E marte, 30.04.2024, 07:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Liman Zogaj: Loja mbi gurë (V)

E hene, 17.01.2011, 08:27 PM


LIMAN ZOGAJ

 

LOJA MBI GURË

 

- Poezi-

  

NËPËR DALLGË DASHURIE

 

(Zbrazët)

 

ALGE E BLERTË NË GUR 

 

Unë jam personazh te „Titaniku“

Që lutesha

Të shterin detet

Të bëhem alge e blertë në gur

 

Unë jam stalaktit i zvarrë

Edhe stalagmit i thyer furtunave

Duke i brejtur me dhëmbë shekujt

Deri te puthja prej flake

 

Unë jam në Detin Marmara

Duke e kërkuar dashnoren syshkruar

Ikur nga dasma

E martuar me valët

 

Unazën 585 e le të varur

Te lisi i thyer

Të njomur me lotët e turbullt

Dhe bëhem alge e blertë në gur

 

 

KAM FRIKË

 

Kur ec

Udhëve me kalldrëm

Le të thyhen taket

Në hapin e gabuar

 

Kur ka erë të fortë

Kam frikë

Mos t’i merr gërshetat

E bëhesh ylber

 

Sonte

Lutem të bjerë shi i madh

Nëpër dritën e vetëtimave

Ta gjej emrin te porta prej druri

 

Kam frikë

Se vërshohen fushat

Na humb kashtën nën qershi

Atë shtratin e kujtimeve

 

Kam frikë

Se nuk takohemi

As në Detin Marmara

E rrënohet Ura e dashurisë

 

 

I NDEZA DY KANDILA

 

Pres të pres

Kur do të trokasësh në portë

Më zuri frika se ke humbur udhën

I ndeza dy kandila për dritë

 

As natën e dytë nuk erdhe

E kujtova fatin e Rozafës nën gurë

Njëmijë herë u luta

Ta shuash etjen te Ura e Fshejtë

 

Sonte pres e dridhem

Kam frikë

Për kohën kur duheshim dikur

Dhe i ndeza dy kandila për dritë

 

Kam frikë

Se mos po ngujohem

Nën strehë

Rituar nga riga loti

 

 

UNË DHE LULJA

 

Lule mori lule

Sa mirë paske çelë

Po në shpirtin akull

Pse s` vjen pranverë

 

Lule mori lule

Pse ke ra për dhe

Isha me buzëqeshje

E buzëqeshja m’u pre

 

Petalet t’i mblodha

U bëra pelin

Plagë e trup i paske

Si Atdheu im

 

 

METEORI I DRITËS

 

Do shtëpi përdhese

Mbuluar me terr

Mësuesi meteor

Kërkonte pranverë

 

Shkollës i hap portat

Të mbushën plotë dritë

Mësuesi meteor

Në diell i mban sytë

 

Udha si në ferr

Mbi lumë asnjë urë

Mësuesi meteor

Nuk pajtohej kurrë

 

Përtej do shkëmbinjve

Të qarë si me thikë

Mësuesi meteor

Shikonte do dritë

 

 

NËPËR DALLGË

 

Kënga e gurrës përkëdhel malet

Ecja zbathur në atë gur

A e sheh biondinën time

Dy gërsheta i mban mbi shpinë

 

Më tej deti plot me dallgë

Lot i rëndë më ra në sy

Mos je bërë nuse me valën

Mos po luajnë këto dallgë me ty

 

Si fëmijë i lemerisur

Kur me vaje të thërret në emër

Në atë gurin në buzë të detit

Krejt memec por thirra zemër

 

Ushtoi deti shkrepat malet

Zëri yt jehonë në qiell

Kur thirre shpirt e zemër

Ikën retë e doli diell

 

 

BRIGJET

 

Mbrëmë të prita

Thashë

Mos është rrënuar ura

Që lidh brigjet

 

Statujë e gjallë u bëra te pragu

Vetmia u bë shungullimë nate

Kujtoj fatin e Rozafës

Nën gurë

 

Të pres

Edhe një shekull

Kam frikë

Se ma vret dashurinë

 

 

ME DRITËN E YJEVE

 

Në urnën e parë

Bukuria e jote

Dhe malli im

Bleroheshin nga hiri

 

Sot e mësova

Në takimin me ty

Prushin e zjarrit

Flakën e dashurisë

 

Mos ik syzeza ime

Harrimi është krejt si vdekja

Vetëm hijet bëhen portrete

Me anemi në buzë

 

Sy me sy

Takohemi

Në planetin

As tokë as diell

 

 

E DI SE

 

Mos e lexo

Biografinë e Van Gogut

Bota dëgjohet edhe me zemër

E di se në vetmi bëhesh hiri

I shpirtit që digjet

 

Në shtratin e blertë

Rritet lulja e kujtimeve

Me lot e mbush akuariumin

Të notosh nëpër valë dhimbjeje

 

I nënshkruaj edhe dy vdekje

I thyej edhe oazat e gëzimit

Vetëm

Të bleroshet lulja e dashurisë

 

Ndoshta shtrigat e natës

Të morën në lojë

Buzëqeshjet

Nëpër vërshime dallgësh

 

 

NËPËR DALLGË DASHURIE

 

Nuk e di

Cilat nota t’i shkrehi

Në pentagramin

E këngës së vajtimit

 

Cilat fjalë t’i them

Kur nuk je në kullë

As nuk pëshpërit

Për vetminë dhe parajsën

 

Mos më shpëto

Edhe nëse mbytem

Duke e kërkuar unazën e këputur

Nëpër dallgë dashurie

 

 

A JE

 

A je zog

Te lumi i thatë

Apo ku e mësove

Heshtjen e këngës

 

A je lule

Apo fotosinteza e dritës

Ta bëri bukurinë

Krejt nur

 

A je ylber

Apo ku e mësove

Zërin e gurrave

Ku shkrehen dashuritë

 

A je rrufe

Apo ku i mësove

Krismat e gëzimit

Kur lindin foshnjat

 

A je engjëll apo ...

 

Pse ma mësove

Dhimbjen

Dhe ofshamën për ty

 

 

DIALOGU  I  FUNDIT

 

Më shikon në sy

E  thua me inat

Nuk jam e bukura e dheut

Dhe ik

 

Lufto

Derisa të thyhen shpatat

Dhe lidhemi me kërpnaja malesh

Unë humb si hije

 

Gabim

Njëmijë herë gabim Besa

Kurrën e kurrës s’ të le

S’ kam parë bukuri më qiellore

Dhe u shkreha në gaz

Në buzëqeshje diellore



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora