| E shtune, 15.01.2011, 08:58 PM |
KËNGA MA HOQI MËRZINË DHE MA RUAJTIKRENARINË PËR VELEGLLAVËN
Nga Mahmut Elez Mahmuti – KQIKU
Unë pas një odisejade të madhe nëpër valë të ndryshme të jetës po i kthehem këngës. Le të jetë kjo porosia ime për të gjithë se edhe kur të mërzitemi të mos dëshprohemi. Ia vlen që në ato memonete të vështira të jetës të mendohemi se dikush e ka edhe ma vëshirë, e atëherë ti gëzohu se e ke më lehtë e dhimoje atë që e ka më vështirë. Nëse mundesh ndihmoje...
Optimizmi është ilaç për me ec përpara.
Kënga ashtë melmesë e optimizmit.
Velegllava është fshati më i thellë në malësinë e Gollakut. Prej Velegllave kalon në Serbi. Fshat i izoluar, i cili nuk u prek nga ndikimet e kulturave të huaja. Aty shumë vështirë e ka pasë për ta shkelur këmba e të huajit. Prandaj krejt çka është ruajt nga kultura është e pastër, është origjinale dhe e krijuar ndoshta mu aty. Edhe njerëzit janë të mirë. Ata janë ballafaqur me shumë probleme edhe me të mira edhe me të këqija. Edhe me gëzime edhe me hidhërime. Velegllavasit janë mbamendës të mëdhaj.
Unë nuk kam kryer shkollë po krejt çka po shkruaj i kam mbajt në mend prej të parëve të mi prej babës e prej babxhyshit, prej nënës e prej gjyshit. Respekti dhe nderimi im u takon atyre se kurrë nuk m’kanë mësuar për keq. Kurrë nuk e kanë marrë kand nëpër gojë për të keq po veç për të mirë.
Familja ime ka qenë familje e përvujtur. E kam përmend se babai na ka vdekë heret. Nëna më vonë po jetima kemi qenë, punëtorë kemi qenë dhe mirë kemi shkuar ndërmjet veti me vëllazër e me motra e kusheri. Çka kemi pasë mundësi kemi ndihmuar po kemi qenë edhe të ndihmuar.
Të gjallin e kemi ndihmuar të vdekurit i kemi kujtuar dhe e kemi dhembshuruar e kemi mbajtur pikllim të gjatë për ta.
Krahas vuajtjeve e përpjekjeve për t’i tejkaluar vështirësitë ndonjiherë kemi pas dëshirë për të kënduar. Kemi kënduar edhe për trimat, për gëzimet edhe për mërzitë.
Nanën time, është rritë e ka shkuar në amshim, kurrë nuk e kam dëgjuar duke kënduar. Nuk ka dashtë të këndojë. Për këtë më dhëmbset shumë se ka hequr shumë për të na ngritur., ka pasë brenga të mëdha për djemt e për çikat e veta që i mbetën në dorë – në përkujdesje. Ajo ka qenë 10 vjet më e re se babai (1883 / 1893), siç shihet 10 vjet diferencë.
Nuk e di plotësisht arsyen pse babai 2 ditë para se të ndërronte jetë e ka kënduar një kangë e ka kënduar deri në fund. Quhej “Destan Begu kshyr sahatin”. Më kujtohet zëri i tij i shterrur, lodhja e tij po e qiti këngën në fund, ndoshta për ta ruajtur forcën e qëndresës të fëmijëve të vet që i rrinim pranë e pranë. E ka pasë zërin e mirë dhe melodinë ia ka ditë këngëve mirë.
“Destan Begu kshyr sahatin,
Çou bre Din shiloma atin
Në Rahovec e kam konakun
Me e pajtue sallanxhakun.
Sallangjak pashë jetën tande
Mos um shtjen sonte në hapsane
Mos um shtjen me fjet me kali
Ta dhash besën s’un ta fali
S’un ta fali kët pishtole
Piqëm Zo me hasmin pa nore
Piqëm Zo me Avdulla Begun
Si jau mat burrave shtagën
Se mem ra se duroj as babën
Jo po e duroj Avdullah agën...
Kjo ka qenë kënga e fundit në jetën e tij. Të gjithë, duke e përcjellur atë duke kënduar, kemi qajtur. Kënga nuk na ka gëzuar:
nuk e këndoj
se ishte mirë me shëndet,
nuk e këndoj
se kishte shpresë
nuk e këndoj
se po ngritet në këmbë,
nuk e këndoj
se në jetën e tij kishte pas gëzime,
nuk e këndoj
se neve po na lë mirë.
Të gjithë kemi qajtur në atë moment kah këndonte ai. Kemi qajtur me ashk të zemrës se e shihnim se babë më nuk kemi.
Mbas dy ditëve vdiq. E varrosëm. Unë shkova në varrim kurse Shaipi – vëllai im jo se ishte i vogël 4 vjeç. Në varrim nuk kanë shkuar as motrat se ishte e ndaluar për të marrë pjesë femërat në varrim. E di edhe këtë po e kallëzoj se mbas varrimit duke filluar prej ditës së nesërme unë, motra Ajete dhe motra Rabishë 40 ditë për ditë kemi shkuar te varri i babait dhe i kemi kënduar JASIN në gjuhën arabe.
Abaz Abazi, mjeshtër i interpretimit të melodive popullore me fyell. Me prejardhje nga Velegllava, i biri i rapsodit Sejdi Abazi,i cili jetoi në Gumnishtë të Gjilanit. Ishte roje e Ramiz Cernicës. Ekzekuton një melodi me fyell në Tubimin tradicional familjar në Velegllavë më 28 korrik 1994.
Duke ia kënduar “Jasinin”, “Mevludin” e mbasandej në Kur’an me zë sikur na u çel goja na u bë e aftë për të kënduar, e pamë se kishim zë të mirë dhe unë me Ajeten filluam përnjëmed të këndonim
Kemi kënduar pa asnjë instrument se nuk kemi pasë. pos atyre që i ndreqnim vetë si fyellin, që e ndreqnim prej shtogu, dudukun, kavallat, pipzat e ndryshme dhe ishim mjeshtër të mirë të këtyre instrumentave.
Ne fëmijët këndonim me fyell e me duduk, kurse burrat edhe me kavalla se ne fëmija nuk mundnim t’ua mbrrinim vrimat se kanë qenë të gjatë.
E mbaj në mend nganjëherë bëheshim bashkë unë edhe Ajetja e këndonim me përcjellje të kavallit që i rajke Ilmi Suharna – burri i Ajetes. Ky, Ilmiu u rajke aq mirë kavallave sa “dy kamt në dhe t’i shtike”...
Kur u rrit Shaipi fillova të këndoj me të. E ka pas zërin shumë të mirë. Saherë shkonim te motra në Suharrnë dhe në Shillovë na shtinin të këndonim. Mësuam shumë këngë. Edhe sot i mbaj në mend ato këngë që i këndonim mbrenda dhe jashtë. Kur këndonim mbrenda i zgjedhnim do këngë trimërije, bese, pune, kurbeti, etj. kurse jashtë kur ishim duke i ruajt kafshët këndonim tjera këngë.
Ne atyre këngëve u kemi thëngë kangë të dashnisë e dikush u ka thënë edhe këngë të arshikisë.
Po i shkruaj disa këngë të dashnisë se nuk janë të gjata. Janë shumë të bukura. Kam frikë se nuk i di krejt po çka i di po i shkruaj. Më mirë t’i shkruaj aq sa i mbaj në mend se se të humbin të gjitha:
KU KE PRAM KUR QITA PUSHKË
Ku ke pramë kur qita pushkë
Kesh tue e mjel delmen kallushë,
Delmen kallush e delmen bardhokë
Jam habit e mjelsha n’tokë
E zezë nana m’ka diktue
Ç’ke moj bi qi je frigue
Djemt e ri nanë jan tubue
Po qesin pushkë e fort po drue
Fort po drue qi po më vrasin
Pak nu tutsh-o qi po të vrasin
Dil në oborr e luje pshtjellakun
Fort po tutna nanë që po m’furin
Pak nu tutsh bijo qi po të furin
Dil n’oborr e lueje uçkurin.
MORA PUSHKËN E RASH TE REKA
Mora pushkën e rash te reka
E gjeta qikën tuj la petka
E zgata dorën e pak e preka
Çka me e prek si dardh e butë
Nalu qikë e mos u tut
Me të mirë jam tu t’lut
..........
PREJ NI SHPATI I LËSHOVA SYTË
Prej ni shpati ti lishova sytë
Kur t’i pash - o rruzat në fyt
Krejt prej mendes - o jam habit
E kam çue dorën allti me qitë
Kur e nxora alltin prej rrethit
Mu mush menja-o me i ra vetit.
OJ TI ÇIKË NË DIVANHANE
Oj ti çikë në divanhane
M’çove fjalë për hallën tane
Hajde djalë - o nesër mbrama
Hajde djalë - o ndash me hi
Nana fjetë, baba n’mulli
Qeni lidh dera pa dry
N’derë të oborrit
kur t’bajsh me hi
Jepja dadës qat allti.
RRUSHJA E LALES
Rrushja e lalës, në fund të livadhit
Po i merr ngryk lisat e malit,
Po i mer ngryk ren me ren
Kah asht kanë çoban me dhenë
Kah janë kanë e kah kanë shkue
Tue u kaçumitë përrue m’prrue.
NË DRRASË TË VEKUT
Në drrasë të vekut, kush po kanë
Kanë syzeza o për jaran
Për jaran at djalë të ri
-A e di nanë në dhe ku e kanë shti
-Në vorre të reja nër at bojli
-A më jep nanë leje atje të shkoj
T’i bije vorrit niherë përmi...
KA DALË ÇIKA NË KAPIXHIK
Ka dalë çika o në kapixhik
Po e vet nusja djali çka të lypi
-Të dy faqet e njanën cicë,
Mos ja jep o të plaqin sytë
Asht i ri e djali të koritë
S’ta len shtatin me t’u rritë
Ta lyp orokun ditë për ditë
Ditë për ditë ta lyp orokun
Mos me dal ta vret sharovin
T’i kall sanët e ta djeg oborin.
PSE PO SHKON TUE U SHALAKAT
Pse po shkon çikë tue u shalakat
Jam e mirë e ja kam zanat
Pak e kam o për inat
Se je i ligsht e s’ki çka m’ban
Je i ligsht e bahmi horë
Kurrë se rrok mamzerrkën n’dorë
Në pikë të natës me m’ra n’ oborr
Në oborr tu dera e torishtës
Të dal dada në fill të kmishës
Në fill të këmishës në jelek t’bardhë
Të thotë dada mirë se ke ardh
Me ugiq dada të prinë përpara
E të fërkon me duer të bardha.
OJ TI ÇIKA MUHAXHERE
Moj ti çikë muhaxherë
A po shkon nuse sivjet
Qyqe u bafsha se di as vet
E kam nije nanënë e bajke dert
Kam ni çikë me përcjell sivjet
Nuk kam miell as bylmet
Nji lop mazë pikën se qet
Unë në shkofsha nuse sivjet
Motrës vogël ja la amanet
Sherr kopilin kshyrma si vet.
NUSJA E ÇIKA PO KUVENOJNË
Nusja e çika po kuvendin
Ku t’ja bajmë jaranit venin
Çika po thotë në kolibë t’qenit
Nusja thotë në çiler temin.
MORI ÇIKË QË SHKON NËPËR BRYMË
Mori çikë qi shkon nëpër brymë
S’po t’le vjami me mar frymë
Me mar frymë e me pushue
Unë mësitët kam me t’i çue
S’ka nevojë mësit me më çue
Kur të mushet menja mësit me çue
Mere mamzerkën hajde në krue
Aty djal-o ti më gjen mue.
O TI DJALË, DJALAË I RI
O ti djalë, djalë i ri
Hajde sonte në dash me hi
Ty ta la derën pa dry
Unë përpara kam me t’pri
Në çilerë kam me t’shti
Ti m’ puth në faqe, unë në sy
Në bafshin burrat me na ni
Për dritarje të qes n’kojshi
Në derë të oborrit udha e mbarë
Zog sokoli zoti t’ka fal
Zog sokoli të ka falë Zoti
Me mue zi nuk t’shkon moti.
MORI E MIRË SHPINË N’AT KODËR
Mori e mirë, shpinë n’atë kodër
Boll e mirë po pak e vogël
Nuk jam e vogël po jam taman
Matmi vithet sa gjan i kam
Në dash me kuti, në dash me pllamë
MORI E MIRË QË SHKON ME GJA
Mori e mirë që shkon me gja
Shpat m’ shpat t’ njof në za
T’ njof në za e t’ njof në fjalë
Për shtat gjaqe se la pa t’ mar
Ishalla s’bahet gjak as varrë
Dorë për dore në saraj me dal
Aman pash, aman kadi
Mos më ndani prej djalit ri.
Këngët e dashnisë janë shumë të bukura. I kemi
kënduar larg shpisë kur i kemi kullotë kafshët. Kanihere i kemi përcjell edhe me fyell kush ka ditë t’i bjerë. Afër prindëve e në shpi këto këngë nuk i kemi kënduar se na ka ardh turp prej më të vjetërve..
Kështu ka qenë atëherë.
Mua më dhimben shumë këto këngë. I dua shumë se edhe kur e kemi pas të ndaluar dashurinë prej ideve të mbrapambetura , me këto këngë e kemi përjetuar.
Netëve të gjata të dimrit, kur nuk kishim punë nëpër ara e livadhe, mblidheshim pasdarkave dhe luanim lojëra të ndryshme popullore dhe këndonim.
Unë nuk kam kënduar pa vëllaun tim Shaipin. E kemi pas zërin krejt të njejtë, bile në zë nuk ka mundur kush të na dallojë se cili jemi Shaipi apo Mahmuti.
E di se shumë herë, kur kemi pas mysafirë në shtëpinë tonë ose të kusherinjt, unë me Shaipin i kemi kënduar do këngë që ishin interesante dhe i pranojke oda. Jo këngë të dashurisë po për histori e trimëri.
Po i shkruaj disa:
ÇKA KA HASIMJA QË PISKET
Çka ka Hasimja që pisket:
-Mi kanë vra dy vllazni,
Qaren veti s’po ja di,
S’un po e gjoj nji djalë të ri,
Që jav merr gjakun vllaznive t’ mi;
Jap zabelin me gjithë mulli,
I jap tokë e i jap shpi,
Edhe vet nër niqah i hi.
Lil Begraca djalë dai
Fjalë Hasimes i ka çue
Ti Hasime num marrësh mue
Krejt Mirashin kam me e farue
Kjo Hasimja i ka besue.
Prit me muj e prit me vjet
Pushka e Lilës s’po kërset
Lilë Begraca çka ka marue
Fjalë Hasimes i ka çue
N’desh me mue me u pajtue
Tridhet lira bimi mue
Unë me ty kam me u pajtue
E Hasimes fjalë i ka çue:
-Nji drekë të mirë me ma marue
Dosti i babës vjen me mue.
Kjo Hasimja e ka ngue
Drekë të mirë i ka marue
Hasmin n’shpi ja ka çue
E asht marrë me ta ngryk
Edhe drekën e ka pru
Atëherë Hasimja e ka diktue
Se hasmin në shpi ja ka prue
Kshyr Hasimja shka ka marue
Në tesha t’burrave asht vesh e nrrue
Dy alltija në shokë i ka vnue
Drejt në Mirash koka shkue
Pe gjan hasmin ni tallë tu e vnue
I len tre t’vdekun e një plague
Në xhandarmeri Hasimja asht dorëzue
Në burg të Nishit jetë ka ndrrue.
HALIME DELAJKA
Mbasi jam këtu te këngat që i kemi kënduar, po më vjen shumë keq e rënd se Velegllava ka pas këngëtar që kanë kënduar edhe për ngjarjet e moçme që janë zhvilluar në këtë katundin tonë të moçëm, po shumë prej tyre janë harruar.
Nëse e keni lexuar librin “Velia Glaua, ëndërr e ripërtërirë” që e ka shkrue Hysen Këqiku, aty shumë mirë ka treguar se sa e vjetër është Velegllava dhe sa ngjarje të rëndësishme janë bërë pikërisht aty në Velegllavë e nga velegllavasit.
Është kënduar për ato ngjarje dhe këngët vetë i kanë qit për veti e për ngjarjet e veta.
Ka qenë një jetë shumë interesante, e begatshme dhe shumë fisnike.
Nuk kanë kënduar vetëm mashkujt por edhe femrat.
Flitet për një Halime Delajka e cila edhe ka kënduar mirë edhe këngën vetë e ka qitë dhe vetë ia ka vënë melodinë. Këngët e saja kanë qenë shumë të bukura m’u ashtu qysh duhet të jetë kënga .
Nëna ime më ka treguar për Halimen se si njëherë nën rrugë e kishin parë një ka, të cilin e kishin vrarë bullgarëtë dhe serbët veç për t’iu bërë dëm vendasve, të gjallë e duke dhënë shpirt. Halimja, tregon nëna, aty për aty e qiti në kangë:
“Ore surk o surku plak
Mblidhi kamt e shtini nër bark
Se katër kamtë po t’pikin gjak
Ty t’kan vra këta bugart
Këta bugart me serbijant
Jan njisoj, nuk kanë gjunah
Janë të keq nuk dinë allah...
Po e përsëris, fatkeqësisht nuk i ka mbledh kurkush këto këngë dhe kanë humbur. Unë e kam mbajtë në mend këtë kangë të Halimes dhe po e përmendi sepse meriton. Për ata që qesin këngë e vjersha e shkruajnë libra duhet ta kenë një kujdes të madh ndaj tyre. Duhet ta lusim Zotin për ta që Ai t’iu japë atyre shëndet të mirë, forcë e jetë të gjatë.
Halimes i kanë thanë Delajka se prej mahallës së Velegllavës që i thonë Rapuca ka dalë lartë –në Velegllavën e Epër. Atyre që kanë dalë lartë u kanë thanë dalakët (të dalurit). Kjo ka qenë morta e Ahmet Xhymshitit që më vonë shpërngulen e vijnë në Gilan. Ata në vitin 2009 e kanë marrë mbiemrin Këqiku për t’u deklaruar se janë një gjak me krejt Velegllavët që thirren me këtë mbiemër.
NJË KËNGË QË SAHERË E KEMI KËNDUAR NA KA BËRË PËR TË QAJTUR
Unë edhe vëllau im Shaipi kemi kënduar me qindra këngë po nuk guxoj ta marr përsipër për t’i shkruar se po e di që i kam harruar. Po më kujtohen emrat e atyre këngëve dhe përmbajtja e tyre. Po nuk po mundem t’ushkoj deri në fund.
Kënga që nuk kemi guxuar për ta kënduar se ata që na ndëgjonin kryesisht të moshuarit – pleqtë ia fillonin vajit. Ajo këngë me një melodi që vërtetë të prekë thellë në shpirt quhej: “Shkojnë maqinat rrethit detit”, sepse saherë e kemi kënduar na u ka kujtuar agxha ynë Dauti i cili në vitin 1908 ka dezertuar prej sherbimit nizam.
Ai na e ka lanë këtë histori të pashlyshme në kujtesën edhe në shpirtin tonë.
“Shkojnë maqinat rrethit detit
I kanë ngarkue askert e mretit
Ty maqinë tu kputshin telat
Qysh su nale me pushue
Ka ni letër ta kishim shkrue
Në vilat për me i que
Nana e baba mos me i ngue
Se janë pleq e s’mujnë me qinrue.
Kjo ka qenë aty kah viti 1908 se këtu ka qenë edhe axha i jonë Dauti. Ai tregonte se i kanë detyruar të luftojnë me kurdët në Egjipt. Mbas shumë vjetësh axha ka dezertuar e ka ikë. Prej atje është kthyer me një anije të keqe dhe ka ardh deri në Shqipëri, thonin prej Shkodre krejt në këmbë, ka dalë në Velegllavë, atje ku e kishte lënë familjen para 8 vjejtësh.
Axha Daut pastaj është vrarë në Luftën e Velegllavës dhe saherë e kemi kënduar këtë këngë na u kanë kujtuar vuajtjet e tij në shkretëtirat e ndryshme ku Turqija nuk ka bërë luftë me djemtë e vet po me gjak të huaj. Mixha Daut i ka parë se si kanë vdekur nëpër luftëra dhe i kanë mbuluar me zallë pa qefin e pa dërrasa dhe pa e ditë kurkush prej familjarëve varrin e tyre, varrin e djemëve të vet.
Këngë e dhimbjes tonë edhe e dhimbjes kolektive kombëtare.
Për kurreshtjen e lexuesve po i shkruej edhe disa tituj të këngëve që unë me Shaipin i kemi kënduar:
“Azem Bejta” i Drenicës që ka bërë luftë me krajlin e Serbisë në Drenicë, “Hoxhë Breznica” që ia kanë vrarë krejt familjen e si pastaj hoxha ka nxjerr hak, “Demë Ahmeti” prej Vuçiterne flitet se si një ditë e merr çikën -Ajeten e në luftë e siprë iu kanë vrarë të gjithë anëtarët e familjes po i ka mbetur një nip e prej tij tash, thonë se janë shtuar e bërë katund, “Cena Begu” ishte diplomat i Jugosllavisë në Pragë ”Rexhë Gusarja” etj.:
“ Rexhë Kusarja, kmet i ri
S’ish kanë kmet po hafi,
S’ish kanë kmet po faqezi
Kish punue për serbi.” etj.
“Ali plaku kur ban me dek” , “Selman Lita” , Isuf aga”, p. Sh.
Isuf aga flet me grue
qu bre grue me m’shtrëngue,
se në të pamë due me t’çue,
miq për qefi më kanë qillue,
në bjeshkë të nalta kur kanë shkue,
rroke nji kangë grue me e këndue,
shuj bre njeri çka po thue,
se Mal Maliqi me m’digjue,
të vret ty e më merr mue,
Tri vjet ren m’ka lyp mue
E baba im nuk m’ka lejue
Me Maliqin me u martue
-Rroke kangën ti me e knue
Zuni grueja për me këndue
Mal Maliqi i ka diktue
Drejt andej asht tfillue
Ndalu burrë me kit grue
Tri vjet rend e kam lyp për grue
Pushka e Malës larg ka jehue
U duk se za ajo ka lëshue
Eni në fatim se jam martue.
“Muja e Halili” thuhet se kur janë plak, Halili i ka thënë Mujës: Hajde o bac i shesim armët edhe atllarët e blejmi lesh e tjerrim se nuk kemi mbet më për pushkë e për liftë.
DJALI I RI NJIZET VJET
Djali i ri –o njizet vjet
E ka marrë udhën për kurbet,
Dergj e madhe e ka zanë,
Te doktori kur ka shkue
Pe përben në dinë e iman
Këshyrëm mirë e mem kallzue,
A kam me dek a kam me pshtue
Dashuninë ti me e harue
S’kije me vdek po kije me pshtue
Kam me vdek e s’kam me u çue
Dashuinë nuk muj me e harrue” etj.
E kam thënë edhe më lart se babai im Elezi ka kënduar mirë. E ka pasë merak për ta kënduar këngën e “Bajram Begut” (Bajram Curit). E ka kënduar para Lufës së Dytë Botërore:
Bajram begi në kali
Në syhret ma i pari
Bajram begi i ri
Lufton për Shipni,
Bajram begi në borë
Lufton për Kosovë
Oj Sherife hanëm
Çikat thirrin babë
Babë në dynja nuk ka
Baba ju ka vra...
Këto kam mundur për t’i mbajtur në mend. E di se ka pasë edhe disa strofa por i kam harruar. Për hatër të babës që e ka dashur shumë Bajram Currin i shkrova këto pak fjalë për ta kujtuar edhe babain edhe veprën kombëtare të Bajram Currit.
Një këngë tjetër që po ashtu e ka dashtur shumë babai im dhe shpesh e ka kënduar është ajo për “Halit Gashit” e di dhe e mbaj në mend se kur e këndonte edhe i dilnin lotët. Njiherë e fillojke si ngadal e i qitke ato fjalë e ta bëjke sikur e sheh me sy atë ngjarje. Halit Gashi e ngon Beqir agë Zotriun por kur kthehet për t’i dhënë përgjegje ashtu siç është nervozuar Halit Gashi e i ka dhënë përgjegje, ashtu u idhnojke edhe babai Elez dhe e këndonte me një tjetër melodi. E shpejtonte ritmin e këngës dhe kur Halit Gashi ia numron tri herë Allti për t’ia “ba për hajr motrën Hajri” sikur shlirohej, ofshante dhe diçka çka kish në dorë e lëshonte posht sikur ta kryente edhe ky një punë shumë të madhe e me rëndësi:
HALIT GASHI
Halit gashi nji djalë i ri
Ra në kafe, kafe me pi
Asht zatet me Beqir agën
Me Beqir agën zotni
-Ku po ma gjan nji tokë qipqi
Në Vuçitern nuk muj po rri
Se ujt e lig e sun po e pi
-Të gjaj tokë e të gjaj shpi
Tridhet vetë ti baj qipqi
Veç në ma dhash motrën Hajri
Tungjatjeta ore zotni
S’ta kam hallin për miqësi
-Nuk ta lypi për miqësi
Veç se i ka dy sytë e zi
Veç dy net me ta po rri
Mbas dy netëve ta kthej në shpi
Halit Gashi asht ngushtue
Armë me veti si ka qillue
Drejt në shpi koka shkue
Grues së vet ju ka ngurmue
Prej ditës sodit të paqa lëshue etj.
E di se kangë nuk mbaron këtu, ka ende po nuk e di përmendësh. Halit Gashi e ka marrë armën dhe ka shkuar përsëri në kafe te Beqir Aga Zotnija. Dhe ia ka numrue në lule të ballit se shqiptari më parë e pranon vdekjen se marren...
...Sot është ditë e merkurë, 15 qershor 2005, asht kohë e mirë. Dielli nxen si me kanë verë. Vendosa me dal pak në kopsht. Zogjtë e malit cicërojnë në të gjitha anët, po jo si në Velegllavën time. Tjetër za kanë. Diell i mirë shumë, por rrezet qysh më kanë nxe në Velelgllavë, këtu jo. Era po frynë por se jo si në Velegllavë. Ka këtu lisa edhe ma të vjetër se në Velegllavë e i kanë edhe ka 300 vjet porse nuk i kanë degat as gjethet si në Velegllavë... Këtu asht krejt ndryshe e mallin nuk ta çojnë...
Sledzijowice -Krakaov
I mbaj në mend mbrëmjet e gjata të dimrit, kur tuboheshim krejt anëtarët e shtëpisë dhe ia fillonim të tregonim ose përralla ose të këndonim e, të tilla këngë këndonim. Këndonim edhe atëherë kur nuk na këndohej, po ama me këngë edhe i tregonim skamjet tona, vuajtjet, tona jetën e vështirë.
Kënga ishte edhe vaj edhe gëzim edhe luftë edhe fitore.
Kënga ishte edhe shpresa jonë për një ditë që do të vijë patjetër.
Velegllava ka krijuar këngë edhe ka ruajt këngë. Me këngë nëna i ka rritë fëmijët, nëna e ka martuar djalin, i ka prit miqtë.
Me këngë e kemi përcjellë në amshim më të dashurin.
E di dhe i mbaj në mend këngët e trimërisë kur me një gisht, ai që këndonte, e mshelte veshin, e ia thojke këngës së krushqëve që ajo të dëgjohej sa më larg sa në fund të botës. Kjo këngë ishte forca e armës kur nuk i kemi pasë, ishte forca e shpirit se atë e kemi pasë.
Unë e kam lexuar në librin e Hysen Këqikut: “Velia Glaua, ëndërr e ripërtërirë” se ekspertat veç një herë kanë qenë në Velegllavë (1975) për të mbledhur këso këngësh dhe po më doket që shumë pak kanë mbledhe. Fatkeqësi e madhe është humbja e krijimevet shpirtërore. E nëse atëherë nuk kanë mundur për t’i mbledhur diçka, sot e kanë vështirë se prej 150 shtëpive të asaj kohe sot janë krejt 7-8 familje që nuk e kanë gajlen e këngës po gajlen se si të jetojnë vetë në atë vend të thellë malor e pa kushte jetese.
Kanga ësht vaji i burrit.
Unë kur punoj, ose kur mbetem vetë, këndoj po jo me zë se zëri nuk bënë më se, edhe ai është vjetruar. Këngën e qes me fishkëllimë se më lehtë edhe e dëgjoj ashtu qysh e këndonim kur kemi qenë bashkë me vllaun tim Shaipin. Dikur më kapin emocionet – mërzija e ia nisi të qaj edhe të qajturit ma rikujton kohën kur isha fare i ri e më vdiq babai, pastaj nëna e mbetëm vetë sikur pa askënd veç ne dy vëllezërit edhe motrat. Harroj që kam qenë duke e kënduar një këngë me fishllimë.
Mund të thotë dikush “po pse po rri në Poloni”, këtu ku e kam shtëpinë dhe jetoj me gruan teme të tretë. Po pse ai që thotë ashtu nuk thotë “O zot po pse Mahmutit ia shkrove atë rrësk jete atje ku nuk e ka frymën e vendlindjes, të atdheut të Kosovës”.
Kjo që më ndodhi mua nuk është zgjidhje e imja. Këtë fat e ka shkruar tjetër kush
– Krijuesi Zoti i falemi atij.