E premte, 02.05.2025, 10:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Sami Krasniqi: Për Zeqir Gërvallën, liria është … ylber mbi ujëvarë…

E shtune, 29.01.2011, 07:20 PM


Zeqir Gervalla
Zeqir Gervalla
Në Heidelberg të Gjermanisë, me rastin „Flakës së Janarit“ u promovua libri i poetit dhe atdhetarit Zeqir Gërvalla, „Me o(R)ë Kosove”.

 

Shkruan Sami Krasniqi

 

Për Zeqir Gërvallën,

liria është …  ylber mbi ujëvarë…

 

Liri, e e shtrenjtë sa s’ka

Që kurrë s’po mund të të takoj,

Që kurrë fati s’më ra-

Njëherë të të përqafoj…

Të parafytyrojmë… të shohim edhe më të bukur se sa je…

                                                               (Z)emër-Shtat-Sy…

Oh!  Ty  Mbretëresha  e  bukurive,  (I)LIRI,    e  bukur

                                                                     Se çdo fantazi…

                                                                 Se çdo ëndërralë…

                                 Nnga përmbledhja  „Me orë  Kosove” Zeqir Gërvalla

 

Këtij „Përkushtimi letrar“, sot i mungon diçka, i mungon prezenca fizike e atdhetarit dhe poetit Zeqir Gërvalla, autor i njëres prej veprave të cilat do të promovohen sot, të asaj „Me o(R)ë Kosove“.

Por, të nderuar pjesëmarrës, ashtu siç jemi mësuar, ta gjejmë Bacën Zeqë gjithëherë, atje ku bëhen punë të mira për Kombin dhe Atdheun, atë edhe sot, me mendje dhe zemër, me mallin e shpirtit të tij të madh dhe të lirë, e kemi këtu, këtu në mesin tonë. Si dëshmi të kësaj që thash pak më lart, në vazhdim do të lexojë një poezi nga libri të cilin sot po e prezantojmë. Që në fillim më duhet të pranojë, se unë nuk di as të lexojë e as të recitojë mirë poezi dhe për këtë i kërkoj falje vargjeve në vijim dhe autorit të tyre.

 

SHI VJESHTE

Nga nënstrehë e Bildingut 7 vështroj...

Ombrellën e mbyllur në dorë e mbaj(ë)…(!)

Ta hap…? Të nisem…? Ku të shkoj(ë)…?

O zot, është ky shi, shi apo i qiellit vaj(ë)?!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ah, më ka marrë malli për shokë e miq(ë)…

(O, edhe për gur(ë) e dhe t’Kosovës t(R)ime,atje, larg…)

Të takohemi… në rrugë… të kthehemi në ndonjë kafiq…

Të pimë nga një kafe…Të llafosemi për ndonjë varg….!

 

           ***

 

Nëpër kujtime të gjithëve , o të dashur , ju takoj….

Ju s’më shihni…e, unë, prej së l-a-r-g-u-t…

Vij…ë, me mallin e shpirtit ju përqafoj(ë)…..!

 

Po… Nganjëherë, ju qortoj(ë) për ndonjë cikërrim(ë),

Nganjëherë, edhe Ju më qortoni: përse mbeta kaq larg!

Ç’tju them me fjalë? Faji-thonë është jetim…

-Hej, pyesni lotin tim – shi vjeshte në v-a-r-g…!

 

Plot dashuri e forcë, mallë e dhembje, shpesh edhe të shqetësuar, por kurrë e as edhe për një sekondë të thyer e të dorëzuar do ta gjejmë kudo

poetin dhe atdhetarin Zeqir Gërvalla. Të tillë do ta gjejmë, edhe në Tiranë edhe në Prishtinë, edhe në Shkup edhe në Prevezë, edhe në Ulqin e edhe në Preshevë. E kishin parë duke kërkuar një varg herë në Kaçanik e herë në Filat, e kishin takuar edhe në Vraninë. Nëse Lasgush Poradeci, përmes vargut, me Drinin plak mes për mes i bie Shqipërisë, për të cilin që moti Norbert Jokl-i do të thoshte: “ Ja sa bukur poeti, iu lë trashëgim brezave të ardhshëm Shqipërinë Etnike….“, Zeqir Gërvalla, qysh në vargjet e para, cep më cep e sheh, e këndon dhe e përqafon Shqipërinë, prandaj jo së koti Gërvalla njihet ndryshe edhe si poeti Bashkimit Kombëtar. I tillë ishte dje, i tillë është edhe sot, tërë jetën në shërbim të Atdheut. Por, për dallim nga Gjorg Balshaj në „Tri këngë zie për Kosovën“, i cili që nga beteja famëkeqe e Fushës së Mëllënjave, në çdo ngjarje të rëndësishme, aheng, madje edhe mort, sa herë Vlladani  me „gusllen“ e tij  ia merr këngëvajit për Kosovën, ky nuk bën asgjë tjetër veçse, përmes lahutës, thërret shqiptarët që të ngrihen për të shpëtuar Kosovën, Zeqir Gërvalla jo vetëm që shkruan e këndon, por edhe vepron e sakrifikon duke mos iu dhimbsur as jeta për çlirimin e gjysmës së atdheut të robëruar, qëllim për të cilin, as nuk frikësohet e as nuk mashtrohet, madje e quan vetën të pafat që nuk ka rënë për LIRI…,sepse ndryshe nga Gjorg Balshaj, për Atdheun sipas Gërvallës, jo vetëm që duhet të shkruhet dhe këndohet, por edhe të luftohet, bile edhe të vdiset, sepse, gjithnjë sipas Gërvallës dhe filozofisë së tij të flijimit për Atdhe, vdekja nuk është vdekje,por rilindje e cila Lirisë do t’i qëndrojë si roja dhe mbrojtja më besnike. Prandaj, heronjtë edhe në luftë, qoftë edhe në momentin pak para se të bien, këngën nuk e ndalin.

 

 

 

 

 

 

Të nderuar miq të këtij „Përkushtimi letrar“

Gjithëmonë i tillë ishte Zeqir Gërvalla. Ishte rritur dhe edukuar që të jet vetëm ai që është, njeri që e don Atdheun dhe Popullin e tij, njeri që i dhembin dhe e trishtojnë plagët e Atdheut dhe Popullit të tij.

I tillë ishte edukuar, i tillë ishte frymëzuar dhe porositur nga familja, në veçanti nga axha i tij Mulla Ramë Gërvalla, i cili kishte qenë intendant i ushtrisë së Hasan Prishtinës në Vushtërri. I tillë, ishte edukuar dhe përbetuar, duke e ndjerë thellë e në shpirt, përditë e më shumë, dhembjen që shkakton robëria dhe ndarja, i tillë ishte rritur dhe pjekur duke dëgjuar dhe lëxuar për gjakun e derdhur, prandaj qysh heret, fare në moshë të re me mendje, shpirt dhe zemër ishte betuar në Zotin, Atdheun,Tokën e të parëve dhe Gjakun e derdhur për liri, se tërë jetën, do të vargënoj, punoj dhe sakrifikoj gjithëçka për të mirën e Lirisë dhe Shqipërisë…   

I tillë ishte dhe si i tillë forcohej edhe më tepër, kur lëxonte dhe dëgjonte për pendën, mendjemprehtësinë, qëndrimin dhe guximin e Bacë Adem Demaçit, familja e të cilit gjithashtu vinte po nga i njëjti fshat, nga Lupçi i Poshtëm. Mahnitej dhe fisnikrohej kur lexonte: „Kthimin“, „Kur Zoti harron“, „Gjarpijt e gjakut“, ndersa autorin e tyre e donte dhe e çmonte dhe me të, fare pa u takuar,ishin njohur si vëllëzer të një ideali.

 

Zonja e zotërinj

I tillë çfarë ishte ai, duke parë se parimet bazë të drejtësisë,ndaj Atdheut tonë ishin shkelur rëndë dhe se të tjerët, përçudnisht kishin bërë dhe po ribënin harten e Atdheut tonë, ndersa interesat donin të kuptimsonin krimin për të ricikluar vrasje, krime dhe tragjedi të reja, Zeqir Gërvalla së bashku me: Adem Demaçin Fazli Grajçefcin,Avdyl Lahun,Azem Beqirin, Selman Berishën, Rexhep Elmazin, Ahmet Haxhiun, Hilmi Rakovicën e shumë vëllëzer të tjerë prej ideali, do të bashkëthemelojnë,(gjegjësisht do të bashkëveprojnë) LRBSH-në, ku qëllim i parë dhe i fundit i saj ishte: bashkimi i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia, po citoj „me Nanën Shqipni“. Ishin të vendosur dhe të guximshëm për të luftuar dhe ngulur këmbë, pa u hutuar për asnjë çast, në të drejtën që i takon Atdheut. Vendosmërinë dhe guximin e tyre do ta shohim tek këto vargje të Fazli Grajçevcit, i cili pas burgosjes së shokëve, shkon dhe vetëdorëzohet  në polici, ku pas dy javë torturash, më 17 gusht 1964, Lirisë dhe Atdheut do t’ia falë jetën dhe shpirtin e tij të lirë….

 

 

Kam dalë dhe prore kam me dalë

Bregoret me sy çiltërie me i soditë

Kurrë kangen time s’kam m’e ndalë

Rrugët e mbara tue i shndritë

 

 

 

 

 

 

Vdekja e Fazliut, poetin e bënë edhe më të fortë. Djembja natyrisht se ishte dhe është e madhe, por motivi për të qëndruar dhe besuar shumëfish më i madh. Dhe, me këtë rast Gërvalla, në pamundësi për të shkruar, në burgun e Nishit do ta krijojë përmendësh një poezi, për siç shprehet ai “Vëllain e dhembjes krenare”, të cilën, duke ua recituar shpesh e me lotë në sy e kishin mësuar edhe shokët tjerë të burgosur.  

 

Të nderuar miq.

 

I tillë ishte Zeqir Gërvalla,i ndjekur, i burgosur i ndaluar, ishte i tillë, pasiqë ai vinte nga një popull i ndjekur, nga një popull i burgosur dhe vinte nga një popull i ndaluar.

Ai nuk luftoi për të ndërruar regjimet,jo,por ai një jetë të tërë punoi për të larguar robërinë, e cila për çdo ditë po ia mbyste pak e nga pak Atdheun, e për çdo orë po ia vriste Lirinë, jo ai nuk luftoi pse Krajli në Kalimekdan shumë të drejta  kishte rezervuar për vete, ndërsa Senatin e kishte lënë sa për sy e faqe, jo, ai nuk ishte Bruti, edhepse Krajli në Kalimekdan, ëndrronte ditë e natë të ishte si Cezari.

Edhepse për një kohë të gjatë, në të gjitha redaksitë dhe shtëpitë botuese të asaj kohe, emri i Zeqir Gërvallës ishte shënuar me ngjyrë të kuqe, ai nuk e humbi kurajon, ai nuk u ndal së shkruari. Shkruante panderprerë. Rrallëherë, me ndihmën e ndonjë vëllai prej ideali, siç thotë ai vet, të cilët në kohë të ndryshme mund të gjendeshin në ndonjë redaksi, botoi nën pseudonime të ndryshme si: Zeqir Gurraj, Lalush Shijaku, Sokol Llapi, Jusuf Berati, Hanëmshahe Bajrami, Flakron Gurari, Hana Malësori etj, por shpesh ndodhte që rojet besnike të të ashtuquajturit vëllazërim-bashkim të hetonin dhe zbulonin, se kush fshihej pas këtyre emrave dhe reagimi i tyre vinte si një frikë e trazuar, që i ngjan bubullimës së frikshme e cila vjen papritur në pikun e natës.

“……Mirëpo, poeti dhe njeriu Zeqir Gërvalla”, siç thotë Dr.Sefedin Fetiu,”nuk ndalet, nuk e humb shpresën dhe gjithënjë angazhohet edhe në veprimtarinë e përditshme edhe në krijimtarinë e palodhshme poetike dhe artistike, që fjalën dashuri ta mbjellë midis njerëzish, t’I zgjojë të përgjumurit dhe t’i drejtojë të paudhurit.” Ishte korriku i vitit 1998 kur Dr. Fetiu i tha këto fjalë, atëherë në Kosovë po bëhej luftë për jetë a vdekje.  

Por, ato ditë Kosova po e vriste vdekjen, sepse jo shumë kohë më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishte vrarë vdekjen e bashkë me të edhe frikën e cila vjen prej saj. Dhe kështu një komb i tërë, sikur ai drenicaku në “Bisedë përmes hekurash”, “…pa hamendje dhe trimërisht kishte pranuar ...konceptin filozofik të vdekjes si mundje…..”.

 

 

 

 

 

 

 

 

Në gjithë këtë zgjim të madh ku ashtu si vlerat edhe rreziqet ishin të mëdha, Zeqir Gërvallën e gjejmë si këshilltar të lartë në Zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të hapur në ato kohë, në mes të Prishtinës nga Legjenda e gjallë e luftës për liri, Bacë Adem Demaçi.

Por, Zeqir Gërvallës do t’i ndodhte ajo të cilën kurrë s’e kishte dëshiruar e as menduar….largimi nga Atdheu.Kështu, poeti do të përjetonte edhe tmerrin e Bllacës, të cilën në një vjershë tjetër e quan “ferr shqiptarësh” Se një gjë të tillë nuk e kishte menduar dhe dashur, më së miri mund të shihet në poezinë”Lot i ngrirë në sy” në të cilën do të shprehej : “…..(Ngul këmbë aty – ku guri e dheu të njeh….”, ndërsa se sa të rëndë e kishte përjetuar largimin nga Kosova më së miri na rrëfejnë vargjet në vijim:

 

Ngase prej Teje varg       

Me dhunë na përzunë

Do të ik sa më larg

Që të dua më shumë

 

S’dua t’i bëhem barrë

Askujt veç vetës

Kështu qenka  thënë vallë

Fati im i jetës

 

Jo s’ta ktheva shpinën kurrë

Për luks e lakmi……

Por, ah! S’pata fat si burrë

Të bie për LIRI…. 

 

Ende pa përfunduar lufta, poeti fillon jetën e mërgimtarit në SHBA. Por, edhe atje nuk ndalet, edhe atje vazhdon të shkruaj, edhe atje vazhdon të veprojë në të mirë të Lirisë dhe Atdheut. Atje e shkruan poezinë „Amerikë, dëgjoje zërin e Kosovës“, e cila do të mbetet në hisotrinë e letërsisë shqipe, si dhe në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane si vjersha të cilën me të lëxuar Presidenti i atëherëshëm Klinton, nga emocioni nuk mundi t’i përmbajë lotët, ndërsa në shenjë mirënjohjeje dhe premtimi se do të vazhdojë për ta ndihmuar Kosovën, do t’i shkruaj personalisht një letër poetit. Por, miq të nderuar, para se t’iu lëxojë letrën e Presidentit Klinton, do t’iu them dy strofa nga poezia në fjalë:

 

 

 

 

 

 

 

 

Ne s’na kënaq vetëm ushqimi

Qetësia, puna e paqja në dhe të huaj

Po liria – shkollimi – ndërtimi

Në Kosovë ku bukës i thonë bukë e ujit ujë

 

Por, ju lutem shumë Amerikë, o botë

Të mos na lini të ndarë e të shpërndarë veç e veç

Të mos na bëni vazhdimisht të derdhim lot(ë)

Se s’paska më rëndë, se s’paska më keq……

 

 

Ndërsa Klinton i përgjigjet poetit mërgimtar:

 

I dashuri Zeqir, E mora kopjen e poezisë "Amerikë, dëgjoje zërin e Kosovës" dhe dua të të them se shumë më kanë prekur fjalët e juaja  të përzemërta. Të jeni të sigurtë se do të qëndroj i paluhatshëm për të rivendosur paqen  dhe stabilitetin në Kosovë,  duke u ndihmuar edhe vendeve të tjera të rajonit të ecin përpara kah një e ardhme e ndritshme. Duke ju dërguar dëshirat e mia më të mira, shpresoj se ditët që do të vijnë do t'ju sjellin juve më shumë gëzime. Me nderime Bill Clinton

(******iu tregohet të pranishmëve një kopje nga origjinali*****)

 

Përmbledhja „Me  o(R)ë Kosove“ është libri i shtatë me radhë i botuar i Zeqir Gërvallës, në të njëjtën kohë bashkë me „Lulëzimin e rrënjës“, kjo është vepra e dytë e cila promovohet edhe këtu në Heidelberg. Vetë titulli „Me orë Kosove“, është mjaft simbolik, figurativ dhe metaforik. Fjala orë në gjuhën shqipe, sipas FGjSSH si fjalë e parme dhe e vetme, ka mbi dhjetë kuptime, ndersa së bashku edhe si kompozitë arrinë në mbi tridhjetë kuptime të ndryshme semantike. Gërvalla në librin e tij këtë fjalë e përdor herë si mjet që matë dhe tregon kohën, për të cilën thotë se: „…Unë orën time të dorës,… ende s’e kam kthyer me t’Amerikës dhe s’do ta kthej kurrë ….kjo orë dore është kurdisur në Kosovë….dhe për Kosovën do të rrahë gjithëmonë…“,  herë si moment vendimtar, i cili në rrjedhen historike nuk mund të përsëritet shpesh, shembull për këtë është poezia: „Ora e (I)Lirisë“, por në ndonjë rast tjetër e përdorë edhe si figurë mitologjike shqiptare si psh ora e bardhë ora e mirë, ndërsa i tillë çfarë është poeti, në fjalorin e tij nuk gjendet ora e zezë, apo ora e ligë.

Prandaj metafora e orës në vepren të cilën sot ne e kemi përpara, është ajo ngjyra kryesore e saj, ndërsa kur kësaj ia shtojmë edhe zogun në kafaz, gjethin i cili bie nën degën e vet si dhe fluturën e cila poetit ia merr frymëzimin, të gjitha së bashku si figura stilistike përbëjnë tablonë e hijeshisë artistike të librit: „Me o(R)ë Kosove“.

 

 

 

 

 

 

Gjuha e poetit e përdorur në këtë libër, është një gjuhë mjaft e pasur, e cila respekton gjithësesi normën letrare,me përjashtim të ndonjë rasti i cili është i lejueshëm dhe mjaft i kuptueshëm në një vepër artistike. Në ndonjë rast bie në sy, bashkimi i një emri me ndonjë mbiemër, apo mbase edhe me ndonjë kategori tjetër gramatikore, raste të cilat vetëm sa e zbukurojnë vepren, ndersa gjuhën tonë e bëjnë edhe më të pasur, psh trimurti, Lulelupçi etj.

Jo vetëm sot, por sot edhe në çdo mot, sa herë të lëxohet vepra e Gërvallës, sa herë të kujtohet dhembja, malli dhe dashuria e tij, do të dritësohet edhe më shumë, dhe vetëm atëherë do të kuptojmë se neve na duhet edhe më shumë dashuri, respekt, ndihmë dhe besim ndaj njëri tjetrit, sepse të bashkuar dhe të dashur mes vete, do të jemi edhe më të fortë e edhe më të çmuar.

Zonja dhe zotërinj, Zeqir Gërvalla sot jeton në Amerikë. Ai, atje është duke jetuar keq, por edhe më keq është se, ai tani jeton atje gati i harruar. Gati i harruar edhe nga të dy Republikat e Atdheut të tij. Por, kjo nuk është ndonjë risi në historinë tonë, sepse, a nuk ishte kështu edhe me Frashërin e Nolin, edhe me Konicën e Fishtën, edhe me Kutelin e Poradecin. Kështu ishte, prandaj kështu edhe i kemi ne punët sot.

Dhe krejt në fund, edhepse ndoshta dikuj i duket se jam zgjatur pak si tepër, por ju them sinqerisht, se, nuk mundja dhe nuk dëshiroja, që edhe ne sot, në këtë ditë përkujtimi, të bëheshim pjesë e atij gjysmëharrimi të poetit dhe atdhetarit Zeqir Gërvalla.

Këtë fjalë timen sot, dua që ta mbyllë me katër rreshtat e parë të poezisë: „Sytë e dëshmorëve“, të cilën poeti ua kushton shokëve të veprimtarisë dhe vëllezërve të idealit: Jusuf e Bardhosh Gërvallës  dhe Kadri Zekës, pra ua kushton kryeheronjëve të „Flakës së Janarit“

 

Sytë e dëshmorëve

 

Ata nuk ranë therorë

Që ne

Vetëm t’u këndojmë këngë

E t’i kujtojmë në festa e datëlindje…

 

Shënim

Me këtë rast poetit dhe veprimtarit Zeqir Gervalla iu ndanë dy mirënjohje, njëra nga shoqata „Iliria„ me motivacion:Zeqir Gërvalla,  një jetë të tërë kushtuar atdheut, ndersa e dyta nga Unioni Artistik Gjithëkombëtar,me motivacion: për kontributin e dhënë në ruajtjen dhe ngritjen e vleva kombëtare.

 

Fjalë rasti mbajtur nga Sami Krasniqi, me rastin e promovimit të librit:

„Me  o(R)ë Kosove“, të autorit Zeqir Gërvalla, në manifestimin “Flaka e Janarit”, organizuar nga shoqata “Iliria” në Heidelberg të Gjermanisë.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx