Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Foshnja e akullit, hidhërimi i tokës dhe borxhi ndaj gjumit...!
E shtune, 15.01.2011, 08:05 PM
E S E
Sejdi BERISHA:
FOSHNJA E AKULLT, HIDHËRIMI I TOKËS DHE BORXHI NDAJ GJUMIT...!
Nata, thonë gjithmonë është e ftohtë. Duke iu frikësuar një ftohjeje të tillë, mund të ndodh që gjërat asnjëherë të mos piqen dhe asnjëherë të mos zhvillohen shëndetshëm. E, pastaj, edhe ditët bëhen të acarta të cilat shkaktojnë vonesë në vegjetacionin e botës,... botës së njeriut, në të cilën bëhen katralëmsh dashuria, dhembja, tradhtia, sinqeriteti, poshtërsia... Këto dy të fundit, si për habi, edhe pse nuk kompozohen në mes vete, ato janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Kështu pra, shkaktojnë fërkime të çuditshme shprehjesh e mendimesh, të cilat, ndoshta edhe vet njeriu i preferon si të tilla, për të “operuar” lirshëm gjatë rrugëtimit... Kjo, nuk është e çuditshme, edhe pse na duket se, po!
1.
Hyrjen që e bëra më sipër, sikur i ngjanë një zhurme të pakuptimtë. Ja, se pse. Në këtë stinë, në stinën e dimrit pra, ishte lindur një foshnje “akull”! Shih, kjo kishte ndodhur, dhe që nga fillimi, ajo ishte përgatitur për t’u përballur me acarin. Mirëpo, çfarë fati. Posa ishte lindur, çuditërisht ishte shndërruar në ngrohtore, kështu që tërë spitalin dhe repartin e maternitetit po se po, i kishte ngrohur,... valë i kishte bërë! Prej atij momenti, të gjitha nënat-lehona dhe foshnjat e porsalindura, e kishin rrethuar foshnjën-akull. Përreth saj ngroheshin si fëmijët dikur në odat e burrave rreth stufës së skuqur.
Kjo foshnje, e kishte bërë këtë nderë, sepse, që në stomak të së ëmës ka kuptuar se të ftohtit më shumë e sjellë njeriu se sa vet stina e dimrit!
Ndoshta, e tërë kjo ka ndodhur vetëm e vetëm për ta shpëtuar njeriun nga vetvetja. Çfarë nuk ndodhë në këtë kohë,... në këtë botë! Tani, nënat-lehona dhe foshnjat e porsalindura, kishin organizuar një ekspozitë vetëm me tabloidë dhe me pëlhura të bardha. Kjo, vetëm e vetëm për të mos ia nxirë fytyrën njeriut, i cili kurrë nuk mbushet mend. Ose, kësaj vakie, shumë i shkon përshtati një pyetje e njërit i cili kurrë nuk kishte prekur punë me dorë. Ai, me nervozizëm kishte thënë:
-Athua sa i kam borxh gjumit?!...
Çfarë fesati tani, për t’i hyrë studimit për këtë dukuri e cila nxjerrë në shesh shumë e shumë studime e konstatime të tjera, të cilat, sa ndikojnë në shprangosjen e jetës, po aq ndikojnë edhe në ngatërrimin e gjërave... Hë, pra! Sa i keni borxh gjumit,... tregoni ose rrëfehuni për këtë...!
2.
Ankohen njerëzit pse nuk kemi ende cilësi mendimi, gatishmëri studimi dhe aftësi organizimi?! Po, kjo si duket i ngjanë samunit të nxehtë,... taze,... duke nxjerrë avull...
-A, di ti se çfarë është samuni i nxehtë në këto kohëra,... samuni taze, që t’i përcëllon duart?!
Vetëm rrudha krahët dhe mu imponua mendimi dhe analiza me vetveten.
-A dini si i ngjanë puna e studimit për titull magjistri dhe doktor shkence?... Pra, është si puna e samunit, kur furrtarit i thua ma jep një samun taze, dhe ai të thotë:
-Prit! Po e fus në furrë, dhe duhet të kini durim vetëm pesë minuta, dhe samuni del duke avulluar... Kurse, për samunin e dytë, që është pak më i trashë, për këtë duhet pritur, jo pesë po dhjetë minuta, dhe, edhe ky del duke avulluar.
Kështu duket ky rrëfim, ndoshta i trilluar, që, po flitet. Samunat kanë reshur si kërpudhat pas shiut! Kjo bisedë e ngjashme, apo me pak ndryshime, është aktuale dhe dëgjohet shpesh... Sa pa lidhje. Kjo, kurrë nuk është e vërtetë!
Por, edhe tjetra. Ky rrëfim, ta zëmë i pavërtetë, të detyron ta mundosh kokën dhe të pedatësh mendjen se çfarë kanë dashur të thonë me këtë. Kush e di?! Njerëzit janë të frustruar,... janë të nervozuar me vetveten dhe “shpikin” rrotulla të tilla. Ndoshta, kështu edhe është...!
3.
Thonë se zakonisht njerëzit u ikin punëve, sepse, siç thuhet, kërkojnë punë por e lusin Zotin për ta mos gjetur. Por, këtë e kishte demantuar një njeri i moshës mesatare, i cili në një ditë të ftohtë dhe me borë, duke qëndruar pranë kafeterive në trotuarin plot me akull dhe me borë, pa një pa dy, e merr lopatën që ishte e mbështetur pranë hyrjes së kafeterisë, dhe e cila thua se provokonte për ta rrokur dikush për ta pastruar trotuarin nga akulli e bora.
Filloi burri i botës me sa fuqi kishte për ta pastruar hequr akullin dhe borën. Fare nuk ngurronte, por edhe sikur nuk e vëren askush. Dhe, nuk kaloi shumë kohë, trotuarin e kishte bërë “akllamë”. Tani, qytetarët qarkullonin lirshëm, shumë prej të cilëve nuk i kursenin uratat për një punë aq përkushtuese, por edhe habiteshin për atë që ishte bërë!
Nuk ngurrova dhe e pyeta:
-U ka thënë dikush ta bëni këtë punë?!
-Jo!
-Po, pse atëherë e bëtë këtë?!
-E, more burrë, më mirë të punoj kot, sesa të rri! Nuk e vëren tërë këtë akull dhe borën. Mund ta thejë qafen dikush!...
Nuk dita çfarë t’i them, por belbëzova: athua, çfarë mesazhi solli në këtë mënyrë ky njeri i panjohur, i cili pasi kreu punën, u zhduk si të mos kishte qenë. Ndoshta, një punë e tillë është punë çmendurie, apo diçka që nuk e kuptojmë dot!
Cila është më e saktë... Me siguri, e vërtetë është kjo e dyta...! Por, ecni ore dhe hiquni akullit dhe borës, sepse në te njeriu the qafën!
4.
Shpeshherë, në legjenda është përmendur “çmenduria” e tokës, e cila ka shpërfillë jetën, njeriun, foshnjën, farën, bimën, frytin, lulet,... E ka helmuar ajrin, ka rrezikuar pallate, fortesa, kala, kasolle e koliba,... E ka çmendur ujin, i cili atëherë e ka “humbur” rrugën e vet dhe për shumë kohë ka shkaktuar thatësira, uri e etje për gjithçka.
Ky fenomen, disi, asnjëherë nuk ka mundur të shpjegohet por as të studiohet. Zemërimi është botë e çuditshme. Për një çast e shkatërron jetën, i përlanë stinët,... Për një çast i nxjerrë të gjitha gjërat nga binarët, si trenin i cili pastaj nuk mund të qarkullojë dhe t’i lidhë vendet me vende, qytetet me qytete, fshatrat me fshatra...
E tërë kjo që është “ndoshta” njëfarë alegorie, kur po e lexoni, iu duket, prapë ndoshta, kaçapordhica, por nëse e thelloni pak tehun e mendjes, besoni, del kapuç me mëngë, sepse, mesele e gjatë është për ta shpjeguar tërë këtë ashtu siç duhet...!
Ky hidhërimi i tokës, asnjëherë nuk u “pashit”, por gjithnjë vjen duke u shtuar dhe duke u rënduar. Bile, kjo shkapërderdhje e rrugëtimit njerëzor, ka përzierë kapuça, ka përzierë stinë e vite,... Nganjëherë ka “cingëruar” kambanën e kataklizmës edhe nëpër kontinente, në bjeshkë, livadhe e dete.
Pse është kështu, besa edhe njeriu nuk ka kohë të merret shumë me përralla të tilla, të cilat i kanë kushtuar dhe i kushtojnë jo goxha shumë, por, tmerrësisht shumë!
Njëherë, ishte bërë kopenxhë i tërë një kontinent nga acari i paparë dhe ishte zhdukur fara e njeriut. Kishte shëtitur e kishte bërë harabë fantazma nëpër atë tokë të mërdhirë! Njëherë tjetër,... a di, sikur kur mallkojnë e nëmin: të lëshoftë toka; eh, nga zemërimi ishte zhdukur një pjesë e tokës...! Dhe, çfarë?!... Vetëm janë thurë përralla e legjenda!
Në një rast,... prapë sikur një nëmë tjetër: të marrtë uji! Dhe, shih. Janë hequr nga pamja e dheut dhe e njeriut toka e toka që i kanë shndërruar në dete. Por, uji di edhe të trazohet; të “sosë” me valë e me turbullira. E, sa ka raste të tilla,... e, hamam! Asnjërës nuk mund t’i dalësh përballë! E, besa toka edhe dridhet. Kur dridhet, ajo rrënon herë në një cep e herë në cepin tjetër të dynjasë! Pastaj, të gjen belaja edhe me zjarrin, edhe me vullkanet që i ngjajnë vjelljes së të këqijave nga trupi i njeriut. Shumë interesant, a?!
Hidhërimi i tokës është si një formulë matematike që do zgjidhje të përgjithmonshme! Por, kjo ende nuk ka ngjarë, dhe as nuk ngjanë. Mirëpo, për këto gjëra keni durim edhe pak, derisa t’i shpjegoj unë e derisa, ndoshta, t’i mësoni ju mirë...
E kishin gjetur një trup njeriu në një përrua. Ishte dekompozuar,... e kishte humbur syretin e njeriut, dhe kurrë, i shkreti nuk u identifikua. Ngeli, varr në përrua! Tjetra. Në një mal të thepisur, një bari delesh i kishte hasur eshtrat e njeriut bashkë me kafkën të bërë tërë bira-bira! Bariut iu kishte ngulitur në mendje dhe fliste me vetveten: i paskan ngelur sytë në zgafellet e kokës duke shikuar kohën, qiellin dhe tokën!... Ndërkaq, në bungishtën e fshatit, ishin zbuluar dy varre. Ndoshta janë varret e dy të dashuruarve. Kush e di! Ndoshta janë varrezat e dy vëllezërve,... ndoshta kanë qenë vëlla e motër,... ndoshta burrë e grua?!... Dhe, çfarë?! Asgjë. Rrëfim hesapi! Po, po. Rrëfim që gjeneron rrëfime të tjera, trishtime, pezmatime, tragjedi, që mund të shndërrohen, apo edhe janë histori,... E, historia kërkon dritën e diellit edhe të qiriut,... edhe të njeriut, për ta zbardhur, për ta kërkuar dhe zbuluar këtë “rrëshqitje” mendimesh, të ndërgjegjes dhe të sinqeritetit. Ndoshta, këto tri “frikësime”, toka i ka “ngrirë” si krushqit në disa legjenda, dhe ec e gjëje çelësin apo edhe mëshirën për t’i “shkrirë” ata,... mbase edhe për të rrëfyer diçka?!
Nëpër ecje, janë hasur vrasjet, varrezat, varrimet, zhvarrimet,... janë hasur vëllavrasjet, hasmëria, smira, tragjedia e njeriut, tragjedia e vetvetes, e cila edhe sot e kësaj dite nuk po ia di qarën vetvetes, dhe as nuk e ka gjetur kush ilaçin për ta pastruar gjakun, për ta gjetur e zhdukur virusin e së keqes që është ngulitur dhe fshehur diku thellë në qenien e njeriut,... diku në fshehtësitë e thellësive shpirtërore! Dhe, athua a drejtohet dhe provokohet pyetja e nevoja për studimin e “dergjës” por edhe të shpirtit, nëse ai ka dergjë...!
Një mik i imi, ma kishte “vjedhur” për ta lexuar këtë dorëshkrim pa e përfunduar as fillimin e tij, dhe si me nënçmim më tha:
-O, burrë! Po, toka nuk hidhërohet nga dashuria, as nga mirësia, as nga ndërtimi i kopshteve me lule, por vetëm nga marritë, më fal, nga këto marri të njeriut të cilat e kanë ngulfatur dhe vërtetë e kanë hidhëruar deri në skajin e fundit. Kjo toka jonë, është si skllavi; sa shumë ka duruar,... sa shumë po qëndron! Ajo, një ditë ka për të treguar për çdo gjë. A di ti, se sa rrëfimet i kanë në dorëshkrim oborret, kopshtet, livadhet, vreshtat, malet e bjeshkët tona?! Sa rrëfimet i kanë për t’i treguar zogjtë e malit, edhe sorrat e qyqet, edhe ajri e qielli...!
Kur e analizova shkurt këtë rrëfim, e mbylla shkrimin me nguti: hidhërimi i tokës i ngjanë disi peshës së mëkatit të pariparuar... Kurse, kur e shikon njeriun në fytyrë, duket si ta kishte pamjen e një fajtori pa ekzemplar tjetër! Por, nuk e di se ky miku për cilën tokë mendoi,... A, për tokën si planet, apo,... për tokën tonë?! Kam frikë se mos ka menduar për tokën tonë. Kjo e fundit, mos qoftë e vërtetë...! Se, atëherë nuk ka plug që e qet lavrën e drejtë dhe deri në fund të arës...!
5.
I telefonova një mikut tim për t’i treguar se kisha shkruar për një këngëtar pothuaj të harruar, i cili dikur kishte ruajtur dhe kultivuar këngën popullore qytetare. Ai, më përgëzoi që me shkrimin tim sado kudo e kisha përjetësuar jo vetëm personalitetin e këtij këngëtari, por edhe të gjithë të tjerëve të gjeneratës së tij. Për shkrimin tim e bëj me dijeni edhe të birin e këtij këngëtari. Dhe, shih koincidencën. Ai më flet se në atë moment derisa po bisedonim me telefon, nënën e kishte me frymën e fundit. Dënesja e tij dëgjohej përmes telefonit, kurse unë nuk dita se çfarë t’i them, përveç se ta ngushëlloj me fjalët: se të gjithëve u vdesin prindërit! Edhe në atë situatë mortore, nuk harron të më falënderohet për shkrimin kushtuar babait të tij.
I kërkova falje dhe me shpejtësi e mbylla celularin. Mirëpo, tani dot s’më lente të qetë vaji i tij për nënën, mosha e nënës,... domethënia për prindin,... për nënën,... edhe për tokën ku do të varroset ajo! Sa mendim i pa “lidhje”,... sa dhembje e përgjegjësi... Edhe për këtë, ndoshta hidhërohet toka...!
Në këtë “kalkulim” amullish, m’u “kapërthur” edhe Shpërblimi Special, me të cilin më kishte nderuar një komunë fqinj e qytetit tim për kontributin dhe bashkëpunimin në fushën e kulturës. E kapërthura edhe vetveten në labirintin e hidhërimit, jo të tokës! Po, si është e mundur që në vendin ku jeton e vepron dhe bëhesh sakrificë e kauzave të ecjeve përpara, të ndërtimit të vlerave, e për këtë të shpërblen një mjedis tjetër. Është e mundur edhe kjo?!...
Dhe tash, jeta nuk di a ma përkujton rrjedhën e lumit me ujë të kthjellët, apo kënetën me ujin që nuk lëvizë dot, por bëhet “çerdhe” e algave dhe e lëmashkut mbi gurët nën ujë, mbi të cilët, po e vëre këmbën, mund ta thyesh qafën.
Sa i pakuptimtë edhe ky hidhërim, jo i tokës,... Por, po. Ndoshta edhe i tokës. Merrje me mend, kur mblidhen këto zhurmë, çfarë ndrydhje e shpirtit bëhet. Andaj, duhet për t’u përbetuar për pajtimin e tokës, për zbutjen e hidhërimit të saj...
Në këtë rrjedhë, “palosën” mirë edhe këto dy rrëfime-mesele:
Njëri i cili gjithnjë ishte frikuar nga qentë, kishte shkuar tek hoxha për t’ia shkruar një hajmali. Hoxha e kishte kryer punën e vet dhe ia japë hajmalinë.
-Ja, hajmalia. Por, për çdo rast, me vete gjithnjë merre edhe një shtagë.
-E, pse shtagën?!... – i kishte thënë dertliu.
-Paj, merre, sepse nëse nuk të bën punë hajmalia, atëherë të bën punë shtaga!
Këtë mesele e kam pas dëgjuar moti, por tash, çfarë mu dashtë kjo pjesë e rrotullave të odave?! Asgjë. Ama bash asgjë s’më duhet. Por, nuk e di se çfarë thoni ju për këtë?!...
Ndërsa, kjo e dyta. Në ditën e parë të Vitit të Ri, në një restorant takoj një mik timin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte përplasur me të gjitha sfidat për liri. Për të mos e zgjatur, e pyeta se si është dhe si po kalon. Ai, atë natë ishte në cilësinë e kamerierit sezonal.
-Mirë jam,... s’ishte gjë kjo punë! –iu mbushën sytë me lot dhe përfundoi: por, më mirë është të jesh një sekondë me popullin se një shekull me djallin...
Iku ky njeri duke shërbyer mysafirëve, kurse mua mu ngulit: e, po ç’telashe i paska nxjerrë vetvetes me këtë sekondë!
Dhe kur t’i mbledhësh të gjitha, sërish më sillet nëpër mendje e trup: Foshnja akull,... hidhërimi i tokës,... borxhi ndaj gjumit. Po, çfarë kuptimi kanë këto tri vrima vullkani... këto tri faqe historie...!
Le të mbetën si problem matematikor për ta zgjidhur ju! Por, kujdes. Mos e hidhëroni tokën, mbase as dritën, as qiellin, as detin,... Mos e hidhëroni vetveten, por as mos e lodhni vetën, ore...!