E marte, 30.04.2024, 08:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Topçiu, një vepër mbi modernitetin e letrave shqipe

E diele, 23.01.2011, 08:08 PM


Ndërsa jo rrallë herë kemi dëgjuar të flitet për mungesë të kritikës letrare në Shqipëri, na vjen pikërisht një i tillë. Titullohet "Tradita moderne në letrat shqipe" dhe mban për autor studiuesin dhe përkthyesin Luan Topçiu. Libri vjen gjithashtu në një kohë kur diskutohet nëse ka apo nuk ka vlerë letërsia e shkruar gjatë viteve të diktaturës komuniste. Dhe një pjesë e autorëve të zgjedhur kanë shkruar gjatë kësaj periudhe. Por nuk flitet vetëm për këtë periudhë, sepse moderniteti në letrat shqipe haset shumë më herët. Jo më kot nis me rilindësin e madh Naim Frashëri, për të hyrë në kohë, për të trajtuar një copëz nga letërsia e trajtuar nën diktaturë dhe për të ardhur deri në ditët tona. Nga autori në autor, kupton më mirë "fenomenin", lindjen dhe pjekjen e tij. "Sigurisht në këtë libër mungojnë shumë autorë që kanë dhënë ndihmesë të madhe në "mobilimin" e letrave shqipe dhe kulturës shqiptare me modernistet. Janë të shumtë autorët që kontribuojnë për modernizimin e saj çdo ditë, me botimet e reja, me ekspozita të reja, me shfaqje të reja në kufijtë e Shqipërisë dhe jashtë saj. Libri nuk përfshin gjithë modernitetin shqiptar, sipërmarrje e pamundur për një libër të vetëm, por synon të shpjegojë një dukuri të pamunguar në kulturën shqiptare", sqaron Topçiu në pasthënien e librit, ku është munduar të cekë veprën e autorëve, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova e Maqedonia. Përpara se të hyjë dhe të marrë në shqyrtim veprat e autorëve, Topçiu na fut pak në hullinë e modernitetit si koncept, pastaj traditën moderne, ekzistencën e saj mes letrave shqipe, avangardën, postmodernizmin dhe letërsinë e lëvruar pas rënies së diktaturës komuniste, etj. Për të nisur me poezinë, ku si përfaqësues të parë merr poetin Naim Frashëri, të cilin e quan "modelues të vetëdijes poetike shqiptare". Nga vargjet e Naimit tek ligjërimi modern dhe filozofik i poezisë së Lasgush Poradecit. "Lasgush Poradeci është një poet dhe një dukuri letrare, një mit dhe një short. Lindi vetëm një vit para vdekjes së Naim Frashërit, një shekull më parë dhe do të jetonte deri në 1987, duke dominuar me artin e tij gjithë këtë shekull", shkruan Topçiu. Një poet modernist "par excelence" është Martin Camaj. "Vepra poetike e Martin Camajt është një vepër e sinkronizuar tërësisht me proceset e modernizimit të letërsisë botërore, një shembull i shkëlqyer i thellësisë artistike dhe magjistar i kombinimeve dhe formulave në gjuhën shqipe, një model i mrekullueshëm i përçapjeve të artit shqiptar në rrafshet më të epërme të kulturës europiane. E pason Ali Podrimja, një nga poetët më novatorë në gjuhën shqipe dhe poeti më i mirënjohur e më i përkthyer në plan ndërkombëtar. Nuk mund t'i mungojë kësaj vepre edhe analiza e poezisë së Visar Zhitit, "kjo parajsë-ferr, kjo liri-robëri, ky dënim dyfish, është një akt sublim", siç e quan studiuesi. E nis me vëllimin "Psalm" (1998), për të vijuar me "Thesaret e frikës" (2005). Ndalet dhe në disa poetë të tjerë, jo të përmasave të emrave të mësipërm, por që plotësojnë spektrin e modernitetit shqiptar. Dhe vijon me prozën, e cila nuk mund të mos fillonte me Mitrush Kutelin me novelën "E madhe është gjëma e mëkatit". "Në gjithë prozën shqipe nuk gjejmë kaq finesë, prozë poetike me vlera antologjike, magji, erotikë, sensualitet, brishtësi ndjenjash se sa tek kjo novelë, ku dashuria shndërrohet në fe, në një mit, në një univers të ri". Romani "Oh" i Anton Pashkut vijon rrugëtimin në zbulimin e modernitetit në letrat shqipe. Për të mbërritur tek Ismail Kadare, tek disa prej veprave të tij, e në fund, më shkurtimisht tek Besnik Mustafaj, Fatos Kongoli, Agron Tufa, Elvira Dones, etj.

Ismail Kadare

Studiuesi ka preferuar të ndalet pak më gjatë, duke marrë në shqyrtim jo vetëm disa prej veprave të tij më të mira, por duke dhënë mendimin e tij mbi vlerat e figurës së Kadaresë, duke e konsideruar si një shpëtimtar të letërsisë shqipe nga kompleksi i kulturës periferike. "Në shumicën e rasteve bëhet një ngatërrim i regjistrave, gjykohet njeriu për shkrimtarin, gjykohet shkrimtari për njeriun. Kur flasim për Ismail Kadarenë kemi parasysh shkrimtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, nuk kemi parasysh njeriun, burrin, individin me dobësitë e tij, me egon dhe ambiciet njerëzore, apo me dobësi të tjera, të pashmangshme për një njeri të artit", shprehet Luan Topçiu. Veprat që ai ka marrë në shqyrtim janë "Kisha e Shën Sofisë", të cilën e konsideron si një simbol androgjen i botës së krishterë dhe myslimane, pastaj vijon me romanin "Përbindëshi", i cili ka ndjekur një rrugë peripetike deri në botimin e tij. Autori vë në pah "lojën" që shkrimtari bën me kohën, me zhvendosjen e miteve dhe aluzionin që ai bën përmes përbindëshit-furgon, me izolimin e Shqipërisë komuniste. Novela "Qorrfermani", e cila i vendos ngjarjet në Perandorinë Osmane, është një tjetër dëshmi e modernitetit të letërsisë shqipe. Topçiu nuk i reziston dot ngasjes të heqë një paralele letrare mes Kadaresë dhe Kafkës, duke krahasuar "Qorrfermanin" me "Kështjellën". "Piramida" nuk lë vend për diskutim, ajo është një alegori e hapur për ndërtimin e muzeut kushtuar diktatorit Enver Hoxha. Dhe më në fund një vepër e shkruar në liri, "S.P.I.R.I.T.U.S", ngjarjet e së cilës vendosen më në fund në Shqipëri e flasin hapur për diktatorin dhe diktaturën. E pastaj "Darka e gabuar", një ndër veprat më të fundit të Ismail Kadaresë, që për Topçiun është një "tentativë për të rrokur befasisht vetveten". "Në këtë roman, prania e Kadaresë është më e gjallë se në shumë vepra të tjera", shkruan Topçiu.

 

Shkrimtarët

 

Naim Frashëri

Lasgush Poradeci

Martin Camaj

Ali Podrimja

Resul Shabani

Sali Bashota

Jamarbër Marko

Krenar Zejno

Senad Guraziu

Mitrush Kuteli

Anton Pashku

Ismail Kadare

Besnik Mustafaj

Luan Starova

Agron Tufa

Agim Isaku

Fatos Kongoli

Elvira Dones

Arbër Ahmetaj

 

Autori

 

Luan Topçiu është doktor i shkencave filologjike, ka punuar si profesor në Universitetin e Bukureshtit dhe të Tiranës, kryeredaktor i revistës dygjuhëshe "Albanezul/Shqiptari", "Paradigma XXI". Disa nga veprat e autorit janë: Ndjenja e mallit tek Asdreni, Poradeci, Kuteli", "Tekstualizëm dhe stil", "Përmasa moderne në letërsinë shqipe", "Vetmia nostalgjike në poezi". Është bashkautor i Fjalorit Shqip-Rumanisht. Ka përkthyer një sërë librash nga gjuha rumune në shqip dhe anasjelltas.

 

"Qorrfermani"

 

"Qorrfermani" është tragjedia e një populli të tërë dhe e individit në veçanti. Në pjesën e parë të novelës, individi nuk është konceptuar si i tillë, por vetëm si pjesë sasiore e "turmës". Ngjashmërisht me prozën e Kadaresë, këtu deliri haluçinant bëhet obsesiv dhe, në dallim nga personazhet kafkiane, të cilët e pranojnë fajësinë, falë moskuptimit të situatave absurde, viktimë e të cilave janë, personazhet e Kadaresë nuk jetojnë asnjë çast ndjenjën e fajësisë (të fajësisë pa faj), përkundrazi, ata janë tejet të ftilluar, gjë e cila e amplifikon dramën"...

 

"Piramida"

 

... Ismail Kadare nuk propozon tema historike, ai dëshmon dhe një herë që ajo është vetëm një pretekst, problemi i vërtetë qëndron në mesazhet ndërtekstore....

Romani, në formën e parë të tij, si novelë, u shkrua kur në Shqipëri ndërtohej muzeu "Enver Hoxha", një ndërtim absurd, jashtëzakonisht i kushtueshëm, në formën e një piramide, në kurrizin e një populli të fyer, të varfëruar skajshmërisht nga politika e një shteti totalitar. Shembuj nga shoqëritë ish- komuniste mund të shumohen - piramida e Çausheskut, "Pallati i Popullit", fabrikat e pamata që konsumojnë energjinë e popujve, për të plotësuar delirin e tyre diktatorët.

 

 

ALMA MILE



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora