E enjte, 01.05.2025, 05:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Çmimet kombëtare të letërsisë 2010

E shtune, 05.02.2011, 05:12 PM


Sabri Hamiti
Sabri Hamiti
Ashtu si tani është bërë traditë, dje, në ditën e parë të shkurtit janë ndarë çmimet kombëtare të letërsisë për 2010-ën. Ceremonia e dhënies së çmimeve është bërë në institucionin që organizon këtë aktivitet në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

 

Për ministrin e TKRS-së, Ferdinand Xhaferaj, “ceremonia e ndarjes së çmimeve të letërsisë përbën një ngjarje dhe një motiv më shumë për të mbledhur sërish, njerëzit e letrave, personalitetet e shquara të kulturës dhe për të përcjellë së bashku kënaqësinë dhe emocionet e ndarjes së trofeve të veprave më të mira të vitit, në gjinitë e romanit, tregimit, poezisë, përkthimit, studimit dhe letërsisë për fëmijë”.

 

Juria e përbërë nga Persida Asllani, Virgjil Muçi, Balil Gjini, Bardhyl Londo dhe Agron Tufa në pozitën e kryetarit, përzgjodhi emrat dhe titujt me vlera më të spikatura në fushën e letërsisë, për të cilët ndau çmimet: “Gjergj Fishta”-Visar Zhiti, “Faik Konica”- Anastas Kapurani, “Fan Noli”-Saverina Pasho, “ Mitrush Kuteli”- Ridvan Dibra, “Petro Marko”-Ramiz Gjini, “Migjeni”- Manjola Brahaj, “Lasgush Poradeci”-Arian Leka, “Jusuf Vrioni”- Joachim Röhm, “Donat Kurti”- Joni Boçari dhe “Çmimin e madh të letërsisë”- Sabri Hamiti.

 

Ndër emrat konkurrent për këto çmime në këtë edicion ishin edhe Zija Çela, Idlir Azizit, Rudi Erebara etj. për prozën, Zef Zorba, Arjan Leka, Preç Zogaj për poezinë, Ardian Klosi, Aristidh Ristani, Jonila Godole, Mimoza Hysa, Dritan Çela për përkthimin, Kiço Blushi dhe Jani Boçari për letërsinë për fëmijë, etj.

 

Për ministrin Xhaferaj, ky aktivitet përfaqëson një angazhim të përvitshëm, nëpërmjet të cilit vlerësohet krijimtaria letrare, studimore dhe përkthimore që i ofrohet editorisë shqiptare përgjatë një viti kalendarik. Sipas tij, MTKRS-ja përpiqet të dëshmojë në këtë mënyrë kujdes, jo vetëm ndaj librit si produkt kulturor dhe intelektual, por edhe ndaj krijuesve të tij. “I gjithë ky proces i pandërprerë synon që me përpjekje të përbashkëta të bëhet i mundur integrimi i kulturës së shkruar shqipe në vlerat më përfaqësuese të kulturës evropiane dhe asaj botërore”, vlerësoi ministri.

 

“Është e qartë se këto janë çmime të Ministrisë së Kulturës dhe ne si ministri kemi menduar se mund të shkohet drejt një përzgjedhje cilësore duke i deleguar kartën e besimit, me të gjitha të drejtat e përzgjedhjes, një jurie serioze të kompozuar nga shkrimtarë, studiues dhe personalitete të letërsisë. Juria, e cila prej disa muajsh, ka hulumtuar mbi risitë dhe dukuritë letrare që janë shfaqur në botimet e vitit që lamë pas, do të na bëjë të mundur vetëm disa minuta më pas, të njihemi me arritjet më përfaqësuese në fushën e krijimtarisë letrare, studimit dhe përkthimit, që mendohet se kanë shënuar një nivel kulmor në zhvillimet e sotme letrare”, vijoi Xhaferaj. Çmimet Kombëtare të Letërsisë orientohen drejt një përqasje të dyfishtë, ku synohet të çmohet krijimtaria e shkrimtarëve të ndryshëm bazuar në traditën letrare kombëtare, si edhe të dallohen dhe promovohen prirjet e reja që përshkojnë rrjedhën e letërsisë shqipe.

 

B. Goce

 

Çmimi i Madh i Letërsisë për vitin 2010

 

I jepet shkrimtarit dhe studiuesit Sabri Hamiti me veprën “Poetika shqipe”, për studimin dhe interpretimin e letërsisë shqipe si një tërësi organike me kodet dhe strategjitë e saj të ligjërimit, nën dritën e teorive dhe hulumtimeve moderne, origjinale dhe bashkëkohore.

 

Çmimi “Petro Marko” për vitin 2010

 

I jepet shkrimtarit Ramiz Gjini me romanin “Bibollasit” për risitë letrare që sjell në regjistrat stilistikë të narracionit dhe për konceptin karnavalesk dhe groteskun në paraqitjen e përditshmërisë së shoqërisë sonë të deformuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale.

 

Çmimi “Mitrush Kuteli” për vitin 2010

 

I jepet shkrimtarit Ridvan Dibra me vëllimin me tregime “Në kërkim të fëmijërisë së humbur”, për teknikat narrative të përvojës së gjallë, të rikuptimësuara në korniza kompozicionale dhe paradokset semiotike me kohën.

 

Çmimi “Lasgush Poradeci” 2010

 

I jepet poetit Arian Leka me poemën “Ndreqje gabimesh”, për monologun e subjektit poetik përmes imazheve metafizike e meditative si rrugë komunikimi maksimal me trajtat e rrëshqitshme të femrës në të gjitha rolet e saj.

 

Çmimi “Faik Konica” 2010

 

I jepet studiuesit Anastas Kapurani me veprën studimore “Migjeni, ose parathënie e dyzuar”, për prurjen bashkëkohore në mendimin kritik mbi veprën e Migjenit dhe hapjen e diskuriveitetit shkencor mbi krijimtarinë e tij.

 

Çmimi “Gjergj Fishta” 2010

 

I jepet shkrimtarit Visar Zhiti, për librin eseistik “Panteoni i nëndheshëm”, për sjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi veprën letrare të shkrimtarëve të ndaluar e të burgosur nën diktaturën komuniste, të cilët nuk patën fatin të komunikonin me lexuesin e tyre, por provuan tragjedinë e dyfishtë si njerëz e si krijues.

 

Çmimi “Fan Noli” 2010

 

I jepet përkthyeses Saverina Pasho me romanin “Ishulli i mundshëm” të shkrimtarit francez Michel Houellebecq, për gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore në një shqipe të pasur, të gjallë e dinamike.

 

Çmimi “Jusuf Vrioni” 2010

 

I jepet përkthyesit të njohur Joachim Röhm, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimin dhe promovimin e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhët dhe kulturat gjermane.

 

Çmimi “At Donat Kurti” 2010

 

I jepet shkrimtarit të ri Joni Boçarit, me romanin “Bor-for ose provat e Askanos”, për gjuhën e gjallë dhe imagjinatën lojcake në krijimin e realiteteve të magjishme e fantastiko-shkencore.

 

Çmimi “Migjeni” 2010

 

I jepet poetes debutuese Manjola Brahaj me vëllimin “Vajtimi i Kalipsosë”, për gjuhën e pasur dhe imazhet befasuese në një konceptim modern të strukturës semantike dhe vargut të përpunuar.

 



(Vota: 7 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx