Kulturë
Vangjush Ziko: Emri i trëndafilit
E premte, 14.01.2011, 08:55 PM
Vangjush Ziko
EMRI I TRËNDAFILIT
LOTI I SORKADHES
Më tregoi gjahtari
për çiften në mur,
për gjerdhanin
përbri saj varur.
Binin erë barut
dhe gjak të patharë.
Më tregoi qetë-qetë
një saçmë të qelqtë,
diamant me vesë të larë.
Ky lot sorkadheje
më ka
vrarë.
EVERESTI!
Ai qe alpinist.
Nuk rënkonte aspak.
Akull i heshtur ish.
Mbi jastëkët e bardhë,
mbi bëborën e çarçaftë
dha shpirt.
Buzëqeshi:
Everesti!...
... edhe Everestin...!
EMRI I TRËNDAFILIT
Kur pa atë pa kopshtari,
kopshtar' i trëndafilave
atje përmbi siparin
bardhezi të filmave...
Zgjodhi më të brishtën
të gonxheve plot er'.
Ia hoq emrin e saj,
Ia vu
Sofia Loren.
Kur flokët e tij sterrë
u ngjyen ngjyrë gri,
e pa të parën herë
me ngjyra nimfn' e tij.
Dhe
ishte aq i lumtur
i thinjuri kopshtar!
Gonxheja m' e bukur
nur' e saj.