ende” e nuk kishin dëgjuar gjë për to…

Thashethemet “thonë ashtu e thonë kështu” u përhapën jo vetëm në Osojan e Kostare, por edhe në Prekaz, në Bogaçe, në Tushe, në Memce e Devran…

Këto shkuan edhe në veshin e Zoran Çoviçit, i cili thoshte me mburrje:

- Hë, gënjeva unë që thashë se Riza Gurabardhin e pashë të gjallë në Suharekë? Jo, se qeshnit e thoshit “ka shkalluar Zoran Çoviçi. Paska parë të gjallë një të vdekur!…” Po tani çfarë do thoni për Zoranin?

 

Një ngjarje që tronditi familjen Çoviçi

 

Gjithë sa thuheshin e fliteshin poshtë e përpjetë, e vunë në dyshim Zoran Çoviçin: “Është ngjallur vërtetë Riza Gurabardhi? Unë as kam parë, as kam dëgjuar të ngjallet ndonjë prej të vdekurve tanë… Apo… Mos këta shqiptarët ngjallen, siç thonë, lugat?!… Mos Riza Gurabardhi ngjallet lugat natën e futet përsëri në mëngjes në varr?… Po unë në Suharekë më duket se e pashë ditën… Apo dita ishte në mbarim?… Po, po, kishte rënë mbrëmja… Çudi, çudi! Do bëj një provë…”

Një mëngjes, ende pa u çuar nga krevati, Zorani i tha së shoqes:

- Jovankë, ku e kemi atë kazmën e re, që e blemë para një muaji?

- Në pelvicë, në atë arkën ku ke veglat e tjera.

- Po lopatën e madhe?

- Prapa arkës. E përse të duhen?

- Diç do bëj me to sonte, sapo të vijë mesnata, kur të gjithë njerëzit janë në gjumë të thellë e nuk më shohin dot…

- E çfarë do bësh natën?!

- Nuk ta them.

Jovanka u çua ndenjur në krevat, i nguli sytë të shoqit dhe i tha tërë nerva:

- Ou! E kujt ia thënke kur nuk m’a thua mua? Ndonjë gruaje tjetër?…

- Ç’flet, moj! Ç’gruaje tjetër më thua!

- Po atëhere, pse nuk më thua ç’do bësh sonte në mesnatë me kazmë e me lopatë?

Zorani u zu ngushtë dhe, deshi s’deshi, i tha:

- Dëgjo, po sekret ama! Se mos ia thuash ndokujt!

- Bah, - ia bëri Jovanka, duke u shtrirë përsëri pranë të shoqit tepër kureshtare. - Qafsha ty që këtë mbrëmje po fola me tjetër njeri!

- Që thua ti Jovanka ime, sonte në mesnatë do shkoj të hap varrin e Riza Gurabardhit, të shikoj në është atje apo nuk është. Po qe se është, do shikoj nga del ai lugat dhe do t’ia ze vrimën, që t’i dalë shpirti edhe njëherë tjetër… Edhe po qe se nuk është, atë vrimë nga hynë e del, do t’ia mbyll me gurë e me baltë, që të mos hyjë dot më e ta kapim në mëngjes. Se ai natën del e hynë. Kështu thonë për lugetërit…

Jovanka e dëgjonte krejt e habitur. Ajo nuk e kishte njohur për aq trim burrin e saj: të matej me lugetërit në mesnatë?! Hajde trimëri, hajde! Si u mendua pak e pyeti:

- Vetëm do shkosh?

- Vetëm, se, siç të thashë, nuk dua ta marrë vesh njeri.

- Po sikur të të dalë përpara lugati Riza Gurabardhi?

- Do ta qëlloj në kokë me kazmë ose me lopatë, me ç’të më ndodhet në dorë, dhe do ta varros për së dyti, - u trimërua para së shoqes Zoran Çoviçi.

Jovanka iu afrua edhe më tepër të shoqit dhe filloi të fjalosej me mendt e veta: “Nuk e paskam njohur Zoranin tim. Ky qenka ç’qenka! Hë, kur ta shohë ai lugati Riza, do të vdesi edhe njëherë nag frika, pa e prekur Zorani im as me kazmë, as me lopatë…” , pastaj  qeshi instiktivisht, duke lëshuar edhe pak zë.

- Pse po qesh? - e pyeti i shoqi.

- Qesh, se po mendoj si do katandiset lugati Riza Gurabardhi kur të takohet me ty te varrezat… Si thua, Zorani im, qysh vdesin lugetërit?

- Nuk e di, s’e kam provuar…, - ia ktheu Zorani dhe qeshi. Qeshi edhe e shoqja. - A po çohemi Jovankë? Hajde, se kemi gjithato punë për të kryer! Po, pa më thuaj, kush është e para.

- Zhdukja e lugatit, - ia ktheu Jovanka.

Gjithë kjo bisedë u zhvillua në një hare që nuk ishte parë ndonjëherë tjetër në familjen e Zoran Çoviçit.

U ngritën. Zorani, pa larë ende fytyrën, u sul drejt plevicës, gjeti kazmën e lopatën, i mbështolli me një zhakë të vjetër dhe i pështeti te qoshku, që t’i kishte gati për në mbrëmje, kur do të kryente “aksionin” trimëror në varrezat e shqiptarëve. Kurse Jovanka bëri gati mëngjesin me një kënaqësi si kurrë më parë.

Kur Zorani u kthye nga plevica, e gjeti tavolinën shtruar. I kënaqur nga ky përkushtim i së shoqes, ai i lëshoi kalimthi një të puthur në faqe, pastaj i këndoi edhe një këngë me thumba brenda:

 

Jovankë, moj Jovankë,

Sot po më çudit,

Do isha i lumtur,

T’ ishe e tillë për ditë…

 

Jovanka u zemërua dhe i tha:

- Pse, si jam ditët e tjera?!

- Shshsht, se bëra shaka, - ia ktheu Zorani, - po hajde të hamë tani e të nisim nga punët që kemi nëpër këmbë!

Midis tyre u vendos “paqja” dhe e hëngrën mëngjesin pa thënë asnjë fjalë.

***

Zorani u nis për në qytet të blente një ilaç kundër buburecit, që po i dëmtonte perimet. Jovanka u kreh e u vesh nxitimthi, skuqi buzët përpara pasqyrës dhe spërkati rrëzat e veshëve dhe gjirin me një parfum që të shponte hundët. Ndërsa kryente këto veprime, fjalosej me vete: “Uh-uh, çdo të ndodhë sonte në mesnatë!… Do shkoj t’ia tregoj Dragicës. Kushedi sa do kënaqet. Po ama do t’i them ta mbajë sekret, siç më porositi Zorani, të mos ia thotë askujt. Sekret, sekret… Uh-uh, çdo të vejë!”

U nis duke ecur si ndonjë patë çalamane që kërkon të arrijë shoqet kur shkojnë në kullotë… Te Dragica arriti e djersitur dhe me frymëmarrje të rënduar. Ende pa u ulur, i bëri shenjë t’i afrohej e i tha pranë veshit:

- Do të të them një diçka me zë të ulët, që të mos na dëgjojë askush, po sekret ama! Kur them sekret-sekret, kuptove?!

- Kuptova, si s’kuptova, - i tha Dragica, e cila mezi priste ta dëgjonte sekretin, që do i thuhej me zë të ulët e pranë veshit.

Dhe Jovanka ia çkoqiti të gjitha, një për një, ato që do bënte atë pasmesnate te varrezat e shqiptarëve Zorani i saj trim. Dragica kukurisej e ia bënte: “Uaaa-ua, sa po më çudit! Sa trim i guximshëm po më duket tani Zorani yt!”

Jovanka u ngrit të ikte, pa pritur as të qerasej dhe, kur ishte në të dalë te porta e oborrit, duke vënë gishtin tregues te buza, e porositi edhe një herë:

- Pssst, e di vetë ti, motra Dragicë: sekret, ë, sekret!

- Uaaa-ua, ja! - ia ktheu Dragica duke kapur të dy buzët me gishtërinj.

Kështu, Jovanka që “e ruajti” vetë sekretin e të shoqit, u sigurua se Dragica do ta qepte gojën. Mirëpo, sapo Jovanka u zhduk në rrugicën që e çonte në shtëpinë e saj, Dragica mori rrugën për te Sllavica dhe ia zbrazi “sekretin” me një frymë. Dhe pastaj vazhdoi zinxhiri i zakonshëm: Sllavica te Sllobodanka, Sllobodanka te Mirjana dhe Mirjana te Besa e Rifat Bajramit. Domosdo Besa s’mund të rrinte pa ia thënë Rifatit. Ajo llafosi me vete e tha: “Si më tha Mirjana? Të mos e marrë vesh askush këtë sekret të Zoranit! Po Rifati nuk është “askushi”, ai është im shoq, është kreu i familjes. Posi, moj, posi, të ruaj sekretin e Zoran Çoviçit nga Rifati im!” Kështu që Besa ia tha fije e për pe të shoqit, siç ia kishte thënë Mirjana. Dhe Rifat Bajrami i hipi përsëri kalit dhe mori rrugën për të Shkëmbi i Shqipes, që të lajmëronte mikun e tij, Riza Gurabardhin (Karadakun), për ato që do të bënte Zoran Çoviçi atje ku ishte “varrosur” Rizai familjarisht.

***

Zorani u kthye pasdite nga qyteti me ilaçin antibuburec dhe nisi të spërkaste perimet. Në të vërtetë vetëm me duar punonte në kopsht, se mendja i punonte gjetkë, atje ku do t’i bënte hatanë Rizait…

***

Mbrëmja pllakosi me disa copëza të mëdha reshë gri, të cilat shetisnin nëpër qiell sipas qejfit të erës dhe e fshihnin hënën e re si drapër, duke bërë që ajo të fekste rrallë e më rrallë e të mos ndriçonte siç duhej.

Jovanka përgatiti darkën dhe, duke vënë pjatat në tryezë e duke shikuar herë pas here nga dritarja, i foli të shoqit me kujdes, që as të mos e stepte e as të mos e nxiste:

- Qielli ka ca si shumë re… Do të shikosh dot në varreza të kryesh atë punën që the?

Ai filloi të hante si me përtesë dhe, pasi kapërxeu dy-tri kafshata, e shtyjti pjatën tutje, gjë që tregonte se nuk donte të hante më. I ishte prerë oreksi. Ndërsa  mbllaçitej, i  tha së shoqes:

- Do të shkoj, do të shkoj, se më nxit inati që kam për atë lugatin shqiptar!… Sa është ora Jovankë?

- Po shkon 11 e natës. Ha edhe pak, ha, pse e le ushqimin?!

- Nuk më hahet, se m’u kujtua hapja e varrit të Riza Gurabardhit… Hëm, ka për të m’a paguar frikën që më futi në Suharekë!

U ngrit, shkoi në pelvicë dhe mori kazmën e lopatën.

- Po nisesh, Zoran?

- Ika, se është errësirë e më duhet gati gjysmë ore të arrij në varreza.

- Merr një fener, që të shikosh edhe rrugën, edhe kur të punosh atje.

- Ç’thua, moj Jovankë! Nuk duhet të më shohin. Feneri bën punën e spiunit, më kallzon.

- Si të duash, si të duash… Të shkoftë mbarë!

Zoran Çoviçi hodhi veglat në sup dhe u nis. Gjatë rrugës diç iu kujtua dhe pyeti veten: “Ou, si nuk më vajti mendja që atje janë pesë varre të familjes Gurabardhi?! Si do ta gjej cili është i Rizait? Boboooo, po nuk takova menjëherë tek i atij lugati, do të më duhet t’i hap të pestë dhe nuk mbaroj dot as në mëngjes… Po mbase u kanë shkruar emrat nëpër pllaka guri… Edhe po t’i kenë shkruar, si do t’i lexoj në errësirë?…”

Ndërkohë kishte hyrë në varreza. Atë ditë që ishte bërë “varrimi” i Rizait e familjes së tij, Zorani kishte kundruar me kujdes e me një entuziazmë të rrallë, ndaj e kishte të fiksuar fare mirë vendndodhjen. U afrua dhe çmbështolli zhakën ku kishte veglat e punës. Mori kazmën në dorë dhe u afrua te “vendvarrimet”. I shikoi me radhë me vështirësi nëpër errësirë, qëndroi pranë njerit e i tha vetes: “Ja, ky duhet të jetë Rizai, se është më i gjati ndër të gjithë…” dhe, pasi ngriti kazmën lartë, tha: “Prite Zoran Çoviçin, o Riza Gurabardhi!” Por, sapo kazma ra mbi tokën e shkrifët e u ngrit përsëri lartë, që të godiste për së dyti, u dëgjua një zë, i cili dukej sikur dilte nga ndonjë shpellë e nëndheshme:

- Moooos, Zoraaaan, moooos!

Zoranit i ngriu kazma në ajër. Hodhi vështrimin rreth e rreth tërë frikë e tha: “Ç’qe ky zë?! Nga erdhi?! Apo më bënë veshët?!…” E, ndërsa rrotullonte shikimin mbi hapësirën e madhe të varrezave, diku tutje, nja 15-20 metra, u shfaq një dritë qiriu që ndriçonte një siluetë e cila Zoranit iu duk e stërmadhe. Gjysma e fytyrës së siluetës ishte në errësirë të plotë, ndërsa gjysma tjetër ndriçohej nga qiriu. Zorani e vërejti me tepër vëmendje gjysmëfytyrën e ndriçuar dhe “obobo!” Ai ishte Riza Gurabardhi dora vetë. “Lugati!” tha Zorani me zë të mekur, duke u dridhur si të ishte me ethe. Lëshoi kazmën në shesh dhe u nis me vrap drejt daljes së varrezave. Në vesh i jehonte zëri i “lugatit”, që sa vinte e largohej më shumë:

- Do t’i paguuuash krimet, Zoraaaan! Na shkrumbooose, Zoraaaan! Zooo…raaaan!…

Dalëngadalë zëri i Rizait u shua në veshët e Zoran Çoviçit. Ai nuk po dëgjonte më asgjë. Ishte rrëzuar përtokë dhe “po shetiste” nëpër një lulishte të madhe mbushur me bozhure, me trëndafila e lule të llojllojshme plot ngjyra të bukura e aroma të këndëshme… Ndërsa Riza Gurabardhi, “lugati” që trembi Zoranin, hipur përmbi kalë e me cigare në buzë, po udhëtonte drejt Shkëmbit të Shqipes, për atje ku thirrej “Riza Karadaku”.

***

Jovanka, pasi kishte fjetur goxha, u zgjua dhe pa orën. Kishte kaluar ora tre e natës dhe Zorani nuk ishte kthyer ende në shtëpi. “Po ky ç’bën, pse u vonua kaq shumë?!” tha me vete, pastaj u shtri përsëri dhe, duke ndërruar krahun, tha: “Oh, le të bëjë ç’të dojë. I ka shkrepitur të luftojë me lugetër, le të luftojë…” Pas pak e zuri gjumi përsëri, por edhe kur u zgjua në mengjesin e së nesërmes, përsëri Zorani nuk ishte kthyer (!) Kjo ishte çudia më e madhe për Jovankën, po edhe frika e shqetësimi më i madh. Dhe, ndërsa po vishej me nxitim, pyeti veten:  “Ç’u bë ky njeri?!” Doli në verandën e shtëpisë, të cilën e kishin në kodrën karshi varrezave të shqiptarëve dhe mbeti e shokuar: drejt shtëpisë së saj po vinte një grumbull i madh njerëzish që mbanin në krahë një njeri. Ç’ishte ai njeri?! Kur turma ishte nja dyqind metra larg, Dobrica Drazheviçi thirri:

- Hapi dyert e shtëpisë, o Jovankë, se po të sjellim  Zoranin të pajetë! E vrau lugati, po ne nuk do vonojmë e do rrokim armët!…

Jovanka nuk e duroi dot lajmin e hidhur e të papritur dhe u rrëzua në verandë. I ra të fikët. Shoqja e ngushtë  e saj, Dragica, shkoi me vrap dhe e përmendi me ca shuplaka e duke i hedhur ujë në fytyrë. Kur erdhi disi në vete, Jovanka dëgjonte si nëpër humbëtirë  ato që i thoshte Dragica:

- E mjera ti ç’të gjeti! E mjera ti si do ta rrisësh Radkon, që nuk i ka mbushur akoma të dymbëdhjetat! E mjera ti si do shtrihesh këtu e tutje e vetme në krevat! I mjeri Zoran që vdiq nga një lugat! Pse e le të shkonte në varreza natën, o e mjera ti!

Jovanka rënkonte pa rreshtur dhe, kur e mori veten ca më mirë, filloi t’i fliste  Dragicës:

- Drag…icë, moj…motra Dragicë! I thashë të mos…, të mos shkonte, moj motra Dragicë, po nuk më dëgjoi, se ishte… ishte trim Zorani im! Ah, oh, uf, moj mot...motra Dragicë!

***

Që Zorani të mos varrosej pa marrë vesh se si vdiq, për të ditur nëse e kishin goditur, e kishin mbytur me duar, i kishin bërë ndonjë shiringë helmuese apo diç tjetër, u thirrën disa mjekë. Për të dalë sa më saktë e vërteta, e çuan edhe në spital dhe i bënë autopsinë.

Doli që i shkreti Zoran kishte vdekur nga pushimi i zemrës. As ishte prekur fare prej  ndokujt. Kjo hapi shumë biseda, të cilat filluan atë ditë e nuk dihet se kur mbaruan… Apo ndoshta s’kanë mbaruar ende, edhe pse kanë kaluar dhjetra e dhjetra vjet?…

- Këtë vrasje do ta paguajnë shqiptarët! - tha Vojislav Petkoviçi në shtëpinë e Zoranit.

- Mirë, mirë, por… doli që Zoranin nuk e kishte vrarë askush, kishte vdekur prej zemrës i shkreti, - tha Zllatan Dejanoviçi, që nuk i kapërdinte dot këto sajesa.

- A nuk vdiq prej zemrës në varrezat e shqiptarëve?! Domethënë vdiq prej shqiptarëve, s’ka rëndësi në ishin të gjallë apo të vdekur ata që e bënë t’i pushonte zemra… Por ti, Zllatan, je bërë ca si shumë mik me shqiptarët…

- Miq i kam e mik më kanë, se nuk i kemi bërë agjë të keqe pala-palës. Ata në punë të tyre e unë në timen.

- More, po nuk u mor vesh, ç’deshi Zorani te varrezat e shqiptarëve? - pyeti dikush nga të pranishmit.

- Pse, e ndaluar është të shkosh në varreza?!

- Po pse natën?!

- E pse të mos shkonte natën?! Mos ka ndonjë ligj që duhet të shkosh vetëm ditën?…

- Ata e vranë, ata! Shqiptarët!

- Ata!

- Ata!

- Të rrokim armët!

- T’i varim!

- T’i djegim!

- Kosova është e jona!

- T’i shfarojmë!

- Këmbë shqiptari të mos mbetet! Asnjë, asnjë!

- Asnjë shqiptar këtu!

- Asnjë shtëpi!

- Asnjë!

- Asnjë!

Një pjesë e tyre flisnin si të marrët, duke nxjerrë stërkala pështyme nga goja e disa të tjerë kërcëllinin dhëmbët, si qentë ndër kocka.

Lubomiri i vogël, kur dëgjonte këto i kujtoheshin shokët e tij të mirë, Pali dhe Elezi, zinte veshët me duar, vraponte jashtë e futej në plevicë që të fshihej e të mos dëgjonte më çmenduri të tilla.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora