Kulturë
Luan Topciu: "Piramida" e Kadaresë, si e simbolizonte ai diktaturën
E merkure, 12.01.2011, 08:35 PM
Nga Fatmira Nikolli
Romani, në formën e parë të tij, si novelë, u shkrua kur në Shqipëri ndërtohej muzeu 'Enver Hoxha', një ndërtim absurd, jashtëzakonisht i kushtueshëm, në formën e një piramide, në kurrizin e një populli të fyer, të varfëruar skajshmërisht nga politika e një shteti totalitar". Kështu shkruan Dr.Luan Topçiu për "Piramidën" e Ismail Kadaresë, në librin e tij kritik "Tradita moderne në letrat shqipe". Sot diplomat në Rumani, ai është para së gjithash një njeri i dhënë pas letërsisë dhe njohës i mirë i saj. Ai ka marrë me radhë një sërë shkrimtarësh shqiptarë në një botim studimor që mban siglën e shtëpisë botuese "Zenit". Në qendër të këtij libri janë disa nga romanet e Ismail Kadaresë, kryesisht ato të përkthyera në rumanisht, poezia e Lasgush Poradecit, proza magjike e Mitrush Kutelit, poezia plot forcë e Visar Zhitit, proza onirike e Besnik Mustafajt, por edhe ajo e Fatos Kongolit. Teksa shkruan për autorët dhe veprat, ai nuk e lë mbas dore edhe kohën kur veprat u shkruan. Sipas Topçiut, "jo të gjithë shkrimtarët janë vrarë në Holokaust apo Gulag, në Spaç apo Qafën e Barit, jo të gjithë janë torturuar, jo të gjithë janë martirizuar, jo të gjithë ikën në ekzil, jo të gjithë zgjodhën vetëvrasjen si formë të epërme të protestës ndaj ekzistencës së padurueshme. Ka ekzistuar dhe ajo kategori shkrimtarësh, që bëri paktin me djallin, që zgjodhi variantin për t'i kënduar me zell të skajshëm diktaturës dhe diktatorit". Ai sjell një sërë emrash të shkrimtarëve, të cilëve iu desh të mbijetonin nën kushtet mizore të diktaturave të Mussolinit, Hitlerit, Francos, Stalinit, N. Ceausescut apo Enver Hoxhës. Topçiu mendon se në një shoqëri diktatoriale, "shkrimtarit nuk i falet fakti që të ketë talent. Talenti përbën një rrezik, dituria po ashtu. Kësisoj, shkrimtari çdo herë do të mbetet i dyshimtë". Studiuesi mendon se një antagonizëm ndërmjet shkrimtarit dhe pushtetit ka ekzistuar gjithë kohën dhe këtu citon Kadarenë, që ka thënë se "Letërsia e vërtetë nuk ka asnjë lidhje me pushtetin, duke qenë se ajo nuk bën pjesë në historinë e ngjarjeve të përditshme, ajo bën pjesë në historinë e brendshme, të fshehur, të humanitetit". Sipas Topçiut, fakti që vepra e Kadaresë u botua njëkohësisht në Perëndim, por dhe që edhe sot mund të lexohet pa kërkuar të shtosh apo të heqësh diçka prej saj, (veçanërisht proza) dëshmon që bën pjesë në "historinë e humanitetit".
Paçka kësaj, studiuesi thotë se "proza e Kadaresë është shkruar më së shumti nën diktaturë, nën diktaturën e Enver Hoxhës, më të çmendurën diktaturë staliniste, më të ashprën në gjithë Europën Lindore, në mënyrë të pakundërshtueshme, në faqet e kësaj proze është goditur në vazhdimësi sistemi komunist". Në librin e tij me kritikë letrare janë të shumtë shembujt që ai sjell për ta vërtetuar këtë dhe një rast i veçantë i trajtuar prej Topçiut është ai i librit "Piramida". Duke e parë veprën e Kadaresë si një vepër që fliste me simbole, ai thotë se "natyra e veprës së Kadaresë e mbështetur mbi aluzione nuk ka simbole nga miti kombëtar apo me shtrirje universale ku Ismail Kadare të mos ketë qasje. Simbole me vlera kulturore gjithkohore, shenjat që shënojnë kuptime të posaçme në vetëdijen kolektive, janë të dhëna nga një perspektivë origjinale". Sipas tij, Kali i Trojës, kështjella, piramida, Laokonti, Helena e Trojës, Kisha e Shën Sofisë, ura me tri harqe, Kostantini e Doruntina, përpos kuptimeve historike dhe simbolike, në veprën e Ismail Kadaresë kapin një semantikë të re. Në sytë e Topçiut, Kadare e godet jo në mënyrë të drejtpërdrejtë totalitarizmin (modalitet që do të rrezikonte dhe vlerat estetike të veprës), por në mënyrë oruelliane. Sipas tij, kirurgjia që Kadare i bën shoqërisë, synon të prekë thelbin e sistemit, tiparet e përgjithshme të tij, anatominë, mekanizmin e funksionimit të tij, kurse modaliteti i qasjes ndaj totalitarizmit është ai sipas mënyrës së Oruellit.
Romani "Piramida"
Kur Topçiu flet për shumësinë e simboleve të veprës së Kadaresë ka parasysh veprat e tij që lexoheshin në dy mënyra. Si një prej tyre, përveç "Pallatit të ëndrrave" ai sheh edhe "Piramidën", roman që në formën e parë të tij, si novelë, u shkrua kur në Shqipëri ndërtohej muzeu 'Enver Hoxha', që sot njihet si Piramida. Topçiu shkruan se në letërsi, kemi të bëjmë me shumësinë artistike të mesazhit dhe mund të vëmë re se fuqia e disa funksioneve të simboleve të ndryshme qëndron në dialektikën e shenjës dhe vetive të saj, në strukturën e ngjarjeve, ashtu siç vëmë re dhe tek "Piramida". "Çfarë simbolizon ky monument i marrë? Gjithëfuqinë e një diktatori po aq të llahtarshëm sa 'murtaja e zezë', e quajtur Stalin. Satrapi gjeorgjian i Moskës që shkatërroi jetën e 65 milionë rusëve, apo diktatori Enver Hoxha që masakroi popullin e vet në burgje, internime, ekzekutime pa gjyqe. Keopsi nuk ishte aq pervers, por mjaft totalitar që të suprimojë ekzistencën morale, intelektuale, dhe më në fund, fizike të milionave mbi të cilët sundonte", shkruan Topçiu. E ndërsa pyet se ç'është një piramidë teksa ka parasysh romanin e Kadaresë, ai shkruan se piramida është "një përbindësh i gurtë, një monument i padobishëm, një monument fetar. Jo, nuk duhet të ngatërrohet marrëzia arkitektonike e piramidave, imponuar një populli me kamxhik. Piramida simbolizon konsumin e energjive pa dobi. Shndërrimin e një populli në një turmë me anë të tmerrit totalitar. Nuk ekziston shtet totalitar pa piramidën e tij. Diktatorët në delirin e tyre krijojnë ndërtime përtej nevojave njerëzore, në mënyrë paradoksale ndërtojnë dhe varret e tyre të padobishme".
Sipas Topçiut, ngjarjet e romanit "Piramida" bazohen në një fakt historik konkret, ndërtimi i piramidës së Keopsit, ndërsa simboli, si i tillë, buron nga karakteri aluziv i tekstit. Piramida në rrafshin simbolik nuk rrok një kuptim të vetëm, që presupozohet lehtë nga lexuesi: piramida sistem diktatorial. Studiuesi Luan Topçiu tek "Tradita moderne në letrat shqipe" thotë se tek Ismail Kadare paradigma e simbolit është shumë më e pasur, duke filluar me kuptimet më të drejtpërdrejta si 'prodhime' parësore të tekstit, dhe deri tek kuptimet demitologjizante si "prodhime" të nëntekstit dhe kontekstit, pa harruar funksionin nistor të piramidës-varr. Pasi citon Kadarenë, "dhe veç kësaj një varr jo së mbari, si gjithë varret me gropën poshtë, por një varr me gropën përpjetë, shkurt një varr i kthyer përmbys", Topçiu shton se është një varr që ka frikë harrimin, që imponon kujtimin e dhunshëm. Sipas studiuesit, lëçitësi i romanit vendoset para një paradoksi: kaq sfilitje, kaq mund fizik dhe intelektual, aq jetë njerëzore të sakrifikuara për të lartësuar një varr. Totalitarizmi ndërton gjatë ekzistencës së tij varrin e vet. Kështu kemi piramidën si një pamje vizuale, si ide e përgjithshme, si sistem qeverisjeje, si strukturë shtetërore. "Piramida është direku që mban pushtetin. Po lëvizi ajo, gjithçka do të shembet."
Duke e cilësuar Kadarenë si një njohës të mrekullueshëm të mekanizmave të diktaturës, Topçiu thotë se autori "përshkruan krimin politik, terrorin psikologjik, ankthin e gjithëpushtetshëm, dënimin e të pafajshmëve dhe të anonimëve. Të gjitha këto jetë njerëzore janë të parëndësishme, të pavëna re, të fshira nga linja e horizontit, sepse të gjitha ato përgatisnin vdekjen më të dukshme dhe monumentale - vdekjen e diktatorit, që rritet, ngrihet dhe ushqehet nga sakrificat e mijërave të pafajshmëve. Në gjithë shtrirjen e tekstit vizioni i piramidës manifestohet në dy përmasa: si piramidë fizike dhe si piramidë e padukshme (hierarkia e shtetit)". Sa i takon piramidës së dytë që ngrihet në roman, studiuesi thotë se "ngritja e të dyjave bëhet paralelisht: e para është rezultat i mundit për projektimin, vendosjen sipas pozicionit të yjeve, ndërtimi i galerive të fshehta dhe të dhomës së sarkofagut, çelja e udhëve, transportimi i blloqeve të gurta - punë që do të shoqërohej me humbjen e qindra njerëzve: piramida e dytë ndërtohet në shpirtrat njerëzore si pasqyruese dhe dyfishim i së parës". E ndonëse studiuesi vëren se kjo e dyta bëhet dhe më e rrezikshme dhe më shtypëse, shprehet se në pasazhin që vijon nuk mund ta dimë me saktësi nëse është fjala për piramidën fizike apo për pasqyrimin e saj mental: "Ajo është në radhë të parë pushtet, madhëri. Ajo është shtypje, kamxhik, para. Po aq sa ç`është trullosje e turmës, ngushtimi i mendjes, vyshkje e vullnetit, monotoni dhe humbje. Ajo është roja më e mirë, faraoni im. Policia e fshehtë. Ushtri. Flotë. Harem. Sa më e lartë të jetë ajo, aq më i vogël ngjan shtetasi nën hijen e saj. Dhe sa më i vogël ngjan shtetasi nën hijen e saj. Dhe sa më i vogël të jetë shtetasi, aq më i lartë je ti, madhëri". Teksa flet për veprën e autorit më të njohur shqiptar në botë, Topçiu thotë se "që në fillim Kadare njofton se për triumfin e diktaturës duhet shkatërruar mirëqenia. Në këtë kuptim piramida është vendi ku do të derdhen energjitë e popullit egjiptian, ajo do të jetë rrënimi i shtetasve, i mirëqenies 'vrasëse', vendi ku do të harrohet vetja; aq sa piramida ndërtuar nga rrënimi i njerëzve do ta identifikojë Egjiptin (lexo çdo vend diktatorial) në varr". Simbolin e përdorur nga Kadare, Topçiu e sheh si ambig dhe thotë se na drejton drejt dy alternativave: piramida (fizike); realizim i përfundueshëm dhe piramida (imateriale) - realizim i papërfundueshëm. Shkrimtari zhvillon alternativën e dytë, duke qenë se metodat e qeverisjes: shtypja, krimi politik, shkatërrimi psikik i njerëzve, frika, mania e persekutimit etj., kanë dëshmuar dukuri të përsëritura në sistemet totalitare. E teksa thotë se sheh dukuritë negative të këtij ndërtimi të kushtueshëm, në formën e një piramide, Topçiu thotë se shembujt nga shoqëritë ish-komuniste mund të shumohen - piramidat e Çausheskut, "Pallati i Popullit", fabrikat e pamata që konsumojnë energjinë e popujve. Për të plotësuar delirin e tyre diktatorët.
Kongoli
Një tjetër shkrimtar tek i cili ndalet Dr. Luan Topçiu është Fatos Kongoli. Duke marrë në shqyrtim veprat e tij, studiuesi thotë për Kongolin se krijimtaria e tij përbën dhe një pikë referimi vlerash dhe qëndrimesh, një kuotë letrare të verifikuar. Sipas tij, popujt e traumatizuar janë të dënuar të mos krijojnë vlera të mirëfillta dhe të jetojnë në një pështjellim të vazhdueshëm. "Rasti Fatos Kongoli, padyshim pas rastit më të sigurt si pikë referimi Ismail Kadare, dëshmon horizontalitet dhe normalitet. Gjithnjë e më tepër emri i Fatos Kongolit bashkëshoqërohet shpesh me atë të Ismail Kadaresë, veçanërisht pas përkthimit të tij në Francë. Ndonëse veprat e të cilëve dallojnë stilistikisht, strukturalisht dhe mund të konsiderohen si dy ndërtues të dy botëve të ndryshme e komplementare shqiptare", - shprehet Topçiu në librin e tij. Sipas tij, romanet e Kongolit, duke përdorur si lëndë parësore përvojën njerëzore, sociale dhe erotike, mbeten kritikë me veten e tyre, në aventurat sociale dhe sentimentale nga më të vërtetat; ato të grishin të besosh se qëllimi i njeriut është ta zbutë jetën dhe ta dominojë atë, jo ta pushtojë dhe ta sundojë.