Kulturë
Baki Ymeri: Fontana e fjalëve
E hene, 31.01.2011, 08:58 PM
Fontana e fjalëve
Nga Baki Ymeri
Ja edhe një antologji e përbashkët e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, idenë e së cilës e ka hedhur para disa vitesh Mardena Kelmendi nga Triesta. Lexuesi që nga ballina e librit ballafaqohet me një pikturë të Miradije Ramiqit nga Kosova, si dhe me një sintagmë identike në të dy gjuhët (Fëntëna/Fontana), ndërsa “Fontana e fjalëve” prezanton një numër të konsideruar poetësh rumunë në gjuhën shqipe, me një poet nga Kosova që debuton me vlera lirike në gjuhën shqipe (Qerim Zogaj), dhe me dy poetë të tjerë nga Shqipëria historike me vargje në gjuhën rumune (Vilhelme Vranari Haxhiraj dhe Skënder Zogaj). Edhe kësaj vepre që e pa dritën e botimit në janar të këtij viti, i paraprin një parathënie briliante e Visar Zhitit, përmes të cilit i jepet lexuesit një pasqyrë reale mbi kulturën poetike dhe nocionin e antologjisë që përfshin një gjeneratë krijuesish konform principit kronologjik.
Librit i paraprin një vlerë e lartë e botës kontemporane rumune, Varuzhan Vosganian, poet, eseist, prozator, politolog, doktor shkencash ekonomike, deputet dhe senator, zëvendëskryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, funksionar i lartë i partisë Liberale të Rumanisë (PNL). Ka botuar dhjetra libra dhe qindra artikuj, studime, ese ekonomike, beletristike, letrare dhe politologjike. Është laureat i disa çmimeve të larta për librin më të mirë të vitit 1994 (prozë), ndërsa vargjet e tij e kanë parë dritën e botimit edhe në veprat e zgjedhura nga Evropa Qëndrore dhe Lindore për Konferencën amerikane të American Literatry Translators Association. Nga bibliografia e tij letrare vlen të përmenden vëllimet Shamani i kaltërt, Përmendorja e Komandorit, Syri i bardhë i Mbretëreshës, Jezusi me njëmijë krahë, Vallja me vdekjen, Portret gruaje, etj.
Ioana Stuparu është poete, prozatore, publiciste. Kulti ndaj familjes dhe dashuria përvëlimtare ndaj vendlindjes kanë ndikuar që vlerat e vendlindjes t’i plasojë në përjetësi. Kështu e ka shkruar romanin/trilogji Njerëzit e rërës, 2006, me nëntitujt Betimi i njerkës, Tregtia dhe Lotët në vatër, pas të cilit pason romani i debutimit Kopshti që u ngjit në qiell, prozë e shkurtë , Fjalë të mëndafshta (me kronikë letrare dhe portrete), Shokë të ditës së fundit (roman). Prezente në antologjitë: Në hap me orën, Ndërmjet heshtjeve të shenjta, Violina nga zemra e pyllit, Shkallë drite, Pronarë ëndrrash, Mendime stelare, Zenit përvjetori, Agimi në muzg, Jeta si një sonet, Parfum jargavani, Gjithmonë me ne, Orfeu i Ri, I mençuri nga Amerika, Dëshmia e Besnikërisë Letrare, Romani Minimalist, Dëshmi turbulluse, Solidaritet dhe Tolerancë, Personalitete rumune dhe faktet e tyre etj.
Pas Vilhelme Vranari-Haxhirajt dhe Skënder Zogajt që defilojnë me vargje kushtuar Kosovës dhe Shqipërisë, martirëve të kombit, bukurisë së natyrës dhe dashurisë, pason Mihai Antonescu, dashamir i madh i kulturës shqiptare, poet, prozator dhe eseist. Debutoi më 1977 me rrëfimin Shishja e shampanjës, ndërsa më 1988 me romanin historik Pesë kapitenë. Në ndërkohë ka botuar 17 vëllime (poezi, rrëfime, romane). Është prezent në antologjinë Bukuria e bukurive (Bukuresht, 2008), anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe i disa shoqatave tjera rumune, bashkëpunëtor revistash të ndryshme letrare, laureat i një serë shpërblimesh letrare, autor i një numri të konsideruar reçensionesh të shkrimtarëve shqiptarë të botuar në gjuhën rumune. Sipas tij, “Bie edhe një natë mbi Moldovë/ Dëgjohet në qiell një yll duke ëndërruar/ Kur ngjiten manastiret në bjeshkë/ Dhe më namatis goja jote nënë/ Kalojnë themeleve të përmendurit/ Duke i mbajtur varrezat në shpinë// Dhe zemrën e dritës në felinarë”.
Një dashamire e shquar e krijuesve tanë është edhe Monika Mureshan, poete, eseiste, filologe. U lind në Pitesht, më 1953, debutoi në shtyp më 1980, për të botuar në ndërkohë vëllime personale si: Dogana e ajrit, Vendkalimi për këmbësorët, Vdekja quhej Scumpi, Ylli i Muranos, Syri i natës, Grua në portën e Parajsës prej qelqi. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, e përfshirë në antologjitë Arka e zbutësit të fantazmave, Prozë fantastike, Takime në fjalë, Qarqe prej uji, Orfeoni ndërmjet traditës dhe modernitetit, Mbretëresha e natës, Ekzotikë, Hipostazat e fantastikut bashkëkohor, Harmoni të barokut, Kosova letrare. Pason Florica Ceapoiu me vargje në të dy gjuhët, pas së cilës vjen Vali Ni?u me “ëndrra të programuara”, drejtor i gazetës Impact literar, një tribunë (inter)nacionale që ka hapur shtyllat edhe për kulturën shqiptare.
Florica Budi vjen nga Maramureshi. Ka kryer liceun në Baia Mare dhe ka studjuar në Institutin e Xeheve në Petroshan. Revolucioni antikomunist i Dhjetorit 1989 e gjen si programuese e Qendrës Territoriale të Llogarive në Baia Mare. Ka debutuar në vitin 1993 me vëllimin me prozë të shkurtë, Dashuri jam një objekt që fluturon, duke botuar në ndërkohë vëllimet me prozë Billklintonienët, Mariatereza jam unë, Glina joshëse (në gjuhën shqipe), dy vëllime bilingve rumanisht-frëngjisht, dhe një vëllim rumanisht-shqip (Flamuri i dëshirave). Për prozën e saj kanë shkruar personalitete të shquara të botës letrare rumune. Sipas kritikut Horia Gârbea, Florica Bud praktikon një gjini të rrallë në letërsinë bashkëkohore. Shkrimi i saj është në përkufizim ndëmjet fikcionit, eseut dhe publicistikës. Eksperienca e vëllimeve paraprake të saj, dedikuar si fëmijëve dhe të mëdhenjve, ia shtojnë vlerën teksteve që bëhen të kapshme dhe të brishta. Florica Bud është një shkrimtare që përpiqet ti përvetësojë të gjithë përmes brishtësisë. Në botën letrare ajo manifeston plotësisht vokacionin kulturor, ngase ka talentin për ti afruar artistët dhe për të mediatizuar me delikatesë krenarinë e tyre. Shkrimtarja nga Baia Mare është një Madame de Recamier e vitit 2000 që i mbron artistët nga pasojat e tranzicionit.
Lucian Gruia (1950), është poet, prozator, eseist, monografist. Debutoi në shtyp me vargje në revistën Amfiteatru. Bibliografi letrare: Ngjyrat e shqetsimit, Universi i formave të Brënkushit, Reflektime dhe interferenca, Ringu i boksit, Momenti i revelacionit në tempullin Brënkushian të çlirimit, Shpresa, Triptik spiritual: Eminesku, Blaga, Brënkush. Punime shkencore të botuara në vëllime të ndryshme selektive. Bashkëpunëtor në revista të ndryshme, laureat i disa çmimeve të rëndësishme për letërsi, film etj. Anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Rumanisë, Filiala e Bukureshtit (dega e prozës). Adrian Alui Gheorghe nga Moldova e Lazim Rexhepit dhe Iuliana Popescu nga Bukureshti prezantohen për herë të parë me vargje në gjuhën shqipe, si dhe Qerim Zogaj nga Kosova me poezitë Udha e përlotjes, Të premten, Barkë e humbur mbi valë, Toka ime, S’është ndryshe…
Përpilimi i një antologjie poetike nuk don të thotë vetëm subjektivitet prezantimesh dhe klasifikim autorësh të zhgjedhur, por edhe nevojë permanente për të sjellë risi, ngase bota gjithmonë ka nevojë për forma të reja të komunikimit. Padyshim, edhepse nuk është respektuar metoda e përfaqësimit proporcional, poetëve rumunë duke u dhënë më shumë hapsirë tipografike se sa krijuesve shqiptarë, kjo nuk e dëmton imzahin e librit duke patur parasysh faktin se në disa antologji paraprake kemi vepruar anasjelltas. Qëllimi është krijimi i mëtejshëm i urave të afrimit mes dy gjuhëve, mes dy kulturave, mes dy vendeve e dy popujve të etshëm për ta njohur njëri-tjetrin edhe përmes prezantimit të vlerave të tyre shpirtërore, me tekste të zgjedhura që janë relevante për një përfaqësim të denjë vlerash artistike.
VARUJAN VOSGANIAN
PORTET GRUAJE ME DIADEMË
E kam dashur gruan e fillimit
Ajo afrohet aq lehtë
saqë hija nis gjithmonë përpara
Është aq e zhdërvjelltë
Saqë asnjë kanatë s’mund ta ndalojë
Drita i mbështetet me ëmbëlsi mbi supe
Kaprojtë dhe dhelprat e ujqit e lëpijnë
Gjurmën e shputave të saj
Porsi një kokërr kripe
E nuhasin porsi erën e ngrohtë
Që e shkëput në mars dëborën e shpatijeve
Në flokë i fëshfërijnë gjethet e ngatërruara që shkojnë duke u tharrë dalngadalë
Nuk ka brigje që mund ta përfshijnë
Për atë veshje tjetër përveç pelerinës nuk mban
Për atë emrin e saj ende askujt nuk ia ka dhënë
Në sytë e saj shkrepin zjarret e kështjellave të lashta
dhe diadema i rri në ballë
si një gur i çmuar në fund të këndit
TË PAPËRSËRITSHMIT
Kam vallëzuar
Para se të fillojë muzika
Në ritmin e dritave të shenjta
Filluan të lulëzojnë gështenjat
Dhe përpara eli lama sabactani
Fillova të hesht
Që të mos më detyrosh të ta jap emrin
I turbullova ujërat në rrugën tënde
Që mos të të pasqyrojnë
Ne jemi ata që jemi:
Bukuroshja dhe armenasi
Që shkruajnë mbi gjithë ato libra të shpërndarë
Një incunabulum*
_________
* incunabulum - një ekzemplar libri shumë i vjetër dhe i çmuar,
i shkruar para fillimit të shtypit, para vitit 1500.
PAMUNDËSIA E DRITËS
Lindem për çdo ditë nga Fryma e Shenjtë
Të pashkëputura
Fanitjet e mia enden nëpër botë
Pasqyrat më përsërisin si një varg
I ditur përmendësh
Drita më vendos
Në secilin sy të argjendtë apo mbi ujë
Prej njeriu apo prej engjëlli
Që më shikon
Takohemi në dritat e kryqëzuara
Ata që ngjajnë me mua duan shpirtin tim
Më kot ta vjedhin
Unë e di se cili prej nesh është i vërtetë
Në çdo fytyrë tjetër timen
Mungon shëmbëlltyra ime për ty
FITORJA E GJUMIT
Gjumi është gjendja ime e gdhimit.
Atë që nuk mund ta mbroj me krahë,
E strehoj në kështjellën e tij.
Ëndrra është ushqimi i tëmthave të mia
Të cilës i mungon erëtima
Porsi uji i freskët.
Aq e lirë je në ëndrrën time
Mu nga ajo pse s’mund ta braktisish;
Aq e bukur je
Saqë përreth teje nuk bëhet hije.
ÇMIMI
Asgjësi si një ëndërr
Zbres nëpër sende
Në arën e verdhë
Ti je një tjetërsoj lule e diellit
Përgjatë ditës dremit mbi gjurmët e hënës
Si të të prek nëse jo duke më shkëputur nga trupi
Si nga një petk i përdorur dhe i vjetër
Si të të mbuloj me gjallërinë time
Nëse s’është një plagë që e nxjerr në pah
Kështu do të jetë. Dhembje e lazdërim së bashku
Si një copë temjani
Që tymos në shuplakë