Kulturë
Skënder R. Hoxha: Flakë janari
E merkure, 12.01.2011, 08:45 PM
SKËNDER R. HOXHA
FLAKË JANARI
/Jusuf Gërvallës/
Agimeve e muzgjeve shpirt i ndezur
Në unor Dukagjini tej Ylberit
Flakë Janari ku drithërinë zemrat
Flakë janari ku lëshojnë shtat ëndrrat.
Kitarë e përvuajtur në krahë muzash
Me tela të kurdisur n’Dubovik
Harfë e moçme magjepse e fashitur
Lyrë Orfeu e shndërruar në mit.
Në Flakë Janari u lind Kanjushë e Verdhë
Fluturojnë e bien Jusufi tha
Trohat e përgjakura rrugës skamnore
Dimrave të ftohtë duke i mbledhë.
Në hartë Ilire vegim engjëllor
Me duart plot zjarr Prometeu
A është baladë profetike a këngë trimoshi
Rrugës së kalvarit Jusufi Kadriu Bardhoshi
Figura në bronz e në vargje rubaish.
Natë kobtare n’Allaman nxiu
Shtrigat hienat e moheve e pritave
Në llahtari veshur me lëkurë djalli
Thurën shëmtinë në kristale shtrëngatash
Flakë Janari u bë Fanar i pashuar.
(Kjo vjershë u shpërbly me vendin e parë, nga juria, në Orën e Madhe Letrare, mbajtur në kuadër të “Flakës së Janarit”, më 16 janar 2007, në Pejë.)