E marte, 30.04.2024, 11:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndrekë Zalli: Lepuri

E hene, 17.01.2011, 08:51 PM


Ndrekë Zalli

 

LEPURI

 

       - ...Kemi edhe mish gjahu, lepur të egër të pjekur, - shtoi në koinfidencë kamerieri, duke iu drejtuar Paulinit, me të cilin njihej ngaqë dikur kishte qenë nxënës i tij, e duke folur me zë të lehtë, që të mos dëgjohej në tryezat përreth.

       - Shumë mirë atëherë, na sill nga një racion të gjithëve, - tha “profesori”, i kënaqur, duke i dorëzuar menynë – Na sill edhe një sallatë ruse si edhe dy shishe verë të mirë.

- Të gjithëve përveç meje, - kundërshtoi Liqi si me të qeshur – Unë nuk dua lepur; më sill një biftek me kontorno. Ose prit pak, - e ndaloi kamerierin i cili, pas marrjes së porosisë, u nis të largohej

       - A keni ngjala?

       - Më duket se ka mbetur edhe një, - tha kamerieri.

       - Shumë mirë, pra, - tha Liqi, i gëzuar e duke fërkuar duart gjithë kënaqësi, -Mua më bëni një ngjalë të pjekur në tjegull.

       E ndërsa kamerieri u largua drejt kuzhinës, Leci vështroi vëngër e si me çudi Liqin dhe nuk u durua pa e ngacmuar:

       - Po ti, mor Çyp, pse nuk more mish lepuri si ne?! – e thirri ai me nofkën e vjetër me të cilën e thirrnim që në fëmijëri, por që vetëm Leci ia kujtonte ende sot. – Na e mban veten edhe për gjahtar, palé! Kushedi se sa palë këpucë ke shkuar dëm duke bredhur pas lepurave e pa vrarë gjë, ndërsa sot, kur ke rast ta hash si zotëri, pa u lodhur fare, zotrote nuk na e do!

      - Pse të duket dhe aq çudi?! – ia ktheu Liqi, po me të qeshur. – S’të ka takuar ndonjëherë të shohësh peshkatarë që heqin njëmijëenjë të zeza, lagen e mërdhijnë si qeni për të zënë një darkë peshk, ndërsa kur vjen puna për ta ngrënë, nuk duan ta shohin e as t’ia dëgjojnë erën?!

     - Ashtu është, - i dha të drejtë Paulini. – njëri prej atyre që thua ti jam edhe unë vetë. Vdes për ta zënë e çmendem kur ma vënë përpara! Ç‘t’i bëj se na ke ftuar ti sot në këtë lokal, se, përndryshe, do të merrja pjatën e do të shkoja në ndonjë tryezë tjetër diku andej nga fundi, që mos të të shihja as ty duke ngrënë.

     - Sa për atë se të kam ftuar unë a ku kërkon të dalësh, na e rrofsh... për dimër! - ia ktheu po me të qeshur Liqi. – Ishe ti që na ftove të mblidheshim si dikur; unë vetëm se ju tregova për këtë lokal të këndshëm. Apo jo? – vazhdoi ai, duke na u drejtuar neve, sikur të kërkonte edhe mbështetjen tonë.

       Por, pa pritur fare që ne të hapnim gojë, ai iu drejtua sërish Paulinit:

     - Ndërsa për atë se nuk do mund të më shohësh duke ngrënë ngjalë, nuk po më lodh dhe aq kjo gjë, por po kam frikë se do të më pështiroset mua duke ju parë ndërsa hani lepur! Vërtet jam gjahtar tash tridhjetë e kusur vjet, por, t’ju them të drejtën, vetëm një herë më ka ndodhur që të zë lepur...

      - ...Që të vrasësh! – kërkoi ta korrigjonte “profesori”, që nuk të falte kurrë për gabime në të folur apo në të shkruar.

      - ...Që të zë! – nguli këmbë në të tijën Liqi.

      Në zërin e tij, ashtu si edhe në buzëqeshjen e në vështrimin e tij, sesi m’u duk se kishte diçka enigmatike e intriguese.

      - Si zënë?! Zënë rob?! – u tall Leci.

      - Jo ore, zënë me vrap! – shtoi Paulini, duke i dalë gjoja në krah Liqit, ndërsa ia plasëm gazit, meqë me Liqin qemë rritur dhe e njihnim se ishte dembel i madh, nga ata të famshmit e Stambollit.

      - Ju thoni si të doni e talluni sa të doni, por e vërteta është se unë e kam zënë me këto duar. Le që, po s’më besuat mua, pyesni Lush Shulin e Tush Tallën, sepse bashkë kemi qenë, kur e kam zënë e kur e kam shitur...

      - O, posi! Tash mos fol më, se na e mbushe mendjen! – i thashë unë me mosbesim e tallje. – Mirë se ti nuk na e paske treguar deri më sot, por, po të kishte qenë aty edhe Tushi, siç thua ti, ajo ngjarje do të kishte marrë dhenë që atë ditë! Kot nuk i thërrasin të gjithë Tush Tellalli!

      - Nuk them se jo, do të ishte marrë vesh vërtet, po të mos na e kishte mbyllur gojën frika se do të kalbeshim gjithë jetën burgjeve, - tha Liqi. – sepse, që thua ti, atë lepur nuk ia patëm shitur dokujtdo, por një kinezi...

      Tani vërtet ia plasëm gazit me të madhe, të bindur se e gjithë kjo që po tregonte ishte veçse një sajim, një nga ato shakatë e zakonshme të Liqit.

      Ai, gjoja i fyer nga të qeshurat dhe mosbesimi ynë, u ngrys në fytyrë dhe nuk foli fare.

     - Hajt, lëri nazet e na trego se si paska ndodhur, - i thashë unë, duke u munduar ta marr me të mirë, jo vetëm i bindur se ai nuk kishte për ta zënë më me gojë pa iu lutur, por edhe për faktin se historitë e treguara nga Liqi, qoftë edhe të sajuara nga mendja e tij pjellore, përherë kishin qenë mezeja e preferuar e takimeve tona, si ky i sotmi, për vetë mënyrën e këndshme e plot humor me të cilën ai i tregonte.

      Por Liqi vazhdoi të luante të fyerin.

     - Ndonjë herë tjetër, - tha ai, pa i ngritur sytë. – Është histori e gjatë...

     Ndërkohë erdhi kamerieri dhe na vuri përpara pjatancat e mbushura, gota, shishet e verës dhe takëmet e tjera. Na uroi një “Ju bëftë mirë!” dhe u largua.

     Mbushëm gotat dhe pasi i morëm erë, thua se të gjithë ishim mjeshtra e specialistë të famshëm në përcaktimin e cilësisë së verës, i trokitëm me njëri- tjetrin. Pastaj iu vërsulëm pjatave që po na joshnin me atë avull kundërmues që lëshonin, ne: mish lepuri të skuqur, ndërsa Liqi: ngjalë të pjekur në tjegull! E, natyrisht, duke i shoqëruar jo vetëm me verë, por edhe me qyfyret e shakatë e zakonshme që s’u ndaheshin kurrë takimeve të grupit tonë.

     Në fund, të ngopur e të kënaqur qëtë katërt, fshimë buzët dhe vazhduam të pinim me ëndje atë pak verë që kishte tepruar nëpër shishe.

    - E si ishte ajo historia e lepurit që ia patët shitur kinezëve?!- e ngacmova përsëri Liqin, si për të hapur bisedë pas buke, i bindur se po shprehja edhe dëshirën e të tjerëve.

    Ai më hodhi një shikim, sikur të thoshte: “Ende aty e ke mendjen ti?!” dhe vazhdoi përsëri të heshtte e të shijonte atë pak verë që i kishte mbetur në fund të gotës. Porse tani, qoftë nga dreka e shijshme e qoftë nga ajo verë e këndshme, nuk e kishte më atë çehren hatërmbeturit në fytyrë.

    - Hë pra, nisa tani! – e nxiti, si me ton urdhërues, “profesori” – Mos pret se do të të lutemi në gjunjë?!

    - Nuk po pres të më luteni, jo, por po kam frikë se mos në fund do të pendoheni që m’u lutët t’ua tregoj, - tha Liqi, duke buzëqeshur me djallëzi.

      Po ashtu si edhe të tjerët nuk mora gjë vesh se ku donte të dilte Liq Çypja me ato fjalë. Gjithsesi kuptohej se ai diçka kishte dyshuar dhe kot nuk kishte kundërshtuar të merrte mish lepuri, si ne, por kishte parapëlqyer të merrte ngjalë të pjekur.

 

     - Mos qaj hallin tonë ti, por grahja. – e nxiti edhe Leci. – Sido që të jetë, për çfarë kemi ngrënë, nuk kemi ndërmend ta nxjerrim më këndej sipër.

Liqi na hodhi një vështrim të treve me radhë, gjithnjë me atë buzagazin e tij enigmatik e qesëndisës, sikur të na thoshte: “Paçi veten në qafë, pra!”.

      - Kot t’ju pyes, sa për kuriozitet, - foli më në fund ai. – Cili nga ju gjatë ngrënies ndeshi në saçma plumbi?

     Ne vështruam hetueshëm njëri-tjetrin dhe rrudhëm supet, pa folur. Edhe pse kishim pirë pak verë, nuk donte shumë mend për të marrë vesh se ku donte të vriste Liqi me ato fjalë.

     - Mbase na kanë servirur për lepur të egër ndonjë lepurush të rritur me tul buke! –fola unë, duke vënë buzën në gaz e duke u përpjekur ndoshta që t’ia mbush mendjen më tepër vetes se sa Liqit.

     - Mbase! – tha edhe Liqi, por duke më vështruar me një buzagaz tallës, sikur të donte të thoshte: “Posi, në atë krah flij ti!”.

     - More, do t’ia nisësh ti asaj historisë tënde apo të nisemi ne e të shkojmë nëpër shtëpitë tona?! – i tha, si me bezdi, “profesori”.

     Por Liq Çypja nuk u ngut fort nga ato fjalë. Na vështroi sërish të tre me radhë, me një shikim e një buzagaz që sikur po na qortonte për herë të fundit: “Paçi veten në qafë, unë s’ju kam borxh!” dhe dikur ia nisi tregimit të tij:

      “Kjo histori ka ndodhur shumë vite më parë, atëherë kur këtu tek ne kishte më shumë kinezë se sa milingona. Mbaj mend se qe një ditë fundshkurti, porse, për çudi, ishte një ditë me diell dhe mjaft e ngrohtë, thua se ishte aty nga fillimi i verës e jo në mes të dimrit! Atë ditë, që s’do ta harroj deri sa të vdes, bashkë me Lushin e Tokun, gjoja po punonim për spërkatjen e kumbullave, në kodrat e Mundijave. Them “gjoja”, sepse në të vërtetë bëmë sikur spërkatëm për nja dy orë ferrat që kishin rrethuar e mbuluar pemët e gjora, sepse kumbullave nuk mund t’u afroheshim veçse po të ishim zogj. Kur filloi të ngrohej koha dhe dielli u ngrit lart, atëherë ne u shtrimë përtokë, duke u shullërë si gomerët në diell, sa në bark në shpinë. Qeshë mërzitur e lodhur ashtu shtrirë, kur, aty pak para mesdite, u ngrita në këmbë që të çlodhesha! E, ndërsa po shtriqesha për të çmpirë gjymtyrët, befas, rrëzë një gazumi ferrash, jo shumë larg nga ku po rrinim ne, sytë më zunë diçka që më bëri të ngrija në atë pozicion të përçudnuar: me këmbë të hapura e me krahë të shtriqur! Të më kishte parë njeri, do t’i kishte rënë të fikët me atë pamjen time prej dordoleci. Zgurdullova sytë dhe zgjata kokën përpara, si për t’u siguruar se nuk po më bënin veshët, - u tall Liqi si gjithmonë dhe, pa pritur që ndonjëri nga ne të ndërpriste të qeshurat e të thoshte ndonjë fjalë, vazhdoi sërish:

    - Kur u binda se nuk po më bënin sytë dhe pickova veten për t’u siguruar se nuk isha në ëndërr, atëherë u binda se më kishte ardhur fati në derë. Strukur në mes ca barishtesh, rrëzë atij gazumi ferrash po dremiste për shtatë palë qejfe një alamet lepuri, sa një qen stani! Ç’them edhe unë?! Ishte aq i madh, saqë nuk e teproj po të them se njëherë dyshova se mos ishte një visk, zog gomari, e jo lepur! – tha ai, duke e hiperbolizuar siç e kishte zakon përherë. Kur u binda se ai që kisha përpara ishte vërtet një lepur-përbindësh, u thirra lehtë Lushit e Tushit, por ata idiotë vazhdonin të flinin si arinj e të gërrhisnin si derra! Meqë e pashë se ata s’do t’i zgjonte as gjëmimi i topave e jo më pëst-pëst-et e mia, ua vesha gjithë inat nga një shkelm të mirë prapanicave.

      Vetëm atëherë ata u hodhën përpjetë si t’i kishte kafshuar ndonjë gjarpër, duke fërkuar të ndenjurat e duke më “uruar” me gjithfarë fjalësh “të ëmbla”. U bëra me shenjë që të pushonin e të mos bënin zhurmë, duke u treguar me gisht andej nga gazumi ku qe strukur lepuri.

      Ata i kapi tmerri dhe ngrinë në vend me gojë hapur. Siç duket, menduan se mos kishte ardhur për kontroll ndonjë nga ata të sektorit apo të drejtorisë, ndaj dhe nisën të përpusheshin e të rregulloheshin me ngut. Por, kur nuk vunë re njeri rreth e rrotull, u shkoi mendja se mos unë isha tallur me ta dhe, të pakënaqur me të sharat që më kishin dhënë, pashë se deshën të më vërsuleshin e kusurin të ma jepnin me shkelma, si unë pak më parë.

     “Lepuri!”, u thashë, duke e parë punën pisk dhe drejtova përsëri gishtin andej nga gazumi i ferrave, ku vazhdonte të flinte, e patrazuar, kafsha e gjorë.

      Ata u shtangën në vend. Zgurdulluan sytë të lemerisur, sikur të kisha thënë “Lugati” !

      Vështronin si të trembur sa nga unë, sa andej nga kisha drejtuar gishtin, derisa e panë edhe ata e u bindën se vërtet nuk po bëja shakà.

     “Ta rrethojmë!”, foli me zë të lehtë e si ndër ethe Tushi dhe, pasi vështroi andej-këtej, rrëmbeu shkopin që përdornim për përzierjen e solucionit e mori pozicion dyluftimi. Lushi hoqi kapotën e vjetër ushtarake dhe e mbajti hapur me të dyja duart, gati për t’u hedhur në përleshje me bishën e egër, ndërsa mua s’më mbeti tjetër veçse, si karateistët, t’u besoja duarve të mia. Qarkuam që të tre kaçubën duke e përpjekur e kujdesur të mos bënim asnjë zhurmë. Shikuam njëri- tjetrin, për t’u siguruar se ishim gati.

      U dhashë sinjalin e sulmit dhe Lushi e unë u hodhëm pothuaj njëherësh përmbi gëmushë.

      U dëgjua një klithmë çjerrëse e fortë! Por mos t’ju shkojë mendja se ishte klithma e lepurit të kapur! Jo!!! Çirrej e bërtiste Lushi, duke kërcyer përpjetë nga halli e duke tundur e shkundur dorën nga dhimbjet. Tushi, pa dashje, duke u përpjekur të godiste lepurin me shkop, kishte sjellë paq mbi dorën e të gjorit Lush.

       E ndërsa njëri hidhej e përdridhej nga halli dhe tjetri, përmes të qeshurave që donte e s’dinte t’i ndalte, i kërkonte të falur shokut, unë u ngrita në këmbë, triumfator, duke mbajtur për veshësh atë alamet lepuri i cili, për çudi, nuk lëvizte fare, thua se ende vazhdonte të flinte.

       I pari që e vuri re këtë gjë qe Tushi, që, me gojë hapur e pa nxjerrë një fjalë, shikonte si i përhumbur veshgjatin që, i palëvizur, varej në dorën time. Me gojë hapur mbeti pas pak edhe Lushi, pa nxjerrë zë as klithmë, megjithëse vazhdonte të shkundte dorën e goditur. Me gojë hapur mbeta edhe unë, i harruar në atë pozicion prej triumfatori, pa kuptuar arsyen se përse vështronin ata dy guakë ashtu si budallenj!

     - Ky më duket se paska harruar të marrë frymë! – tha Lushi.

     - Jo, mor, po bën kinse po fle! – ia priti me të tallur Tushi.

     Desha t’u këpusja një të sharë vendçe, duke menduar se po nxirrnin kunjin me mua, por pashë se vështrimet e tyre nuk ishin drejtuar mbi mua.

     Vetëm atëherë solla sytë nga kafsha dhe kuptova se ai për të cilin po mbahesha me të madh qe një lepur i ngordhur!

     - Mbase ngordhi nga frika e britmave të tua! – iu drejtova Lushit, dukë u përpjekur që ta kaloja me humor atë situatë në të cilën u gjenda papritur.

     - Jo po e ka lënë zemra, kur të ka parë ty si katallan që iu hodhe përsipër! – ma mori huanë aty për aty e po me tallje edhe Lushi.

 

     Lokali kumboi nga të qeshurat. Madje jo vetëm të ne të treve, shokëve të tij të tryezës e të bisedës, por qeshën edhe ata që ndërsa drekonin në tryezat përreth, “antenat” i kishin kthyer nga tryeza jonë dhe bashkë me ne po dëgjonin rrëfimin e këndshëm të Liqit i cili, si zakonisht, nuk kursehej të vinte në lojë as veten. Sepse “katallani” Liq ndoshta vetëm me gjithë rrobat e dimrit mund të peshonte diçka më shumë se pesëdhjetë kilogramë.

 

       Ramë në hall se çfarë të bënim me atë lepur, - vazhdoi Liqi rrëfimin e tij. – Nuk bëhej fjalë që ta mbaja unë, ta hidhnim me short se kush ta merrte apo ta ndanim në tri pjesë, sepse asnjëri nga ne nuk do pranonte ta çonte në shtëpi për ta ngrënë me familjen një lepur që kushedi se kur e nga se kishte ngordhur. Aq më tepër që kishim dëgjuar se kohët e fundit, për shkak të një sëmundjeje të panjohur, shumëkush, ashtu si edhe ne atë ditë, kishte gjetur lepura të ngordhur. Ta çonim në shtëpi, pra, ishte punë që s’bëhej, por edhe ta hidhnim përsëri aty në mes të ferrave, mua të parit, që isha çjerrë e gërvishtur për ta kapur, nuk më bënte zemra. Meqë edhe koha nuk na mungonte, filluam të vrisnim mendjen se çfarë të bënim me të.

     - Përse nuk e shesim? – propozoi i pari Lushi.

     Unë e Tushi e vështruam me çudi e tallje.

     - E kush ta blen, mor pykë?! – iu kundërvura unë, me tallje. – Pastaj, edhe po ta zëmë se u gjet ndonjë i marrë në fshat, që s’ka për ta kuptuar aty për aty hilenë, sa të shkojë në shtëpi e ta hapë, ka për ta marrë vesh se ia kemi hedhur. Le që do të na i marrë përsëri paratë, por më e keqja është se do të bëhemi gazi i botës – i thashë.

Lushi u shfry pupulash e nuk foli më, por pas pak qe Tushi ai që u hodh përpjetë si i marrë.

     - E di që nuk e ka keq ky! – vazhdoi ai hareshëm mendimin e Lushit. – Ç’nevojë kemi të shkojmë e ta shesim në fshat, kur këtu pranë kemi rrugën automobilistike?! Këtu kalojnë makina nga të katër anët e vendit dhe patjetër që do të dalë ndonjë budalla i mençur që as e njohim fare e as e shohim më, që të ndalet e ta blejë. Si thoni?! – kërkoi ai mendimin e miratimin tonë.

      Ne, edhe pse në mëdyshje, duke e ditur se jo vetëm nuk ishte e ndershme, por dhe as e drejtë ajo që po bënim, pas disa çastesh, pa folur e vetëm duke vështruar në sy njëri-tjetrin, vendosëm të ndiqnim këshillën e mençur të atij budallai.

      Porse në këtë pikë na doli një problem tjetër: duhej të vendosnim se kush nga ne do të dilte në rrugë, sepse nuk kishte kuptim që të dilnim tre veta për të shitur një lepur! E, si gjithmonë në kësi rastesh kur ishte puna për të bërë një punë, secili nga ne qe i gatshëm për t’i bërë bisht, duke nxjerrë njëmijë justifikime. E, në fund, duke mos pasur rrugë tjetër, ia bëmë si anglezët: vendosëm ta hidhnim me short se kujt t’i takonte e të mbyllnim debatet.

     Ashtu bëmë; hodhëm letër me vrimë dhe, si më me shans që jam, si përherë vrima më takoi sërish mua! Doja s’doja, s’kisha nga t’ja mbaja dhe u binda, pa bërë më naze. Me lepur në dorë, rashë poshtë në rrugë, ndërsa ata të dy nga atje sipër, në bregoren mbi rrugë, gajaseshin e talleshin, duke më thumbuar me kunja.

      Për fatin tim të mirë s’kaloi shumë kohë dhe në kthesë u shfaq një veturë. Me dy mendje dhe pas thirrjeve ngulmuese të Lushit e Tushit që më nxisnin nga matanë ferrave, më në fund i dhashë zemër vetes dhe e ngrita lepurin lart, duke e tundur që të dukej. Dhe do ti që vërtet makina erdhi e u ndal mu para këmbëve të mia! Ata që ishin brenda ma bënë me shenjë të afrohesha e unë, i qetë nga pamja e duke vluar e mallkuar veten përbrenda, u afrova drejt tyre.

     Brenda në makinë ishin dy veta: një djalë rreth të tridhjetave në timon, biond e me flokë kaçurrela, e në sediljen përbri tij, në atë të pasagjerit, një alamet katallan kinezi, dy pëllëmbë njeri, ngjyrë limoni të pjekur, si të gjithë kinezët dhe pak si i shtrydhur... si i shtyrë në moshë. Nuk mund të them me siguri, por pata bindjen se ishte ndonjëri nga ata specialistët e ardhur nga Çinimaçini, për të ndihmuar në ndërtimin e aeroportit ushtarak që po ngrihej jo shumë kilometra përtej prej aty ku gjendeshim ne.

      Kinezi uli xhamin e dritares, nxori kokën dhe më lëshoi një lumë fjalësh në gjuhën e tij.

“Sa e shet?”, preu shkurt shoferi, në rolin e përkthyesit që, me sa ma mori mendja, nga kinezçja kuptonte pak a shumë po aq sa edhe unë.

    “Pesëdhjetë”, iu përgjigja dhe, për t’ia bërë të qartë edhe kinezit, e përforcova duke i treguar të pesë gishtat e dorës që kisha të lirë.

     “Të vjetra apo të reja?!”, më pyeti përsëri shoferi, me sa duket i çuditur nga çmimi i lartë.

E në të vërtetë nuk pati dhe aq faj, sepse unë, me të parë se ishte kinez, pra i huaj, dhe si i tillë merrte mjaft parà, e dyfishova menjëherë çmimin që patëm vendosur paraprakisht me shokët.

     “Pak rëndësi ka!”, ia ktheva unë me shaka. – “Mjaft që të kenë të shkruar një pesë e një zero përsipër!”.

      “Do të na e japësh katërdhjetë?”, bëri pazar shoferi pas pak, pas një lumi tjetër fjalësh të kinezit, prej të cilave, t’ju them të drejtën, nuk arrita të kuptoj tjetër, përveç fjalëve: “qi qen taj”!

    “Jo!”, i thashë shkurt e prerë e duke vështruar disi shtrembër kinezin për shkak të atyre fjalëve që m’u dukën si e sharë.

   “ Një Zot e di se ç’kemi hequr unë e zagarët e mi për ta zënë. Pastaj, siç e shihni edhe vetë, është jo më pak se pesë kilogram peshë”. – shtova duke e tundur lepurin, sikur po e peshoja.

    Shoferi shikoi nga kinezi, ndërsa ky, para se të vendoste se çfarë të bënte, na shikoi të tre me radhë: shoferin, mua dhe lepurin. Të them të drejtën, mua në ato çaste më rrihte zemra si e lepurit, natyrisht jo si e atij që kisha në dorë, nga frika se mos ata largoheshin pa e marrë për shkak të çmimit të kripur. Se pastaj ku kishte dreq që i dëgjonte ata të dy atje sipër në kodër, të cilët pak më parë i kisha bërë edhe zagarë! Sigurisht që gjithë hallin e kisha se, po të mos e merrte kinezi, nuk besoja se do të mund ta shisja ndopak e jo më të shihja aq parà sa po u kërkoja unë në atë çast.

     Ndërkohë që u mata të hapja gojën e t’u thosha që ta merrnin për katërqind, të vjetra, kinezi nxori një portofol të fryrë dhe më zgjati lekët. Pastaj mori lepurin dhe fillimisht e peshoi me dorë e më pas nisi ta kontrollonte në ishte ndopak i majmë. Mua nisën të mëdridheshin gjunjët nga frika se mos i ndërronte mendja e ma linte sërish në dorë. Por, por fatin tim të mirë, kinezi i bëri me shenjë shoferit të nisej dhe atëherë mua më erdhi disi zemra në vend. Më përshëndetën me dorë dhe u larguan duke lënë një shtëllungë të madhe tymi nga pas.

    I përshëndeta edhe unë me dorë, me zemër e me urimin “Mos ua pafsha më bojën!”, derisa humbën atje larg, matanë kodrave. Pastaj përshëndeta po me dorë edhe Lushin e Tushin dhe mora rrugën drejt fshatit.

     Ata të dy mbetën të shtangur. Fillimisht nisën të më merrnin me të mirë që të ndalja, pastaj kaluan në të shara dhe në fund zbritën në rrugë e m’u vunë pas, por unë ia dhashë vrapit e u bëra erë.

Ata e kuptuan se nuk do mund të më zinin edhe sikur të kishin dy këmbë të tjera përveç atyre që kishin, ndaj dhe u ndalën, jo vetëm të bindur se nuk do të më arrinin, por edhe nga bindja se, në mos atë ditë, të nesërmen, s’kisha nga të shkoja pa u kthyer përsëri për të punuar.

      Por mbetën gojëhapur e nuk u besonin syve kur, pas nja një gjysmë ore, u shfaqa i ngarkuar me gjithë të mirat, kuptohet, me të mirat që mund të gjendeshin në atë kohë në dyqanin e fshatit. Mbasi m’u desh të duroja edhe ca “urime” vendçe, pa të cilat qe bërë zakon të mos i shtynim ditët, (e, natyrisht, pa u ndenjur borxh as unë, duke ua kthyer kusurin me po atë lloj monedhe), u shtruam që të tre këmbëkryq dhe unë vura aty përpara nesh, përmbi batanijen që përdornim si shtrojë e si mbulesë, gjithë ato çka kisha blerë: konserva peshku, gurabilje, djathë bebe, ullinj të konservuar, reçel fiku, komposto pjeshke e tri shishe vere! Një bollëk që nuk na e zinin sytë jo më natën e Vitit të Ri, por as edhe në ëndërr!

       U vërsulëm mbi to si të babëzitur dhe i bëmë “def” sa hap e mbyll sytë, thua se kishim qenë duke thyer gurë e jo duke u sjellë sa në bark në shpinë gjithë ditën e ditës! Pastaj u shtrimë përsëri, duke fërkuar gjithë kënaqësi barqet e bërë lodër nga të ngrënët e duke bërë qyfyre e shakà me njëri-tjetrin...

 

     Paulini, Leci e unë qeshnim të kënaqur me atë histori të këndshme të Liqit, duke menduar se këtu përfundonte edhe rrëfimi i tij, por ai, pa na lënë kohë të flisnim diçka apo ta komentonim disi, vazhdoi përsëri:

 

      “Të nesërmen ishim duke punuar, gjoja duke punuar, po në atë vend që kishim qenë edhe një ditë më parë. Pasi u çorrëm ferrave gjithë paradreken duke kërkuar për ndonjë lepur tjetër, por pa gjetur gjë, aty pak para se të binte mesdita, para se të uleshim për të ngrënë, po me short, si gjithmonë (e po si gjithmonë vrima do të më binte mua), mora shishet dhe shkova për të mbushur ujë tek burimi aty matanë rrugës.

       E ndërsa po kthehesha me shishet plot, një makinë frenoi zhurmshëm para këmbëve të mia. U tremba për vdekje jo dhe aq nga frika se mos më hipte përsipër, se sa nga një parandjenjë e keqe, teksa pashë para hundëve atë xhip të zi, nga ato që përdorte Dega e Punëve të Brendshme për të shoqëruar njerëzit, “në emër të popullit”, nëpër birucat e errëta. Nga frika, njëra nga shishet më shpëtoi nga dora dhe u thye copë-copë në kalldrëmin anës rrugës.

     “Me njëmijë dreqër shishja!”, thashë me vete sepse rrezik po më shpëtonte sh... nga frika, megjithëse kisha dëgjuar se ishte shenjë ogurzezë, kur, në kësi rastesh, të të thyhet diçka e qelqtë. Më hyri lepuri në bark nga mendimi se, me siguri, ajo makinë kishte ardhur enkas për mua. Frika m’u përforcua edhe më shumë, kur njëri që ishte brenda në makinë, një njeri me çehre më të zezë edhe se vetë makina e zezë me të cilën kishte ardhur, më bëri shenjë të afrohesha.

“Më rrojti Perja, kaq e pata!”, thashë me vete, ndërsa këmbët po më çonin vetë drejt tij.

Një herë më shkoi nëpër mend që t’ja mbathja përpjetë kodrës apo teposhtë nëpër ara, por shpejt, duke parë se më kishin braktisur fuqitë, e braktisa edhe si mendim. Mezi po bëja, si kërmill, ato pak metra që më ndanin nga makina e jo më të bëhesha lepur që t’u ikja atyre zagarëve!

E ndërkohë që po afrohesha si cjapi tek kasapi, ngrita sytë për një çast dhe pashë nga Lushi e Tushi, si për t’u lënë amanetin e fundit. Pashë përmbi gazumin e ferrave majat e kokave të tyre, me sytë e bërë filxhan nga frika, teksa vështronin, të tmerruar nga unë e nga makina e zezë e Degës.

Kur u afrova pranë makinës, burri i zi nxori kokën nga dritarja e diçka më foli. Por tashmë mua, përveç këmbëve, më qe bllokuar edhe truri, ndaj dhe e vetmja fjalë që arrita të kap nga e folura e tij e shpejtë dhe e ngatërruar qe fjala “lepur”. Atëherë nisa të dridhesha vërtet! “Me sa duket, ai lepuri i djeshëm ia paska kthyer potkonjtë nga dielli atij kinezit dhe e paska çuar tek të shumtët!”, thashë me vete dhe u mbajta tek pasqyra e makinës, sepse mezi po qëndroja në këmbë.

     Tushi e Lushi, qenë më trima se unë, sepse siç duket, me të dëgjuar fjalën “lepur”, ia dhanë vrapit me të katra, ku sytë këmbët, duke u çjerrë e sakatuar nëpër ferra e pemë. Natyrisht, të gërvishturat e tyre unë i pashë vetëm më pas, sepse në atë çast unë dëgjova vetëm zhurmat e trembura të tyre, ndërsa largoheshi duke ngarë si gomerët përpjetë kodrës.

     Burri i zi m’i përsëdyti sërish ato çka më tha pak më parë. Kësaj radhe arrita të marr vesh se për çfarë e kishte fjalën dhe filloi të më vinte zemra në vend. Murriku i zi po kërkonte të dinte se ku ishin stallat e lepujve të ekonomisë ndihmëse të Degës, e cila gjendej jo shumë larg prej aty ku ishim ne, pak matanë kodrave.

      I tregova se ku ndodhej si edhe për rrugën që duhej të ndiqnin për të shkuar atje dhe ai me atë zë të trashë e të ngjirur, i dha urdhër shoferit të nisej.

      Pasi u binda se ikën vërtet, u mbusha me frymë, i lehtësuar, dhe u ngjita sipër në kodër. U bëra zë Tushit e Lushit që të vinin, por ata, megjithëse thirrja si i shkalluar e sa më hante fyti, nuk përgjigjeshin. Kishin tretur larg, njëri në një anë të kodrës e tjetri në cepin tjetër e, përveç kësaj, qenë strukur si lepujt dhe s’kishte burrë t’i bënte të dilnin nga strofullat ku qenë fshehur. Kaloi mjaft kohë para se ata të bindeshin se kishte kaluar rreziku e të nxirrnin kokat nga ferrat. Megjithatë vazhdonin të afroheshin gjithë frikë e mosbesim. Ndërsa unë, tashmë i qetë e i lehtësuar, qeshja me sa shpirt kisha, duke i parë ata të katandisur ashtu si dordolecë, me rroba të grisura, me flokë të shpupulisur dhe me duar e fytyra të çjerra e të gjakosura.

     Ja pra, kjo ishte historia. Tash ju në daçi besojeni, në daçi mos e besoni, por Tush Talla e Lush Shuli janë gjallë dhe u kanë mbetur ende dy gramë mend sa për t’ua vërtetuar këto që ju tregova, tha Liqi, duke i dhënë fund historisë së tij.

 

    - Bëj çudi se si nuk na e ke treguar prej kohësh këtë histori që, me sa shihet, në pastë ndodhur vërtet, ka jo më pak se tridhjetë vjet që ka ndodhur! – e ngacmoi “profesori” Liqin, duke e vënë si në dyshim vërtetësinë e fjalëve të tij.

      Por Liqi as që u përpoq të na e mbushte më mendjen.

      - Për sa kohë qenë kinezët këtu, dridheshim edhe vetë kur e kujtonim e jo më t’ia tregonim njeriu; kur u prishëm me kinezët, prapë nuk na e mbante ta përmendnim nga frika se mos na akuzonin se kishim kontribuar për prishjen e marrëdhënieve me vëllezërit çinimaçinas. Më pas e kishim harruar pothuajse fare, deri më sot që ra rasti për ta kujtuar, - tha ai, duke qeshur si me djallëzi, si për të na e vënë në dukje se përse e kishte treguar atë histori.

     Kishte gjuajtur larg e larg, për të vrarë afër Liq Çypja ynë! Të gjitha, qoftë historia e tij e qoftë ajo e qeshur si me shejtanllëk, donin të thonin se, ashtu si edhe kinezi dikur, edhe ne të tre sot kishim ngrënë mishin e ndonjë lepuri të ngordhur.

    - Ende qan hallin tonë ti?! Po pse, mos kujton se ajo ngjala jote ka qenë më e mirë se ai lepuri që hëngrëm ne?! Mos të të gënjejë mendja! Po të kishte pasur edhe nja dhjetë apo njëzet ngjala të tjera, mbase, por, përderisa ishte e fundit, siç ta bëri me dije mjaft qartë edhe kamerieri, kushedi se qysh kur e si e kanë zënë dhe tash sa kohë u sillet nëpër frigorifer e rafte! – e ngacmova unë, duke marrë hak, ngaqë e dija se Liqi ishte një vesveseli i madh që s’e kishte shokun dhe bëhej merak për hiçgjë.

     Na kujtohej dhe ia kujtonim shpesh atë ngjarjen e shumë viteve më parë, kur në mensën e sektorit, të katërt bashkë si sot, pasi kishim ngrënë drekë, po rrinim aty në tryezë, sa të na binte ushqimi në stomak. Liqi, sa për t’u marrë me diçka, kishte filluar të vriste kohën duke u përpjekur të zinte miza. E kur më në fund ia kishte dalë të zinte një, Leci, për t’u tallur, i kishte thënë se vinte bast rrogën e një dite punë se ai nuk ishte i zoti ta kalonte në bark.

     Bast që, pas ngacmimeve tona e mëdyshjeve të shumta, ai e kishte pranuar e fituar, por që i kishte dalë shpejt për hundësh, sa të mos e harronte për gjithë jetën. Ende pa dalë mirë nga mensa ai kishte nxjerrë përjashta gjithë ç’kishte në stomak. Pak më vonë kishte filluar të ndjente veten keq dhe qemë detyruar ta shoqëronim, apo më saktë ta çonim për krahësh në shtëpi. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, të nesërmen qe shtruar me urgjencë në spital, ku dhe kishte kaluar nja dhjetë ditë të mira!

     Mbase për të gjitha këto kishin ndikuar për “mirë” edhe talljet e romuzet tona atje te mensa, “jo po s’kemi parë mizë më të majme!”, “me sa duket, do të ketë qenë shtatzënë, se e kishte barkun plot me vezë”, shpoti që do t’ia kishin përshtirosur e kallur neverinë edhe njeriut më moskokëçarës në botë e jo më Liq Çypes sonë, që e linte bukën e i vinte për të vjellë edhe për një fjalë të vetme të thënë pa takt e pa vend!

     Pashë se Paulini e Leci vunë buzën në gaz dhe më shikuan, sikur të thoshin: “Mirë ia bëre, se e kishte hak!”, por më pas hodhën sytë si me shqetësim nga Liqi.

     Ktheva edhe unë sytë nga ai dhe vura re se dalëngadalë nisi t’i tretej buzëqeshja nga fytyra e të mos ndjehej i qetë. Të them të drejtën fillova të pendohesha për ato që thashë. U bëra me shenjë shokëve që të mos e zgjasnim më tej këtë bisedë, sepse nuk ishte çudi që të përfundonte edhe sot, si dikur, në spital. Por ata, edhe pa shenjën time, as që e hapën më gojën për të folur rreth asaj teme.

    Rrugës, teksa po ktheheshim në shtëpi, të heshtur e të vrenjtur thua se po ktheheshim nga ndonjë varrim, Liqi u drodh e u spërdrodh aty në sediljen e pasme, derisa nuk duroi më e i tha Lecit që të ndalej pak rrëzë një kaçubeje ferrash, aty ndanë rrugës. Me zor i nxori edhe ato fjalë dhe, me t’u ndalur makina, ai hapi me ngut derën e u hodh përjashta. Duke mbajtur gojën me dorë, nxitoi të futej pas gazumit të ferrave.

     E dëgjuam tek nxirrte përjashta gjithë çka kishte ngrënë e pirë atë drekë. U hodha një sy shokëve, por secili ishte zhytur në mendime e nuk fliste. Qeshë i bindur se edhe ata, sikurse unë, e kishin mendjen qoftë te shoku ynë aty pas gëmushës së ferrave, qoftë tek lepuri që kishim ngrënë aq me qejf pak më parë e që tani po na sillej nëpër bark.

      Edhe pse mundoheshim të mos e jepnim veten, dukej fare qartë se ishim të trazuar në stomak e në mendime. Unë për vete uroja që të mos dorëzohesha të paktën deri sa të mbërrija në shtëpi, sepse atje, edhe po të mos më vinte për të vjellë, do të fusja gishtat e do të nxirrja përjashta gjithçka kisha e po më përzihej në stomak.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora