E premte, 02.05.2025, 11:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Vasil Toska: ... në padukshmëri (I)

E shtune, 29.01.2011, 05:20 PM


Vasil Toska

... në padukshmëri (IV)

 

NISMA

 

Ky laps i ngjyer në shqetësim

shkruan gjumin e pafjetur,

ecjen e panisur.

 

E shkuara e zbehur

hyn

në rrjedhat e kujtesës...

 

Aty,

buzëvere ndërron pelenat stina

me buzë agimesh...

 

Shpresës së sotme

hapin ia zgjas,

të shohë larg, ku nisma mbërrin...

 

 

VALLE DITURISH

 

...rri e lëkundur një dallgë pohimi,

Shkërmoqen

kallinjtë e arsyes,

mbledhur në vjeshtë brezash.

 

Vallet e shpirtit rebel,

nga rrëmbimi i lumit të kristaltë,

mbytin qetësinë e  parajsës,

mbetur në shtratin e tharë të heshtjes.

 

 

MË NGACMOVE TI, KOHË RINIE

 

Më ngacmove ti,  kohë rinie...

Me buzëqeshje  shpërthimi larë,

në përpjestime çastesh,

qëndisur në kujtesë, larg.

 

...e më bëhesh

nusja e ëndrrës...

 

 

U LODHËN

 

U lodhën

fjalët e thëna pa zë...

 

Rrugë e mundimshme,

me çapa të vrarë  nga zhgënjime...

U lëpi nga gjuhë shiu.

 

Pas mbetën  trazime...

 

 

ME RËNKIMET E SHPIRTIT

 

M’u përdrodhe në krahë,

si gjarpri pas trungut të thatë,

të mbajta

bashkë me rënkimet e shpirtit,

nga larg

ardhur  pa zë.

Ndjeva që  fluturat,

sado krahë të lehtë të kenë,

kur mbi to bie acar,

peshojnë sa dhimbja...

 

 

MIQËSI URITHËSH

 

Eh, miqësia...

vlerë e çmuar nga të mirët,

me rrënjë nën tokë,

në errësirë kontrollohet nga urithët,

me dhëmbë kafshimi

të ngjyer në smirë.

 

 

PËRGJON ZGJIMIN URIA...

 

Përgjon zgjimin uria....

Një urë në shpirt ndërton ...

 

O ec, o ndalu në kohën  e  përgjumur !

 

Matanë  sofrës

Mos e shtro urinë, sërish...

 

 

SYRI QË VËSHTRIM LËSHON

 

Si mendon,

vezullimi i ftohtë

a të pëlqen?

 

I përkryer është,

por

syri,

syri që vështrim lëshon,

më shumë  më rrëmben.

 

Asgjë

nuk është më  e dlirë

sa pohimi

që në të rrëshqet,

askush

nuk mund të flas qartësish,

sa ai vet.

 

VEÇ ME TY

 

Psherëtima

puth kapërcimet e  dallgëve.

 

Nga e shkuara

guaska puthjesh mbetur në breg.

 

Me nanurima, veç me ty,

mbi fllad shijohet  e lumturuar dashuria.

 

 

MBI FLLADIN FLUTUROI

 

Shpresa

vallen e filloi,

në të u shkri deri në agim,

sa dita natën

nisi të kafshonte,

e Njëriu

në dritë shihte njerinë.

 

Mbi flladin fluturoi

zjarrit t’i hiqte nxehtësinë,

me etje

në trupin  e gëzimit të shijonte

dëshirën dhe dashurinë.

 

 

THINJËN ZBARDHI DËSHIRA

 

Në bel ta lakova krahun,

Të dy nga  drithërima u zumë.

 

Përfshirë në përpëlitjen e çastit,

Mike,

e lumturuar u ndjeve tek unë.

 

Rrjedhur  në atë lumë,

Thinjën zbardhi dëshira.

 

Etjembërthyer në  egon e shijes,

në çastin e la gjurmë.

 

Shpresa  krahëvrarë  u kthye në fluturim,

Për ne, të pinim lumturinë!

 

 

I PA VLERI

 

... në  pelenat e mangësisë

shumoi vitet e paaftësisë

i pa vleri

 

Një  rrugë  e çelur e fton të eci

Ai e shkel !...

 

 

ME GJURMËT E KOHËS

 

...u rëndua kjo dritë e pashuar

 

Nga çapat hedhur

në cipën e ndriçimit të panginjur,

udha mbledh dhimbjet

e kohës së pabindur.

 

Nëpër kundërshti

një rrjedhë e përbashkët

lag brigjet, ndarë

deri në detin e kërkimit.

 

Në përsiatjen  e tij

zërat e butë të njerëzores,

çukitën nga sqepi i kohës,

për të ushqyer një tjetër fillim.

 

 

NJË DALLËNDYSHE

 

Dëshirat

të lira në qiellin shtrojë,

vetëtima shpirti mblodhën

acar dyshimi të digjnin.

 

Për kënaqësi,

e trembur një dallëndyshe,

mblodhi krahët e lodhur

në shtegtim.

 

E ulur në valën e një psherëtime,

bishti i saj preu drithërimë

të përkohshme pranvere,

për të endur polenin  e dëlirësisë.

 

Në përvëlim enigmash zogu  i stinës

përplasi krahët e lehtë,

këshillat e përcëlluara u bënë  erë.

Mbrëmja afshin e shtroi

në gjunjë të lumturisë.

 

 

TRISHTIM

 

…i afruar

nga zjarre kujtimesh

shkrin akullin e vetmis dhe trishtimi.

 

Nga  burim  mllefesh

keqdashjet pikojnë...

në përrenj zhgënjimesh

pijnë shpirtrat e tharë.

 

 

STILOLAPSI

 

Mbeti aty,

harruar

mbi llogarinë e kujtimeve

 

Arithmetika e tij

rrjedha e ditëve.

 

 

LARGËSIA

 

Largësia

mallshtuar

e të ikurit të trazuar,

ngjall shpresën

mes ethesh dallgë trazuar.

Shpirti me të

i përmallur shuan rrufe,

Në mjira kilometra nisur, nxituar...

 

 

Sa dashuri

 

A i keni parë fëmijët ?

Në shfaqje cirku

sytë e tyre

si ndrijnë

kur kënaqësi e artistëve

në shpirt u arrinë?

 

Po gëzimin e tyre,

në fund...

fshehur pas frymës

heshtur përkohësisht...

a e matni dot

sa kënaqsi e dritë

ka

në dlirësi fëmijësh?!

 

 

KËRKOI

 

Një urëz kërkoi në botën  pa fund,

Një urëz zjarri

të jetës që djeg,

Një urëz të ndezur në shpirtin e urtë,

Një urëz që ngroh

dëshirat që pjek.

 

Një urëz të nxehtë për afshin e lirë,

Një urëz   gjithmonë

në flakë të përpirë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx