E enjte, 02.05.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Kulturë

R. Plaku: Libri që lind dashuri me lexuesin

E hene, 10.01.2011, 08:29 PM


Libri që lind dashuri me lexuesin

Është ky, libër me poezi të çveshura nga çdo tentativë e autorit për të arritur emër e famë.  Ai thjeshtë shkruan për dashuri dhe jeton në të e për të e kjo e bënë madhore këtë vepër.

Libri me poezi i Besnik Camajt "DIELLIT TIM",  më ngjalli interes dhe iu rreka këtij shkrimi vetëmse vjershat në të i konsideroj si një model i krijimit të një shpirti poetik të paprekur nga madhështia e arritjes në koordinata të larta snobe. Me preku poezia e çiltër dhe e pastër e një të dashuruari thellë në personin që don po dhe në poezinë në përgjithësi. Duke lexuar, kuptoj në mes rreshtave se Camaj e do të dashurën dhe gati po aq edhe poezinë, të veten apo të autorëve tjerë pa dallim.

Një vijë naiviteti letrar përcjellë disa poezi të tija, ndoshta i krijuar me qëllim për të përforcuar çiltërtinë e fjalës dhe ndjenjës që shpalon. Si do që të jetë, vepra mbush lexuesin me një lehtësi shpirtërore të mahnitshme. Larg intrigave dhe politikave ditore, këto poezi, janë pasqyrë e një jete e shprehur me një të folme të ngrohtë dhe shum të afërt për lexuesin, sidomos për moshat pesëmbëdhjetë – tridhjetë vjeçare. Për të kaluarit në moshë, ky libër është kthim shpirtëror në një rini idilike dhe udhëheq lexuesin të ndihet si flutur e ndalur mbi lulen pranverore që puth polenin e begatshëm dhe madhëron jetën.

Duke kaluar në një analizë të poezive, do të hasim edhe prej tyresh që nuk kanë ndonjë vlerë a domethënie të posaçme për fjalën letrare por, si që përmenda më parë, kjo as që është qëllimi i Camajt. Ai është krejtë i çveshur nga ambicjet poetike e pikërisht kjo e rritë vlerën e dashurisë së tij ndaj poezisë. Pa filluar analizën e poezive që kam zgjedhur për këtë shkrim, shpreh një dëshirë timen, e kjo është shpresa se Camaj, së paku këtyre viteve 2010/20, do të na dhuroj edhe një libër tjetër me poezi të reja, të këtillë, të lehtë, të afërt e të ngrohtë…

Nisem pikërisht nga  « Pa identitet dhe liri, njeriu s’është », sentencë që Camaj i rrin besnik gjatë tërë veprës dhe kjo vetmëse vjen dhe përforcon identitetin e tij të çiltër. Që në vijim, në faqen e shtatë lexojmë poezinë  e parë që e vlerësoj se është kulminantja e tërë veprës…, himn për identitetin. Ndërro emër e fé, shko nga të duash, ti nuk do të ikësh nga ajo që je : nëse larg shkon, do të vuash për atdhe dhe do të ngelësh shqiptar…, mos u fsheh ; bëhu e qëndro krenar, është kjo porosia sublime e autorit.

     Ti mbetesh ai që je

….

Ti mbetesh shqiptar se i tillë ke qenë
mbi ty gjithë të zezat ushtruar janë
ndërruar ta kanë shpesh edhe fenë
por kot se ti mbetesh ai që je

Shqiptar mbi tokë e shqiptar mbi dhe.

(f. 7)

Në vjershën « Kurrën e kurrës » hasim një krahasim të veçantë që shprehë bindshëm qëndresën  e qenies kombëtare për egzistencë të pashueshme dhe mbyll vjershën me një varg të pakapshëm për fuqinë që ka. Shqiptari nuk shuhen « kurrën e kurrës ; e as atëherë » është porosia e ngulur në qenien e çdo kombtari, që Camaj dijti ta shprehë më së bukuri nga të gjithë në :

 

Jo
jo kurrë
nuk shuhet shqiptari
siç në Diell
s’mund t’shuhet zjarri
as në dimër e as në verë
as në luftë as në skëterrë
kurrën e kurrës
e as atëherë.

      (f. 11)

Nga figura stilistike e krahasimit, dua të përmend edhe strofën e parë të « Ti erdhe », nga e cila kuptojmë se me të vërtetë kemi të bëjmë me një dashnor të poezisë dhe të vashës.

Besoja
t’më vije nga larg
pa u hamendur

Siç vjen një varg
duke vrapuar
t’më bëje të çmendur.

             (f. 37)

 

Një veçanti vargu që nuk e hasim aq shpesh në poezi vërehet kur autori ka një porosi, një bindje a një qëndrim për të përfunduar mendimin e tij preras. Është karakteristike se arrin t’i jap një formë të bukur kësaj shkëputje që nga tërësia « bazë » ndahet edhe me renditje të zakonshme ideshë edhe me tërësinë e vargut  të krijuar më parë. Ndër vjershat më të dalluara të këtij konfigurimi të them atipik, qëndrojnë vjershat « Mos harro ! » (f.109), « Rrugës » (f.110), « Drini i Bardhë » (f. 111) dhe « Kulmore » (f. 115) nga e cila ndaj strofën e fundit dhe vargun « plus » :

Dhe me sa fuqi kish, në shenjë fitoreje
valëviti flamurin e lirisë

                                                  E i vuri kulm jetës.

Kërkimet

Janë të shumtë poetët që në vjershat e tyre të viteve të para humben në dëshirën e krijimit të vargut me rimë edhe kur ajo nuk përkon me « shtatin » e vjershës në fjalë, që do të thotë, rimë në një komponim pa metrikë të tillë. Kjo dukuri e deformimit të sintaksës, përsëritet edhe në rastet kur  autori don të përforcoj a të vë në pah një ide të veten. Fatkeqsisht, edhe te Camaj e hasim një dukuri të tillë që e dobson fuqinë poetike dhe shprehjen e tij të bukur. Në vjershën e kohës rinore « Dua buzën tënde », thuhet « dëgjuar s’ta kam » në vend të thuhet thjeshtë e bukur : « s’ta kam dëgjuar ». Shprehjet e këtilla përsëriten disa herë dhe çon të mendohet se autori edhe mund të jetë nën ndikim të tri gjuhëve me të cilat ka qenë shpesh në kontakt. Di se flet bukur frengjishten, por ndoshta është edhe një ndikim nga gjuha popullore e vendlindjes dhe andaj nxjerr nga faqja 58, « Më e mira » dy vargje e fundit :


dhe do jesh
imja më e mira mikeshë.

Kjo na çon në sintaksë të disa gjuhëve të huaja e unë me këtë rast do të jap vetëm një përkthim në frengjisht që bënë të mendojmë se ndikimi edhe mund të jetë nga kjo gjuhë :

  et tu serras
  ma meilleure amie !

E njëjta dukuri vërehet edhe në dy vargjet e fundit të poezisë « Lulezjarri » (f. 60) ku thuhet :


shkëlqimin
e tim shpirti
të marrë.

Kjo formë sintaksore haset edhe në të folmen popullore në disa vise të Kosovës dhe Shqipërisë veriperëndimore dhe ka mundësi që Camaj të përdor këtë me qëllime të caktuara të cilat i përmenda më lartë. Ky lloj kombinimi sintaksor që nuk sjellë ndonjë begati poetike përsëritet disa herë (« Jetuar kam », f. 94, në vend të : kam jetuar;  « në vargun e të bukurave – kujtime » në vend të : në vargun e kujtimeve - të bukura  f.104). Natyrisht një formulim i tillë sintaksor  për të përforcuar akcentin ideor e stilistik është i mundshëm por tejpërdorimi i këtillë vetëmse e dobson fjalën dhe idenë e bënë të zbehtë nga shkaku i shtypjes së tepruar që krijohet pa patur nevojë dhe çthurrjes së vëmendjes nga kakofonia sintaksore. Por njëherit, e patjetër dua të theksoj se këto lëshime aspak nuk e turbullojnë pastërtinë e freskët të veprës.

Camaj në një rast (të vetmin në këtë vepër) është pak edhe « i ashpër » dhe kjo sikur godet lexuesin që është duke u joshur me gjuhën e virgjër nga të tilla ekcese. Personalisht jam këthyer disa herë, enkas për të gjetur të pakumtimtën ; por asgjë të pakuptimtë, thjeshtë një fjalë që nuk jemi mësuar ta hasim duke lexuar librin. E kjo është vetëm një term i rëndomtë por që tingëllon vrazhdë në kontekstin e vargut dhe idesë edhepse as fyen e as prekën dikend. Thjeshtë ajo nuk pajton me të folmen e Camajt. Sa e njof veprën e tij, do të pëlqeja intimisht të kishte shkruar « dashuria, ledhatimet, përkdheljet ose ndonjë fjalë tjetër në vend të « akti ».

Një dukuri tjetër që i përshkon poetët e plejadës së re është dollia e si pasojë e saj edhe dehja. Për fat të mirë, nuk gjejmë askund « e kalla një cigare … » dhe shpresoj se do të rrallohet edhe « ngrita një dolli » ose « mbusha gotën me verë… ».

 

Përfundim

Vepra në përgjithësi meriton një studim më të thellësuar dhe sidomos ia vlen të lexohet. Në çdonjërën nga poezitë hasim në një realizëm ndjenjash që dalin nga një shpirt të flaktë që ecën me ngadalësinë e ujërave më të qeta dhe na lënë kohë të joshemi me ajrin që çliron në mënyrë sa më natyrore vargu i ëmbël gjatë tërë kohës, nga fillimi e në mbarim. Dhe ja kur flas për mbarim, e rikopjoj poezinë e fundit në libër, të mrekullueshme e me të cilën mbyllet kjo «idilë në mes të përjetimeve poetike dhe lexuesit" :

 

Shpirti ëndërrues

E takova
nën hijen e flokut
mbi karrigen e thyer
nën fletën e dushkut
në librin tim.

E pashë
në syrin e pranverës
në vegimin e mëngjesit
mbi kurorën e lules
në folenë time.

E dëgjova
si gurgullimën e përroit
si zukatjen e bletës
si zërin e dragoit
si zemrën time.

I thashë
se është gjinkallë
se është mjaltë
se është përrallë
është shpirt i rallë :

Pandehu
se s’më dëgjoi
por unë
prapë i them :

SHPIRT TY TË KAM
ZEMËR ME TY JAM
ËNDËRR
PA TY S’JETOJ.

 

Analizoi: R. Plaku  ( http://filolet.com/b_camaj_poezi.htm )



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora