E hene, 29.04.2024, 12:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Qirjaqi & Teodor Bilushi: Gjirokastra e '900-ës

E hene, 24.01.2011, 06:57 PM


Gjirokastra e '900-ës

 

Nga Vladimir Qirjaqi /Teodor Bilushi

 

Arkitektura italiane në Qendrën Historike Gjirokastër në fillim të shekullit të kaluar. Në vitet '20-'40, marrëdhëniet e reja ekonomike kryesisht me Italinë, dhe korrentet kulturore, i sjellin Gjirokastrës një frymë të re emancipimi.

 

Gratë heqin perçet, i zëvendësojnë me veshje evropiane elegante, ndryshojnë shijet e jetesës, përfshi këtu vendet ku banojnë dhe punojnë

 

Pas certifikimit të Gjirokastrës Pasuri Botërore e UNËSCO-s në vitin 2005, Qendra e saj Historike tërhoqi vëmendjen dhe është bërë objekt studimi për studiues dhe universitarë në evropianë. Ky spektër i ri studimesh po evidenton dhe certifikon vlera të paperceptuara gjatë periudhës së komunizmit.

 

Influenca e arkitekturës italianë të '900-ës është një aspekt ku ia vlen të ndalesh gjatë. Fillimet e saj shënohen në periudhën e rënies së perandorisë otomanë, kur zënë fill shkëmbimet ekonomike dhe kulturore me Perëndimin dhe kur Italia përbente pikën kryesore të referimit.

 

Ishte karakteristike për Gjirokastrën që familjet e mëdha dhe jeta e qytetit në përgjithësi të orientoheshin shumë shpejt kah zhvillimeve të reja

Stili i ri

 

Vitet '20-'40 shënojnë zanafillën e lulëzimit të tregtisë veçanërisht me Italinë dhe Greqinë fqinje. Limani i Sarandës, pronë e familjeve gjirokastritë kthehet këto vite në Portin e dytë të rëndësishëm në Shqipëri, me volume të mëdha të shkëmbimeve tregtare me Italinë.

 

Portin e frekuentonin tregtarët e shumtë gjirokastritë që lëviznin në itinerarin Sarandë-Brindizi-Bari, për të vazhduar në të gjithë Italinë.

Pa harruar ndërtimin e aeroportit dhe funksionimi i linjave të brendshme dhe atyre charter me Italinë.

 

Pikërisht ky zhvillim sjell përmirësimin e gjendjes ekonomikë të familjes gjirokastrite dhe lindjen e marrëdhënieve të reja ekonomike me përtejdetin. Të ndodhur në një kryqëzim rrugësh të rëndësishme, gjirokastritët arrijnë të krijojnë me të shpejtë një shtresë të re të kamurish që do të përcaktonte nevojën për investime, përfshi fushën e ndërtimit dhe të shërbimeve.

 

Krahas marrëdhënieve të reja ekonomike po krijoheshin korrente kulturore që i sillnin Gjirokastrës një frymë të re emancipimi.

 

Gratë heqin perçet, i zëvendësojnë me veshje evropiane elegante, ndryshojnë shijet e jetesës, përfshi këtu banesat.

 

Të dhënat tregojnë se disa objekte që u ndërtuan gjatë kësaj periudhe, pra në dy dekada, u përkasin kryesisht këtyre tregtarëve dhe kësaj shtrese që po krijohej. Madje pronarë të këtyre banesave janë persona që kishin aktivitet tregtar me Italinë.

 

Spikasin banesat tip vile, por edhe hotele e komplekset tregtare në zonën e Pazarit. Sigurisht që nuk mungojnë objektet bankare, shkollore, administrative, disa prej të cilave janë në funksion edhe sot.

 

Vilat

 

Ja një listë e shkurtër e banesave (vila), koha e ndërtimit dhe autorët e projektit:

Emin Kokalari - vilë e ndërtuar në Palorto më 1931-'33, ark. Giovani Buseli;

Papavangjeli - vilë e ndërtuar në Lagjen Varosh më 1937; Aleks Ceci - banesë trikatëshe në lagjen Varosh (ish-Radio); Tili Mihali - Banesë dhe tregtore në Lagjen Varosh, 1937 (tregtar); Koço Kekezi - banesë katërkatëshe në Lagjen Varosh (tregtar); Taho Alite - banesë në Lagjen Hazmurat (tregtar); Fidhi - banesë trikatëshe në Lagjen Varosh; Kallajxhi - Banesë dykatëshe në Lagjen Palorto, ndërtuar më 1930 etj..

 

Te këto banesa spikasin së jashtmi ballkonet, verandat, grilat në dritare, kangjellat me hekur të punuar në ballkone, dyert e hekurta etj..

 

Nga ana strukturore vihet re përdorimi i kolonave dhe trarëve prej betoni dhe çeliku, ndarja e kateve me soletat me beton dhe tulla të vendosura gjysmëhark në shina çeliku. Në ambientet e brendshme kemi përdorimin e pllakave të mermerit në shkallë si dhe pllakave dekorative.

 

Çatitë me tjegulla përbejnë një tjetër element karakteristik në pjesën më të madhe të ndërtimeve të kësaj periudhe. Vihet re përdorimi i teknologjive të reja të ndërtimit të cilat sjellin tipologji të reja arkitekturore në Gjirokastër. Ky ballafaqim është çështje që meriton vëmendje të posaçme sepse besojmë ngjalla mjaft diskutime

 

Modernizmi i Pazarit

 

Duke braktisur Hanet, tregtarët me shije perëndimore filluan kësaj periudhe ndërtimin e disa hoteleve në stilin arkitektonik dhe funksional italian. Të këtij stili përmendim Hotel Royal ose Hotel Reale (Sopoti i sotëm) si dhe Hotel Savoia (Kashau i sotëm).

 

Hotel Royal, pronë e familjes Hajderaj, është ndërtuar në disa faza dhe për disa vite rresht. Forma përfundimtare, me pak ndryshime në ambientet e brendshme është ajo që kemi edhe sot. Ky objekt përfaqësonte hotelin më luksoz për kohën në Qendrën Historike të Gjirokastrës. Këtu, përveç dhomave të gjumit kishte edhe një bar-restorant modern për kohën.

 

Për klasën e këtij hoteli sipas të dhënave historike, është tregues edhe statusi i personave që kanë bujtur dhe fjetur aty: Mbreti Viktor Emanueli III, princeshat e familjes mbretërore shqiptare, politikanë, diplomatë protagonistë të kohës, ushtarakë të lartë, tregtarë.

 

Akoma sot ka të ruajtura te ky objekt elemente karakteristike të arkitekturës italianë të stilit umbertino si ballkonet, kangjellat, elementet dekorative të kornizat e dritareve, këndet e punuara etj..

 

Emrat e dy hoteleve, "Royal" dhe "Savoia" i ndeshim edhe në guidën turistike italiane "Albania", 1940, botim i TCI - Turing Club Italia.

 

Tregtoret

 

Zhvillimet e vrullshme të këmbimeve tregtare i sollën Gjirokastrës domosdoshmërinë për investime në qendra apo njësi tregtare. Një nga më të spikaturat dhe që sot është lënë në mjerim, është Kompleksi Tregtar i Zigait në Pazar, pronë e zotit Aristidh Zigai.

 

Ky objekt i datuar si ndërtim në 1937, prezanton një model unikal funksionaliteti dhe elegance arkitektonike. Këtu ndeshim përdorimin e betonit në kolona trarë dhe soleta si dhe hekurin dekorativ në kangjellat dhe shkallët e shumta që ka objekti.

 

Në pjesën e poshtme, në ambientet që kanë shërbyer si magazina, ndeshim përdorimin si element sigurie të tarabave metalike.

 

Nuk është e lehtë të dallosh një modernitet ndërtimor që, ndonëse nuk u ngjason ndërtimeve të periudhës otomanë, përfaqëson sot një vlerë që duhet të përtërihet dhe të bëhet funksionale.

 

Në historinë e arkitekturës shqiptare ky ndërtim duhet të përbëjë objekt studimi si shembull i një qendre tregtare të fillim shekullit të kaluar.

 

Një ndërtim tjetër i po kësaj periudhe ishte Tregtorja dhe banesa e tregtarit Th. Lito te Sheshi i Çerçizit. Sot ajo nuk ekziston pasi është prishur me ndërtimin e Hotel Çajupit. Objekti ishte i një arkitekture tipike italianë në të gjitha elementet. Kati i parë shërbente si ambient tregtar, ndërsa katet e sipërme si banesa.

 

Tregtorja dhe banesa e Tili Mihalit në Lagjen Varosh, ndërtuar në vitin 1937 ka funksionuar si dyqan në katin e parë dhe banesë në dy katet e tjera. Karakteristike janë ballkoni me kangjella hekuri dekorativ, dritaret me grila dhe veranda në pjesën e sipërme.

 

Bankat

 

Për herë të parë Gjirokastra njeh aktivitetin bankar në vitet '30 me ndërtimin dhe vënien në funksion të dy bankave: Banca Nazionale d'Albania dhe Banco di Napoli. Ndërtesa e të parës ka qenë pas Bankës së Kursimeve (Banka Raiffaisen sot) te ish-kinemaja e vjetër, ndërsa e dyta është te hyrja e Pazarit, godina e ish-Pastiçeri Tirana.

 

Të dy këto objekte kanë elemente të panjohura për ndërtimet e qytetit. Te Banco di Napoli kemi prezencë të ballkoneve me kangjella dekorative, por nuk mungojnë hekurat në dritare në formë kangjellash, grilat e rënda dhe tarabat si elemente sigurie.

 

Në ambientet e brendshme organizimi është bërë në funksion të aktivitetit ku të binte në sy aredimi me elemente të reja për objektet e Gjirokastrës: dollapë dhe tavolina të rënda me dru arre, karrige dhe kolltukë me veshje lëkure. Gjithashtu ndeshim përdorimin e pllakave dekorative në shtrimin e dyshemeve.

Të gjithë këto elemente do të bëheshin më vonë diçka normale për ndërtesat në Gjirokastër.

 

Shkollat

 

Liceu i Gjirokastrës përfaqëson objektin kryesor arsimor në Qendrën Historike i ndërtuar sipas teknikave arkitekturore dhe strukturore më të avancuara të kohës. Objekti përfundoi së ndërtuari në vitin 1942 në formën që e kemi edhe sot. Godina e re u ngrit mbi objektin e ish-Liceut francez të vitit 1928 i shkatërruar nga lufta.

 

Në godinën e gjimnazit kemi të aplikuar shumë elemente arkitektonike, strukturore, funksionale, hidraulike, të cilat i japin objektit vlera unikale por edhe harmonizim në kontekstin e qytetit. Në këtë objekt është aplikuar stili piacentinian, ndërsa nga ana strukturore përveç mureve masive, kolonave, trarëve dhe soletave të betonit, karakteristike ngelet veshja e dyshemeve të korridoreve dhe klasave me pllaka graniti si dhe e shkallëve me mermer.

 

Element i rëndësishëm janë edhe volumet (kubaturat) e klasave. Në anën e pasme të Liceut (Gjimnazit) ndodhen disa objekte në formë kapanonësh ku një prej tyre aktualisht përdoret si palestër.

 

Në këto ambiente ka funksionuar shkolla teknike italiane, filiali i Institutit Montani. Sistemi i ndërtimit është sipas teknikave të reja për kapanonet industriale (vitet 1930-'40) të panjohura për qytetin e Gjirokastrës. Mbulesat janë realizuar me kapriata çeliku, tiranta dhe llamarinë e valëzuar e mbështetur në shtresa druri.

 

Një element i papërmendur më lart por shumë karakteristik për ndërtimet e kësaj periudhe, është çatia me tjegulla të kuqë dhe tarraca e betonit me parapet.

Kjo vepër unikale, më e bukura e realizuar në gjithë Shqipërinë si objekt shkollor, projektuar nga arkitektë italianë, u ndërtua prej mjeshtërve më të mirë të shoqërisë gjirokastrite "Selfo".

 

Administrata

 

Janë dy objekte administrative që vlen të përmenden. Ish-Prefektura dhe ish-Bashkia. Objekti i parë nuk ekziston më pasi është djegur. Në bazë të fotografive të kohës ai ndodhej te kodra ku sot është lokal "Fantazia". Ndërtimi ka qenë në stilin neoklasik. Objekti i ish-Bashkisë ndodhej aty ku sot kemi pjesën kufizuese të ish-Hotel Çajupit me hyrjen e rrugës që të çon në Bashki.

 

Të tjera

 

Në vitet tridhjetë në Qendrën Historike të Gjirokastrës ndërtohet godina e ish-Kishës Katolike te kodra poshtë obeliskut. Sot ky objekt nuk është pasi është prishur në vitet '80 për të ndërtuar kompleksin kulturor. Në baze të fotografive ky objekt edhe pse i përkiste një stili të veçantë arkitektonik, ka qenë i harmonizuar me kontekstin e qytetit duke dominuar Qendrën Historike.

 

Objekte të tjera të projektuara dhe ndërtuara nga specialistët italianë të kësaj periudhe janë edhe Godina e Centralit Elektrik (SESA), Godina e Aeroportit të Gjirokastrës, ish-Mulliri etj.

 

Periudha në fjalë përbën një nga shtresëzimet më të rëndësishme të Muzeut Arkitekturor që përfaqëson Qendra Historike e Gjirokastrës. Ashtu si elementet e tjera të kësaj stratigrafie, periudha bizantine, otomane, periudha që u ndalëm në këtë vështrim dhe ajo gjatë viteve të regjimit komunist, të gjitha së bashku, duke u studiuar dhe evidentuar sjellin reflektime mbi të tashmen dhe të ardhmen e Qendrës Historike.

 

Gjirokastra përbën një mozaik shumëngjyrësh në historikun e arkitekturës ku secila periudhë ka gjurmët dhe vlerat e saj të cilat duhet të studiohen, vlerësohen dhe restaurohen duke ruajtur origjinalitetin për ta bërë kështu Qendrën Historike një muze të hapur të arkitekturës.

 

Këtë proces ne dëshirojmë ta nxisim pasi në fushën e trashëgimisë diskutimet mbi të shkuarën janë po aq të rëndësishme sa diskutimet për të ardhmen.

 

Specialist i Monumenteve të Kulturës

Pedagog në Universitetin "Eqrem Çabej" Gjirokastër

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora