E marte, 30.04.2024, 09:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhmije Çerkezi: Agim Çavdërbasha, skulptori i plagëve të Kosovës

E diele, 16.01.2011, 07:13 PM


Agim Çavdërbasha, skulptori i plagëve të Kosovës

 

Nga Nexhmije Çerkezi

 

Agim Çavdërbasha u lind në Pejë në vitin 1944. Më vitin 1969 u diplomua në degën e skulpturës në Akademinë e Arteve në Beograd, në klasën e prof. V. Vujisiq.

 

Kreu studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Lubjanë, në klasën e prof. Zdenko Kalin, më vitin 1971. Në vitin 1970 u bë anëtar i SHAFK dhe mori pjesë në të gjitha ekspozita t e saj. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve figurative në Prishtinë. Ka hapur shumë ekspozita personale dhe kolektive në vend dhe jashtë vendit. Është shpërblyer me shumë çmime dhe radhitet një ndër skulptorët më të mirë.

 

Vdiq më 20 tetor në Prishtinë.

 

Skulptori Agim Çavdërbasha, në fushën e krijimtarisë dallohet me një veçanti karakteristike, me një shprehje e cila mbështetet në format karakteristike të rrumbullakuara mjeshtërisht, të modeluara me një frymë origjinale. Një interpretim i veçantë na paraqitet në veprat e tij “ Malësori I “dhe “ Malësori II “, ku na paraqiten fytyra të vrenjtura, të degdisura nga jeta e vështirë malësore, vjen në shprehje përmes potencës së brendshme shpirtërore, me çfarë arrin ta rrumbullakoj tërësinë artistike përmes këtyre formave aq gracioze të materializuara aq mirë, me tekstura e struktura të llojllojshme, me një laramani vijash, formash që vijnë si një perigon i hapur.

 

Po ti shikosh mirë ato detale të nxjerra, qoftë vetullat apo mustaqet, na bën të kuptojmë që kemi të bëjmë me një fabul shqiptare, të shkoqitur nga jeta malësore që autori e përcjell tradicionalen në atë modernen, në një mënyrë aq kreative sa që të bën

 

të krijosh një lidhje të brendshme me këto vepra dhe të ngërthejnë në imagjinatën e autorit, që të ngjallin emocion.

 

Një vepër tjetër që paraqitet mjaft interesante, është “Rrahmani”, një portret me elemente tipike shqiptare, ku ato mustaqet janë aq madhështore dhe plot sharmë, përmes së cilës spikat atë burrërinë shqiptare, qëndrimin dinjitoz të malësoreve të paluhatshëm; krenarinë, vuajtjen dhe qëndresën e tyre, që në fakt i nxjerr në pah vetëm përmes disa elementeve, por që i japin frymë veprës, e bëjnë më të fuqishme, dhe më të qëndrueshme.

 

Veprën e sendërton edhe tonaliteti i hijezimit të dritë-hijes që kacafytet me gjithë ato detaje të vogla e të mëdha, të strukturuara, të materializuara aq mirë sa na bën të kuptojmë se kemi të bëjmë me një artist të skulpturës moderne bashkëkohore shqiptare, i përkushtuar me një qasje dhe materializim modern.

 

Me një mjeshtëri të rrallë autori paraqitet edhe në veprën “Gratë e Lybeniqit”. Aty vërejmë një turmë grash, të cilat i kanë të fiksuar sytë e shpuar, që mbase të duket se janë të drejtuar drejtpërdrejtë shikuesit. Autori i ka modeluar aq mirë figurat e këtij kompozicioni përmes së cilës edhe përcjell plagët e popullit të Kosovës , ku përmes disa syve të shpuar ndeshemi me një kohë të vrazhdët, të pamëshirshme, të dhunshme që ngulitet thellë në mendjen e njeriut, dhe që mbase nuk të lejon të harrosh aq lehtë.

 

Në veprën e tij “ Sofra ” autori mbase fikson sofrën skamnore shqiptare, ku autori zhytet në vorbullën e përditshmërisë skamnore të asaj kohe, të humbur dhe të gërryer nga vullneti dhe jeta e vështirë. Ai arrin të përcjellë mesazhin përmes ketyre figurave, qoftë edhe pa hyrë thellë në detaje. Mjafton të shikosh pritjen e tyre në sofër, duart e tyre të lidhura kryq, heshtja e tyre e vranët, dhe ajo që mbase e sendërton veprën është paraqitja e sofrës shqiptare, e modeluar aq mirë, që autori na paraqet aq drejtpërdrejtë një ndjeshmëri shpirtërore mbi vuajtjen e popullit të vet. Ai sendërton figurat dhe nga një figurë magjepse arrin ti bashkojë në një trup dhe këtë më së miri e vërejmë tek vepra “ Përqafimi”, ku shohim një raport mahnitës që përcjell autori në lojën e këtij kompozicioni, të përcjellë me format e rrumbullakuara, të shkrira në kompozicion por të ndara në figuracion. Apo edhe në veprën “Familja” ku paraqiten figura të bashkuara, përthekimi i figurave ku autori fikson familjen, që mbase kjo është ajo që i jep shtytje autorit, një fuqi magjepsëse shpirtërore.

 

Këto forma të punuara në dru vidhi janë të nxjerra aq mirë, të modifikuara dhe mbase autori me një aksent të theksuar, sipër këtyre dy figurave na nxjerr në pah përqafimin prindëror. Diçka që zbulon rrënjët e shpirtit, që paraqitet edhe në veprën “Peja” andej edhe nga na vjen vetë autori, ku formë pas forme të krijuar dhe të modeluar me dru arre , autori ngulit gjurmët e saj. Pastaj interesante duket vepra ” Rahovecianët ” ku autori sendërton portretet e tij prej mermeri, pak të njëjtësuar me figurën e njëri-tjetrit por shumë interesante.

 

Pra, nga kjo që u tha më sipër, mund të konkludohet se autori zë fill tek rrënjët shqiptare, qofshin ato historike apo tradicionale. Në këtë frymë, në veprën “Zogjtë (Kosova)”, të punuar në mermer në mënyrë aq artistike, por edhe domethënëse, autori paraqet një balancë kohe mes vuajtjes dhe lirisë. Këto figura na duken aq brilante, por në të njëjtën kohë edhe të heshtura, të mbyllura, ku autori na paraqet një kohë gjysme të verbuar, por duke e studiuar dhe e modeluar aq mirë në formën artistike.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora