Kulturë
Demir Krasniqi: Bisedojnë nana dhe djali
E diele, 09.01.2011, 08:56 PM
BISEDOJNË NANA DHE DJALI
Djali:
Ah, moj nanë, du’ me t’ kallxu’-
Me nji vajzë, unë jam njoftu’!
Do t’ia çoj msit’t me e kërku’ –
Si n’ ma dhashin – me u martu’!
Nana:
N’ paç vendosë, bir, me u martu’
Me atë vajzë që je njoftu’ ,
Hala msitët pa ia çu’ –
Pyete – a din me gatu’?
Djali:
Ah, moj nanë, fort m’ ke ngushtu’ ,
A po e din ku je tuj rrnu’?...
Me i pyet vajzat, a dinë me gatu’ –
Mbes për jetë, unë , pa u martu’!
Nana:
Djali i nanës, n’ëm ngofsh mu’ –
Hala msitët , pa ia çu’ ,
Merru vesh se a din vajza
Me maru’ xhemper me kërrabëza ?!
Djali:
Ah, moj nanë, fort m’ ke ngushtu’ ,
Koha e kërrabzave ka kalu’ !
Me e pyet vajzën, çka janë kërrabëzat –
Kurrë për jetë s’i ndërrojmë unazat !
Nana:
Djali i nanës, ty t’pastë nana ,
Me u martue n’ ta pastë ana ,
Pyete, sa s’ ka ardhë te shpija –
A din nusja me qitë flija ?
Djali:
Ah, moj nanë, fort m’ ke ngushtu’ ,
Koha e flijave ka kalu’ !
Me e pyet vajzën, a qet flija –
Kurrë s’ mund t’ bie nuse te shpija !
Nana:
Djali i nanës, mos t’ lanë mentë –
Pyete – a dinë me i mjelë dhentë ?!
Dhenë e lopë me i mjelë në vathë –
Me nxanë kos e me nxanë djathë?...
Djali:
Shujë, moj nanë, e mos banë hoka ,
Mos t’ ndien kush, se na lëshon toka!
Ku dinë vajzat me i mjelë gjanë ,
Kos e djathë, tamblin me e nxanë ?!
Nana:
Ani, bir, pra mos ki dert ,
Merre nusen qysh t’ duesh vet !
Fjalët nanës, mos harro kurrë –
Merre nusen me gjithë Furrë !...
Me gjithë Furrë e Vetëshërbim –
Për me ble t’ gatshëm ushqim !
Kush nuk ka n’ shpi magjetore –
Mysafirët i çon n’ gjellëtore !
Gjilan, më 08.01.2011. Demir KRASNIQI