E merkure, 01.05.2024, 12:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Mahmut Elez Mahmuti – Kqiku: Kënga ma hoqi mërzinë dhe ma ruajti krenarinë për Velegllavën

E shtune, 15.01.2011, 08:58 PM


KËNGA MA HOQI MËRZINË DHE MA RUAJTIKRENARINË PËR VELEGLLAVËN

 

Nga Mahmut Elez Mahmuti – KQIKU

 

Unë pas  një odisejade të madhe nëpër valë të ndryshme të jetës po i kthehem këngës. Le të jetë kjo porosia ime për të gjithë se edhe kur të mërzitemi të mos dëshprohemi. Ia vlen që në ato memonete të vështira të jetës të mendohemi  se dikush e ka edhe ma vëshirë, e atëherë ti gëzohu se e ke më lehtë e dhimoje atë që e ka më vështirë. Nëse mundesh ndihmoje...

Optimizmi është ilaç për me ec përpara.

Kënga ashtë melmesë e optimizmit.

 

Velegllava është fshati më i thellë në malësinë e Gollakut. Prej Velegllave kalon në Serbi. Fshat  i izoluar, i cili nuk u prek nga ndikimet e kulturave të huaja. Aty shumë vështirë e ka pasë për ta  shkelur këmba e të huajit. Prandaj krejt çka është ruajt nga kultura është  e pastër, është origjinale dhe e krijuar ndoshta mu aty. Edhe njerëzit janë  të mirë. Ata janë ballafaqur me shumë probleme edhe me të mira edhe me të këqija. Edhe me gëzime edhe me hidhërime.  Velegllavasit janë mbamendës të mëdhaj.

Unë nuk kam kryer shkollë po krejt çka po shkruaj  i kam mbajt në mend prej të parëve të mi prej babës e prej babxhyshit, prej nënës e prej gjyshit. Respekti dhe nderimi im u takon atyre se kurrë nuk m’kanë mësuar për keq. Kurrë nuk e kanë marrë kand nëpër gojë për të keq po veç për të mirë.

Familja ime ka qenë familje e përvujtur. E kam përmend se babai na ka vdekë heret. Nëna më vonë po jetima kemi qenë, punëtorë kemi qenë dhe mirë kemi shkuar ndërmjet veti me  vëllazër e me motra e kusheri. Çka kemi pasë mundësi  kemi ndihmuar po kemi qenë edhe të ndihmuar.

Të gjallin e kemi ndihmuar të vdekurit i kemi kujtuar dhe e kemi dhembshuruar e kemi mbajtur pikllim të gjatë për ta.

Krahas  vuajtjeve e përpjekjeve për t’i  tejkaluar vështirësitë  ndonjiherë kemi pas dëshirë për të kënduar. Kemi kënduar edhe për trimat, për gëzimet edhe për mërzitë.

Nanën time,  është rritë  e ka shkuar në amshim,  kurrë nuk e kam dëgjuar duke kënduar. Nuk ka dashtë të këndojë.  Për këtë më dhëmbset shumë se  ka hequr shumë për të na ngritur., ka pasë brenga të mëdha  për djemt e për çikat e veta që i mbetën në dorë – në përkujdesje. Ajo ka qenë 10 vjet më e re se babai (1883 / 1893), siç shihet 10 vjet diferencë.

Nuk e di plotësisht arsyen pse babai  2 ditë para se të ndërronte jetë  e ka kënduar një kangë e ka kënduar deri në fund. Quhej “Destan Begu kshyr sahatin”. Më kujtohet zëri i tij i shterrur, lodhja e tij po e qiti këngën në fund, ndoshta për ta ruajtur forcën e qëndresës   të fëmijëve  të vet që i rrinim pranë e pranë. E ka pasë zërin e mirë dhe melodinë ia ka ditë këngëve mirë.

 

“Destan Begu kshyr sahatin,

Çou bre Din shiloma atin

Në Rahovec e kam konakun

Me e pajtue sallanxhakun.

Sallangjak pashë jetën tande

Mos um shtjen sonte në hapsane

Mos um shtjen me fjet me kali

Ta dhash besën s’un ta fali

S’un ta fali kët pishtole

Piqëm Zo me hasmin pa nore

Piqëm Zo me Avdulla Begun

Si jau mat burrave shtagën

Se mem ra se duroj as babën

Jo po e duroj Avdullah agën...

 

Kjo ka qenë kënga e fundit në jetën e tij. Të gjithë, duke e përcjellur atë duke kënduar,  kemi qajtur. Kënga nuk na ka gëzuar:

nuk e këndoj

 se ishte mirë me shëndet,

nuk e këndoj

se kishte shpresë

nuk e këndoj

se po ngritet në këmbë,

nuk e këndoj

se në jetën e tij kishte pas gëzime,

nuk e këndoj

se  neve po na lë mirë.

Të gjithë kemi qajtur në atë moment kah këndonte ai. Kemi qajtur me ashk të zemrës se e shihnim se babë më nuk kemi.

Abaz Abazi, mjeshtër i interpretimit të melodive popullore me fyell. Me prejardhje nga Velegllava, i biri i rapsodit Sejdi Abazi,i  cili jetoi në Gumnishtë të Gjilanit. Ishte roje e Ramiz Cernicës. Ekzekuton një melodi  me fyell në Tubimin tradicional familjar  në Velegllavë  më 28 korrik 1994.
Abaz Abazi, mjeshtër i interpretimit të melodive popullore me fyell. Me prejardhje nga Velegllava, i biri i rapsodit Sejdi Abazi,i cili jetoi në Gumnishtë të Gjilanit. Ishte roje e Ramiz Cernicës. Ekzekuton një melodi me fyell në Tubimin tradicional familjar në Velegllavë më 28 korrik 1994.
Mbas dy ditëve vdiq. E varrosëm. Unë shkova në varrim kurse Shaipi – vëllai im jo se ishte i vogël 4 vjeç. Në varrim nuk kanë  shkuar as motrat se ishte e ndaluar për të marrë pjesë femërat në varrim. E di edhe këtë po e kallëzoj se mbas varrimit duke filluar prej ditës së nesërme unë, motra Ajete dhe motra Rabishë  40 ditë për ditë kemi shkuar te varri i babait dhe i kemi kënduar JASIN në gjuhën arabe.

                Duke ia kënduar “Jasinin”, “Mevludin” e mbasandej në Kur’an me zë  sikur na u çel goja na u bë e aftë për të kënduar, e pamë se kishim zë të mirë dhe  unë me Ajeten filluam përnjëmed të  këndonim

                Kemi kënduar pa asnjë instrument se nuk kemi pasë. pos atyre që i ndreqnim vetë si fyellin, që e ndreqnim prej shtogu, dudukun, kavallat, pipzat e ndryshme dhe ishim mjeshtër të mirë të  këtyre instrumentave.

 

Ne fëmijët  këndonim me fyell  e me duduk, kurse burrat  edhe me kavalla se ne fëmija nuk mundnim t’ua mbrrinim vrimat se kanë qenë të gjatë.

E mbaj në mend nganjëherë bëheshim bashkë unë edhe Ajetja e këndonim me përcjellje të kavallit që i rajke  Ilmi Suharna – burri i Ajetes. Ky, Ilmiu  u rajke aq mirë kavallave sa “dy kamt në dhe t’i shtike”...

Kur u rrit Shaipi  fillova të këndoj  me të. E ka pas zërin shumë të mirë. Saherë shkonim  te motra në Suharrnë dhe në Shillovë na shtinin të këndonim. Mësuam shumë këngë. Edhe sot i mbaj në mend ato këngë që i këndonim mbrenda dhe jashtë. Kur këndonim mbrenda i zgjedhnim do këngë trimërije, bese,  pune, kurbeti,  etj. kurse jashtë kur ishim duke i ruajt kafshët këndonim tjera këngë.

Ne atyre këngëve u kemi thëngë kangë të dashnisë e dikush u ka thënë edhe këngë të arshikisë.

                Po i shkruaj disa këngë  të dashnisë se nuk janë të gjata. Janë shumë të bukura. Kam frikë se nuk i di krejt po çka i di po i shkruaj. Më mirë t’i shkruaj aq sa i mbaj në mend se se të humbin të gjitha:

 

                KU KE PRAM KUR QITA PUSHKË

 

Ku ke pramë kur qita pushkë

Kesh tue e mjel delmen kallushë,

Delmen kallush e delmen bardhokë

Jam habit e mjelsha n’tokë

E zezë nana m’ka diktue

Ç’ke moj bi qi je frigue

Djemt e ri nanë jan tubue

Po qesin pushkë e fort  po drue

Fort po drue qi po më vrasin

Pak nu tutsh-o qi po të vrasin

Dil në oborr e luje pshtjellakun

Fort po tutna nanë që po m’furin

Pak nu tutsh bijo qi po të furin

Dil  n’oborr e lueje uçkurin.

 

MORA PUSHKËN E RASH TE REKA

 

Mora pushkën e rash te reka

E gjeta qikën tuj la petka

E zgata dorën e pak e preka

Çka me e prek si dardh e butë

Nalu qikë e mos u tut

Me të mirë jam tu t’lut

..........

 

PREJ NI SHPATI I LËSHOVA SYTË

 

Prej ni shpati  ti lishova sytë

Kur t’i pash - o rruzat në fyt

Krejt prej mendes - o jam habit

E kam çue dorën allti me qitë

Kur e nxora alltin prej  rrethit

Mu mush menja-o me i ra vetit.

 

OJ TI ÇIKË NË DIVANHANE

 

Oj ti çikë në divanhane

M’çove fjalë për hallën tane

Hajde djalë - o nesër mbrama

Hajde djalë - o ndash me hi

Nana  fjetë, baba n’mulli

Qeni lidh dera pa dry

N’derë të oborrit

kur t’bajsh me hi

Jepja dadës qat allti.

 

RRUSHJA E LALES

 

Rrushja e lalës, në fund të livadhit

Po i merr ngryk lisat e malit,

Po i mer ngryk ren me ren

Kah asht kanë çoban me dhenë

Kah janë kanë e kah kanë shkue

Tue u kaçumitë përrue m’prrue.

 

NË DRRASË TË VEKUT

 

Në drrasë të vekut, kush po kanë

Kanë syzeza o për jaran

Për jaran  at djalë të ri

-A e di nanë në dhe ku e kanë shti

-Në vorre të reja nër at bojli

-A më jep nanë leje atje të shkoj

T’i bije vorrit niherë përmi...

 

 

 

KA DALË ÇIKA NË KAPIXHIK

 

Ka dalë çika o në kapixhik

Po e vet nusja djali çka të lypi

-Të dy faqet e njanën cicë,

Mos ja jep o të plaqin sytë

Asht i ri e djali të koritë

S’ta len shtatin me t’u rritë

Ta lyp orokun ditë për ditë

Ditë për ditë ta lyp orokun

Mos me dal ta vret sharovin

T’i kall sanët e  ta djeg oborin.

 

PSE PO SHKON TUE U SHALAKAT

 

Pse po shkon çikë tue u shalakat

Jam e mirë e ja kam zanat

Pak e kam o për inat

Se je i ligsht e s’ki çka m’ban

Je i ligsht e bahmi horë

Kurrë se rrok mamzerrkën n’dorë

Në pikë të natës me m’ra n’ oborr

Në oborr tu dera e torishtës

Të dal dada në fill të kmishës

Në fill të këmishës në jelek t’bardhë

Të thotë dada mirë se ke ardh

Me ugiq dada të prinë përpara

E të fërkon me duer të bardha.

 

OJ TI ÇIKA MUHAXHERE

 

Moj ti çikë muhaxherë

A po shkon nuse sivjet

Qyqe u bafsha se di as vet

E kam nije nanënë e bajke dert

Kam ni çikë me përcjell sivjet

Nuk kam miell as bylmet

Nji lop mazë pikën se qet

Unë në shkofsha nuse sivjet

Motrës vogël ja la amanet

Sherr kopilin kshyrma si vet.

 

NUSJA E ÇIKA PO KUVENOJNË

 

Nusja e çika po kuvendin

Ku t’ja bajmë jaranit venin

Çika po thotë në kolibë t’qenit

Nusja thotë në çiler temin.

 

MORI ÇIKË QË SHKON NËPËR BRYMË

 

Mori çikë qi shkon nëpër brymë

S’po t’le vjami me mar frymë

Me mar frymë e me pushue

Unë mësitët kam me t’i çue

S’ka nevojë mësit me më çue

Kur të mushet menja mësit me çue

Mere mamzerkën hajde në krue

Aty djal-o ti më gjen mue.

 

O TI DJALË, DJALAË I RI

 

O ti djalë, djalë i ri

Hajde sonte në dash  me hi

Ty ta la derën pa dry

Unë përpara kam me t’pri

Në çilerë kam me t’shti

Ti m’ puth në faqe, unë në sy

Në bafshin burrat me na ni

Për dritarje të qes n’kojshi

Në derë të oborrit udha e mbarë

Zog sokoli zoti t’ka fal

Zog sokoli të ka falë  Zoti

Me mue zi nuk t’shkon moti.

 

MORI E MIRË SHPINË N’AT KODËR

 

Mori e mirë, shpinë n’atë kodër

Boll e mirë po pak e vogël

Nuk jam e vogël po jam taman

Matmi vithet sa gjan i kam

Në dash me kuti, në dash me pllamë

 

 

MORI E MIRË QË SHKON ME GJA

 

Mori e mirë që shkon me gja

Shpat m’ shpat  t’ njof në za

T’ njof në za e t’ njof në fjalë

Për shtat gjaqe se la pa t’ mar

Ishalla s’bahet gjak as varrë

Dorë për dore në saraj me dal

Aman pash, aman kadi

Mos më ndani prej djalit ri.

 

Këngët e dashnisë  janë shumë të bukura. I kemi

kënduar larg shpisë kur i kemi kullotë kafshët. Kanihere i kemi përcjell edhe me fyell kush ka ditë t’i bjerë. Afër prindëve e në shpi këto këngë nuk i kemi kënduar se na ka ardh turp prej më të vjetërve..

Kështu ka qenë atëherë.

Mua më dhimben shumë këto këngë. I dua shumë se edhe kur e kemi pas të ndaluar dashurinë prej ideve të mbrapambetura , me këto këngë e kemi përjetuar.

Netëve të gjata të dimrit, kur nuk kishim punë nëpër ara e livadhe, mblidheshim pasdarkave  dhe luanim lojëra të ndryshme popullore dhe këndonim.

Unë nuk kam kënduar pa vëllaun tim Shaipin. E kemi pas zërin  krejt të njejtë, bile në zë nuk ka mundur kush të na dallojë se cili jemi Shaipi apo Mahmuti.

E di se shumë herë, kur kemi pas mysafirë në shtëpinë tonë ose të kusherinjt, unë me Shaipin i kemi kënduar do këngë që  ishin interesante dhe i pranojke oda. Jo këngë të dashurisë po për histori e trimëri.

Po i shkruaj disa:

 

ÇKA KA HASIMJA QË PISKET

 

Çka ka Hasimja që pisket:

-Mi kanë vra dy vllazni,

Qaren veti s’po ja di,

S’un po e gjoj nji djalë të ri,

Që jav merr gjakun vllaznive t’ mi;

Jap zabelin me gjithë mulli,

 I jap tokë e i jap shpi,

Edhe vet nër niqah i hi.

 

Lil Begraca djalë dai

Fjalë Hasimes i ka çue

Ti Hasime num marrësh mue

Krejt Mirashin kam me e farue

Kjo Hasimja i ka besue.

 

Prit me muj e prit me vjet

Pushka e Lilës s’po kërset

Lilë Begraca çka ka marue

Fjalë Hasimes i ka çue

N’desh me mue me u pajtue

Tridhet lira bimi mue

Unë me ty kam me u pajtue

                E Hasimes fjalë i ka çue:

                -Nji drekë të mirë me ma marue

Dosti i babës vjen me mue.

 

Kjo Hasimja e ka ngue

Drekë të mirë i ka marue

Hasmin n’shpi ja ka çue

E asht marrë me ta ngryk

Edhe drekën e ka pru

Atëherë Hasimja e ka diktue

Se hasmin në shpi ja ka prue

Kshyr Hasimja shka ka marue

Në tesha t’burrave asht vesh e nrrue

Dy alltija në shokë i ka vnue

Drejt në Mirash koka shkue

Pe gjan hasmin ni tallë tu e vnue

I len tre t’vdekun e një  plague

Në xhandarmeri Hasimja asht dorëzue

Në burg të Nishit jetë ka ndrrue.

 

 

HALIME DELAJKA

 

Mbasi jam këtu te këngat që i kemi kënduar, po më vjen shumë keq e rënd  se Velegllava ka pas këngëtar që kanë kënduar edhe për ngjarjet e moçme që janë zhvilluar  në këtë katundin tonë të moçëm, po shumë prej tyre janë harruar.

Nëse e keni lexuar librin “Velia Glaua, ëndërr  e ripërtërirë” që e ka shkrue Hysen Këqiku, aty shumë mirë ka treguar se sa e vjetër është Velegllava dhe sa ngjarje të rëndësishme janë bërë pikërisht aty në Velegllavë e nga velegllavasit.

Është kënduar për ato ngjarje dhe këngët vetë i kanë qit  për veti e për ngjarjet e veta.

Ka qenë një jetë shumë interesante, e begatshme dhe shumë fisnike.

Nuk kanë kënduar vetëm mashkujt por edhe femrat.

Flitet për një Halime Delajka e cila edhe ka kënduar mirë  edhe këngën vetë e ka qitë dhe vetë ia ka vënë melodinë. Këngët e saja  kanë qenë  shumë të bukura m’u ashtu qysh duhet të jetë  kënga .

Nëna ime më ka treguar për Halimen se si njëherë nën rrugë e kishin parë një ka, të cilin e kishin vrarë bullgarëtë dhe serbët veç për t’iu bërë dëm vendasve, të gjallë e duke dhënë shpirt. Halimja, tregon nëna, aty për aty e qiti në kangë:

 

“Ore surk o surku plak

Mblidhi kamt e shtini nër bark

Se katër kamtë  po t’pikin gjak

Ty t’kan vra këta bugart

                Këta bugart me serbijant

                Jan njisoj, nuk kanë gjunah

Janë të keq nuk dinë allah...

 

Po e përsëris, fatkeqësisht  nuk i ka mbledh kurkush këto këngë dhe  kanë humbur. Unë e kam mbajtë në mend këtë kangë të Halimes dhe po e përmendi sepse meriton. Për ata që qesin këngë e vjersha e shkruajnë libra duhet ta kenë një kujdes të madh ndaj tyre. Duhet ta lusim Zotin për ta që Ai t’iu japë atyre shëndet të mirë, forcë e jetë të gjatë.

Halimes i kanë thanë Delajka se prej mahallës së Velegllavës që i thonë Rapuca ka dalë lartë –në Velegllavën e Epër. Atyre që kanë dalë lartë u kanë thanë dalakët (të dalurit). Kjo ka qenë morta e Ahmet Xhymshitit që më vonë shpërngulen e vijnë në Gilan. Ata  në vitin 2009 e kanë marrë mbiemrin Këqiku për t’u deklaruar se janë një gjak me krejt Velegllavët që thirren me këtë mbiemër.

 

 

NJË  KËNGË    SAHERË E KEMI KËNDUAR NA KA BËRË PËR TË QAJTUR

 

Unë edhe vëllau im Shaipi kemi kënduar me qindra këngë po nuk guxoj ta marr përsipër për t’i shkruar se po e di që i kam harruar. Po më kujtohen emrat e atyre këngëve dhe përmbajtja e tyre. Po  nuk po mundem t’ushkoj deri në fund.

Kënga që nuk kemi guxuar për ta kënduar se ata që na ndëgjonin kryesisht të moshuarit – pleqtë  ia fillonin vajit. Ajo këngë me një melodi që vërtetë të prekë thellë në shpirt quhej: “Shkojnë maqinat rrethit detit”,  sepse saherë e kemi kënduar na u ka kujtuar agxha ynë Dauti i cili në vitin 1908 ka dezertuar  prej sherbimit nizam.

Ai na e ka lanë këtë histori të pashlyshme në kujtesën edhe në shpirtin tonë.

 

“Shkojnë maqinat rrethit detit

I kanë ngarkue askert e mretit

Ty maqinë tu kputshin telat

Qysh su nale me pushue

Ka ni letër ta kishim shkrue

Në vilat për me i que

Nana e baba mos me i ngue

Se janë pleq e s’mujnë me qinrue.

 

Kjo ka qenë aty kah viti 1908 se këtu ka qenë edhe axha i jonë Dauti. Ai tregonte se  i kanë detyruar të  luftojnë me kurdët në Egjipt. Mbas shumë vjetësh axha ka dezertuar e ka ikë. Prej atje është kthyer me një anije të keqe dhe ka ardh deri në Shqipëri, thonin prej Shkodre krejt në këmbë, ka dalë  në Velegllavë, atje ku e  kishte lënë familjen para 8 vjejtësh.

Axha Daut pastaj është vrarë në Luftën e Velegllavës dhe saherë e kemi kënduar këtë këngë na u kanë kujtuar vuajtjet e tij në shkretëtirat e ndryshme ku Turqija nuk ka bërë luftë me djemtë e vet po me gjak të huaj. Mixha Daut i ka parë se si kanë vdekur nëpër luftëra dhe i kanë mbuluar me zallë pa qefin e pa dërrasa  dhe pa e ditë kurkush prej familjarëve varrin e tyre, varrin e djemëve të vet.

Këngë e dhimbjes tonë  edhe e dhimbjes kolektive  kombëtare.

Për kurreshtjen e lexuesve po i shkruej edhe disa tituj të këngëve që unë me Shaipin i kemi kënduar:

“Azem Bejta” i Drenicës  që ka bërë luftë me krajlin e Serbisë në Drenicë, “Hoxhë Breznica” që ia kanë vrarë krejt familjen e si pastaj hoxha ka nxjerr hak, “Demë Ahmeti” prej Vuçiterne flitet se si një ditë e merr çikën -Ajeten e në luftë e siprë iu kanë vrarë të gjithë anëtarët e familjes po i ka mbetur një nip e prej tij tash, thonë se janë shtuar e bërë katund, “Cena Begu” ishte diplomat i Jugosllavisë në Pragë ”Rexhë Gusarja” etj.:

“ Rexhë Kusarja, kmet i ri

 S’ish kanë kmet po hafi,

 S’ish kanë kmet po faqezi

 Kish punue për serbi.”  etj.

 

“Ali plaku kur ban me dek” ,  “Selman Lita” ,  Isuf aga”, p. Sh.

Isuf aga flet me grue 

qu bre grue me m’shtrëngue,

se në të pamë due me t’çue,

miq për qefi më kanë qillue,

në bjeshkë të nalta kur kanë shkue, 

rroke  nji kangë grue me e këndue,

shuj bre njeri çka po thue,

se Mal Maliqi me m’digjue,

të vret ty e më merr mue,

Tri vjet ren m’ka lyp mue

E baba im nuk m’ka lejue

Me Maliqin me u martue

-Rroke kangën ti me e knue

Zuni grueja për me  këndue

Mal Maliqi i ka diktue

Drejt andej asht tfillue

Ndalu burrë me kit grue

Tri vjet rend e kam lyp për grue

Pushka e Malës larg ka jehue

U duk se za ajo ka lëshue

Eni në fatim se jam martue.

 

“Muja e Halili” thuhet se kur janë plak, Halili i ka thënë Mujës: Hajde o bac i shesim armët edhe atllarët e blejmi lesh e tjerrim se nuk kemi mbet më për  pushkë e për liftë.

 

DJALI I RI NJIZET VJET

 

Djali i ri –o njizet vjet

E ka marrë udhën për kurbet,

Dergj e madhe e ka zanë,

Te doktori kur ka shkue

Pe përben në dinë e iman

Këshyrëm mirë e mem kallzue,

A kam me dek a kam me pshtue

Dashuninë ti me e harue

S’kije me vdek po kije me pshtue

Kam me vdek e s’kam me u çue

Dashuinë nuk muj me e harrue” etj.

 

E  kam thënë edhe më lart se babai im  Elezi ka kënduar mirë. E ka pasë merak për ta kënduar këngën e “Bajram Begut” (Bajram Curit). E ka kënduar para Lufës së Dytë Botërore:

 

Bajram begi në kali

Në syhret ma i pari

Bajram begi i ri

Lufton për Shipni,

Bajram begi në borë

Lufton për Kosovë

Oj Sherife hanëm

Çikat thirrin babë

Babë në dynja nuk ka

Baba ju ka vra...

 

Këto kam mundur për t’i mbajtur në mend. E di se ka pasë edhe disa strofa por i kam harruar. Për hatër të babës që e ka dashur shumë Bajram Currin i shkrova këto pak fjalë për ta kujtuar edhe babain edhe veprën kombëtare të Bajram Currit.

Një këngë tjetër që po ashtu e ka dashtur shumë babai im  dhe shpesh e ka kënduar është ajo për “Halit Gashit” e di dhe e mbaj në mend se kur e këndonte edhe i dilnin lotët. Njiherë e fillojke  si ngadal e i qitke ato fjalë e ta bëjke sikur e sheh me sy atë ngjarje.  Halit Gashi e ngon Beqir agë Zotriun por kur kthehet për t’i dhënë  përgjegje ashtu siç është nervozuar  Halit Gashi e i ka dhënë përgjegje, ashtu u idhnojke edhe babai Elez dhe  e këndonte me një tjetër melodi. E shpejtonte ritmin e këngës dhe  kur Halit Gashi ia numron  tri herë Allti për t’ia  “ba për hajr motrën Hajri”  sikur shlirohej, ofshante dhe diçka çka kish në dorë e lëshonte posht sikur ta kryente edhe ky  një punë shumë të madhe e me rëndësi:

 

 

HALIT GASHI

 

Halit gashi nji djalë i ri

Ra në kafe, kafe me pi

Asht zatet me Beqir agën

Me Beqir agën zotni

-Ku po ma gjan nji tokë qipqi

Në Vuçitern nuk muj po rri

Se ujt e lig e sun po e pi

-Të gjaj tokë e të gjaj shpi

Tridhet vetë ti baj qipqi

Veç në ma dhash motrën Hajri

Tungjatjeta ore zotni

S’ta kam hallin për miqësi

-Nuk ta lypi për miqësi

Veç se i ka dy sytë e zi

Veç dy net me ta po rri

Mbas dy netëve ta kthej në shpi

Halit Gashi asht ngushtue

Armë me veti si ka qillue

Drejt në shpi koka shkue

Grues së vet ju ka ngurmue

Prej ditës sodit të paqa lëshue etj.

 

E di se kangë nuk mbaron këtu, ka ende po nuk e di përmendësh. Halit Gashi e ka marrë armën dhe ka shkuar përsëri në kafe te Beqir Aga Zotnija. Dhe ia  ka numrue në lule të ballit  se shqiptari më parë e pranon vdekjen se marren...

 

   ...Sot është ditë e merkurë, 15 qershor 2005, asht kohë e mirë. Dielli nxen si me kanë verë. Vendosa me dal pak në kopsht. Zogjtë e malit cicërojnë në të gjitha anët, po jo si në Velegllavën time. Tjetër za kanë. Diell i mirë shumë, por rrezet qysh më kanë nxe në Velelgllavë, këtu jo. Era po frynë por se jo si në Velegllavë. Ka këtu lisa edhe ma të vjetër se në Velegllavë e i kanë edhe ka 300 vjet porse nuk i kanë degat as gjethet si në Velegllavë... Këtu asht krejt ndryshe e mallin nuk ta çojnë...

                                    Sledzijowice -Krakaov

 

I mbaj në mend mbrëmjet e gjata të dimrit, kur tuboheshim  krejt anëtarët e shtëpisë dhe ia fillonim të tregonim ose përralla ose të këndonim  e, të tilla  këngë këndonim. Këndonim edhe atëherë  kur nuk na këndohej, po ama me këngë edhe i tregonim skamjet tona, vuajtjet, tona jetën e vështirë.

Kënga ishte edhe vaj edhe gëzim edhe luftë edhe fitore.

Kënga ishte edhe shpresa jonë për një ditë që do të vijë patjetër.

Velegllava ka krijuar këngë edhe ka ruajt këngë. Me këngë nëna i ka rritë fëmijët, nëna e ka martuar djalin, i ka prit miqtë.

Me këngë e kemi përcjellë në amshim më të dashurin.

E di dhe i mbaj në mend këngët  e trimërisë kur  me një gisht, ai që këndonte, e mshelte veshin, e ia thojke këngës së krushqëve që ajo të dëgjohej  sa më larg sa në fund të botës. Kjo këngë ishte forca e armës kur nuk i kemi pasë, ishte forca e shpirit se atë e kemi pasë.

Unë e kam lexuar në librin e Hysen Këqikut: “Velia Glaua, ëndërr e ripërtërirë” se ekspertat veç një herë kanë qenë  në Velegllavë (1975) për të mbledhur këso këngësh dhe  po më doket që shumë pak kanë mbledhe. Fatkeqësi e madhe është humbja e krijimevet shpirtërore. E nëse atëherë nuk kanë mundur për t’i mbledhur diçka, sot e kanë vështirë se prej 150 shtëpive të asaj kohe sot janë krejt 7-8 familje që nuk e kanë gajlen e këngës po gajlen se si të jetojnë vetë në atë vend  të thellë malor e pa kushte jetese.

Kanga ësht vaji i burrit.

Unë kur punoj, ose kur mbetem vetë, këndoj po jo me zë se zëri nuk bënë më se, edhe ai është vjetruar. Këngën e qes me fishkëllimë se më lehtë edhe e dëgjoj ashtu qysh e këndonim kur kemi qenë bashkë me vllaun tim Shaipin. Dikur më kapin emocionet – mërzija e ia nisi të qaj edhe të qajturit ma rikujton kohën kur isha fare i ri e më vdiq babai, pastaj nëna e mbetëm vetë  sikur pa askënd veç ne dy vëllezërit edhe motrat. Harroj që kam qenë duke e kënduar një këngë me fishllimë.

Mund të thotë dikush “po pse po rri në Poloni”, këtu ku e kam shtëpinë dhe jetoj me gruan teme të tretë. Po pse ai që thotë ashtu nuk thotë “O zot po pse Mahmutit ia shkrove atë rrësk jete atje ku nuk e ka frymën e vendlindjes, të atdheut të Kosovës”.

Kjo që më ndodhi mua nuk është zgjidhje e imja. Këtë fat e ka shkruar tjetër kush

– Krijuesi  Zoti i falemi atij.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora