E diele, 05.05.2024, 05:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Këngë për Becin e Dushkajës

E diele, 09.01.2011, 08:20 PM


Prof. Skënder R. HOXHA

 

KËNGË PËR BECIN E DUSHKAJËS

 

/Tekst i përshtatur të këndohet nga rapsodë popullor/

 

1.

 

A po ngoni ju vëllazni

Dojmë me këndu një histori,

Historinë e katundit Bec

Që u ruajt nga brezi n’brez.

 

Kish pasë Beci burra në zâ

Burra t’pushkës e t’kuvendit,

Nëpër kohë i kan’ dalë zot vendit.

Qel Shabani edhe shumë tjerë

Shqiptarisë i kan’ ba nderë.

Me pushkë n’dorë e zjarr në gji

Për armiqtë ishin halë në sy.

 

N’dhjetëvjetësh t’parë t’shekullit njëzet

Krejt Ballkani n’luftë u gjet,

Krisi lufta ballkanike

Djegshin, pjekshin, bandat çetnike.

Në Kosovë e troje shqiptare,

Bënin krime gjenocidale.

Mali i Zi me ushtri kish hy,

Keq Kosovën e kish msy.

N’rrethinë t’Gjakov’s kur kan’ shkue,

Shumë shqiptarë janë maltretue,

Edhe fenë ua kan’ ndërrue -

N’ortodoksë tuj konvertue.

 

Vit trembëdhjeta n’Bec t’Dushkajës

Vjen si rr’feja që godet majës.

Malazez’t t’etur për gjak,

Rrethojnë fshatin rreth e qark.

Si çakajt ndahen në tuba,

I thërrasin burrat nëpër kulla.

Disa becjanë kuptojnë tradhtinë,

Se ata që fenë nuk ndërrojnë

Xhandarmëria i pushkatojnë.

Shumë prej tyre aty nuk shkojnë

Me malazezët të kuvendojnë.

 

Ditë e kobshme atë ditë n’Bec,

Ishin mbledhë burrat te Tyrbja –

Do ma t’ri e do ma t’vjetër,

S’kishin ditë se luftojnë me vdekjen.

 

2.

 

Nisin barbarët të maltretojnë

lidhur për gardhi t’i përsekutojnë,

ndonjë prej tyre – t’i ekzekutojnë.

 

Në atë ditë të dimrit t’egër

u vranë burrat n’ledinë te Tyrbja,

Smajl Ahmeti nderi katundit,

Prelë Bajrami ni sokol malit –

djalë hasreti i Bajram Osmanit.

Thonë u vra edhe Tahir Hoxha,

Tahir Hoxha e Avdi Syla,

U vra aty njaj Rexhë Bezera,

Për ditë t’vështira e pat rritë Zhdrella.

U trondit atë dit’ Dushkaja,

i tërë Beci u mbulu me t’zi

që i ndodhi kjo tragjedi.

* * *

Rrëshqitnin vitet nji nga nji,

Shqiptaria në robëri.

Prej torturave serbosllave

Detyroheshin të dalin n’male.

Vit nëntëmbëdhjetshi kur ja mbërrinbi,

Shih çka bani ai Rexhep trimi -

dy xhandarrë ja vrau armikut.

Jau kish l’shu plumbat në ballë,

Nga aty në mal kish dalë.

Mas tetë vjetve që kaluan,

N’mal t’Pogragjës e rrethuan.

Me Ramë Isufin ish qillue,

Thonë dikush i ka tradhtue.

Pas do orëve që kanë luftue,

Shumë xhandarrë i kishin farue,

Por Rexhepit i kish ardhë fundi,

kur për vdekje e mori plumbi.

Ramë Isufit që ke ngat tij,

Ja kish dhanë pushkë e allti.

E kish marrë plumbi e u plandos,

Atje në male u varros.

S’kishin guxu familja e tij

t’kërkojnë varrin e Rexhept t’ri.

 

3.

 

Kur vjen sene katërdhjetenita,

Në Bec kërset e zezdita.

Magazina e armve ish kan’ thy

Dhe Serbia ish kan’ kthy,

Nisin n’Bec me ba kërdi.

N’Bec masakër ish kan’ ba,

Vrasin shkiet burra e gra.

Kishin hy serboçetnikët,

Bashkë me ta edhe kolonistët.

Donin Becin me përbi,

Hynin bandat n’oborre e shpi –

Masakronin edhe gra e fëmijë.

Bajram Isufin shumë të ri,

Bashkë me të edhe mixha i tij

Halil Isufin e vrajnë aty.

Keq e vrajnë e masakrojnë,

Me bajoneta trupin ja shpojnë.

Musë Tahiri n’dert ish ra,

Kur e pau shka âsht tuj u ba.

Ish dalë Musa nëpër mahallë,

Po e sheh Becin tuj u kallë.

Haj medet Musa po ban,

N’befasi na kan’ nxanë,

Shpejt po kthehet në oborr,

Aty pushka e ka marrë.

Vritet Musa me djalë Nimanin –

Për së gjalli se l’shunë vatanin.

T’Maxhun Nimanit vrajnë djalë Sadikin,

E vrajnë çetnikët edhe Pren Mhillin.

Edhe ky rast dëshmuar ka,

Se me shkjaun besë nuk ka.

Masakrohen edhe shumë becjanë,

Në zezonën e atij prilli –

Qel Binaku e Bajram Avdyli,

Burra t’fortë e atdhetarë,

E lanë me gjak t’pranverës bar.

Kallshin shtëpitë për mei trishtue

Popullata nis me u largue.

Ushtarë serbë e paramilitarë,

Kish me ta edhe vullnetarë.

Prej kolonëve si komandar -

Brank Haxhiqi thonë ishte i parë,

Për me pre e djegë shqiptarë.

 

4.

 

Dalin çetnikët te Manhalilt,

tan’ tuj djegë e tuj plaçkitë.

Burrat n’shpi nuk i kan’ gjetë,

po në gra ishin zatetë,

tuj hekë sendet prej shtëpisë -

mos t’ju djegen prej shkinisë.

Kriminelat t’etur për gjak,

i vrajnë gratë pa pasur hak.

I masakrojnë Hyreshahin e Zaden,

po ashtu edhe vjehërr Hatën.

N’bija t’fisit bënë tragjedi -

Hyreshahi ish me fëmijë në gji.

E kish pasë Ajnën përgjini.

Tamlin n’buzë ja thau anmiki.

Kish thithë Ajna thonë dy ditë e net,

N’gji të vdekur të nënës vet.

N’këtë masakër ku e panë tmerin,

Kishin vra edhe një Imer Zymerin.

Vriten edhe tjerë e masakrohen,

por do emra s’ju kujtohen,

se ka pasur edhe mysafirë.

Një kujtim ruhet n’traditë -

mbi gjashtëmbëdhjetë janë vra atë ditë.

E mlon Becin tim i zi,

kishin ikur me rob e fëmijë.

Kishin mësy nëpër Dushkajë,

të shpëtojnë nga ajo mortajë.

Kishin lënë katundin n’zjarr

Dhe kufomat pa i shti në varr.

 

Mas dy dit’sh kthehen do burra,

vijnë edhe nga katunde tjera -

nga Kodralia edhe nga Zhdrella,

e i shtijnë kufomat n’vorre

nëpër bahçe e nëpër oborre.

 

5.

 

Ishin vite me shtrëngata,

ishte Luftë e Dytë Botërore,

ndërrohen pushtues në këto troje.

Kohë që digjte si vetima -

edhe Becit i merr shumë trima.

Ishin t’njohur si çlirimtarë,

krah i fortë i Ballit Kombëtar.

 

Atdhetari ai Bajram Musa

S’merrte vesh se çka qet pushka.

I der’s bujare ish ky becjanë,

N’Has të Thatë e kishin nxanë.

N’Lypavec vritet si ballist,

Tuj luftue me armiqtë.

N’Has u vra edhe Rrustem Delia,

Lum për të që e pat konaku –

Këtu u plagos edhe Ali Binaku.

 

Prapë nga Beci bien do trima –

Din Mehmeti e Dervish Myrta.

Hajdar Jupa si arushë mali,

Deri n’vdekje luftën se nali.

Ahmet Rrustemi djalë i ri,

I dalluar n’luftë për liri.

U vra Ahmeti e u shpall dëshmor –

Emri i tij sot emër n’shkollë.

Këta becjanë trima si rrfeja,

Ua njeu namin Gjakova e Peja.

Ranë si lulet në altar –

N’vija t’frontit ishin të parë.

 

Po në vitin dyzet e shtatë,

N’burra t’Becit prapë shtrihet mordja –

N’burg të Nishit mbetet Ukë Ndoja.

Nuk u dit kurrë gjë për të,

Eshtrat e tij mbetën atje.

Në këtë vit edhe Prëka ish n’burg,

N’burg të Pejës ish Prëkë Shabani,

Në atë burgun n’kullë t’Sheremetit.

Për shqiptarë derë e kjametit.

Keq ua bënë këtu një tradhti:

kinse burgun e kishin thy –

Kriminelat si hordhitë

Në t’burgosurit kishin mësy,

me armë zjarri n’ta tue shti.

S’dihet Prëka ka vdekë apo është vra,

Por familjes kurrë kthy s’ju ka!

Të dënuar pse ishin shqiptarë

E të njohur si atdhetarë.

 

6.

 

Kënduam këtë këngë

për Bec t’Dushkajës,

po për vuajtjet e masakrat,

që përjetoi populli shqiptar,

nga të huajt barbarë.

 

E dhashtë Zoti tash n’liri,

njëri-tjetrin ta shikojmë n’sy,

se armiku s’na bëhet vëlla –

këtë shumë herë e kemi pa…

 

/Maj 2007/



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora