E merkure, 01.05.2024, 01:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Vjedhësit e erës

E shtune, 15.01.2011, 08:21 PM


Tregim nga Bahri Myftari

 

Vjedhësit  e erës       

 

Qyteti ynë, tashmë, jeton vetëm ndër kujtime, në ca pamje të rralla filmike dhe, më e shumta, nëpër fotografi private. Shumë nga bashkëqytetarët tanë janë larguar. Disa kanë shkuar larg, në të katër anët e botës, por më të shumtit kanë përzgjedhur Limasin, një fshat, që shtrihet nën këmbët e ish-qytetit tonë. Mua, si dhe shumë të tjerëve, nuk na vjen hiç mirë që ai copë fshat, dikur vend qershish, kumbullash dhe tokë goxha pjellore po zgjerohet dhe zbukurohet, si me qenë, i përkëdheluri i perëndisë. Dhe janë pikërisht bashkëqytetarët e mi të dikurshëm, që e lindën atë, që e rritën e po e rritin dita-ditës, që e kthyen nga një fshat i humbur, që s’i gjendej kund emri në hartë, në një qendër të rëndësishme, plot vitalitet. Veç tyre, krahëve dhe mendjeve të reja, pra, veç kësaj pasurie njerëzore, kanë dhënë kontribut dhe pasuritë materiale që zotëronte qyteti ynë i vjetër dhe rrethinat e tij si burimet e uji i pijshëm, një ujë qelibar, i shëndetshëm dhe i rrallë, sa, siç tregojnë gojëdhënat, dikur, mbretër dhe princër nga tërë Ballkani,madje edhe mbretëresha e Anglisë, dërgonin karvanët për t’u furnizuar me atë ujë hyjnor. Po i  të njëjtës rëndësie  janë edhe pyjet, edhe gëlqerja e pastër, po edhe ato pllakat e pastra të mermerit…Fabrika moderne si ajo e filtrimit dhe e tregtimit, apo ajo e mobilieve dhe ornamenteve prej druri, pa lëre atë, gati kombinat të përpunimit të mermerit, e shtënë në dorë nga një firmë e huaj, fillimisht pako gjë, por që tani, prodhimet e saj, pllakat plot ngjyra dhe forma tregtohen deri në Spanjën e largët. Këto, dhe shumë të tjera, mund të ishin ngritur në qytetin e vjetër. Ekologjikisht ky ambient industrial do të ishte më i shëndetshëm, pa do të ishte ruajtur edhe fusha e bekuar për prodhimet bollshme, për frutikulturën e pashoqe e, mbi të gjitha, nuk do të cenohej historia, identiteti i qytetit të vjetër, do të respektohej dhe do të vlerësohej aftësia dhe mençuria e të parëve tanë që, qindra vjet, apo shekuj të shkuar, patën vendosur themelimin e atij qyteti sipër në kodër…

 

Ata, që e justifikojnë shpërnguljen e qytetit të vjetër, përveç interesave të vogla që i lidhin me këtë të riun, rreken të argumentojnë publikisht se shkak na paska qenë era, era e fortë, e madhe që fryn e fryn, pa pasus kufij stinësh! Në të vërtetë, po të qe për fuqinë dhe egërsinë e erës, qyteti ynë mund të quhej pa frikë qytet kampion! Me thënë të drejtën, ne nuk krenoheshim me të, përkundrazi, në biseda të rëndomta nëpër kafene a ambjjente të tjera publike,në rastet kur na mblidhte gëzimi a hidhërimi,bënim ç’bënim e shpinim bisedën te era,erë e egër,e sertë e mallkonim, e shanim, ankoheshim. Kaq, vetëm kaq! Jeta vazhdonte, vazhdonte pa u shqetësuar seriozisht për erën, ngaqë e dinim, se ajo, vërtet na shqetësonte  në dimër, por, nga ana tjetër, fillonte pranvera, vera e nxehtë e deri në gjysmë të vjeshtës, nuk i shihje kujt bulëz djerse. Mirëpo, dikush na i paskësh marrë seriozisht ato mallkimet dhe ankesat tona! ”Dikush” them dhe e them kot,në të vertetë ai ”dikushi’ na qe vetë qeveria,që nxori një vendim,ku shkruhej e zeza mbi të bardhë se ne, qytetarët e atij qyteti të vogël, duhej të shpëtonim nje sahat e më parë prej asaj fatëkeqësie. Dikur, nja katër-pesë vjet më parë, pikërisht atëherë nisi edhe e keqia jonë. Një ekip, i drejtuar nga një ministër, të cilit i patën vënë nofkën Minoli, i mirënjohur për arrogancë karshi vartësve, por servil i pashembullt ndaj eprorëve, vizitoi qytetin tonë. Një vizitë sa për të thënë, sepse frymën e mbajtën tjetër kund. Shkuan për te burimet. Aty, një fshatar i porositur, u pruri një mish në hell, raki dhe verë. Mbasi u dendën së ngrëni dhe së piri, dolën në kodrën më të afërt. Kishin ardhur në qejf, por i kishte rënduar ushqimi. Ndërkaq, me t’u përballur me erën, që aty, në majë të kodrës, ishte zonjë e vendit, u pushtuan prej freskisë. Kjo qe kënaqësi e madhe, dehëse, aq sa Minoli hoqi kapelën, një republikë verore, dhe i ftoi të tjerët t’ia merrnin, fillimisht njërës prej atyre këngëve të krahinës së vet, çuditërisht, me tekst trimërie.Kaq sa për fillim, se më pas u kënduan këngë dashurie,ndërkaq edhe erotike,siç ishte ajo që i këndohej një nuseje të re që shtihej e sëmurë në shtrat me burrin e vet,pasi epshet seksuale i pati këmbyer me dashnorin gjatë ditës, thellë në pyll. Ministri e pëlqeu aq shumë, sa refrenin e saj,e përsëriste vend e pa vend. Kënga solli këngën. Po errej, era e shtoi fuqinë, fuqinë dhe egërsinë. U ngritën. Tamam në atë çast, sapo Minoli vuri kapelën në kokë, era shfryu e shfryu tërësisht kacekun, ia rrëmbeu atij kapelën nga koka dhe ia rrokullisi me sa fuqi teposhtë. Dikush vrapoi pas saj, por ai e ndaloi.

 

- Lëre, - i thirri, - lëre…atje ku do të ndalojë ajo rrokullisjen, atje do të vendosim piketat e qytetit të ri!…

 

Të tjerët ia dhanë një të qeshure të fortë.

 

- Mos u gajasni, i ndërpreu ai,- mos u gajasni! A nuk folëm për qytetin e ri, hë ? Për qytetin e të ardhmes, për qytetin, për qytetin që do të kontribuojë në zhvillimin e kësaj krahine, se kështu, ky qytet i vjetër, si është katandisur, të kujton një qendër të frikshme për shërimin e atyre sëmundjeve, që ke frikë t’i zësh me gojë! E, pra, me një gur vrasim dy zogj: e para, ndërtojmë qytetin e ri, mu aty ku kapelën nuk e ngacmon më era, dhe e dyta, shpëtojmë këta qytetarë të urtë, të cilët, për vite e vite, s’kanë reshtur së mallkuari këtë erë dreqi, që, siç e shihni, ndonëse jemi mes korriku, të fut të dridhurat e shkurtit. Kaq, asgjë më tepër!

 

Kjo shaka, e cila, prej shumëkujt u mor si e tillë, nuk kishte tingëlluar po ashtu, te miku im, mësues i vjetër i historisë, aktualisht, drejtor i muzeut të qytetit…

 

- Kemi për t’ia parë sherrin asaj shakaje, - më tha, - kemi për t’ia parë sherrin asaj mut kapele, që rrezik, të na shkaktojë ndonjë dramë, ku e ku më të madhe, se ajo kapela tragjike e Geslerit, më kupton, - më grishi më tej…- E ke në mend dramën e Vilhem Telit,?... Në të, për të sfiduar atë kapele të mallkuar, u gjend një Vilhem Tel, këtu ndër ne, zor se gjendet një  hero i atillë! Pastaj, ti e di fort mirë një lakmi të kahershme ndaj qytetit tonë. Shtetarët e djeshëm u përpoqën ta shtinin në dorë, me gjasë, ta kthenin në zonë ushtarake; mund dhe ta kishin realizuar, po nuk patën kohë, këta të sotmit, kushedi për ç’djall zone e duan, për zone turistike, për zonë…zonë kurvërie!...

 

- T’i pengojmë, - i thashë, - t’i ndalojmë…mos e lëshojmë qytetin!...Më gjej Vilhem Telin!..- ma ktheu duke buzëqeshur …Ai, që nga ajo ditë e këtej, u mbërthye prej një zelli të paparë në detyrën e vet. Përgatiti e botoi një broshurë, ku ngacmonte, cyste, grishte ndërgjegjen e bashkëqytetarëve, për t’u kujtuar atyre ngjarje, bëma, figura, cilësi dhe aftësi, që u takonin po atyre e njerëzve të tyre, pra, një biografi me natyrë enciklopedike, me qëllimin e madh, pse ata duhej të krenoheshin si me të djeshmen, ashtu dhe me të sotmen, pse ata duhej ta ruanin, ta mbronin qytetin e tyre, sikundër kishin bërë dje, duhet të bënin edhe sot! Më tej, la mënjanë botën njerëzore dhe po me atë zell e përkushtim himnizonte apo më saktë përshkruante atë ç’ka natyra dhe perëndia i kishte falur asaj ane,qytetit dhe rrethinave,klimën e shëndetshme,pastërtinë në qytet,gjelbërimin e përhershëm të rrethinave,pyllin e pishave,lulet e shumëllojta,deri edhe manat e tokës që në stinën e tyre shumoheshin dhe kuqëlonin si me qenë yje qielli në  netët e kthjellta e të pastra të tetorit,pa harruar burimet e bollshme të ujit dhe lakminë e kahershme ndaj tyre.

 

- Ku shkoni,mor vëllezër,ku shkoni?...

 

Me pak fjalë, deklaratën e atij  ministri me epitet të çuditshëm, nuk e kishte kaluar lehtë. Drejtori i muzeut, thoshte shpesh, se njerëzit çakërrqejf, entuziastë dhe euforikë, të diktuar, qoftë dhe nga një ngacmim i thjeshtë, thonë ca gjëra të vërteta, që në situatë normale nuk do të guxonin t’i shprehnin kurrë…Pandehma dhe frika e profesorit po dilnin të sakta. Mu aty, në fund të kodrës, ku pati ngecur ajo kapele republike pas rrokullisjes, në një vijë të drejtë me të, afro një kilometër, nisën të ngriheshin kantiere ndërtimi. Po hidheshin themelet e  qytetit të ri. Ne, njerëzit e të vjetrit, u befasuam. I vetmi që nuk e përjetoi kësisoj, ishte ai, drejtor i muzeut. Përkundrazi, ai u hodh në sulm, duke shkuar lagje më lagje e duke shpallur plot argumente përse ishte kundër, pse tërë ato firma të investonin dhe të ndërtonin atje, kur kjo mund të ndodhte sipër te ne, që kështu, veç të tjerash, do të kishin një ndikim të hatashëm në uljen e papunësisë që na pati mbërthyer për fyti!? I shkreti profesor, duke marrë tani edhe miratimin e bashkëqytetarëve, frymëzohej dhe e rritte pa ngurrim pjacën e betejës. Shkruante nëpër gazeta, jepte intervista në radio, në televizion, sa kaq, edhe këtyre u erdhi fundi shpejt. Me siguri, për shkak të presioneve nga ana e  firmave, punë parash, punë reklamash, ia mbyllën derën. Atëherë ia nisi me letra, drejtuar shtetarëve më të lartë, me përjashtim burrit të vogël, Minolit,të cilin e quante frymëzuesin e të keqes,dhe fare pa frikë e droje deklaronte. se ai tip prej çdo lartësie që të binte,binte gjithnjë në këmbë,se, edhe nese ndryshonte kabineti ai po minister do dilte ne kabinetin e ri,madje, edhe po të ndërronte krejt pushteti,pushtetarët e rinj që do vinin, nëse do ta kishin të pamundur rekrutimin e tij,do të përpiqeshi të gjenin një të ngjashëm me të. Profesori edhe  sot e gjithë ditën, kur e kujton atë, ndien një shije të hidhur, që i shkon thellë në stomak.U përjashtua minoli,po letrat ku nuk shkuan! Askush nuk i ktheu qoftë dhe një përgjigje të thjeshtë. Nuk donte të hoqte dorë, ndonëse u mërzit së tepërti.Më në fund,i erdhi një përgjigje nga kreu i shtetit,një përgjigje nga ato që rëndom quhen: as mish, as peshk! Por ajo, çka e çarmatosi krejt, ishte veprimi i firmave dhe i presidentëve të tyre, që nëpër takime me ne, qytetarët e qytetit të vjetër, shtruan kërkesën për fuqi punëtore, ndërkaq dhe me pagë të lakmueshme. Kaq u desh.! Gatishmëria qe e pashembullt, ikjet, të stimuluara prej atyre kërkesave, që siguronin punë por edhe paga ndjellëse, u ngjanin eksodeve të dikurshme.

 

           Ndër ato ditë, kërkova profesorin. E gjeta në zyrën e vet, në muze. Kishte mbështetur kokën mbi tavolinë, dukej sikur lëngonte. Thjesht, për shaka, për ta shkëputur nga ajo gjendje, i thashë:

 

         -  Profesor, atë historinë e Vilhem Telit do që të ma tregosh ti, apo do që ta tregoj unë?...

 

         - Lëre, më qafsh, lëre për herë tjetër... - Nuk e zgjata më tej, u largova…Ndërkaq në kantiere po punohej me vrull. Fushës së Limasit, po i  ndërrohej fytyra. Dhjetëra fabrika, punishte, veprimtari të shumta, si dhe banesa të shumëllojta, disa dhe me dy- tri kate, përbënin gjithçka që i duhej një qyteti. Ne, të ngeshmit, ne, besnikët e qytetit të vjetër, që me të shumtit, ishim të asaj moshe, për të cilën, qyteti i ri nuk kishte kurrfarë nevoje, vështronim atje poshtë plot trishtim. Plot trishtim, ngaqë ish- bashkëqytetarët tanë të djeshëm, njëherazi edhe familjarët tanë, gëlonin, punonin dhe jetonin tashmë nën atë tymnajë të përhershme, të krijuar prej asaj çka villnin oxhaqet e shumtë. Dy vitet e fundit, i ziu qyteti ynë, po hiqte, kur thotë fjala, të zitë e ullirit. Lagjet në periferi ishin rrafshuar, ngaqë të ikurit u kishin zhvatur gurët dhe drurët për nevojat atje poshtë. Po gjatë kësaj kohe, atje te burimet e atij ujit të famshëm, ishin ndërtuar dy vila të bukura, pjesët ballore tërë xham. Ishin prona të dy presidentëve, e dy investitorëve më të mëdhenj në qytetin e ri. Në mes të dy vilave, ishte një hapësirë goxha, por që dhe ajo e pati jetën të shkurtër. Shumë shpejt, u ngrit një si motër e dy të parave. Nuk po i  njihej pronari! Megjithatë, edhe kjo e panjohur u zgjidh. Pronari i vilës së mesit, na qenkej ai, të cilin, asnjëri nga ne s’do të donte të jetonte nën të njëjtin qiell dhe jo më ta kishte komshi, pra, kuptohet, fjala ishte për Minolin, ish- ministrin e Ekonomisë. Kohë pas kohe, prej atyre të vilave na erdhi një ofertë se, për nevojat e tyre, kërkonin punëtor shërbimesh a për mirëmbajtjeje. Punë që, qoftë ne të moshuarit, qoftë dhe të rinjtë që ende s’kishin marrë arratinë, mund t’i përballonim. Natyrisht, askush prej nesh nuk pranoi. Ky vendim e kënaqi së tepërmi drejtorin e muzeut, i cili nuk nguroi dhe faqe të gjithëve, tha:

 

         - Ne, vërtet, jemi nevojtarë, e dimë forcën shkatërruese të stomakut, por, - përfundoi me shaka një shprehje që, në atë kohë e kishte për zemër, - një ton biftek, nuk është e barabartë as me një miligram dinjitet!.…- Dhe, tha një fjalë me vend. Ne nuk e urrenim punën e shërbimeve, jo, nuk e nënçmonim, por nuk mund ta kryenim atë, tek ata, tek ata, që na kishin rrëmbyer trojet tona, trojet e trashëguara pa u hyrë gjemb në këmbë!…Me sot e me nesër, për shkak të vështirësive të shumta, të gjendjes së vështirë ekonomike, të papunësisë dhe të merakut të madh për të nesërmen e fëmijëve, do të largoheshim edhe ne, pakica e mbetur. Me këtë mëndje ishte, tashmë, edhe profesori. Bëri përkujdesjen e fundit; gdhendi një pllakë, duke shkruar më një kaligrafi tërë merak fjalinë: Pronë  shtetërore, ruhet nga shteti! Pastaj e gozhdoi te dera kryesore e muzeut. Për të qenë të sinqertë, edhe kjo nuk funksionoi gjatë. Pas pak kohesh, dritaret u shqyen kat më kat, dera kryesore u rrëzua dhe e zëvendësuan me një copë plastmasë serrash, e, tani, era, mikja jonë e vjetër, fryn nëpër anekset e muzeut, këndet, dhomat, duke shkulur dokumentet, dëshmitë, aktet, bëmat, ngjarjet, shkurt: gjithçka që përbën biografinë e shkruar të qytetit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora