E shtune, 20.04.2024, 03:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Keka: Gjergj Kastrioti ndërgjegja e kombit

E enjte, 20.01.2011, 08:59 PM


Gjergj Kastrioti ndërgjegja e kombit

 

Nga Gjon KEKA

 

Është për t'u shqetësuar mënyra se si po trajtohen apo më mirë të themi injorimi që po i bëhet figurave më të shquara të kombit tonë, figura këto që lanë gjurmë te thella në historinë e kombit Shqiptar,por edhe më gjerë.Pa këto figura të mëdha kombi Shqiptar do të ekzistonte sigurisht,por nuk do të ishte i tillë siç punuan dhe vepruan këto figura të shquara dhe mëdhështore siç ishte p.sh.Gjergj Kastrioti strateg dhe diplomat i urtë jo vetëm i kombit Shqiptar, por edhe i Europës në përgjithësi. Poashtu pa këto figura kombi Shqiptar do të ishte më pak i njohur për vlerat e tij, identitetin pastaj kulturën e tij si dhe civilizimin europian, por edhe më pak të njohura do të ishin pa këto figura historike rrënjët e tij kristiane-perëndimore, dhe trungu i tij i lashtë biblik.

 

Prandaj nga kjo duhet nënvizuar se një komb e bëjnë të madhë rrënjët e tj, respektivisht themelet e kulturës, civilizimit dhe sociabilitetit, pastaj atë e lartësojn virtytet dhe cilësit e tij, ndërsa imazhi i tij janë burrat e mëdhenjë të tij.

 

Gjergja Kastrioti ishte burrshetas i madh i kombit Shqiptar. Ai i shërbeu vendit më tërë qenjen e tij dhe i shfrytëzoi talentet e tij në të mirë të kombit dhe kulturës së tij europiane. Ai ushqehej nga rrënjët e kombit të tij që nga lashtësia, ai nuk ecte me orën e sulltanit, as me orën e servilitetit mesjetar, por ecte me orën e lashtë të rrënjëve të tij, ishte kjo pikërisht arsyeja dhe e vërteta e rrënjëve të tij që e bëri atë të dal në mbrojtje të themeleve të kombit nga zhdukja e tij apo humbja e dinjitetit dhe identitetit të tij të plotë nga perandoria e errët otomane.

 

Madhështia historike dhe vlera e lartë e figurave tona kombëtare si ajo e Gjergj Kastriotit nuk ishte mbyll vetëm brenda gjeografisë sonë kombëtare e shtetërore, as vetëm në hapësirën e rajonit, por ato ishin njohur edhe në tërë botën e civilizuar dhe demokratike, saqë mund të themi se ato ishin bërë edhe model të leksioneve të mëdha si për veprimet dhe strategjinë politiko-diplomatike të ecjes në proceset e kombeve ashtu edhe për mbrojtjen e themeleve të civilizimit perëndimor.Ndërkaq për mendjemprehtësin,vizionin e qartë,vlerat e tij, sukseset, urtësinë, qëndrueshëmrinë, diplomacinë e mençur ai fitoi admirim edhe tek shteti i Vatikanit,ndërsa për kontributin e tij në mbrojtje të kombit dhe krishterimit në Ballkan dhe Europë ai u nderua si Gideon i krishterimit nga Papa Piu II ndërsa më pas iu dha titulli në lidhje me kontributin e jashtëzakonshëm dhe historik nga Papa Pali II si Atlet i Krishtit.

 

Veprimtaria e figurave tona kombëtare duhet të na shërbejë si piketa kryesore të historisë së kombit, poashtu këto figura të larta të civilizimit tonë po të ecnim si pasardhësi të denjë të tyre do të na bënin të ishim vërtetë krenar dhe të denjë për emrin, identitetin, kulturën dhe historinë tonë. Ndërsa në anën tjetër me anë të nderimit tyre dhe ecjes në gjurmët e tyre edhe nëse ndodhë ndonjëherë aksidentalisht nga pasionet e verbëta të na fiket drita e ndërgjegjës, ne duke i rikthyer në aktualitet dhe duke i kujtuar e nderuar këto figura të shkëlqyera do të ndeznim papritur ndërgjegjen kombëtare të identitetit dhe kulturës së kombit tonë, duke vënë kështu në kohë edhe rezonancë fatin historik të kombit tonë gjatë proceseve të tij historike.

 

Po ashtu, cilësia e personalitetit, pastaj veprimataria dhe vizioni i këtyrë figurave kombëtare janë si hallka të ndritshme të një zingjiri të gjatë të brezave të historisë së kombit, të cilat jo vetëm se na lidhin fort për rrënjët por edhe na bëjnë pjesë të tyre në proceset në vijim të historisë së kombit, apo siç do të nënvizonte gjeniu dhe fizikanti gjerman Albert Einstein se ”cilësit morale të personaliteteve udhëheqëse janë jo vetëm për një brez, por edhe për rrjedhën e tërë historisë.”

 

Kështu nga kjo duhet thënë se Gjergj Kastrioti nuk ishte një mit as një shpikje moderne apo historike kombëtare, por ishte një realitet i plotë dhe i gjallë historik, sa që veprimtaria e tij, mendjemprehtësia, strategjia e tij, vizioni, politika dhe diplomacia kishin marrë jehonë të madhe në mbarë botën, prandaj madhështia e veprës së tij historike ishte pjesë e diskutimeve të gjata në zyrat e burrave më të mëdhenjë të kombeve në mbarë botën, por edhe veshët e tyre dëgjonin çdo ditë për njeriun që kishte marrë pergjegjësin e mbrojtjes si të identitetit kombëtar ashtu edhe të civilizimit të përbashkët perëndimor nga hordhia dhe marrëzit e perandorisë otomane.

 

Gjithashtu në lidhje me këtë duhet nënvizuar se për figurën dhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit janë inspiruar njerëz, intelektual, historian, filozof, shkrimtar etj të ndryshëm në botë sidomos nga shek. XVI e këndej duke hedh në dritë shumë vepra, poezi dhe shkrime historike shkencore e të ndryshme. Dhe krejt në fund po e përmbyll me një porosi për të gjithë ne si komb, si institucione dhe si individ që të ndezim dritën e ndërgjegjës, sepse janë pikërisht këto figura që përcaktojnë fuqinë dhe madhështinë e identitetit kombëtar dhe kulturor. Prandaj nderi që ne i bëjmë atyre apo edhe vlerësimi në përgjithësi tregon se ne si komb kemi një kurorë të madhe të historisë me anë të së cilës bota e civilizuar dhe demokratike na njeh që në thelb. Apo siç thoshte novelisti dhe kryministri anglez Benjamin Disrael se “testamenti i heronjëve është kujtimi i emrave të mëdhenjë dhe trashëgimi i shembujve të mëdhenjë.”



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora