E premte, 02.05.2025, 09:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (VII)

E hene, 31.01.2011, 07:49 PM


Adem Zaplluzha

 

 

PEIZAZHI

 

Mos kërko erën nëpër xhepa

As strofullin e milingonave

Mbrëmë ishin këtu hajdutët

Dhe i vodhën byzylykët e nuseve

 

Në ato arka të rënda

Nuk mbeti më asnjë ofshamë

Sterra i lau sytë e pistë

Në sternat e mëhallës

 

U rihapën portat e ndryshkura

Sykaltra kishte ikur diku larg

Majëmalet e krehën flokët

Kur përfundoi ekstaza e ikjes

 

Kjo rrugë e blertë tund varkën

Në shuplakat e djersitjes

Sa shpesh ripërtërihet  mynxyra

Pasi që çelin gonxhet e mëllagës

 

 Mbrëmë kur u takuam

Në mozaikun e dhembjes

Peizazhi shkundi përparësen

Në sytë e përgjumur të vashës

 

 

KËRPUDHAT

 

Kur i sulmuan hijet

Në sytë e baladës

Patëm mall

Për këngët tona të lashta

Kënduam së bashku

Deri në ag

Atë melodi

Të aguliçeve në mozaik

 

Nuk më befasoi

Kakofonia e tingujve

Ajri kundërmonte

Erën e mollës së kalbur

Blerësit kishin ikur

Nga vendngjarja

Ulërima e ujqërve

Tundej në eter

 

Në logun e turpit

Qeshte mëhalla

Lumëbardhi i shqetësuar

Udhëtonte brigjeve

Kërpudhat

Kishin mbirë pas shiut

Nën urat e vjetra

Të Tabakhanes

Regjeshin lëkurat e dhelprave

 

 

KUR NATA FLENË

 

Mbi tezgën e kasapit

Është rrjepur pula e sëmurë

Dita  i prekte lotët

E shkëlqimit të brishtë

 

Nuk i kalova urat

Sa për të ecur këmbëzbathur

Nëpër kujtesën e ujit

E thura gjerdanin e dashurisë

 

Atë çast erdhën te unë

Dashnorët e Lumëbardhit

Tërë kohën kënduan për ujin

Fëmijët e sokakut të evgjitëve

 

Dukur vonë në mbrëmje

Pushuan kambanat e Shën Mërisë

Nata fjeti në krevatin e gjetheve

Me gjumin e një vogëlushi

 

2.

 

Fli zoti im fli

  dashuri kështu rriten mollët

Edhe koha qesh me të madhe

Kur urinojnë kërthinjtë

 

Vetëm në ëndrrën e bletës

zgjohen lulet që janë mjelë

Krahët e fluturës drithërojnë

Mbi qiriun e djegur

 

Netët na përqafojnë

Me afshin e padukshëm

Lehtas lëshohet nata

Mbi jorganin e purpurt

 

Fli zoti im

Fli

 

3.

 

Nuk më kujtohet

Ku na mbetën iluzionet

Sa mirë e deshëm mbrëmë

Ta rrjepim natën e përgjumur

 

Ajo ikte disi si hija

Dhe fshihej pas hithrave

Sterra e humbi udhën

Në rrënjën e portokallit

 

Kur i shkundëm ullinjtë

Degët na shikonin me xhelozi

Nën fustanin e kuq të vashës

Zgërdhihej hëna

 

 

ZËRI

 

Kur zëri i tejdukshëm

Depërton thellë në legjendë

Fëmijët lodrojnë ëndrrave

Nëpër gjelbërimin e argjendtë 

 

29.o4.2o1o Prishtinë

 

 

KUR LIKENET VALLËZOJNË

 

Më kujtohet kur loznim

Nëpër lymërishta 

Dielli në përcillte me xhelozi

 

Pastaj dilnim në mezhde

Dhe i thanim këmisha

Te gardhi

Ku si me kalamaj

Qeshte 

E qeshte  me ne

Lumi i jonë Lumëbardhi

 

Te ai i patëm ngashërimet

Ku vraponim pa kufi            

Ktheheshim të lodhur

Dhe me plotë hidhërim

Ne në lojërat tona

Kishim liri

Ku gjenim paqe

E ngushëllim

 

Na përcolli grindja

Vaji dhe loti

Ishim të lumtur

Edhe me skamjen tonë

Në kokat tona

Përherë ndërrohej moti

Herë na rrihte breshëri

Herë shiu na ka njomë

 

2.

 

Kur i vjedhshim pulat

Nëpër kotece

Na ndiqte lagjja nëpër lëndinë

Kurse ne qeshnim pa të keqe

Sepse kjo na ishte

I vetmi gëzim

 

Shpesh na zinte nata

Besa nëpër varre

Atje mbuloheshim edhe me ferrë

Ku nëpër ca vrima

Gjenim cigare

Që i linin të vdekurve

Komshinjtë tanë të krishterë

 

3.

 

Na shkuan ditët

Thjesht na ikën motet

Kurse ne u plakëm

Pa mësuar mend   

Mbi një tra të vjetër

Një gjel kotet

Nuk e mundon këtë mik

Më asnjë send

 

Lumëbardhi fle

Me gjumin foshnjarak

Zërat e heshtjes

As myshqet nuk i trazojnë

Ai po shterët

Për çdo ditë nga pak

Kur në lojën e ujit

Likenet vallëzojnë

 

4.

 

Kjo lule e zbehur

Në kujtesën e Lumëbardhit

I kafshon bletët në çdo ag

Balada e jonë

Ajo këngë e mallit

Për do ditë

Shëron nga një plagë

 

Në çitjanet e nuses

Një sy i vockël loton

Ah ai vaj i kristaltë

Sa ethshëm jehon

Në kupën e verës

Së përzier me mjaltë

 

Kroi i shterur

Në korije nuk bëzan

Një këngë të lashtë

Ndër buzë fërshëllen

Uji stërkalë akulli

Pikon nëpër dej

Kur unë ty te lugjet

Në mes të gjetheve

Moj e dashur të gjej

 

5.

 

Diçka nuk po jam i qetë

Miku im

Shëtit nëpër hënë

Kurse unë

Nuk mund t’i shkeli as retë

 

Mos është kjo

Ajo padrejtësi hyjnore

Ai po ecën zbathur nëpër tokë

Kurse ajo shkelë

Sagën qiellore

 

Dikujt po i përkasin

Yjtë në galaktikë

Kurse tjetri  jeton

Nëpër lymërishte

Ashtu thjesht

Pa prikë

 

Nuk mund të durohet

Kjo rrjepje lëkure

S’po më kujtohen më ditët

A është e hënë

E martë

Apo e mërkurë

  

6.

 

Dhjata e Vjetër

Pak si shumë po moralizon

Na tregon kodin

E pamundur të hyjit

Kurse varfëria në tokë

Po na paralizon

Duke i lidhur nyjat

Në ndërgjegjen tonë

 

7.

 

Punët disi

Nuk po na ecin mbarë

Ne nuk po kemi as thasë

E ju or miq

I numëroni minjtë në hambar

 

Prodhoni plumba

Kundër sojit njerëzor

E unë

Nuk kam as pëllumba

 

Më janë thyer krahët

S’mund të fluturojë or mik

Më keni shtrënguar për gryke

As frymë

Nuk mund të marrë

Shumë

Tepër shumë po më pengojnë

Armët e juaja atomike

  

8.

 

Ti po shkelën edhe në diell

Kurse ne

Nuk po kemi vend

As në qiell

 

Me sandale e prek

Mbarë galaktikën

Duke grabitur nga dora e jonë

Pajën edhe prikën



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx