Kulturë
Nexhmije Çerkezi: “Duke pritur Godonë”, një absurditet i pritjes
E diele, 06.02.2011, 07:15 PM
“Duke pritur Godonë”, një absurditet i pritjes
Nga Nexhmije Çerkezi
Jashtë skenës franceze, në një hapësirë të improvizuar skenike të Teatrit tonë, gjeti vend këto ditë vepra e regjisorit francez, Samuel Beckett, e titulluar “Duke pritur Godonë”, me regji të Drita Begollit.
Drama sjell një formë më ndryshe ku menjëherë na bie në sy intervenimi i regjisores në ide, ku ideja e formalizimit të dramës është pikërisht transformimi i personazheve të Beckett, në personazhe të femrave, që në këtë rast kemi rolin e Vlladimirit me rolin e Drita Krasniqit, si dhe Estregonit me rolin e Arbnesha Grabovci Nixha, ku regjisorja ka kërkuar sigurisht përqëndrimin e publikut në plan të parë.
Përkundër absurditetit të pritjes, fijës së perit të tërhequr zvarrë për t’u kapur pas jetës, nocionin “pritje deri në pakufi” për të gjetur kuptimësinë e jetës, regjisorja pa dalë shumë grilave të skenarit, është munduar që t’i japë epërsi më të thellë dramës, por që nuk (si ide) drama nuk thellohet shumë nga aktorët, dhe funsionaliteti i saj, mbase nuk ofron një mgjyrë më të gjallë të emocionit te publiku.
Shikuar nga ky aspekt në një farë forme transponimi i saj na duket paksa i kushtëzuar artistikisht, nga forma e marrë drejtpërdrejtë nga autori francez, edhe pse jo se nuk shohim përpjekjet për të sjellur një ndryshim në këtë kontest tek publiku shqiptar.
Megjithate shfaqja sjell ndërtimin e roleve në specifikacionet e tyre, pavarësisht që nuk na bindin plotësisht, megjithatë drama në vete kushtimisht kap thelbin e temës apo, të themi, atë solidaritetin e aktorëve në rolin e pritjës së pafund të Godosë, që në sytë e personazhit na duket disi e pakapshme, që në një farë forme nxjerr atë tkurrjen e vetmisë, pritjes si element kyç i shfaqjes, që në këtë rast gëlltit këta personazh të humbur dhe të brakstisur nga jeta, e cila paraprakisht mund të kuptohet nga frazat e vetë personazheve.
Me një shikim më të përkushtuar shfaqja na duket të jetë e thatë si tërësi, por e plotë në brendësi, ndonëse nuk ka shumë dinamikë, megjithatë ka një lloj lëvizshmërie, nuk është recital shumë i gjallë, por as i ngurt, sa është i drejtpërdrejtë, po aq na duket i thjeshtë, por megjithate ka edhe një freski të gjallë skenike.
Megjithatë, zakonisht kur kemi të bëjmë më një numër të vogël të aktorëve në skenë, atëherë mbase këtyre personzhave u mbetet barra kryesore që ta zëvendësojnë atë mbushjen e fuqizimit të hapësirës, në ndërtimin e personazhit, sepse në këtë rast ndërtimi i personazhit në këtë, apo atë formë, bie në sy më shumë, edhe pse në qendër të vëmendjës na vjen roli i aktores, Drita Krasniqi, ndoshta pak me një qëndrim të proklamuar, apo ngulmues, ku trumpeton dukja, qëndrimi, që përpiqet ta determinojë karakterin e rolit, me zërin ngulmues, transparencën, komoditetin që i jep vetës, duke i mishëruar mes vete, të gjitha.
Po ashtu role të përmbajtura me një dozë të nevojshme artistike që paraqiten në skenë janë edhe roli i Estregonit, të cilin e luan Arbnesha Grabovci Nixha, pastaj në role të tjera kemi edhe rolin e Pozos, një grua e verbër, të cilin e luan Kumrie Hoxha, pastaj rolin e Lucky, një grua memece, rolin e të cilës e luan Agnes Nokshiqi, si dhe roli i djaloshit të cilin e luan Erind Lokaj.
Drama në terësi kap formën, kornizën e realizimit skenik, nuk rëndohet shumë në gjestikulacionin e tepruar dhe gjithashtu element të veçantë ka edhe muzikën e përzgjedhur e cila vetëm sa e fuqizon shfaqjen, dhe i shton dramacitetin shfaqjes dhe personazheve që bien grackë e roleve të tyre.
Nga kjo që u tha më sipër mund të thuhet se qasja regjisoriale e shfaqjes mbase mund të nënkuptohet si sprovë apo eksperimentim i vetë regjisores, në formulimin regjisorial me ndërrimin e roleve, që regjisorja ka zgjedhur jo rastësisht të diplomojë me këtë shfaqje për studimet master, sepse “Duke pritur Godonë” është një dramë e shkruar në vitin 1953 në Paris, që është një ndër veprat më të sukseshme të Beckett-it, tek e cila ai përcjell shpirtin dramatik te lexuesi, një autor i cili gjithashtu radhitet një ndër shkrimtarët më të famshëm francezë.