E marte, 30.04.2024, 03:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Agim Bajrami: Të jesh mik i shpirtit tënd

E diele, 16.01.2011, 08:57 PM


Më datë 13.01. 2011 në teatrin "A. Moisiu" Durrës, Biblioteka Publike e qytetit hapi siparin e aktiviteteve kulturoro-artistike me prezantimin e vëllimit poetik "Mbeta mik me shpirtin" të shkrimtarit dhe poetit durrësak Vaso Papaj, botim i shtepisë botuese " UEGEN" Tiranë.

Më poshtë botojmë fjalën e mbajtur nga poeti Agim Bajrami, sekretar i Klubit te Shkrimtareve dhe Artistëve të qytetit, me këtë rast.

 

Të jesh mik i shpirtit tënd

 

Nga Agim Bajrami

 

Të arrish të mbetesh mik me shpirtin tënd, ne kohërat kur shumëkush kërkon ta shesi apo ta shpërfytyrojë atë vetëm për një post apo për pak para, pa u zverdhur dhe pa u skuqur aspak në fytyrë, më tepër se një pohim i thjeshtë poetik përbën në vetvete një filozofi të tërë jete dhe morali, për të mos thënë një pasqyrë të tërë qëndrese dhe serioziteti.

E shkruar herë në gri e herë në të bardhë, historia e këtyre mardhënjeve midis tyre aq sa është e aftë të të tundoj aq mund të bëj edhe të kundërtën e saj . Natyrisht ky është problem sinqeriteti dhe aftësie narrative e poetit. Por, kur këtë pohim arrin ta bëj në mënyrë metaforike dhe artistike një personalitet shumë dimensional si Vaso Papaj, njeri të cilin kohërat e kanë vënë përballë dilemash e udhëkryqesh të vështira, bëhet e qartë dhe emocionuese. Poezitë e librit me titullin që përmendëm pak më lart janë të afta të rrugëtojnë brenda nesh jo si vargje shkruara në letër por si regëtima udhëtarësh të porsakthyer nga një udhëtim i vështirë të mes Shilës dhe Karibdës.

Parë në këtë vështrim, pohimet poetike të Vaso Papajit mund t’i marrësh edhe si një akumulim mbresash, kujtimesh e vështirësish të një luftëtari që e njeh forcën e vetvetes në momente sfidash e ballafaqimesh të përherëshmë.

Ndonëse orkestrës së ëndrrave të autorit nuk i dalin shtatë nota, poezia e tij arrin të sjellë përpara nesh nota të tjera të padëgjuara kund ose që veshëve tanë të rëndomtë mund tu jenë dukur si të zakonshme. Që nga notat tragjike, të zhurmës së tankeve në sheshin Veçesllav , tek trokëllima e hapave të spiunëve përpara portave të kërrusura të Tiranës, që nga shtëpitë mes vrashtave në Kepin e Rodonit, deri tek Bar “Arragosta” , këtu në Durrës, ku nga gjashtë çunat e lagjes që festojnë tërë natën, në mëngjes mbesin vetëm pesë ( i gjashti ikën me tragetin).

Duke shfletuar vëllimin poetik të Vaso Papajit, të krijohet ndjesia se je futur në një folezë besimi me diej dhe vetëtima. Tablloja poetike që arrin të krijojë autori, nuk ka qellim në vetvete vetëm vënien bardh e zi të ngjyrave të dritës me hijen. Ky qëllim është tejkaluar tashmë tek ky libër.

Qëllimi i tij i dukshëm është zbërthimi i dritës dhe i harmonisë së saj, kur kjo arrin të pasqyrohet me këto objekte, dhenia e lëvizjes së brendshme dhe e zërave të ndërsjelltë që shkëmbejnë këta me njëri-tjetrin gjatë procesit të njohjes dhe natyralizimit. Nëse do të flisnim me një gjuhë metaforike, këto poezi shpeshherë na kujtojnë tingullin e sinqertë të shiut mbi strehat e çative të shtëpive tona. Ndonëse ai vjen nga një rrugë e largët qiellore ku është ndeshur dhe përplasur me rrufe dhe bubullima , këto pika asnjëherë nuk e kanë humbur transparencën dhe tejdukshmërinë e tyre klasike.

Bile, bile , po ti shikosh me vëmendje, ato mund të marrin befasisht trajtën e një harte apo portreti njerëzor në ëndërrim.

Duke e vendosur veten në pozitat e një intelektuali , krijimtaria e këtij autori, krahas mesazheve të bashkëkohësisë e ndjesive të holla shpirtërore, dallohet mbi të gjitha për frymën kundërshtuëse e polemizuese, për shumë gjëra që atij i duken të huaja apo të mbrapshta.

Mjafton të lexojmë këtu poezinë shumë të ndjerë “ Kurrë fjalë, fjalë në erë” ku autori shpesh herë e vë veten në rolin e një rilindësi dhe ideologu të bashkohësisë:

Fjalët e mia kan’ humbur shpesh herë,

kur emri atdhe s’ka qen’ fjalë e parë .

Kan’ ngrirë të pajetë në ajrin eter,

veç  tyre  s’ vë  kënd në altar.

 

Vaso Papaj e konsideron veten si pjesë përbërëse e ajërit dhe e trupit të atdheut që i përket. Si i tillë ai nuk e kursen përvete përbetimin dhe dashurinë, por larg retorikave dhe patetizmave të rëndomta. Simbolika në vargun e tij  nuk është vetëm një nocion letrar dhe aq. Ajo shpesh herë vishet me frymë e ndjesi të holla shpirtërore duke u bërë një trup e një gjak me të. E ndeshim këtë gjë në poezitë kushtuar “ Refugjates çame”, “ Durrësit”, “Shëtitores Taulantia”, “ Kthimit nga emigracioni” ose “ Letër Khaled Hosseinit” etj. Si një durresak i vjetër, ai leviz nëpër rrugët e qytetit të tij me atë lirshmëri e kurajë që levizin rrezet e diellit një mëngjes të përflakur maji. Ne mund ta imagjinojmë dhe identifikojmë këtë dashuri dhe lirshmëri edhe pa e njohur atë personalisht, sepse hapat e shpirtit dhe të këngës së poetit arrin rimime të përputhura.

Shumë nga poezitë e këtij libri mbartin në vetvete motive dhe ngjarje jetësore që i kanë lënë atij mbresa të thella në kohëra dhe vite ( kujtojmë Nënë Terezën, ambasadorin e SHBA Rajerson, ambasadorin e Italisë Paolo Foresti, shkrimtarin Petro Marko,serben Mira Stankoviç,Aurorën e vogël kengëtare etj.) Vetëdija dhe kujtesa e poetit ka ditur të na i sjell ato ashtu siç kanë qenë , por të strukturuara me atë formë dhe plasticitet që do ta donte një rrëfim poetik mbreslënës. Më ka bërë përshtypjë mënyra sesi i rradhit dhe i gdhend vargjet autori, ngjyrat e brendshme që nxjerr në pah ai. Ato janë solide, të prekshme por dhe emocionuese njëkohësisht. Edhe në momentet më të vështira, rrugën e tij jetësore e ka prirë vazhdimisht si një dritë e largët në fund të tunelit ideja e shpresës dhe e lirisë.

Po të shfletosh me vëmendje librin e Vasos, kjo ide në trajtën e një ikone qëndron e varur dhe rrezatuese në çdo varg të tij. Mjafton të kesh sy ta shohësh, ta prekësh e ta ndjesh atë në tërë shqisat e tua.

Përsa i përket poezive të tjera, Vaso Papaj arrin të shfaqet përpara nesh si një lirik i ngrohtë dhe i këndshëm. Ndonëse mundohet ta fsheh shpirtin e tij prej bohemi, me një aureolë serioziteti, lexuesi nuk gënjehet lehtë prej saj , sepse nuk mund të jesh poet i ndjeshëm dhe të shkruash vargje të tillë aq mbresëlënës si këto në poezin “ Çupëza ledhatare” ,”Otranto”, “ Jam lakuriq” apo “Diploma fallco”.

Shumë nga poezitë e Vaso Papajit , të befasojnë me gjetjet artistike dhe momentet e veçanta të përjetimeve. Po të lexosh poezinë “ Puthja e parë” përfytirimi poeti arrin të marrë një vlerë jo vetëm përgjithësuese , por edhe mjaft domethënëse. Në ketë poezi kemi një simetri dhe përputhje hermetike mes realitetit dhe ëndrrës, mes shpirtit njerëzor dhe atij të natyrës pa teprime dhe abuzime të tepërta.

 

Mos vall’ si stinët ndjenjat janë?

(Nuk i përgjigjem, s’ mund ta di)

Po ësht’ një dallgë që brënda kam,

një botë e bardhë me dashuri.

 

Zëri poetik i autorit gjithëmonë arrin të gershetohet më së miri me zërat  dhe thirrjet e bashkëkohësve të tij rreth e qark. Dhe kjo sepse ai është i bindur se një zë solo , i vetmuar,sado i bukur dhe orfeistik të jetë, magjinë  e tingëllimës dhe kumbimit mund ta përftojë vetëm duke qenë i shoqëruar nga polifonia. Kjo jo vetëm arrin t’i forcojë atij  kumbimin dhe efektin akustik , por e bën atë edhe më të artikulueshëm dhe më të plotë njëherësh.

Realitetet shqipëtare me të gjitha dritëhijet e tyre, poesia e Vasos arrin t’i prek dhe t’i zbërthej imtësisht. Ajo e pëlqen spontanitetin, por kjo s’do të thotë se në trurin e poetit nuk ka pasur tema të mprehta të cilat e kanë vënë atë në mendime. Poeti nuk e duron indiferentizmin dhe mbylljen e syve dhe të veshëve përpara shfaqeve dhe fenomeneve që përjeton shoqëria e tij. Ai din të nxjerr prej saj subjekte, të mbaj qëndrime, të intonohet dhe të shkrihet aktivisht me të. Të tilla karakteristika mund t’i ketë vetëm një poezi e motivuar dhe e shqetësuar, poezi që si kërkesë të saj primare ka identitetin dhe krenarinë e të qënurit shqipëtar. Përmendim këtu, poezitë “ Ndoshta bëhet Xhek London”, “ Këngë të vjetra”, Zemër lepuri”, “Dimrit Tim”, “Kthim në identitet” etj.

Një vend të veçantë në vokacionin poetik të Vaso Papaj zenë edhe të ashtuquajturat poezi epistolare. Duke përfituar nga specifikat e tij të veçanta, nëpërmjet tyre poeti ka gjetur hapësirat e nevojshme dhe një armë më tepër për të përshfaqur dhe evidentuar një pjesë të kredos dhe botëkuptimit të tij. Këtë lloj poesie e kanë përdorur me shumë sukses edhe shumë nga figurat e njohura në shekuj të poezisë botërore. Mjafton të kujtojmë njërën prej kryeveprave “ Letër nënës” të Sergej Eseninit. Por , në poezitë e Vasos, kjo lloj kredoje vjen më e gjerë, më e thellë dhe më kozmopolite. Për autorin gjithë bota i ngjet një rruzulli të vogël brenda të cilit një poet mund të ngrej perandori miqësie dhe paqeje. Kështu në poemthin “ A jemi fqinj Mira Stankoviç?” apo poemthin  tjetër “ Ftesë shkrimtarit Kalhed Hossein” ( autorit afgan të romanit “ Gjuetari i balonave”) , autori arrin të krijoj paralele dhe modele të përsosura shpirti dhe arti:

 

Vijmë të dy nga vënde të përzhitur,

ndoshta të dëshpëruar,

por që jetët tona të përngjanin,

kurrë s’e kam kujtuar.

Veç, kemi një ndryshim:

Unë s’kam luajtur nga vendi im.

Ti në Amerikë folezën ke ngritur,

pa dëshirë, miku im…

 

Në këto poezi mesazhi poetik duke u dhëne i drejtpërdrejtë, jo vetëm arrin të sendërtohet, por merr edhe vlera filozofike.

Në këtë libër ka edhe një cikël poezish të përkthyera nga italishtja, anglishtja, maqedonishtja, ku me një gjuhë të bukur dhe të lëmuar , autori është munduar dhe ja ka arritur qëllimit t’i mbetet besnik vlerave originale të poetëve edhe pse të shkollave dhe rrymave të ndryshme, ky cilël arrin të harmonizohet me frymën e përgjithshme të librit.

Në përfundim do të thonim që libri i Vaso Papajit “ Mbeta mik me shpirtin” është një ftesë e sinqertë drejtuar ne të gjithëve për më shumë idealizëm dhe identitet.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora