Kulturë
Flet modelja, sfiluesja dhe Miss Bukuria në Miss & Mister Tirana 2010, Virxhinia Selmani
E shtune, 22.01.2011, 04:20 PM
Vetëm për dy njerëz në Shqipëri është bërë dokumentar nga “Arte” për Ismail Kadarenë dhe tezen time
Mashkulli ideal per mua është ai me karakter të fortë dhe që di të kërcejë bukur
Albert ZHOLI
HAJRIE DHE ENDA MACI
Virxhinia është mbesa e Hajrie dhe Enda Maçi dhe sfiluese e punimeve të tyre. Nënë e bijë, Hajria në punim me shtiza dhe Enda si stiliste e modeleve, arrijnë të përfaqësojnë Shqipërinë në Panairin e Parë ndërkombëtar të punimeve me dorë në Itali.Përvec panairit bëhet edhe Kongresi i dytë Internacional i Punës me dorë më 1996 në Firence,ku ato marrin një vlerësim të vecantë.Pas kësaj organizojnë në Tiranë një sfilatë të një stili të vecantë,e ndryshme nga e zakonshmja,me punime të ndryshme, fryt i këtij bashkëpunimi.Hajria në këtë sfilatë ka thurur mbi 30 km fill leshi.Koleksionet kuq e zi(frymëzim nga dëbimi masiv i kosovarëve),të zgjedhura nga ekspertë të huaj europiane të fushës së artit dhe modës,do ta bënin sërish artin origjinal shqiptar pjesë të salloneve më në zë të Evropës, si të Gjermanisë, Jugosllavisë, Spanjës. Nënë e bijë,në shtator të 1996, hapin studion “Art Maci”.Në Beograd, studio Maci organizon një sfilatë të madhe dhe pas Beogradit, në Paris në Musseum d’Exression. Në Madrid merr dy çmime të rëndësishme ndërkombëtare:” Çmim ndërkombëtar për cilësi në veshje dhe tekstile” dhe “Çmim ndërkombëtar për teknologji dhe cilësi”.Po kështu edhe në 2005 ekspozojnë krijimet e tyre, duke vazhduar me një ekspozim tjetër në Detroit, USA.Profili i gruas së thurjes me shtiza tek filmi dokumentar “Mirësevini tek Enda” do të prezantonte Shqipërinë në ekranin e televizionit franko-gjerman “Arte”.Ky film dokumentar u transmetua në fillim të vitit 2007.
-Emri juaj është shumë interesant dhe i veçantë. Kush jua ka vendosur këtë emër? Mos vallë ka lidhje më SHBA?
Sipas dëshirës së dajës tim Arand,emrin ma vunë Virxhinia.Sipas shpjegimeve që jepen për emrat thuhej se femra që mbante këtë emër do të ishte një femër autoritare.
-Si ndiheni me këtë emër të vecantë sot?
Emri që mbaj më pelqen,sepse është i vecante dhe jo i përhapur në Shqiperi.
-Morët pjesë tek Miss & Mister Tirana 2010. Çpërbën për ju kjo eksperiencë?
Ishte një experiencë e veçantë.Kujtoj momentin e parë që u paraqita para stafit që bënte përzgjedhjen e vajzave konkurente në këtë aktivitet.U ndjeva mirë kur thanë për mua:” Kjo zgjidhet padiskutim”.Provat zgjatën një muaj. Stafi i Spektakël Agjensi “ Karabashi” u kujdes që performanca jonë te ishte sa më e realizuar.Dhe ne fund rezultoi të ishte e tillë. Morëm urimet më të mira nga të ftuarit që na panë në sallë.
-A e kishit parashikuar ndonjëherë pjesëmarrjen në një aktivitet të tillë?
Nuk ishte rastësi, sepse edhe e vogel kam qenë pjesëmarrëse e sfilatave që realizonte tezja dhe gjyshja ime. Në një konkurs të shkollës dikur kam marrë çmimin “Miss Globi”.Më pas kam marre pjesë ne sfilatën e filmit dokumentar “Mirësevini tek Enda”,në konkurse të ndryshme dhe së fundi tek Miss & Mister Tirana 2010”.Gjithashtu jam modele e Studio Art “MACI”.
-Ju aktualisht jeni në shkollë të lartë, për shkenca ekzakte.Përse zgjodhët këtë drejtim? Ishte dëshira juaj apo një shtysë familjare?
Babai inxhinier ishte një nga njerëzit që me shtynë në këtë drejtim,por ishte edhe dëshira ime. Më bëhet qejfi që të dyja palët ishim në të njëjtën mendje.
-Ju keni një familje artistësh, ku tezja dhe gjyshja përgatisin veshje të rralla të punuara me dorë.Çfarë ndjeni kur jeni brenda këtij ambjenti dhe në ekspozimet qe kanë berë njerëzit e tu në këtë drejtim?
Për mua tezja dhe nëna në rradhë të parë janë njerëzit më të rrallë në botë dhe së dyti janë artiste që janë të rralla në mbarë globin. Ambjenti artistik ku jam rritur ka ndikuar së tepërmi në formimin e karakterit tim.Jam krenare për familjen time.Gjyshja na e ka lënë trashëgim artin e bukur e femëror të thurjes me shtiza.
-Cili ishte dokumentari që morët pjesë? Çfarë roli kishit? Ç’percolli tek ju kjo risi në jetën tuaj?
Dokumentari u realizua për tezen time Endën nga televizioni franko-gjerman “Arte”. Titullohet “Miresevini tek Enda”. Vetëm për dy njerëz në Shqiperi është bërë një dokumentar i tillë, për Ismail Kadarenë dhe për tezen time.Për këtë sigurisht që ndihemi të gjithë të privilegjuar.Gjatë xhirimeve të tij u realizua edhe një sfilatë me veshjet e punuara nga gjyshja dhe tezja. Njëra prej modeleve të sfilates isha edhe unë.Me ato veshje më duket vetja si një princeshë.
-Jeni vajzë e rritur në ambjente intelektuale.Kur ndiheni mire,kur iu thonë jeni e bukur apo inteligjente?
Për mua bukuria fizike nuk ka asnjë vlerë pa inteligjencën dhe mbi të gjitha pa fisnikërinë hpirtërore.
-Si reagoni ndaj ngacmimeve të meshkujve?
Ndaj ngacmimeve nuk reagoj, por të them të drejtën më mërzisin.
-Me çfarë merreni në kohen e lirë?
Në kohen e lire merrem me lexim,i bie pianos, kërcej, pikturoj, punoj me shtiza, shkruaj etj.
-Mamaja juaj është një piktore e njohur.E pëlqeni pikturën dhe a pikturoni?
Piktura më pëlqen.Pikturat e mia priren drejt abstraktes dhe ngjyrat jane potente.
-Ku preferoni t’i kaloni pushimet?
Rivierën shqiptare nuk e krahasoj me asnjë vend në botë. Jam e lidhur me të edhe për faktin se origjina ime ështe nga qyteti i bukur bregdetar i Vlorës.
-A jeni marre me poezi dhe çështë për ju poezia?
Po, jam marrë.Kam botuar edhe në librin “Hënëzat e bardha të agut” kur isha nxënëse e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, një përmbledhje me poezi nga nxënësit e kësaj shkolle. Poezia është një mënyrë e mirë e çlirimit nga mërzia dhe një mënyrë për të shprehur ndjenjat më të thella në momente të caktuara të jetës.
-Mund të na recitoni ndonjë poezi tuajën?
Njëra nga poezitë e mia është kjo:
‘Eh k’të detin sa e dua,
Sa i shtrenjtë është për mua,
Kridhem brenda gjithë gëzim
Në të shtrenjtin detin tim,
Shoh anijet larg në port,
Dua t’i arrij me not,
Dhe në verë është mrekulli,
Ah sa qetësi…..’
-Si e mendoni mashkullin tuaj ideal?
Mashkulli ideal per mua është ai me karakter të fortë dhe që di të kërcejë bukur.
-A mendoni se vajza në Shqipëri ndihet e respektuar dhe e vlerësuar?
Të jesh femër në Shqipëri është shumë e veshtirë. Sfidat janë të mëdha. Vlerësimi dhe respekti nuk janë të lehta për tu arritur. Shpresoj që kjo gjë të ndryshoje në të ardhmen dhe vlerësimet t’i marrë ai që i meriton.